1X10: SHOQËRIA PA SHKOLLË

Titulli: Shoqëria pa shkollë
Autori: Ivan Illich
Shqipëroi: Arjan Gjikola
Shtëpia botuese: Pika pa sipërfaqe (2019)

Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Arjan Gjikola

 

1.

Pengesën kryesore në rrugën drejt një shoqërie që përnjëmend edukon ma nxorri një miku im i mirë zezak nga Çikagoja, i cili më tha se e gjithë imagjinata jonë “është e shkolluar”. Ne i lejojmë shtetit të përcaktojë cilat janë deficitet edukuese të përgjithshme të qytetarëve dhe, rrjedhimisht, e lejojmë shtetin të themelojë organizmat e specializuara për t’i “trajtuar” qytetarët përmes shkollës. Kësodore ne bëhemi pjesë e mashtrimit, duke menduar se mund të dallojmë ndërmjet të nevojshmes dhe të panevojshmes në edukimin e të tjerëve – njësoj si brezat e mëparshëm, kur vendosnin ligje që përcaktonin se ç’ishte sakrale dhe ç’ishte profane.

 

2.

Burokracitë e shtetit të mirëqenies sociale mëtojnë se kanë monopol profesional, politik e financiar mbi imagjinatën shoqërore, duke caktuar standarde për atë se ç’është e vlefshme dhe e realizueshme. Ky monopol është në rrënjë të modernizimit të varfërisë. Çdo nevojë e thjeshtë, për të cilën gjendet një përgjigje institucionale, i hap rrugën shpikjes së një klase të re të varfrish dhe të një përkufizimi të ri të varfërisë. Dhjetë vjet më parë në Meksikë ishte e zakonshme të lindje e të vdisje në shtëpi e të të varrosnin miqtë. Vetëm nevojat e shpirtit i besoheshin institucionit të kishës. Ndërsa sot, ta nisësh e ta bitisësh jetën në të njëjtën shtëpi është shenjë ose e skamjes, ose e një privilegji të veçantë. Të vdekurit dhe vdekja i kanë kaluar tashmë nën administrim institucional doktorit dhe agjencive funerale.

 

3.

Edukimi rastësor nuk mund t’i rikthehet më formave që merrte mësimi nëpër fshatra apo në qytezën mesjetare. Shoqëria tradicionale ngjante më shumë me një bashkësi rrathësh koncentrikë strukturash kuptimplota, ndërsa njeriu modern duhet të mësojë se si të gjejë kuptim në shumë struktura, me të cilat është i lidhur vetëm cektësisht. Në fshat, gjuha, arkitektura, puna, feja dhe zakonet familjare ishin në pajtueshmëri – ndërsjelltazi përligjëse dhe përforcuese të njëra-tjetrës. Rritja në njërën prej këtyre strukturave nënkuptonte rritje në të tjerat. Edhe çirakëria e specializuar ishte një nënprodukt i aktiviteteve të specializuara si këpucaria apo këndimi i psalmeve. Edhe po të mos bëhej kurrë mjeshtër apo shkollar, prapëseprapë çiraku jepte kontributin e tij në bërjen e këpucëve apo në krijimin e një atmosfere solemne gjatë shërbesave fetare. Edukimi nuk ia merrte kohën as punës, as kohës së lirë. Thuajse i tërë edukimi ishte i ndërlikuar, zgjaste përgjatë gjithë jetës dhe ishte i paplanifikuar.

 

4.

Ne të gjithë e kemi mësuar jashtë shkollës pjesën më të mirë të asaj që dimë. Nxënësit e mësojnë pjesën më të madhe të koncepteve pa mësuesit, madje shpesh pavarësisht nga mësuesit. Më tragjikja është se shumicës mësimet ia ka dhënë shkolla, edhe pse nuk kanë shkuar kurrë në shkollë.

 

5.

Mësuesi si moralist zëvendëson prindërit, Zotin ose shtetin. Ai e indoktrinon nxënësin me ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar, jo vetëm në shkollë, por edhe në përgjithësi në shoqëri. Ai zë loco parentis-in për çdo nxënës, duke bërë kështu që të gjithë të ndihen bij të të njëjtit shtet.

 

6.

Me ta pranuar nevojën për shkollë, çdokush shndërrohet lehtësisht në gjah për institucionet e tjera. Pasi të kenë pranuar t’ia nënshtrojnë imagjinatën formimit, përmes një mësimdhënieje të planifikuar në mënyrë rigoroze, të rinjtë kushtëzohen lehtësisht që të pranojnë çfarëdolloj forme planifikimi institucional. Kësisoj “mësimdhënia” ua ngulfat horizontet e imagjinatës. Nuk mund të thuhet as që janë tradhtuar, por thjesht janë mashtruar, sepse u është mësuar ta zëvendësojnë shpresën me pritshmëri. Kështu nuk do të habiten, për mirë a për keq, nga të tjerët, sepse u është mësuar se ç’duhet të presin nga gjithkush që është mësuar po si ata. Kjo mbetet e vërtetë, qofshin të tjerët persona apo makineri.

 

7.

Shkolla mëton ta fragmentojë të mësuarit në “lëndë”, të ndërtojë kështu në kokat e nxënësve një kurrikul me këto blloqe parafabrikate dhe ta masë rezultatin me peshore ndërkombëtare. Njerëzit që i nënshtrohen matjes së zhvillimit personal me standardet e të tjerëve herët a vonë përfundojnë duke përdorur të njëjtin kut bash mbi kryet e tyre. Atyre s’është më nevoja t’u tregosh vendin, se futen vetë në vendin që iu është caktuar, ngucen në atë kamaren që iu është mësuar ta gjejnë, dhe në proces e sipër vendosin edhe të ngjashmit e tyre në vendet që iu janë caktuar, derisa çdokush e çdo send të jetë kullandrisur.

 

8.

Kisha e re universale është industria e dijes, që për një kohë gjithnjë e më të gjatë në jetën e individit i siguron atij edhe opiumin, edhe vendin e punës. Çshkollimi, pra, është në themelin e çdo lëvizjeje për çlirimin e njeriut.

 

9.

Sigurisht që shkolla nuk është kurrsesi i vetmi institucion modern që ka si synim parësor formimin e vizionit të njeriut për realitetin. Kurrikula e fshehtë e jetës në familje, shërbimi ushtarak, shërbimi shëndetësor, të ashtuquajturat specializime profesionale, si dhe media, luajnë një rol të rëndësishëm në manipulimin institucional të botëkuptimit të njeriut, gjuhës dhe kërkesave të tij. Ama shkolla skllavëron edhe më thellë, edhe më sistematikisht, meqë vetëm asaj i është besuar funksioni kryesor i formimit të gjykimit kritik. Paradoksalisht ajo përpiqet ta arrijë këtë duke e bërë mësimin për veten, për të tjerët dhe për natyrën, të varur nga një proces i parafabrikuar. Shkolla na prek në një mënyrë kaq intime, saqë askush nga ne nuk mund të shpresojë të çlirohet prej saj nga jashtë.

 

10.

Dyshimi se në konceptin e homo faber-it ekziston diçka strukturalisht e gabuar është i pranishëm te një pakicë në rritje, si në vendet kapitaliste e komuniste, ashtu edhe në vendet “e nënzhvilluara”. Ky dyshim është karakteristikë e përbashkët e elitës së re. Asaj i përkasin njerëz nga të gjitha klasat, nga të gjitha nivelet e të ardhurave, nga të gjitha besimet fetare e nga të gjitha qytetërimet. Ata s’u zënë besë miteve të shumicës: utopive shkencore, djallëzisë ideologjike dhe pritshmërisë për ndarjen e mallrave dhe shërbimeve me njëfarë barazie. Ata kanë të përbashkët me shumicën ndjesinë e të qenit të zënë në kurth, si dhe ndjesinë se shumica e politikave të reja të miratuara me konsensus të gjerë çojnë rregullisht në rezultate që, në mënyrë dalldisëse, janë të përkundërta me synimet e deklaruara. Prapëseprapë, aty ku shumica prometeane e eksploruesve të hapësirës ende i bishtnon problemit strukturor, pakica që po shfaqet në horizont është kritike ndaj deus ex machina-s shkencore, këtij melhemi ideologjik për të gjitha të këqijat, dhe ndaj gjuetisë së djajve dhe shtrigave. Kjo minorancë fillon e formulon dyshimin se vetëmashtrimet tona na lidhin me institucionet bashkëkohore njësoj si zinxhirët lidhnin Prometeun pas shkëmbit. Besimi shpresëplotë dhe ironia klasike (eironeia) duhet të shtien aleancë së bashku për ta nxjerrë sheshit mashtrimin prometean.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top