A KA MË VEND PËR VEÇANËSI?

nga Ernest Nasto

Në vazhdim të një numri shkrimesh të mëparshme, sidomos këtij, rreth krisjeve në rendin ndërkombëtar liberal, po i rikthehemi këtu rolit të ardhshëm të Amerikës në botë, gjithmonë në hullinë e ‘‘veçanësisë amerikane’’.

Problemi më themelor për politikën e saj të jashtme është nëse Amerika duhet të vazhdojë të drejtojë botën. Dhe nëse po, si duhet ta bëjë këtë? Tema bëhet edhe më kritike po të marrim parasysh se Shtetet e Bashkuara duket sikur s’kanë më ndonjë qëllim bazë në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare. Dikur, në vitet ‘80 – ‘90, arritjet ishin të dukshme si fitorja e Luftës së Ftohtë, rënia e Murit të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë, fundi i gjakderdhjes në Bosnje, ndalimi i gjenocidit dhe pavarësia e Kosovës, etj.

Fatkeqësisht shekulli XXI solli terrorizmin dhe super-gafën e Irakut, ekzekutimet nga qielli (apo nga karrigia) nëpërmjet dronëve, shndërrimin e pranverës arabe në dimër të mbrapshtë në Siri, Jemen e Libi, skandalin Snowden, etj. Këto disfata të politikës së jashtme justifikojnë zhgënjimin e brezit të sotëm me idenë themelore amerikane të ‘‘veçanësisë’’. Por faktor tjetër kryesor i zhgënjimit është edhe paraqitja shpesh arrogante e kësaj ideje sidomos në qarqet konservatore dhe neo-konservatore, paraqitje që vetëm mburrin me superlativa ‘‘mirësinë’’ dhe ‘‘madhështinë’’ e Amerikës, pa pranuar asnjë gabim (kështu pretendon p.sh. ish-zv.presidenti Dick Cheney). Për ta edhe Vietnami e Iraku ishin vendime strategjikisht të drejta, pa u merakosur aspak për pasojat e pallogaritshme afatgjata, ende të pranishme.

Ndërkaq skaji tjetër i një konceptimi të tillë arrogant të ‘‘veçanësisë’’ është ajo çka po vihet re në brezat më të vjetër: Amerika si syleshi më i madh i botës. Ky është vizioni trumpian ‘‘America first’’: na ktheni çfarë ju kemi dhënë, dhe më tutje secili për vete. Konsiderimi i gjithçkaje si pazarllëk, dalja nga një numër marrëveshjesh madhore ndërkombëtare janë më tepër se izolacionizëm, ato janë njëanshmëri, por njëanshmëri prej të forti.

Kjo lloj qasjeje është e rrezikshme, megjithatë kërkon përgjigje të qarta. Ripërtëritja e politikës amerikane s’ka pse të zgjedhë ndërmjet dy alternativave: ose globalizëm-internacionalizëm, ose nacionalizëm-patriotizëm. Mund të përqafohen fare mirë anët më pozitive të secilës prej këtyre ‘‘izmave’’, por duhet që ideja e ‘‘veçanësisë’’ të zhvishet nga skajshmëritë, pra nga arroganca dhe nga vështrimi cinik. Vetë ajo ide është e dobishme sepse pa pasur një qëllim të lartë për rolin e saj në botë Amerika mund ta humbasë rrugën, apo edhe dëshirën për të udhëhequr, në një kohë kur bota ka nevojë për të. Po ashtu qëllimi, sado i lartë e fisnik, duhet të jetë i rrënjosur në të mirën e përgjithshme, në mos mburrja dhe teprimet ja mbërrijnë sakaq.

Siç kemi përmendur këtu ‘‘veçanësia amerikane’’ ka pasur në thelb ngjyrime besimtare, si bekim nga Providenca hyjnore, mirëpo kësaj i janë shtuar edhe kuptime të tjera nga njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme. Të tilla kanë qenë p.sh. epërsitë natyrore e gjeografike të kontinentit, tiparet e veçanta të revolucionit amerikan (për një krahasim me francezin shih këtu), mendësia kufitare, apo edhe prirja për të përgjithësuar përvojat amerikane. Si emërues i përbashkët shërben ideja se SHBA kanë disa karakteristika të veçanta që sjellin domosdoshmërisht aftësinë dhe përgjegjësinë për drejtimin e përpjekjeve për përmirësimin e botës dhe të konditës njerëzore.

Arritjet e politikës së jashtme amerikane në epokën moderne, bazuar në ato karakteristika, janë të njohura si p.sh. ndërhyrjet në dy luftërat botërore, bllokimi i ambicieve hitleriane, shpëtimi i Europës Perëndimore nga katastrofa ekonomike, qëndresa dhe fitorja ndaj komunizmit sovjetik, apo mbështetja për demokracinë në kuadrin e rendit ndërkombëtar liberal. Këto janë vërtet arritje madhore, por që injorojnë gabimet e shumta, bile dështimet, si mbështetja e gjithfarëlloj diktaturave, ndërhyrjet e hapura e të fshehura në Amerikën Latine, lufta e Irakut dhe tragjeditë në Somali, Libi e Siri. Ato përbëjnë vazhdimisht objekte analizash e diskutimesh, pavarësisht se versioni Cheney i le në harresë apo insiston se Amerika është a priori ‘‘vullnetmirë’’ e rrjedhimisht s’mund të gabojë. Shtrembërime të tilla sjellin detyrimisht edhe skepticizëm kundrejt aftësive e virtyteve të saj.

Megjithatë ideja e ‘‘veçanësisë’’ kthehet e rikthehet përsëri, edhe ndër kritikët e politikave amerikane. Shpesh veprimet e superfuqisë ndeshin keqardhje e zhgënjim, që nënkupton se të tjerët presin që Amerika të sillet ndryshe nga fuqitë e tjera të mëdha. Ideja e ‘‘veçanësisë’’ konsiderohet pra si e lidhur jo vetëm me rolin historik të Amerikës, por edhe me atë se çfarë mundet e duhet të jetë ai rol sot e më tutje.

Një tipar kryesor i historisë amerikane, të paktën çprej Luftës II ka qenë aftësia për të mësuar nga gabimet, për të ndryshuar kurs pas dështimeve, sepse ato shoqërojnë doemos këdo që aspiron për udhëheqje globale. Të tilla ndryshime sollën planin Marshall nën presidentin Truman, ndihmat për luftimin e SIDA-s në Afrikë nën presidentin G.W. Bush, respektin e angazhimin e ndërsjellë në Amerikën Latine dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kubën nën presidentin Obama. Aq më tepër do të duhen aftësi të tilla pas mbarimit të epokës trumpiane, por sot për sot, 30 vjet pas rënies së Murit e pas dështimeve në luftën kundër terrorizmit, Amerikës i nevojitet një objektiv i qartë në arenën botërore.

Tashti përgjigja më e njohur ndaj këtij problemi ka qenë ajo që Amerika është shteti, apo kombi, i ‘‘domosdoshëm’’ sepse pa të s’mund të ketë realisht një rend ndërkombëtar. Mirëpo domosdoshmëria është shpesh rraskapitëse, d.m.th. ka më shumë përgjegjësi se avantazhe, sepse duhet menduar më tepër për interesin e të tjerëve. Dhe në kohën e sotme kjo përgjigje s’mund të konsiderohet më e mjaftueshme.

Nëse pranohet se qëllimi kryesor i politikës së jashtme amerikane është ruajtja e mënyrës amerikane të jetesës, atëherë duhet sqaruar se çfarë kuptohet me këtë. Vizioni populist sot në plan të parë thekson identitetin etnik e kulturor, por ai duhet kapërcyer për t’u zëvendësuar nga një demokraci e shëndoshë e gjithëpërfshirëse, me shtrirje e rritje të mirëqenies, me siguri e liri për individin në ndjekje të rrugës që ka zgjedhur. Politika ndërkombëtare duhet të mbështesë po ashtu forcimin e shtresës së mesme duke kufizuar interesin e ngushtë të grupit. Ajo duhet të përballojë edhe kërcënimet e jashtme nga faktorë shtetërorë si Kina e Rusia, por dhe nga faktorë që kapërcejnë kufijtë kombëtarë, si përhapja e armëve të shkatërrimit masiv, epidemitë si Ebola, apo ngrohja globale. Secili ndër këto kërcënime përmban potencialin për ta gjunjëzuar Amerikën, por nga ana tjetër asnjëri s’mund të kundërshtohet me sukses nëse ajo kthehet në spektatore.

Prandaj Shteteve të Bashkuara u nevojitet afirmimi i rolit drejtues, duke bashkëpunuar edhe me rivalët që përmendëm, për të luftuar p.sh. terrorizmin apo pasojat e ndryshimeve klimatike. Por në raste të tjera ato do të mbështeten vetëm tek aleatët për të prapsur agresionin, autoritarianizmin apo korrupsionin galopant. Një bashkëpunim i tillë nuk realizohet pa udhëheqjen e dikujt, dhe kjo ka qenë historikisht Amerika, sepse të tjerët s’duan ose s’munden ta luajnë rolin drejtues. Kështu p.sh. Kina shpesh është vetë problemi, ndërsa Europa, e përfshirë në vorbullën e përpjekjeve për të mbajtur në këmbë bashkimin, zor se e merr dot atë rol.

Rrjedhimisht ‘‘veçanësia’’ do të pasqyrohet në atë që Amerika s’mund të drejtojë nëse konsiderohet një fuqi si gjithë të tjerat, që përpiqet vetëm për interesin e ngushtë. Asaj i duhet ideja e deritanishme e një fuqie ‘‘ndryshe’’, pra që sheh vërtet interesin e saj, por me një komponent të fortë të dobisë së përgjithshme. Në fakt zgjidhjet më të mira e më të që ndrueshme janë ato ku përfitimet e Amerikës sjellin përfitime edhe për të tjerët, zgjidhje të mbështetura, sipas fjalëve të Alexis de Tocqueville, në një ‘‘kuptim të drejtë të interesit personal’’. Edhe publiku amerikan priret të pranojë investime madhore në politikën e jashtme nëse beson tek ‘‘veçanësia’’ e vendit të tij si tipar që pajton patriotizmin me internacionalizmin.

E tillë ishte baza e politikës së jashtme pas Luftës II kur Amerika rimëkëmbi armiqtë e mundur, Gjermaninë e Japoninë, mbrojti lirinë e rrugëve detare për tregtinë botërore, apo reagoi me shpejtësi ndaj katastrofave natyrore në anën tjetër të botës. S’duhet harruar këtu as realiteti i zymtë historik i përleshjes së vazhdueshme të vendeve europiane me njeri-tjetrin. Pikërisht fakti që fuqitë e mëdha s’janë përfshirë në konflikte të tilla prej vitit 1945 është arritje themelore e Shteteve të Bashkuara. Bile edhe ngritja e Kinës erdhi nga suksesi i politikës së tyre, sepse ishte garancia e sigurisë ajo çka mundësoi lulëzimin ekonomik në krejt zonën Azi-Paqësor.

Te gjitha këto e kanë konsoliduar vendin e Amerikës si fuqi ‘‘e veçantë’’, që përforcohet edhe nga fakti se ankesat e shumta për gabimet e politikave të saj shoqërohen sakaq me kërkesa edhe më të shumta për të bërë më tepër.

Mirëpo ky vizion po vihet në rrezik nga presidenti Trump i cili e sheh politikën e jashtme thjesht si tregti: ‘‘ne’’ kundër ‘‘atyre’’, ose ‘‘urdhëro paratë, më jep mallin’’. NATO apo Bashkimi Europian janë për të një grumbull xhuxhësh të lidhur me njëri-tjetrin vetëm për të zhvatur e rrjepur Amerikën. Prandaj ai përdor ndaj tyre logjikën mafioze ‘‘tund florinjtë, përndryshe….’’. Ai injoron kësisoj vlerën e madhe të aleatëve në përballjen e problemeve madhore të botës së sotme, dhe faktin që Amerika mund të mbështetet tek ata në çdo kohë. Ndërkaq Kina po shpenzon para pa fund në të gjithë botën, pa mundur të sigurojë asnjë aleat të vetëm.

Barra duhet ndarë drejt ndërmjet aleatëve, por kjo s’mund të përkthehet thjesht në ulje të deficitit tregtar amerikan. ‘‘Veçanësia’’ duhet të shprehet këtu në zgjerimin e hapësirave, por edhe në rritjen e përgjegjësisë, për të tjerët. Shtetet e Bashkuara kanë aftësi të provuara në ndërtimin e institucioneve që synojnë përballimin e problemeve të përbashkëta, por ku përgjegjësia ndahet mes anëtarëve. Janë këto lloj institucionesh që kanë siguruar deri sot efektivitetin e politikës së tyre të jashtme.

Një tipar tjetër special amerikan është zotësia për të zgjidhur probleme, së fundi në përpjekjet për Marrëveshjen e Parisit për klimën më 2015. Gjërat priren të ngecin nëse SHBA nuk përcaktojnë objektivat e nuk shtyjnë përpara të tjerët. Kjo s’do të thotë, e theksojmë, që ndërhyrjet e tyre janë detyrimisht të drejta, ato shpesh kanë qenë naive, të çmendura, apo të dyja bashkë (si në rastin e Irakut).

Tashti probleme do të ketë gjithmonë, sidomos lidhur me përcaktimin e përparësive, ku në plan të parë janë sigurisht kërcënimet për mënyrën amerikane të jetesës. Por edhe këtu duhet aftësi për të kuptuar diferencën ndërmjet gjërave që mund të ndryshohen dhe atyre që duhen pranuar ashtu si janë. Përndryshe është kollaj të biesh pre e tundimit për konfrontim majë më majë, edhe kur kundërshtari ka qartazi epërsi. Shembull ishte situata në Detin e Kinës Jugore më 2017, kur Kina po ndërtonte baza në disa shkëmbinj ku edhe vende të tjera kanë pretendime territoriale, dhe administrata u acarua së tepërmi. Por asgjë s’mund të arrihej përveç se me forcë, kështu që përfundimisht Amerika bëri figurë të dobët. Dhe më e keqja është se si masë e suksesit u quajt diçka pa lidhje me interesin amerikan, i cili sigurisht nuk qëndron tek shkëmbinjtë, por tek liria e lundrimit në atë sektor shumë strategjik.

Nganjëherë përgjigja më e drejtë s’është të zgjidhet problemi i krijuar nga të tjerët, por të detyrohen këta të konsiderojnë qartë pasojat e veprimeve që bëjnë. Këtu mund të përmendet ura ajrore mbi Berlin më 1948-1949, kur sovjetikët u shtrënguan të zgjidhnin si t’i përballonin pasojat e bllokadës së tyre mbi sektorin perëndimor. Dilema ishte ose të mos bënin gjë, ose të sulmonin aeroplanët amerikanë dhe aleatë, që mund të sillte pasoja shkatërruese për vetë sovjetikët. Kështu Stalini vendosi të mos reagojë dhe pas 11 muajsh e hoqi bllokadën.

Politikës së jashtme i duhet gjithashtu edhe lidhja me avantazhet për vendin, veçanërisht për shtresën e mesme. Ishte shkëputja e këtyre dy aspekteve që shpjegon në masë të madhe se përse internacionalizmi amerikan humbi vëmendjen mbi nevojat dhe aspiratat e asaj shtrese, prej ku populizmi e trumpizmi. Dhe interesi ekonomik kombëtar s’janë vetëm shifrat e GDP, por rezultatet e politikave të caktuara për korporatat, dhe për qytetarët e komunitetet, fokusimi pra tek të fituarit dhe të humburit realë. Lidhja me zhvillimin e brendshëm është ajo që mundëson praktikisht një politikë e jashtme në interes të shtresës së mesme dhe të ruajtjes së mënyrës amerikane të jetesës.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë po ashtu të ‘‘veçanta’’ edhe në gatishmërinë për përdorimin e forcës në çdo formë të saj, sigurisht nga ana ushtarake, por edhe si presion ekonomik, diplomatik etj. Kjo lidhet me konceptimin për veten e tyre, pavarësisht nga drejtësia e këtij konceptimi, si një fuqi e ‘‘pafajshme’’ apo ‘‘vullnetmirë’’ (shih këtu). Kjo bën që amerikanët t’i shohin veprimet e tyre si të detyruara nga rrethanat apo nga të tjerët, jo si vendime apo zgjedhje të vetat.

Qasja neokonservatore, d.m.th. e tipit Cheney, i ka mëshuar në këtë aspekt vetëm ‘‘forcës së muskujve’’, pra më shumë tanke, avionë apo luftanije, dhe kësaj i është mbajtur edhe Trump me rritjen e shpenzimeve ushtarake krahas me krasitjet në shërbimin diplomatik. Por ripërtëritja e ‘‘veçanësisë amerikane’’ mund të realizohet vetëm bazuar në parimin se prestigji më i qëndrueshëm vjen së pari nga një diplomaci krijuese, që gëzon besimin e aleatëve dhe të kundërshtarëve, e mbështetur nga kërcënimi për përdorim force. Por kjo vetëm në raste ekstreme, duke lënë diplomacinë në plan të parë.

Do të duhet kësisoj tkurrja graduale e pranisë ushtarake amerikane në luftërat e pafund në Lindjen e Mesme, duke shtuar angazhimin në teknologji e infrastrukturë. Kritike janë këtu ndryshimet gjeopolitike, sepse SHBA janë kthyer nga historikisht ‘‘të pacenueshme’’, ndërmjet Atlantikut e Paqësorit, në ‘‘tepër të cenueshme’’ në rrethanat e sotme të sulmeve kibernetike, me gjasë më shkatërrues se armët konvencionale. Prej ku edhe domosdoshmëria e përgjigjes për pyetjen nëse gara strategjike me Kinën do të vijojë kryesisht në aspektin ushtarak apo në ekonomi e teknologji.

Gjithaq me rëndësi është edhe pajtimi i mjeteve me qëllimet që Amerika i ve vetes, duke evituar mospërputhje me pasoja tragjike, si gafa e Sirisë. Presidenti Obama deklaroi se Bashar Assad duhej të largohej nga pushteti, por administrata nuk bëri gjë për të arritur këtë qëllim. Objektivi maksimal, ndryshim regjimi, s’përputhej kësisoj aspak me mjetet e përdorura. Debati ishte ndërmjet atyre që kërkonin angazhim maksimal për qëllim maksimal, dhe atyre që ishin për mosndërhyrje totale. U harrua kështu variant i përdorimit të mjeteve maksimale për objektiva më modeste, siç mund të ishte frenimi i teprimeve të Assad-it dhe hapja e rrugës për negociata të mëtejme.

Së fundmi ‘‘veçanësia’’ shprehet edhe në zanafillën e Shteteve të Bashkuara jo mbi bazë territori apo etnie, por mbi disa ide të caktuara, ku kryesoret ishin liria dhe barazia e individëve, sovraniteti i ushtruar nga ‘‘ne, populli’’. Vërtet që me ‘‘popull’’ asokohe nënkuptoheshin vetëm meshkujt e bardhë anglo-saksonë e protestantë, por kredoja amerikane përmbante në vetvete premtimin e shtrirjes graduale të konceptit, dhe themelimi i një shteti mbi bazë idesh ishte diçka e paparë.

Etërit e kombit e të kushtetutës amerikane besonin, veç të drejtave individuale, edhe në të mirën e përgjithshme. Individët kishin interesa të përbashkëta, që duhet të mbroheshin nga institucione të përbashkëta si e vetmja mënyrë për t’i avancuar ato interesa, dhe për të ruajtur e zgjeruar lirinë. Një shoqëri e suksesshme do të ishte bashkërendim i pjesëmarrjes aktive të qytetarëve të mirinformuar, me një udhëheqje të përgjegjshme e të moralshme. Këto shiheshin gjithashtu si të vërteta universale, sepse Shtetet e Bashkuara po dilnin në skenë për të transformuar botën, jo për të lulëzuar e pastaj për të perënduar si fuqitë e mëparshme.

Këto parime u bënë gradualisht baza e rolit dhe ndikimit amerikan në rendin e ri pas Luftës II, mirëpo ato po lëkunden sot nën goditjet e populizmit e trumpizmit. Nga njëra anë janë vetë amerikanët që s’frymëzohen më nga parimet themeluese, por nga nacionalizmi aspak i veçantë i Trump, megafon i zhgënjimeve e shpresave të tyre. Nga ana tjetër janë aleatët të cilët shqetësohen tek shohin plasaritjet, si dhe rivalët që i shfrytëzojnë këto për interesin e tyre. Amerikës i duhet kësisoj të përqafojë një patriotizëm të përtërirë, të mbështetur në idetë themelore, dhe me front kryesor atë të brendshmin.

Tundimi këtu është i madh për të braktisur vlerat e për të siguruar vetëm interesin e ngushtë. Por s’ka arsye përse realizmi të jetë i papajtueshëm me idealizmin, apo përse kërkesat për drejtësi e moralitet të konsiderohen pengesa për fuqinë dhe pasurimin e Amerikës. Kërkesa të tilla, dhe idealizmi në përgjithësi, janë sigurisht të natyrshme për një vend të themeluar mbi ide. Ndërkaq dobia është e dukshme sepse shoqëritë e lira, të pakorruptuara e të hapura, s’ka gjasa të jenë kërcënim për mënyrën amerikane të jetesës. Sidoqoftë mbetet fakt që Amerika s’mund të pretendojë të udhëheqë nëse ofron veç pragmatizëm e jo frymëzim. Ajo ndoshta s’mundet ta konkurrojë Kinën me fonde investimi, që Perandoria e Mesit i ka me bollëk, por mundet për bukuri të frymëzojë e të bindë të tjerët në masa pakrahasimisht më të mëdha se Kina.

Mjaft zëra janë ngritur sot për të theksuar vetëm të metat e rendit amerikan dhe hipokrizitë e tij, sidoqë këto të fundit janë të pashmangshme për dikë që rreh të gjejë baraspeshim ndërmjet moralit dhe politikës, gjë që Amerika e ka bërë padyshim shumë më tepër se fuqitë e tjera. Po ashtu pretendohet se lidershipi i saj është krisur mjaft, dhe zor të riparohet më nën goditjet e vazhdueshme të Trump, apo që amerikanët janë të inatosur e cinikë dhe s’pranojnë më t’u flitet në terma idealizmash dhe qëllimesh të larta si dikur.

Por historia na ndihmon përsëri sepse shohim që edhe në të kaluarën rruga për t’u ndjekur është përcaktuar pas turbullirave, jo në mes të tyre. Politika ambicioze dhe efektive ruzveltiane e ‘‘Marrëveshjes së Re’’ (New Deal) erdhi pas Depresionit të Madh, po ashtu Plani Marshall erdhi pas Luftës II. Edhe pas presidencës Trump Shteteve të Bashkuara do t’u duhet një kurs i ri, sepse aleatët s’do ta braktisin Amerikën të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme. Atëherë do të kuptohet nëse izolacionizmi i sotëm është thjesht vepër e një presidenti jokonvencional, apo përnjëmend vullneti i kombit. Vetë amerikanët do ta përqafonin padyshim një politikë të jashtme të ripërtërirë e më modeste, në pajtim me interesat e tyre dhe me rolin e vendit si një forcë pozitive në arenën ndërkombëtare.

Sadoqë sot mbretëron cinizmi duhet rikujtuar se për qëllime e ideale të larta kanë folur jo vetëm politikanët e përmendur të Amerikës, por edhe kritikët e saj më parimorë si Frederick Douglass apo Martin Luther King. Bile kritikët e saj më të mëdhenj kanë qenë edhe patriotë po aq të mëdhenj, sepse kanë kuptuar që ‘‘veçanësia amerikane’’ s’është thjesht përshkrim i realitetit, por në radhë të parë shprehje ambiciesh e aspiratash. Pikërisht kjo është edhe forma më e lartë e patriotizmit, plotësisht në përputhje me karakterin e ‘‘veçantë’’ të këtij vendi.

(c) 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.