ALBANOLOGJI NGA LART

Më 3 nëntor të vitit 1969, Byroja Politike e KQ të PPSh shqyrtoi relacionin “Mbi disa probleme të zhvillimit të mëtejshëm të shkencave albanologjike në vendin tonë,” përgatitur nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë (atëbotë Akademia e Shkencave ende nuk ishte krijuar).

Me atë rast, e mori fjalën edhe Enver Hoxha, i cili në thelb përcaktoi orientimin që do të ndiqte albanologjia në Shqipëri, për vitet në mos dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Duke theksuar premisën që studimet albanologjike “duhet të bazohen në shkencë, në radhë të parë në shkencën marksiste-leniniste”, dhe të mos kenë “gjurmë shovinizmi,” Hoxha sqaron edhe se “në studimet tona duhet t’u përgjigjemi në mënyrë shkencore dhe të bazuar atyre që kanë pretendime tokësore ndaj Shqipërisë.”

Këtu duket sikur përvijohet një kundërti logjike; por kjo vetëm ngaqë Hoxha nuk e sheh të arsyeshme të shpjegojë se pretendimet tokësore – të çdo lloji dhe pavarësisht nga vijnë – nuk mund të bazohen në dijen historike.

Përveçse shkencore, “studimet tona në këtë fushë” duhet të jenë edhe “kurdoherë superiore ndaj atyre që kryhen jashtë Shqipërisë,” në mënyrë që “t’u imponohemi atyre studiuesve të huaj që kanë pikëpamje antishkencore.”

Kornizimi që i bën Hoxha statusit të studimeve “tona” albanologjike i vendos këto – me të drejtë – në kontekstin global dhe kjo, siç do të shohim më pas, nuk është pa rëndësi; tek e fundit, albanologji nuk bëjmë vetëm ne, por edhe të tjerët, dhe fakti që ne si shoqëri dhe kulturë mund të jemi, njëkohësisht, subjekt dhe objekt i këtyre studimeve, nuk na jep vetvetiu ndonjë përparësi, as ndonjë epërsi. Përparësinë dhe epërsinë duhet ta sigurojmë vetë, sugjeron Hoxha, nëpërmjet ballafaqimit.

Në mënyrë tipike, përparësinë albanologjisë në Shqipëri do t’ia japë “shkenca marksiste-leniniste.”

Në gojën e Hoxhës dhe veçanërisht në lidhje me albanologjinë, kjo premisë nuk ka asnjë kuptim – meqë as ai, as ndonjë “fillozof” i kohës, nuk e kanë shpjeguar dot si mund të konceptohet dhe aq më pak të ndërtohet një albanologji “marksiste-leniniste.”

Megjithatë, lideri totalitar i Shqipërisë sjell një bon sens aq të domosdoshëm dhe objektivisht të mirëpritur, në këtë debat për drejtimin që duhet të marrë albanologjia në Shqipëri. “Ne nuk kemi bërë e nuk bëjmë përvetësime, duke paraqitur shqiptare ato që s’janë të tilla,” thotë ai; dhe më tej, duke përmendur etruskët, vëren se, sa kohë që hipoteza që këta “janë paraardhësit e shqiptarëve” mbetet supozim, nuk mund të na udhëheqë në studimet tona.

E njëjta qasje edhe ndaj pikëpamjes së “origjinës pellazgjike të shqiptarëve,” së cilës i mungojnë provat; sikurse mungojnë provat për të vërtetuar se kultura greke është themeluar mbi atë pellazge.

Më tej, Hoxha u kthehet disa përpjekjeve, të “njerëz[ve] tanë që merren me shkencë” për të paraqitur “si të kulturës ilire monumentet e kulturës greke, romake ose greko-romake të zbuluara te ne, gjë që nuk është aspak e drejtë, përkundrazi një punë e tillë është antimarksiste,” thotë ai. “Dihet që kultura e Apolonisë, sikurse edhe ajo e Durrësit është një kulturë e përzier greko-romake.”

Illyrians010

Ushtarë ilirë, të përfytyruar për një mod të lojës “Rome – Total War” (PC).

Edhe sa i përket kulturës bizantine, qasja nuk ndryshon. “Arkitekti shqiptar që ka bërë kishën e Labovës së Kryqit është artist i madh, megjithatë stili i kësaj kishe është i frymëzuar nga ai bizantin, mbasi siç dihet kisha të tilla janë ndërtuar me shumicë në të gjitha vendet e Mesdheut Lindor.”

Pasi u ka treguar vendin ngashënjimeve “përvetësuese” të albanologëve në Shqipëri, Hoxha sugjeron që “punonjësit tanë të shkencave albanologjike […] ta vënë theksin më shumë tek ilirët, për arsye se faktet, dokumentet dhe të gjitha të dhënat arkeologjike, historike etj. Janë më të plota për të vërtetuar prejardhjen e shqiptarëve prej tyre.”

Me fjalë të tjera, u thotë ai studiuesve, nëse doni të bëni etnocentrizëm, bëjeni atë me këmbë në tokë, ose pa i dhënë flatra fantazisë: studiojini ilirët jo aq në vetvete, sa për të vërtetuar etnogjenezën e shqiptarëve, sepse ashtu do të jeni edhe më të besueshëm për botën.

Kjo këshillë ka reperkusione edhe në arkeologji. Vazhdoni të gërmoni në rrënojat që kanë lënë grekët dhe romakët në trojet shqiptare, u thotë Hoxha arkeologëve, por mos harroni se “punimet tona arkeologjike duhet të përqendrohen më shumë në zbulimin e monumenteve ilire dhe të të gjitha fiseve dhe popujve me të cilët vërtetohen prejardhja dhe kultura e popullit shqiptar.” Mos e bëni, pra, si ai i dehuri që i kërkonte çelësat e humbur poshtë llambës neon: fakti që metodat dhe teknikat arkeologjike janë zhvilluar në mjedisin e studimeve klasike greko-romake, nuk duhet t’i shtyjë arkeologët shqiptarë të gërmojnë veç rrënojat e këtyre qytetërimeve.

Kjo nuk përjashton, vëren Hoxha, që arkeologët të punojnë me monumente të kulturës botërore – si amfiteatri i Durrësit; pa çka se “zbulimi i monumenteve të tilla nuk ka shumë rëndësi për ne.” Edhe studimet dhe gërmimet që kanë bërë në të kaluarën në Shqipëri arkeologët dhe historianët e huaj, si Rei, Ugolini etj., u kanë shërbyer “interesa[ve] të tyre.”

[Vallë ta konsideronte lideri totalitar shqiptar këtë varësi hipotetike të dijes nga interesat politike si korolar të konceptit marksist-leninist për kërkimin shkencor? Në kuptimin që dija e çinteresuar i shërben gjithnjë atij që ka aktualisht pushtetin? ]

Prandaj, porosit Hoxha, “të mos i hedhim të gjitha forcat që disponojhmë për të zbuluar mozaikët e Pojanit”; dhe as “të mburremi […] me faktin historik që Belizari ka qëndruar tre muaj në Durrës për të pritur kavalerinë e Justinianit e me trupat ilire që dërgoi ai në Ravenë, kur dimë që ato janë marrë si mercenare.” Po ashtu, “nga historia dihet mirë se Mark Antoni dhe Cezari kanë ardhur në Shqipëri. Po ç’na duhet neve të nisemi të gërmojmë për të gjetur të dhëna materiale për këtë?”

Vërtet, ç’na duhet? Ka një logjikë koherente, në këto këshilla e porosi të Hoxhës për albanologjinë shqiptare, e cila – në thelb – u dashka t’i shërbejë ideologjisë kombëtare dhe të përqendrohet në çështje të etnogjenezës, por gjithnjë në dialog dhe brenda kontekstit të studimeve albanologjike dhe historike-gjuhësore që bëhen gjetiu.

Pa çka se, vetëm nëntë vjet më parë, Hrushovin e çuan të vizitonte Butrintin, jo kalanë e Shurdhahut.

Ky qëndrim duhet t’u rrijë larg, gjithnjë sipas Hoxhës, të dy skajeve ndaj të cilave priret lavjerrësi i studimeve albanologjike në Shqipëri: teorive pellazge, etruske dhe fantazmagorive të tjera për primatin e shqiptarëve ndaj kulturave si ajo greke dhe romake që i kanë dhënë tonin antikitetit në Europë nga njëra anë; lektisjen e rehatshme pas studimeve klasike, ose obsesionit me arkeologjinë greke dhe romake në Shqipëri dhe qëmtimin ballor të huazimeve në shqipen e lashtë, nga ana tjetër.

Ironikisht, këto këshilla dhe porosi mbeten aktuale edhe sot.

Ka arsye të supozohet se, në përgatitjen e këtij diskutimi, Hoxha është konsultuar me ndonjë albanolog të kohës – Buda, Çabej dhe Kostallari janë emra që të vijnë në mendje (pa lënë jashtë të tjerë); sepse orientimet që shtjellon Hoxha duken të mbështetura mirë në dije (dhe jo në broçkulla kombëtariste), aq sa të kenë shërbyer si platformë edhe për studimet në vitet 1970, përfshi edhe Kuvendin I të Studimeve Ilire, që u mbajt në Tiranë në vitin 1972.

Orientimi për t’u përqendruar fort te lidhjet iliro-shqiptare, si në gjuhësi ashtu edhe në arkeologji njëfarësoj e ruajti albanologjinë tonë nga aberracione dhe marrëzi të tilla si ato që ndodhën, bie fjala, në Rumani dhe më pas në Maqedoni, të frymëzuara nga kombëtarizmi i shfrenuar. Edhe këshillat për t’i lënë mënjanë hipotezat pellazge dhe etruske nga njëra anë, dhe për t’u përqendruar në arkeologjinë ilire nga ana tjetër, janë të tilla që çdo albanolog profesionist do t’i kishte nënshkruar.

Aq sa këtë ndërhyrje të Hoxhës në orientimin e studimeve albanologjike në Shqipëri unë do ta krahasoja, duke ruajtur përpjesëtimet e duhura, me ndërhyrjen e Stalinit njëzet vjet më parë, në orientimin e studimeve gjuhësore dhe socio-gjuhësore në Bashkimin Sovjetik, për t’i shkëputur këto nga fantazitë e Nicholas Marr-it dhe pasuesve të tij.

Në të dy rastet, shohim një udhëheqës politik që merr përsipër të përcaktojë kriteret teorike, sipas të cilave duhet të zhvillohet dija e specializuar – gjuhësia teorike në rastin sovjetik; gjuhësia historike, arkeologjia dhe historia e etnogjenezës në rastin shqiptar.

Arsyet pse ka ndodhur kështu, si për Stalinin ashtu edhe për Hoxhën, nuk mund t’i faturohen thjesht megalomanisë, ose bindjes se udhëheqësi suprem është edhe filozof dhe metodologjist i gjithëditur.

Duhet të marrim parasysh, përkundrazi, se, në kontekstin e sistemit totalitar, orientime të një frymëmarrjeje të tillë për çështje “të nxehta” dhe përçarëse të elitave, mund të formulohen dhe të imponohen vetëm nga një lider që qëndron ai vetë jashtë sistemit.

Mund të përfytyrojmë si, brenda qarqeve të studiuesve albanologë në Shqipëri, pakkush do të ngrihej dhe të parashtronte ato pak teza elementare, që ka shkoqitur Hoxha në fjalimin e vet. Cili vallë do të guxonte të thoshte se qytetet antike të Durrësit, Apollonisë dhe Butrintit nuk duhet të kishin përparësi në studimet tona? Se hipotezat e lidhjeve të lashta të stërgjyshërve të shqiptarëve me pellazgët dhe etruskët ishin të pambështetura shkencërisht? Se arkeologët shqiptarë, për shkak të burimeve njerëzore dhe financiare të kufizuara, duhej të përqendroheshin në gërmime dhe zbulime të vendbanimeve ilire në brendësi të vendit?

Askush nuk do të guxonte të shprehej kështu, pa u akuzuar sakaq si “anti-shqiptar” ose “i shitur”.

Nga ana tjetër, le të mbajmë parasysh se studimet albanologjike në Shqipërinë e atyre viteve, si çdo ndërmarrje tjetër diturore, ishin të financuara nga shteti; çka do të thotë se vendimet në lidhje me përparësitë kishin gjithnjë edhe natyrë politike. Nëse ti ke mundësi të financosh – bie fjala – vetëm një ekspeditë arkeologjike këtë verë, atëherë duhet të vendosësh nëse do ta dërgosh këtë të lëmojë kapitelet në Apolloni, apo të marrë vesh se të kujt pikërisht janë varret enigmatike në Koman?

Hoxha merret edhe me qëllimin e këtyre studimeve: gjithë duke u kujdesur të ruajë qasjen “marksiste-leniniste”, ai e bën të qartë se albanologjia shqiptare duhet t’u shërbejë interesave të kombit, duke filluar që nga çështje të tilla relativisht banale për dijen, si ajo e pretendimeve territoriale.

Po çfarë ka pikërisht marksiste-leniniste, te kjo bindje se rivendikime të tilla mund të mbështeten dhe të përligjen me argumente të natyrës historike dhe gjuhësore? Me aq sa kuptoj unë, asgjë. Argumenti i Hoxhës është thjesht pragmatik: sa kohë që albanologjinë e financon shteti (populli, etj.), thotë ai, ajo duhet të orientohet ashtu siç e duam ne që të orientohet, dhe pikërisht drejt objektivave me natyrë etnocentrike dhe kombëtariste.

Më me interes, në këtë kontekst, është fakti që – pavarësisht nga denatyrimi që ia bën etnocentrizmi dijes – albanologjia në Shqipërinë totalitare mbeti në thelb e integruar në dijen historike dhe gjuhësore kontinentale; arritje jo e vogël në vetvete, dhe para së gjithash për meritë të atyre dijetarëve që e këshilluan Hoxhën.

Në fakt, duke lexuar tani atë fjalim të vitit 1969, të krijohet përshtypja se rruga që morën studimet albanologjike në Shqipëri në vitet 1970 nuk ka qenë e vetmja e mundshme dhe as ajo me më shumë gjasa për t’u realizuar; dhe se rreziku që diskursi i etnogjenezës dhe i prejardhjes shqiptare të kapej nga demagogët, mistifikatorët dhe sharlatanët ka qenë në ato vite më i madh se ç’mund të kujtohet sot.

Dhe ky rrezik nuk mund të kundërshtohej që nga brenda sistemit; aq më tepër në rrethanat historike të izolimit politik të Shqipërisë në vitet 1960, të cilat mund të ushqenin dhe me siguri ushqyen tundime “ekscepsionaliste” mes historianëve dhe gjuhëtarëve të kohës; ose të tilla që t’i nxirrnin shqiptarët si popull unik në Europë dhe në botë jo vetëm në aktualitet (“vendi i vetëm socialist…”) por edhe në lashtësi (“populli më i lashtë…” “gjuha më e vjetër…”). Njëlloj, ose për arsye politike praktike, mund të viheshin në pikëpyetje edhe studimet ilire në Shqipëri, sa kohë që qendra e iliristikës, në ato vite, ishte zhvendosur në Jugosllavinë e Titos.

Në kontekste totalitare, debatet dhe kundërvëniet gjithnjë fitohen nga pala që ia lejon vetes t’i shtyjë pikëpamjet e veta deri në ekstrem – ngaqë është e paturpshme, cinike ose makiaveliste ose ngaqë thjesht e ka humbur arsyen; prandaj edhe ndërhyrjet e liderit, që nga jashtë sistemit, do të duken gjithnjë si një kthim në normalitet, ose thirrje për racionalitet dhe sens të masës.

Që kjo do t’ia masazhojë pastaj egon edhe liderit vetë, është çështje tjetër.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.