AMERIKA DHE SFIDA KINEZE

Nga Ernest Nasto

Një nga rivalitetet më të ashpra në skenën e sotme globale është ai ekonomik, përkatësisht politik, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, sepse kjo e fundit përbën sfidën më të madhe ndaj mbizotërimit të deritashëm amerikan. Ndërkaq ekonomia amerikane disponon tipare themelore shumë më të shëndetshme se ajo kineze, prandaj rreziku më i madh për Amerikën deri tashti ka qenë jo paaftësia, por vetëkënaqësia dhe mosveprimi. Dhe lufta e saposhpallur tregtare, me tarifat e reja amerikane që synojnë goditjen e importeve të çelikut kinez të krijon përshtypjen se Amerika po fillon të veprojë. Po a është pikërisht ky lloj veprimi arma më e efektshme dhe afatgjatë në këtë fushë?

Me ritmet e tanishme të zhvillimit Kina pritet në fakt ta arrijë superfuqinë ekzistuese brenda një dhjetëvjeçari. Mjafton të përmendim se konsumi i kinezit mesatar është rritur me 17 herë vetëm në 30 vitet e fundit, por duhen pasur parasysh sidoqoftë disa ndryshime thelbësore mes këtyre rivalëve. Kështu Amerika është republikë demokratike ku pjesa dërrmuese e popullsisë përbëhet nga të ardhurit me dëshirën e tyre (duke përjashtuar pasardhësit e skllevërve afrikanë dhe indianët vendas). Ndërsa Kina është perandori autoritare e formuar nga pushtime të njëpasnjëshme të territoreve fqinjë, praktikisht një bashkim popujsh të ndryshëm nën autoritetin e një diktatori. Ky për dhjetëra shekuj ishte perandori, e pastaj Partia Komuniste.

Kina gjithashtu s’është fort e bashkuar, sepse gjuhët që flet popullsia e saj janë krejt të ndryshme, dhe vetëm në brezin e sotëm shumica e kinezëve arrijnë të kuptojnë një gjuhë të njësuar, në saje të përpjekjeve të qeverisë qendrore dhe të mediave. Shteti kinez mbahet kryesisht nga kultura perandorake, por edhe nga aparati i vjeljes së taksave në Pekin.

Edhe historia e tyre është tepër e larmishme, vetëm në njëqind vitet e fundit Kina ka kaluar faza e regjime nga më të ndryshmet si përçarja kombëtare, ajo e ”zotërve të luftës”, luftërat civile, uria masive dhe degradimi i gjithanshëm. Miliona kinezë humben jetën gjatë të ashtuquajturit ”shekull i poshtërimit” që filloi me Luftërat e Opiumit më 1839 dhe mbaroi me fitoren e komunizmit më 1949. Frika e kthimit tek kohëra të tilla ka qenë vazhdimisht e pranishme të udhëheqja kineze.

Ndërkaq vihet re se Kina, ngjashmërisht me Rusinë, reagon ndaj poshtërimit të kaluar duke sfiduar pozitën mbizotëruese amerikane. Këto fuqi s’mund të mendohen kurrë si mike të Amerikës, dhe shpresa mbetet vetëm konkurrenca paqësore, me bashkëpunime të rastit në çështje me interes të ndërsjellë. Por gabimet (apo gafat) e politikës së jashtme amerikane bëhen këtu një faktor ndërlikues, që thellon dyshimet apo mosbesimin ndaj saj. P.sh. amerikanët vendosën ta bënin Irakun demokraci, por rezultati ishte formimi i një shteti sektar shiit. Besimtarët sunitë, të lënë pa mbrojtje, vërshuan tek ISIS, duke e bërë xhihadizmin kërcënim serioz për Rusinë e Kinën. Prej kësaj edhe konflikti në Siri, me pasojat që vazhdojnë edhe sot.

Faktor me rëndësi në rivalitetin me Kinën janë edhe ndryshimet mes kuptimit perëndimor dhe atij kinez për shtetin. Perëndimi e ka mbështetur atë në konceptet e të drejtave dhe privilegjeve qysh nga koha e republikës së lashtë romake, një lloj ”kontrate shoqërore” mes qytetarit dhe shtetit. Por në Kinë ky konceptim është krejt i huaj, nga qytetari kinez pritet vetëm të bëjë çdo gjë që i kërkohet nga autoriteti qendror, me shpresë se do shpërblehet për devotshmëri, e aspak për ndonjë meritë të vetën. Pushteti perandorak është veç një e keqe e domosdoshme, sepse kinezët kanë pasur perandor për 3000 vjet, dhe në mungesë të tij janë masakruar me njëri tjetrin. Prandaj ata besojnë se fuqia qendrore, e jo një demokraci e tipit perëndimor, është garancia më e sigurt e moskthimit tek ”shekulli i poshtërimit”.

Në këtë pikë dinastia komuniste që mori pushtetin më 1949 ka sjellë vërtet një epokë të artë. Për herë të parë në historinë e gjatë kineze, askush s’ka frikën e vdekjes nga uria, apo se mos filan ”zot i luftës” (në shqip do thoshim kryebanditi, apo i forti) do mësyjë fshatin, do djegë të mbjellat e do përdhunojë gratë. Regjimi, megjithëse totalitar, gëzon kësisoj mbështetje, dhe perspektiva e ndryshimit duket e papërfillshme.

Duhet theksuar po ashtu se Partia Komuniste Kineze dhe qeveria e saj janë një meritokraci e rreptë, gjë që e vështirëson mjaft procesin e të kuptuarit të demokracisë perëndimore, përkatësisht asaj amerikane. Krerët e administratës kineze kanë arritur atje nëpërmjet rezultatesh të shkëlqyera në shkollë që prej moshës 12-13 vjeçare, duke qenë pra vazhdimisht në mjedise njerëzish të zot e të zgjuar. Kinezët nuk e kuptojnë se si demokracia mund të sjellë në pushtet njerëz të paaftë, apo edhe idiotë. Në Amerikë mund ta blesh me para një diplomë të Harvardit, por në Universitetin e Pekinit as presidenti Xi nuk e fut dot të birin pa qenë i mirë në mësime. E thënë ndryshe, edhe pse administrata kineze nuk është veçanërisht efektive (dhe sigurisht jo morale), ajo ka në gjirin e vet një shumicë njerëzish të aftë e të zgjuar.

Një tregues i fuqisë ekonomike kineze është edhe subvencionimi i industrisë së rëndë me kapital shtetëror (praktikë edhe e Japonisë, Koresë, etj.). Nga pikëpamja kineze një uzinë çeliku apo fabrikë gjysmëpërçuesish janë të mira publike, cilësim që amerikanët ua rezervojnë vetëm autostradave, porteve apo aeroporteve. Kompanitë kineze me intensitet të madh kapitali janë ato që sigurojnë kësisoj fitime më të larta, ndërsa në anën amerikane shihet fatkeqësisht prirja e kundërt: sa më i ulët intensiteti i kapitalit, aq më i lartë fitimi. Shkak për këtë mund të jetë preferenca amerikane për investime financiare, por sigurisht edhe efekti i subvencioneve kineze, që kanë detyruar amerikanët të evitojnë investimet prodhuese.

Ndërkaq pjesa e Kinës në eksportet e teknologjisë së lartë ka shkuar nga 5 në 25 për qind që nga 1999, ndërsa pjesa e Shteteve të Bashkuara nga 20 në 7 për qind. Kjo do të thotë ndër të tjera se asnjë aeroplan amerikan s’mund të fluturojë pa gjysmëpërçuesit kinezë, duke krijuar kështu probleme reale të sigurisë kombëtare për Amerikën.

Pasojat e veprimeve të Kinës ndihen kudo në botë dhe ajo i ka shpallur hapur objektivat për t’u bërë superfuqi ekonomike e për të përsëritur eksperimentin kinez në gjithë Azinë Juglindore, deri në Turqi. Kjo e fundit, nën Erdoganin, i ka hequr pothuaj sytë nga Perëndimi për t’i drejtuar kah Kina, dhe s’duket ta ketë problem kthimin në provincën ekonomike më perëndimore të Perandorisë së Mesit. Edhe aleatet tradicionalë të Amerikës po adoptojnë politika ”të buta” tregtare, e sa për Rusinë, kjo e ka rritur ndjeshëm eksportin e energjisë drejt Kinës. Kësaj të fundit i ofrohet pra një alternativë tokësore, në rast ndërhyrjeje të Amerikës në rrugët detare të importeve energjetike kineze.

Megjithë këto veprime agresive, amerikanët në tërësi e nënvlerësojnë rrezikun, bile mendojnë se kinezët s’janë të aftë për shpikje e novacione, duke harruar ato çka Perëndimi ka marrë prej Kinës ndër shekuj. Por shpenzimet kineze të kërkim-zhvillimit (R&D) janë rritur në mënyrë galopante dhe shpejt do t’ua kalojnë atyre amerikane. Kina sot nxjerr 4 herë më shumë të diplomuar dhe 2 herë më tepër doktorantë në shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë. Pikërisht kjo përbën edhe mangësinë kryesore të Amerikës, në krahasim me amortizimin e bazës industriale, që mund të korrigjohet relativisht shpejt. Në Shtetet e Bashkuara vetëm 6-7 për qind e studentëve diplomohen në inxhinieri, ndërsa në Kinë gati 30-40 për qind. Për më tepër, sot pothuaj tërë investimi amerikan në R&D shkon në programim (software) duke ua lënë aziatikëve, kryesisht Kinës, prodhimin e materialit elektronik konkret (hardware).

Disa nga ndikimet negative të politikave industriale kineze në ekonominë ndërkombëtare bien haptazi ndesh, siç e përmendëm, me sigurinë e Amerikës. Kjo sepse rregullat kineze janë tepër të njëanshme, dhe një aspekt flagrant është transferimi i detyrueshëm i teknologjisë. Kjo do të thotë që nëse një kompani amerikane, p.sh. Intel, synon të futet në tregun gjigant kinez të gjysmëpërçuesve, duhet t’i bëjë të njohur palës kineze çdo sekret industrial. Nga pikëpamja e vlerës së aksioneve të Intel për 5 – 10 vitet e ardhshme kjo duket me leverdi, sepse arrihet futja në tregun kinez, por nga ana tjetër asgjë s’mund të jetë më e dyshimtë për sigurinë kombëtare. Qeveria amerikane vihet kështu para një dileme: të ndalojë transferimin e teknologjisë dhe të zemërojë keqas kompanitë si Intel, apo të lejojë transferimin dhe të rrezikojë sigurinë?

Në këto kushte përgjigja amerikane ndaj sfidës kineze nuk mund të jetë adoptimi i rregullave e rregulloreve shtesë, d.m.th. një ”politikë industriale”, dhe as lufta e hapur tregtare. Kjo për faktin se amerikanët, për shumë arsye historike, s’e kanë të lehtë të zbatojnë rregulla kolektive, siç bëjnë vende të tjera të zhvilluara si Franca apo Gjermania. Ajo përgjigje duhet t’i përshtatet pra kulturës së tyre individualiste, dhe këtu amerikanëve u duhet të venë në përdorim tërë potencialin e tyre shpikës dhe novator, një drejtim ku ata janë vërtet tepër të aftë.

Një paralele me të kaluarën e afërt mund të jetë e dobishme në këtë betejë të re, sepse gjatë Luftës së Ftohtë, në vitet ’70, shumëkush (përfshi specialistët e CIA-s dhe ekspertët universitarë) mendonte se ajo do fitohej nga Bashkimi Sovjetik. Kjo sepse ekonomia sovjetike dukej asokohe vërtet e fuqishme dhe efektive. Mirëpo nga fundi i viteve ’80 u kuptua gradualisht se ajo ishte krejt jashtë loje, vetëm shpenzimet e nevojshme për eliminimin e mbetjeve e tejkalonin vlerën e gjithçkaje që prodhohej.

Ndërkaq ato vite u karakterizuan nga vala më e madhe e shpikjeve në historinë e industrisë amerikane, p.sh. gjysmëpërçuesit e shpejtë, të vegjël dhe me kosto të ulët. Dalja e gjithfarë sensorëve apo teknikave me laser u bë e mundur nëpërmjet bashkëpunimit të agjencive qeveritare si DARPA (e Pentagonit) apo NASA (Agjencia e Hapësirës) me laboratorët e kompanive të mëdha të vendit.

Duke krijuar kështu një lloj ekonomie të re e të panjohur, amerikanët e detyruan ekonominë sovjetike të humbiste krejt vlerën e saj. Dhjetëra kompani të sapokrijuara u futën në treg për fitime nga teknologjitë e reja, duke çuar mes të tjerash edhe në rënien e disa monopoleve tradicionale (si AT&T etj.).

Në mënyrë të ngjashme rruga më efektive e përballimit të sfidës kineze do të ishte rritja e investimit amerikan në R&D. Dhe këtu duhet marrë në sy edhe elementi i riskut, sepse përfundimi nuk është i sigurt. Por dihet se novacionet që rezultuan nga kërkimet në fusha specifike mundën të futeshin në treg e të shlyenin shpejt veten e tyre. Kështu p.sh. nevoja e Pentagonit për ndriçimin e fushëbetejës gjatë natës çoi në shpikjen e diodave laser. Edhe ato që erdhën nga e ashtuquajtura Lufta e Yjeve (SDI) e Reaganit jo vetëm që patën sukses në treg, por sollën edhe teknologji të tjera të shumëfishuara, e më në fund edhe falimentimin e Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo përkushtimi ndaj novacionit sikur është harruar që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe kjo përbën problemin themelor të Amerikës, nëse e mendon veten aq të fuqishme sa të mos ketë nevojë për investime në teknologji të reja. Dhe pikërisht këtu shtetit i takon të luajë një rol tepër të rëndësishëm, sepse thelbi i çështjes mbetet që tregu i lirë s’mund të veprojë i shkëputur nga kultura. Prandaj autoriteti qeveritar mundet dhe duhet të jetë nxitësi kryesor i investimeve në R&D, pavarësisht se ato janë me përfundim të pasigurt.

Kina vërtet po shpenzon dhjetëra miliarda dollarë për gjysmëpërçuesit apo mikroprocesorët, por nëse amerikanët gjejnë mënyra më efektive për t’i prodhuar ato, fabrikat kineze do ta humbisnin menjëherë vlerën e tyre. Por ky rezultat nuk mund të garantohet qysh në fillim, prandaj rruga më e mirë për amerikanët është pranimi i riskut dhe novacioni i vazhdueshëm. Duke lënë mënjanë vetëkënaqësinë dhe duke u angazhuar seriozisht në drejtimet ku ata gëzojnë dukshëm avantazhe të krahasuara, vendi më novator i botës do të mundet ta përballojë me sukses edhe sfidën e re kineze. Ky është veprimi dhe lëvizja që i duhet Amerikës në aspektin strategjik afatgjatë, dhe jo luftërat tregtare, nga të cilat zakonisht asnjëra palë nuk del fituese.

(c) Autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.