AMERIKA TRUMPIANE DHE BOTA NË UDHËKRYQ

nga Ernest Nasto

Shumë është folur e komentuar së fundi pas fjalimit të presidentit Trump në OKB me shkëputjen e dukshme nga rendi i tanishëm liberal globalist. Fjalimi ishte një denoncim i strategjisë bazë të farkëtuar pas Luftës II, ose asaj që është njohur në historiografi si “shekulli amerikan” apo “rendi i ri amerikan”. Deklaratat se “sovraniteti amerikan nuk do t’i nënshtrohet një burokracie ndërkombëtare” ranë si dush i ftohtë mbi multilateralizmin dhe qeverisjen globale, në një ndarje të qartë nga të gjithë paraardhësit e tij.

Në fakt izolacionizmi trumpian nuk është aq i ri sa duket, dhe ka qenë i pranishëm gjatë pjesës më të madhe të historisë amerikane. Prandaj le të shohim fillimisht disa aspekte të politikave trumpiane që rimarrin tema nga e kaluara, për të analizuar pastaj edhe të shumëkritikuarin globalizëm, apo rend të ri amerikan.

Doktrina “America first” ka rrënjë të thella historike dhe ndryshimi kryesor qendron me rendin amerikan të pasluftës. Ajo është në thelb një thirrje për rikthim tek një version i mëparshëm i “veçanësisë amerikane”, me tiparet si mospjesëmarrja në traktate apo aleanca ndërkombëtare, proteksionizmi ekonomik, si edhe ngurrimi për të mbështetur vendosjen e demokracisë në vende të tjera (kjo e fundit pavarësisht se për presidentin Wilson qëllimi i Luftës I ishte krijimi i një bote ku “demokracia të ishte e siguruar”).

Tashti presidenti Trump nuk shquhet për njohje të thellë të historisë amerikane, prandaj s’ka gjasa ta bazojë politikën e tij të jashtme tek përvojat historike. Por ai është tepër i aftë të kuptojë dhe shprehë shqetësimet e Amerikës së thellë, të të dëmtuarve nga globalizmi, nga politikat e imigracionit dhe nga rritja e detyrimeve ndërkombëtare. Bëhet fjalë kësisoj për ata që duan të kthehen tek Amerika e dikurshme.

Prandaj Trump në fjalimin e tij sulmoi hapur multilateralizmin e pasluftës dhe theksoi përparësinë e sovranitetit kombëtar amerikan. Thirrja e tij ishte për “vende të forta e sovrane”, që ndjekin interesat e tyre personale, ose ndryshe “secili për vete”. Ky është vizioni i pasqyruar në praktikë me braktisjen e marrëveshjes së Parisit për klimën dhe të paktit shumëpalësh bërthamor me Iranin, me përkrahjen e daljes britanike nga Bashkimi Europian, etj.

Shkëputja këtu është nga e kaluara e afërt, por jo diçka e re, sepse e tillë ishte politika amerikane deri në sulmin japonez mbi Pearl Harbor në dhjetor 1941. Bile Shtetet e Bashkuara nuk u anëtarësuan as në Lidhjen e Kombeve, që në fund të fundit ishte e konceptuar nga vetë presidenti Wilson. Dhe për të shkuar akoma më larg mund të kujtojmë porosinë e presidentit të parë amerikan Washington-it i cili në fjalimin e lamtumirës përcaktonte zhvillimin e tregtisë si “rregullin kryesor” në marrëdhëniet e Amerikës me vendet e huaja, ndërsa lidhjet politike duhet të ishin “më të paktat e mundshme”.

Ngjashmërisht edhe Trump kërkon të përqendrohet në marrëdhëniet tregtare, por duke parapëlqyer proteksionizmin dhe jo tregtinë e lirë. Kjo është konkretizuar në një numër tarifash doganore për të mbrojtur prodhimin e brendshëm, duke kërkuar njëkohësisht prej të tjerëve hapje më të madhe ndaj produkteve amerikane. Kjo të kujton proteksionizmin si tipar të politikës tregtare amerikane që nga Revolucioni e deri në kthimin e tyre në një fuqi të madhe.

Risjellje e historisë së paraluftës është edhe aspekti i vizionit trumpian lidhur me mbështetjen e demokracisë në vende të tjera. Presidenti e shprehu qartë largimin nga ajo mbështetje, duke ua theksuar përsëri liderëve në OKB se Amerika “nuk do t’ju thotë ju si të jetoni apo punoni”, e duke u kërkuar vetëm “të respektoni sovranitetin tonë”. Dhe duket qartë admirimi i tij për autokratët si Putini i Rusisë, Xi-u i Kinës apo Kim-i i Koresë së Veriut, në një kohë kur shtetarëve demokratë të vendeve aleate u rezervon vetëm thumba në mos tallje të hapura.

Ndërkaq themeluesit e Amerikës, ndryshe nga Trump, s’kishin ndonjë parapëlqim për autokratët, por ngjashmëria qendron në faktin që ata ishin gjithaq skeptikë ndaj ndërhyrjes në punët e të tjerëve. Për t’u kthyer tek një figurë e shumëpërdorur edhe në faqet e kësaj reviste, ata e dëshironin Amerikën si “qytet mbi kodër” dhe far të demokracisë, por jo si kryqtar për të. Duke mos qenë të tillë kryqtarë amerikanët refuzuan asokohe ndërhyrjen në mbështetje të kauzave demokratike si p.sh. gjatë kryengritjeve antikoloniale në Amerikën Latine në vitet 1820 apo në të famshmen epokë të lëvizjeve liberale në Europë në vitet 1840. Justifikimi i qartë (të cilit edhe Trump do t’i bashkohej plotësisht) ishte që ndërhyrja nuk përputhej me vlerat amerikane, dhe rrezikonte zhytjen në konflikte të ngatërruara në vende të largëta.

Jehona të thella historike gjen po ashtu konceptimi i presidentit aktual për identitetin amerikan, plot nuanca raciste, e me mospreferencën për imigrantët jo të bardhë. Dëshmi kuptimplotë janë përpjekjet e njëpasnjëshme për të aneksuar Kanadanë qysh nga Lufta Revolucionare e deri në vitet 1870, ku një arsye kryesore ishte popullata e saj e bardhë. Kjo kur Kongresi hidhte poshtë një numër projektesh për të bërë të njëjtën gjë me Santo Domingon (sot Rep. Dominikane), Haitin apo Kubën, popujt e të cilave konsideroheshin inferiorë.

Për themeluesit e Amerikës izolacionizmi përshtatej bukur me idenë e veçanësisë amerikane, të Shteteve të Bashkuara si një eksperiment unik, që mund të mbijetonte i panjollosur vetëm duke qendruar larg një bote të rrezikshme. Ndërkaq problemi me reflekset izolacioniste të Trump është se bota ka ndryshuar së tepërmi gjatë 2 shekujve, dhe rendi i ri global amerikan i pasluftës ka qenë faktor kryesor i këtij ndryshimi.

Po çfarë ka sjellë ky rend për botën dhe a janë të merituara kritikat që i bëhen? Këto jo vetëm nga Trump, po edhe nga Putin, nga Xi Jinping, e nga shumë analistë në Shtetet e Bashkuara e gjetkë, prej së majtës progresive deri tek e djathta libertariane. Kritikët mëtojne se vetë rendi liberal është një “mit”, ose më mirë një maskë, për hegjemoninë dhe prirjet imperialiste të Amerikës, duke ja mbajtur kësaj për të madhe përkrahjen për regjime autoritare e diktatoriale. Përfitimet e nxjerra nga rendi amerikan janë barazpeshuar, bile tejkaluar, sipas kritikëve, nga dështimet spektakolare në Vietnam e Irak në politikën e jashtme apo nga përndjekjet e “të kuqve” gjatë makartizmit në politikën e brendshme.

Trump e quan veten realist, si kritikët e globalizmit që insistojnë se janë realistë, duke nënkuptuar që Amerika të braktisë përpjekjet për ta bërë botën në imazhin e saj dhe ta pranojë “ashtu siç është”. Mirëpo interesantja këtu është se krijuesit e rendit të ri pas Luftës II e konsideronin veten gjithashtu realistë, duke përfshirë presidentët Roosevelt dhe Truman, apo sekretarët e shtetit G. Marshall dhe D. Acheson. Dhe ata kishin arsye më të forta se këta të sotmit për ta quajtur veten të tillë. Ata kishin parë me sytë e tyre gjendjen e botës pa hegjemoninë amerikane, të botës “siç është”: dy luftra katastrofike, Holokausti i hebrejve, lulëzimi i ideologjive vrastare si komunizmi e fashizmi, dhe katandisja në buzë të varrit e liberalizmit dhe demokracisë në Europë.

Rendi i ri u konceptua kështu me objektivin e shmangjes së tmerreve të tilla, pa u bazuar tek ndonjë farë optimizmi naiv për natyrën njerëzore. Përkundrazi, baza ishte pesimizmi nga përvoja konkrete e fituar në fushëbetejat e përgjakura në Europë e në ishujt e Paqësorit, apo në qytetet e rrafshuara gjermane, ruse e japoneze. Edhe atëherë shumë amerikanë nuk kishin besim në Kombet e Bashkuara e në ligjin ndërkombetar, por personalitetet e lartpërmendura mendonin disi ndryshe. Sipas Acheson-it bota ishte një xhungël, pa rregulla loje, pa arbitra dhe pa shpërblime për ata që silleshin mirë. Rrjedhimisht siguria, qoftë ajo fizike, qoftë ajo e ideve liberale, mund të garantohej vetëm nga fuqia e vazhdueshme morale, ushtarake dhe ekonomike e Shteteve të Bashkuara. Kjo u mishërua në krijimin e NATO-s, në vendosjen e trupave amerikane në Europë dhe sidomos në transformimin e dy burimeve të konflikteve, Gjermanisë dhe Japonisë, në vende paqësore e demokratike. Kjo e fundit ishte arritja më e shënuar e rendit amerikan, e realizuar jo vetëm me forcë e presion, por edhe me mbështetje financiare e politike të konsiderueshme. Këto dy vatra agresioni ja dolën të lenë mënjanë objektivat gjeopolitike territoriale, dhe t’i zëvendësojnë me objektiva të mirëqenies ekonomike, duke u bërë shpejt superfuqi edhe në këtë fushë. Nga kjo përfituan edhe vendet e tjera të rajoneve përkatëse që u çliruan nga frika e përhershme e një sulmi prej fqinjit. Kësisoj edhe ata qenë në gjendje t’i kushtojnë burime të shumëfishuara mirëqenies së popujve të tyre. Nën hegjemoninë amerikane Europa pushoi së qeni vatër aleancash e kundëraleancash strategjike, dhe konkurenca ekonomike nuk çoi si dikur në konkurencë ushtarake.

Objektivi i Amerikës në këtë projekt ishte zhdukja e nevojës për sfera interesi strategjik, prej ku kishin ardhur aleancat e lartpërmendura, përkatësisht luftrat. I vetmi përjashtim duhej të ishin vetë Shtetet e Bashkuara si garantuese të rendit liberal dhe me sferë interesi praktikisht tërë boten, sidomos pas fillimit të Luftës së Ftohtë.

Por edhe garantuesi vetë duhej të respektonte disa rregulla bazë, si p.sh. të lejonte edhe fuqitë e tjera të kishin përfitime afatgjata, duke mos e konceptuar sistemin si një “zero-sum game”. Amerika duhej të angazhohej në institucione ndërkombëtare jo të përsosura, bile shpesh edhe të padobishme si p.sh. Kombet e Bashkuara. Ama dobia e tyre qendronte në atë që ato shiheshin si të rëndësishme nga të tjerët, jo doemos nga vetë amerikanët. Ky avantazh u pa qartazi gjatë Luftës së Ftohtë, sepse nxorri në pah një dobësi themelore të perandorisë sovjetike, atë që vendet e sunduara nuk ishin aspak të kënaqura me qenien nën të. Prandaj edhe e braktisën shpejt në rastin më të parë, duke çuar në shembjen përfundimtare të asaj perandorie.

Kjo nuk nënkupton që Amerika i zbatoi rregullat në vazhdimësi, veçanërisht lidhur me përdorimin e forcës apo me ndërhyrjet në prapaskenë. Rendi kërkonte shkelje të rregullave herë pas here, duke krijuar doemos të kënaqur e të pakënaqur. Dhe një parantezë kuptimplotë këtu për interesin tonë si shqiptarë është se pa atë shkelje të rregullave nuk do të kishim as Kosovën e lirë, e as shkallën e lartë të autonomisë së bashkëkombasve tanë në Maqedoni.

Brenda rendit amerikan pati sigurisht kritika e fërkime, dhe sfidat më të hapura ndaj Amerikës ishin dalja e Francës nga struktura ushtarake e NATO-s dhe Ostpolitika e kancelarit gjerman Willy Brandt. Por megjithë të metat e kritikat, megjithë hipokrizinë amerikane dhe përdorimin e herëpashershëm të forcës, gjatë ekzistences së këtij rendi globalist u vu re një dukuri domethënëse: askush prej pjestarëve nuk bëri asnjë përpjekje për të dalë prej tij. Kjo është dëshmia më e qartë se për aleatët europianë e aziatikë një rend botëror amerikan, megjithë të metat e lartpërmendura, ishte shumë më i parapëlqyer se alternativat, qoftë ajo sovjetikja, qoftë ajo e vjetra europiane. Aleatët nuk patën kurrë arsye t’i druheshin një agresioni amerikan, megjithë epërsine e shumëfishte ushtarake të këtyre të fundit. Pra pavarësisht se rendi nuk ishte i persosur, ai rezistoi sepse të gjithë aleatët e shihnin hegjemoninë amerikane, sipas çdo standarti real e praktik, si relativisht vullnetmirë, me epërsi të dukshme ndaj alternativave.

Rezultatet pozitive të këtij rendi janë të pamohueshme, sepse vendet pjestare u bënë më humane në trajtimin e qytetarëve të tyre, dhe liritë e fjalës, të shtypit, të manifestimit publik njohën vetëm rritje. Të varfërit dhe pakicat patën përmirësime të dukshme në jetën e përditshme, dhe kozmopolitanizmi solli ngushtimin e hapësirave për racizëm e nacionalizëm skajor. Ndërkaq asgjë nuk ishte e përsosur, fanatizmi, brutaliteti dhe gjakderdhja vazhdonin, edhe në Shtetet e Bashkuara. Ishte ende, sipas shprehjes së Shën Augustinit, “Qyteti i Njeriut” dhe jo “Qyteti i Zotit”, por në krahasim me të 5000 vitet e shkuara rendi përbënte transformim absolutisht revolucionar i çdo aspekti të jetës njerëzore.

Ai rend përmbante edhe nxitjen e brendshme drejt respektimit më të mirë të rregullave, vetë vendet demokratike ndodheshin para presionit për përmirësim të vazhdueshëm. Edhe këtu shembulli i SHBA është më domethënësi sepse ajo njohu përparimet më të mëdha të të drejtave civile pas Luftës II dhe asaj të Vietnamit. Zezakët amerikanë kishin luftuar në Europë e në Paqësor për të mbrojtur ideale që ende mungonin në vendin e tyre. Dhe kjo kontradiktë e brendshme u bë tepër e vështirë për të rezistuar, derisa u shemb përfundimisht me lëvizjen e të drejtave civile në vitet 1960-1970.

Siç e përmendëm amerikanët nuk janë treguar konsistentë në mbrojtjen e demokracisë, sepse frika e tyre nga radikalizmi i skajshëm (si komunizmi i djeshëm apo islamizmi i sotëm) është më e madhe se kundërshtimi ndaj autokracisë e diktaturave (prej ku edhe shembujt famëkeqë si grushti i shtetit në Kili më 1973). Por në fund të fundit, me apo pa dashje, Shtetet e Bashkuara krijuan një botë që favorizonte së tepërmi regjimet demokratike. Dihet se pasiguria është një nga pengesat më të mëdha ndaj demokracisë (në mos më e madhja) sepse vendet nën kërcënim të vazhdueshëm agresioni priren të kenë qeveri të forta e t’u japin drejtuesve autoritet të jashtëzakonshëm. Duke eliminuar pasigurinë rendi i ri krijoi kushte të favorshme për demokracitë e reja që ndoshta s’do mund të mbijetonin në një bote më të rrezikshme. Një rol të madh këtu luajti padyshim fakti që fuqia më e madhe e botës ishte vetë një demokraci, duke ftuar imitimin prej çdokujt që synonte të futej nën ombrellën e saj.

Rendi globalist e liberal amerikan ka qenë kësisoj plot të meta, dhe qëllimet janë realizuar me mjete joliberale. Por asnjë rend paqësor s’mund të ekzistojë pa një farë hegjemonie: rendi romak nën hegjemoninë e Romës, apo rendi britanik i shekujve XVIII – XIX nën hegjemoninë e Flotës Mbretërore. Bile edhe rendi jetëshkurter në Europë (Koncerti Europian) pas epopesë napoleoniane në shekullin XIX ishte nën hegjemoninë kolektive të të katër fuqive fituese.

Ndërkaq edhe kritikët e rendit të sotëm nuk është se ofrojnë ndonjë alternativë të pëlqyeshme. Disa thonë se Amerika duhet të pajtohet me krijimin e sferave të influencës ruse apo kineze, edhe duke sakrifikuar interesat e ukrainasve apo taivanezëve. Të tjerë insistojnë që diversiteti, jo demokracia, të vihet në plan të parë. Një botë e tillë e larmishme me siguri do komandohej pjesërisht nga Putini, pjeserisht nga Xi-u, po ashtu nga ajatollahët e Iranit dhe nga Kim-i i Koresë, se edhe ata do të donin sferat e tyre. Një botë përndryshe e paparë që prej kohës së Hitlerit, Stalinit e Musolinit.

Prandaj është e paarsyeshme ta paraqesësh këtë lloj bote si zgjidhje të problemeve. E po ashtu mëtimi se ndjekja e politikave më realiste (d.m.th. më trumpiane) nga Shtetet e Bashkuara do të çonte në një botë pa konflikte është në fakt e kundërta e realizmit. Fatkeqësisht qendrimet e Trump sinjalizojnë se ndoshta drejt një bote “secili për vete” po shkojmë dashur padashur. Fjalimi i tij në OKB ishte thirrje për anarki globale, për një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve. Kjo mund të jete vërtet e ardhmja, por duket pak e çuditshme ta rekomandosh këtë rrugë si një alternativë të studiuar siç bëjnë një numër kritikësh të globalizmit e të rendit amerikan.

Nuk mund të mohohet pra që rendi liberal ka e do të vazhdojë të ketë plot të meta, por dhe për të mund të përshtasim fjalët e Churchill-it për demokracinë, si sistemi më i keq me përjashtim të gjithë të tjerëve.

Por vizioni trumpian premton ta kthejë prapa rrotën e historisë drejt një Amerike më sovrane, më të bardhë, më të industrializuar dhe më të distancuar nga bota. Debatet e shumta që kanë pasuar lidhen me një fakt të thjeshtë: pas gjithë ndryshimeve të lartpërmendura gjatë dy shekujve, e sidomos nën rendin amerikan të pasluftës, është tepër larg mendjes të pranosh se një strategji bazë e formuluar në shekujt XVIII – XIX është e përshtatshme edhe për shekullin XXI.

Trump ka hapur vërtet një debat madhor lidhur me rolin e SHBA në botë. Por përgjigja s’mund të jetë kthimi prapa. Përkundrazi duhet që Amerika të formulojë një version të ri të “veçanësisë” së saj, dhe të hartojë një strategji bazë përkatëse sipas kushteve të sotme.

© 2018, Autori. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Imazhi në kopertinë © 2016 Financial Times

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.