AMERIKË E NDËRMJETËSUAR

Kureshtarët për letërsinë e huaj të përkthyer në shqip dhe të botuar në Tiranë, gjatë viteve të totalitarizmit, ka gjasë të pyesin për mënyrën si kanë mbërritur, deri në brigjet tona, autorë amerikanë të tillë si O’Henry dhe Jack London-i, John Steinbeck-u dhe Theodore Dreiser-i, Arthur Miller-i dhe Upton Sinclair-i, William Saroyan-i dhe Ernest Hemingway?

Jo se ka pasur gjë anti-komuniste dhe subversive të kamufluar në prozën e këtyre shkrimtarëve, por ngaqë marrëdhëniet kulturore të Shqipërisë me ShBA kanë qenë në atë kohë krejt të ndërprera; dhe prandaj nuk është e lehtë të kuptohen kriteret me të cilët janë zgjedhur titujt për t’u përkthyer.

Për shembull, si të ketë ndodhur që autorë relativisht të vjetruar dhe historikisht të kornizuar, si Mayne Read dhe James Fenimore Cooper, të përfundojnë mes më të lexuarve dhe popullorëve mes lexuesit në Shqipëri, falë titujsh si Oskeola, prijësi i seminolëve dhe I fundmi i mohikanëve?

Përgjigjen shumëkush që i ka jetuar ato kohë e ka në majë të gojës: përzgjedhja e autorëve dhe e titujve vinte e gatshme, që nga ofiçinat propagandistike të Moskës; në kuptimin që Shqipërisë i servirej një letërsi amerikane e përzgjedhur sipas shijeve të aparatçikëve sovjetikë të kulturës.

Ironikisht, Bashkimi Sovjetik i kish ruajtur të gjalla dhe frytdhënëse marrëdhëniet kulturore me ShBA, madje edhe në periudhën e Luftës së Ftohtë (shih për këtë Susan Buck Morss, Dreamworld and Catastrophe, The Passing of Mass Utopia in East and West, the MIT Press, 2002); çka tërthorazi bëri që letërsia amerikane, e kanalizuar dhe e dezinfektuar përmes kritereve të Moskës, të përfaqësohej përballë publikut shqiptar shumë më gjerë dhe më thellë se vetë amerikanët si popull.

Lexuesi shqiptar mund ta kish praktikisht të pamundur të kuptonte frymën e “frontier” dhe të “gold rush” që i nënvendosen romaneve “me qen” të Jack London-it si Kushtrimi i të parëve ose Dhëmbi i bardhë; por kjo nuk e pengonte që të shijonte temat universale të instinktit dhe të mirësisë – pa çka se romani trajtohej si letërsi për fëmijë dhe ka gjasa që të jetë botuar i shkurtuar.

Po ashtu, I fundmi i mohikanëve, njëlloj i rrënjosur në historinë e fillimeve të Amerikës moderne, gëzonte popullaritet të jashtëzakonshëm në Shqipëri (cili çun të paktën në Tiranë nuk ishte mrekulluar pas Unkasit dhe Karabinës së gjatë?), aq sa edhe titulli përfundoi në shprehje të ligjërimit bisedor, të përdorur nga njerëz që nuk e kishin idenë për prejardhjen e saj.

Një shënim në The Paris Review e konfirmon suksesin sovjetik – vështirë të shpjegueshëm në vështrim të parë – të serisë së romaneve nga James Fenimore Cooper, të njohura si Leatherstocking Tales, ku përfshihet edhe I fundmi i mohikanëve; duke përmendur që, në vitin 1989, Bashkimi Sovjetik emetoi një seri prej pesë pullash poste kushtuar këtij gjerdani.

1989_cpa_6128-6132_strip

Nëse mes sovjetikëve – dhe shqiptarëve të Shqipërisë – romane të tilla konsideroheshin si “letërsi për fëmijë”, vlera e tyre artistike nuk përbënte problem; në një kohë që pak lexues amerikanë sot do të kishin aq durim sa të përfundonin një roman të Fenimore Cooper-it, të cilin nuk e mbajnë për autor të mirë.

Pas gjase, në shqip vepra të tilla përktheheshin nga rusishtja; dhe nga shqipërues mjeshtër të profesionit të tyre. Bash për këtë arsye, shqipja e Të fundmit të mohikanëve do të ketë qenë ku e ku më e qëruar dhe polifonike, se anglishtja rutinë e origjinalit; dhe të njëjtën gjë mund ta themi edhe për rusishten ndërmjetësuese. Nga ana tjetër, disa vepra janë përkthyer drejtpërdrejt nga anglishtja, mes të cilave Martin Iden i Jack London-it, të cilin e ka shqipëruar Shaban Demiraj; dhe Plaku dhe deti, i Hemingway-t, të cilin – nëse nuk më ka lënë kujtesa – e ka sjellë në shqip Ismail Kadareja pasi mësoi anglishten.

Fati i këtyre veprave pa pretendime të mëdha letrare në origjinal, që fitojnë një jetë të dytë duke përmirësuar edhe regjistrin, pasi përkthehen në një kulturë tjetër, të mbyllur, ndihmon për të kuptuar natyrën e censurës dhe të filtrave që rregullonin marrëdhëniet e Shqipërisë totalitare me botën, dhe jo vetëm në lëmin e përkthimit.

Në parim, letërsia amerikane sillej në Shqipëri si pjesë e propagandës anti-amerikane të regjimit, por kriteret e përzgjedhjes së saj i bindeshin më shumë propagandës anti-amerikane të Moskës; çka mbeti në fuqi edhe pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me sovjetikët, në fillim të viteve 1960.

Për shkak të embargos së ashpër në importin e librave nga bibliotekat dhe mungesës pothuajse totale të specialistëve të letërsisë amerikane bashkëkohore në Shqipëri, askush nuk do të ishte në gjendje të propozonte përkthimin e një vepre, pa u siguruar se titulli në fjalë i kishte kaluar tashmë barrierat e censurës sovjetike.

Kjo natyrisht nuk ndodhte vetëm me letërsinë amerikane, por edhe atë angleze dhe australiane; çka shpjegon pse lexuesit shqiptar iu dhanë tituj të tillë si Diplomati, nga James Aldridge; ose Vdekje në anije një thriller i hershëm i Charles Percy Snow – që përndryshe mirënjihet si autor i tezës së famshme të dy kulturave; ose edhe Saga e Forsajtëve e John Galsworthy-t (seriali televiziv prej 26 episodesh, bazuar në këtë roman të fundit dhe i prodhuar nga BBC-ja, ishte programi i parë televiziv britanik që iu shit televizionit shtetëror sovjetik). Për t’u shënuar edhe suksesi i pashembullt në Shqipëri i romanit Bija e Montezumës, vepër e shkrimtarit viktorian të aventurave, H. Rider Haggard.

Ndërkohë, historianët e censurës totalitare të Tiranës mund të kenë interes të qëmtojnë ata autorë amerikanë dhe anglezë tejet popullorë në Bashkimin Sovjetik, por që megjithatë nuk u panë si të përshtatshëm për lexuesin shqiptar – duke filluar nga Arthur Conan-Doyle dhe historitë e Sherlock Holmes-it.

Përkthimet e letërsisë amerikane dhe në përgjithësi të kulturës anglofone, edhe pse të ndërmjetësuara nga rusishtja dhe filtrat e censurës sovjetike, luanin edhe një rol tjetër të rëndësishëm: si tituj që e kishin kaluar me sukses kontrollin ideologjik, origjinalet e tyre mund të importoheshin dhe të lexoheshin lirisht nga studentët e gjuhës dhe të letërsisë angleze, në vitet 1960-1970, pranë Universitetit të Tiranës. Disa nga këta libra që e gjenin rrugën deri në bibliotekën e UT-së ose të Fakultetit Histori-Filologji nuk ishin veçse ribotime sovjetike për nevojat e tyre universitare, të cilat kushtonin shumë më lirë se botimet përkatëse perëndimore.

Përndryshe, kaq të mëdha ishin nevojat e katedrës së anglishtes aso kohe për kuadro, sa shteti u kujdes të dërgonte dhe të specializonte, në Kinë, disa prej profesorëve të ardhshëm të kësaj katedre.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.