AUGUSTO MONTERROSO: NJË PREZANTIM

Shkrimtari latino-amerikan Augusto Monterroso (1921-2003) fitoi famë dhe admirim me tregimet e tij shumë të shkurtra, disa në formë fabulash. Më poshtë po sjell disa mezé nga më djegëset të kuzhinës së tij*, marrë nga vëllimi La oveja negra y demás fábulas (me përjashtim të copëzës “Dinosauri”, që i përket një përmbledhjeje tjetër).

BRESHKA DHE AKILI

Më në fund, siç njoftojnë agjencitë e lajmeve, javën që shkoi Breshka arriti në finish.

Në konferencën e shtypit, ajo deklaroi me modesti se gjatë gjithë garës kish pasur frikë mos humbte, ngaqë kundërshtari nuk i ish ndarë, hap pas hapi.

Në fakt, një të mijë-triliontën e sekondës më pas, i shpejtë si rrufeja dhe duke nëmur Zenonin e Eleas, ja ku mbërriti Akili.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

GJASHTË TË TJERËT

Thonë se një vend të largët, jetonte para ca kohësh një Buf që, duke vrarë mendjen dhe studiuar, reflektuar, përkthyer, mbajtur leksione, shkruar poema, rrëfime, biografi, recensione filmash, ligjërata, ese letrare dhe ca gjëra të tjera, arriti të përvetësojë dhe të trajtojë praktikisht gjithçka, në çdo lloj fushe të njohjes njerëzore; dhe në mënyrë kaq të mahnitshme, sa bashkëkohësit e tij entuziastë menjëherë e shpallën një nga Shtatë të Urtët e Kombit, edhe pse deri më sot askush nuk ka mundur të marrë vesh se cilët janë gjashtë të tjerët.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

BUBURRECI ËNDËRRUES

Na ishte një herë një Buburrec i quajtur Gregorio Samsa që ëndërronte sikur ishte një Buburrec i quajtur Franz Kafka që ëndërronte sikur ishte një shkrimtar që shkruante për një nëpunës të quajtur Gregorio Samsa që ëndërronte se ishte Buburrec.

₪            ₪            ₪

KALI QË PËRFYTYRONTE PERËNDINË

Pavarësisht nga ç’thonë, ideja e një bote të përtejme të banuar nga Kuajt dhe të sunduar nga një Perëndi me pamjen e një kali bie ndesh me intuitën dhe logjikën më elementare, arsyetonte një ditë Kali.

Gjithë bota e di – vazhdonte ai arsyetimin – se sikur ne Kuajt të ishim në gjendje ta përfytyronim Perëndinë, do t’i jepnim formën e Kalorësit.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

DINOSAURI

Kur i doli gjumi, dinosauri ishte akoma aty.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

ME ZEMËR TË QETË

Në mes të Pyllit, jetonte një herë një familje ekstravagante bimësh mishëngrënëse, që, me kalimin e kohës, u bënë të vetëdijshme për zakonin e tyre të çuditshëm, për shkak edhe të ankimeve që u sillte Zefiri nga të gjitha anët e qytetit.

Të ndjeshme ndaj kritikës, pak nga pak filluan të ndiejnë neveri ndaj mishit, derisa ia behu dita kur jo vetëm e refuzuan në kuptim të figurshëm, ose seksual, por edhe vendosën të mos e hanë më; dhe mjaftonte ta shihnin, që t’u përzihej.

Ashtu vendosën të bëheshin vegjetariane.

Që nga ajo ditë, hanë vetëm njëra-tjetrën dhe jetojnë të qeta, pasi e kanë lënë pas të shkuarën e turpshme.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

PËLHURA E PENELOPËS

Shumë kohë më parë, jetonte në Greqi një burrë i quajtur Uliks (i cili ish jo vetëm i ditur, por edhe shumë finok), i martuar me Penelopën, grua e bukur dhe e zonja, që kish vetëm një të metë: pasionin e tepruar për të endur pëlhurë, çka e lejonte të kalonte, në vetmi, periudha të gjata kohe.

Thotë legjenda se, sa herë që, me mendjemprehtësinë e vet, Uliksi vinte re se, megjithë porositë që i kish dhënë, ajo bëhej gati të fillonte, edhe një herë tjetër, të endte pëlhurën, niste edhe ai të përgatiste, në fshehtësi, këpucët dhe një barkë të mirë, dhe pastaj – pa i thënë asgjë së shoqes – shëtiste nëpër botë, për të gjetur veten.

Kësisoj ajo arrinte ta mbante larg, gjatë kohës që flirtonte me pretendentët, duke u lënë ktyre të kuptojnë sikur endte pëlhurë gjatë kohës që Uliksi udhëtonte dhe jo që Uliksi udhëtonte gjatë kohës që ajo endte pëlhurë, siç mund ta ketë përfytyruar Homeri, që, siç e dimë, nganjëherë dremiste dhe nuk merrte vesh asgjë.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

DELJA E ZEZË

Në një vend të largët jetonte, shumë kohë më parë, një Dele e zezë.

E pushkatuan.

Një shekull më pas, grigja – e penduar – i ngriti një statujë madhështore, që zuri vend mirë në park.

Ashtu, gjatë viteve që pasuan, sa herë qëllonte të shfaqej ndonjë dele e zezë, e pushkatonin menjëherë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të deleve të zakonshme të mund të ushtroheshin edhe në artin e skulpturës.

(*) Përktheu nga origjinali Castigat.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.