Aureola predikuese mbi utopinë e stabilitetit

Redi SHEHU

 

AUROLA PREDIKUESE MBI UTOPINË E STABILITETIT

Redi Shehu

Redi Shehu

Nëse të gjithë janë të këtij formati atëhere është e pamundur të flasim për vlera. Gjarpërime të përhershme mes rrugëzgjidhjesh të pakuptimta, që demokratikisht plagosin institucionet, jane kthyer tashmë në metodologji e pushteteve, që në emër të ndryshimit, “kërcënojnë për stabilitet”. Aq shumë magmatik është terreni politik e institucional shqiptar, sa stabiliteti kthehet në një nocion të rrezikshëm dhe tepër utopik. Të pluskuar në mënyrë të përhershme në luhatje dhe hallakatje, qëndrueshmëria konvertohet vërtet në një antioksidant të rrezikshëm, për ato që rrëshqitjen, informalitetin dhe kaosin e kanë koncept stabiliteti. Kështu që, të stabilizuar tashmë prej dekadash në paqëndrueshmëri, çdo tentativë serioze për të sjellë stabilitetin dhe vlerat në politikë dhe institucione, interpretohet, shihet por edhe predikohet si dalje nga normalja nga kjo status-quo e paqëndrueshmërisë e perceptuar si stabilitet.

Në fakt, nëse do e shohim hollë-hollë, e gjithë sfida e tranzicionit vërtitet tek steka e stabilitetit dhe raportet me të. Reforma  të marra të prishura e të shprishura,  të ripërtërira, rimodeluara, rikonceptuara e rindërtuara, kanë shënjestruar nocionin e stabilitetit të vendit në parametra politikë, ekonomikë e institucionalë. Me fjalë të thjeshta, e gjithë lufta jonë mund të përmblidhet si përpjekje për pak qetësi. Por loja është luajtur pikërisht me kufinjtë e kësaj qetësie apo thënë ndryshe stabiliteti. Për sa kohë që qëndra e pushtetit politik vërtitet rreth prodhimit, shumimit e ambalazhimit të parave dhe interesave, stabiliteti përbën pengesën kryesore për një gjë të tillë. Sepse stabilitet do të thotë rrespektim i proçedurave në formë të njëpasnjëshme, të paluhatshme dhe të pakompromis. Është pikërisht loja me proçedurat ajo e cila ka përbërë parajsën tonë. Për këtë arsye, rrespektimi i procedurave kthehet në një nocion të rrezikshëm për mbajtësit e mirëmbajtësit e pushteteve dhe për këtë arsye një aureolë predikuese mbi utopizmin e stabilitetit, e artikuluar ose jo, na përfshin të gjithëve në formën e një hipnoze dehëse.

Të gjithë, të brëndshëm e të jashtëm, flasin për stabilitet. Ka vite që flitet për stabilitet, por edhe kur e artikulojnë këtë e bëjnë pa pikë stabiliteti. Pothuaj të gjitha reformat për të ndërtuar stabilitet janë ndërmarrë, ama stabilitet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës që nga qeverisja e deri tek institucionet me të thjeshta, nuk ka.

Kështu, e gjithë retorika e stabilitetit që mbllaçitet poshtë e përpjetë, artikulohet nga ata që destabilitetin e kanë projekt politik. E sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, edhe organizatat të cilat janë instaluar në këtë vend dhe sponsorizohen në emër të stabilitetit, kanë marrë vallen shqiptare të paqëndrueshmërisë në rrëshqitje e sipër.

 

Burimi: http://www.gazetastart.com/index.php?p=hg&hid=17853

Vënë nën: Edukim

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top