BALSAMIM APO KOMUNIKIM?

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i ka dhënë sot një intervistë të gjatë Fatmira Nikollit, në BalkanWeb.

Në këtë intervistë – po citoj nga teksti paraqitës – ajo ndalet “tek çështjet kryesore të dikasterit që drejton”; të cilat edhe i përmbledh në përgjigjen që ia jep pyetjes së fundit:

– Cilat janë synimet tuaja, në krye të kësaj ministrie? Cilat janë ato që doni bëni patjetër, si ministre?

Të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm menaxhimi dhe administrimi në institucionet publike të artit, që të mos ndryshojë me ndryshimin e qeverive dhe të ministrave, që të garantojë konkurrencën dhe meritokracinë dhe për këtë jemi në rrugë të mbarë.

Të zhvillojmë një politikë të fortë të edukimit përmes kulturës për të gjithë popullsinë sepse këtë e gjejmë të domosdoshme për stabilitetin social dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo është një nga prioritetet e qeverisë që e kemi futur në zbatim që në ditët e para.

Të nxisim skenën e pavarur të artit si një mënyrë të decentralizimit të kulturës dhe të nxitjes së krijimtarisë së lirë, duke hapur kufijtë e kulturës përtej kufijve administrativë.

Të përforcojmë sistemin e administrimit të trashëgimisë në mënyrë profesionale, duke e ruajtur, promovuar, por edhe kthyer në një burim të ardhurash ekonomike.

Janë synime që nuk mundem veçse t’i përshëndes, duke uruar që të arrihen të gjitha.

Nga ana tjetër, duke i hedhur një sy tekstit të plotë të intervistës, të krijohet përshtypja se Ministria e Kulturës, dhe vetë z. Kumbaro si ministre, kanë prioritete të tjera.

Në intervistë flitet për Marquée-në e Parrenos dhe impaktin e saj në një “monument kulture” si ndërtesa e Kryeministrisë.

Flitet për gjithfarë muzeumesh, përfshi edhe ato arkeologjike si ai në Durrës.

Flitet për hapjen e ndërtesave deri më tash të mbyllura ndaj publikut, si Pallati i Brigadave, vila e ish-diktatorit, ndërtesa e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, Shtëpia e Gjetheve, Bunkeri në malin e Dajtit dhe vetë kati i Parë i Kryeministrisë.

Flitet për site të trashëgimisë kulturore dhe kantieret që janë hapur në gjithë vendin; por edhe për sezonin turistik veror.

Hamami i Krujës: si ishte. A duhet të merret Ministria e Kulturës me këto vrima?

Hamami i Krujës: si ishte. A duhet të merret Ministria e Kulturës me këto vrima?

Flitet për restaurimin e Hamamit të Krujës dhe të Kalasë së Lezhës dhe strategjinë e qasjes ndaj monumenteve të kulturës, në raport edhe me jetën e përditshme të qytetarëve dhe ri-funksionalizimin e ndërtesave.

Flitet për dëmet që janë bërë në trashëgiminë kulturore.

Flitet për Beratin dhe Gjirokastrën si qytete të shpallura pasuri botërore nga UNESCO-ja.

Flitet për ndërtime të paligjshme dhe ndërhyrje në qytetet historike, në kërkim zgjidhjesh infrastrukturore, si zonat pedonale.

Flitet për ndërtimet pranë Kalasë së Krujës dhe hotelin që u prish në qendrën historike të Beratit dhe një ndërtim përballë Lulishtes 1 Maji në Durrës.

Flitet për mbrojtjen e rreth 130 vilave të Tiranës.

Flitet për restaurimin e kishave dhe sistemin e kujdestarëve.

Flitet për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe Parkun Arkeologjik të Orikut dhe Parkun Arkeologjik të Amantias dhe për Muzeun Marubi që do të hapet së shpejti; dhe pastaj për Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë dhe çlirimin e Arenës së Amfiteatrit të Durrësit dhe sheshin Nënë Tereza.

Flitet për dëmet që u bëjnë monumenteve arkeologjike dhe historike thesarkërkuesit.

Flitet për mundësinë e restaurimit të shtëpisë së Abat Preng Doçit (këtij “princi shqiptar”).

Flitet për Forumin e Trashëgimisë.

Flitet për Galerinë Kombëtare të Arteve që ka nevojë për një linjë të re muzeale.

Flitet për restaurimin e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar dhe rikonceptimin e pavijoneve.

Flitet për rikonstruksionin e Teatrit të Operës dhe Teatrit Kombëtar.

Tani, nëse keni pasur durim t’ia keni nxjerrë fundin kësaj liste, ju ftoj të krahasoni punët dhe projektet që ajo përmban, me synimet e punës së Ministrisë, që vetë z. Kumbaro i specifikon në paragrafin që kam cituar.

Unë e bëra këtë krahasim dhe konfirmova një mendim që e kam pasur prej kohësh: që Ministria e Kulturës seriozisht rrezikon të perceptohet nga publiku si një Ministri e Trashëgimisë Kulturore, me gjithë veprimtaritë që kryen në fusha jo të trashëgimisë, ëndrrat tjetërlloj që mund të ketë dhe imazhin që mund të vazhdojë të kultivojë për veten.

Trashëgimia kulturore në Shqipëri kërkon vëmendje të jashtëzakonshme, mobilizim njerëzish dhe mjetesh monetare, ekspertizë dhe vizion. Meqë turizmi ka mbetur tani një nga pak burimet e të ardhurave për ekonominë e vendit, monumentet kulturore dhe parqet arkeologjike shërbejnë edhe si magnet për turistët, sidomos turistët e huaj.

Të gjitha këto janë gjëra të mira dhe të lavdërueshme; por nuk janë kulturë mirëfilli. Kultura në kuptim të gjerë e përfshin edhe trashëgiminë kulturore; por ajo nuk mund të kapet peng e së kaluarës, as e historisë, sepse përndryshe përfundon edhe ajo e balsamosur, ose e mbyllur në muze.

Në intervistë mungon vëmendja ndaj kulturës si komunikim.

Kumbaro e përmend këtë te synimet; por pastaj ndalet kryesisht në kulturën si shtresëzim historik dhe trashëgimi; dhe ekziston rreziku që e njëjta gjë të ndodhë edhe me punën e ministrisë që ajo drejton.

Restaurimet dhe mirëmbajtja e monumenteve të kulturës kërkojnë edhe investime materiale të rëndësishme; një pjesë e të cilave, për ta thënë me fjalët e z. Kumbaro, “kanë një kosto të rëndë për buxhetin e shtetit, domethënë paguhen me taksat tona.” Një pjesë tjetër, doemos, vjen nga donatorë të huaj.

Shqetësimi im është se, duke pasur sot për sot Ministra e Kulturës në ngarkim edhe Trashëgiminë Kulturore edhe Kulturën, mos vallë Trashëgimia po i heq vëmendje dhe fonde Kulturës vetë – në atë masë që kjo nuk ka lidhje me Trashëgiminë?

Kam biseduar edhe privatisht për këtë me z. Kumbaro, të cilën e njoh prej kohësh; dhe ajo gjithnjë ma ka kundërshtuar këtë. Por unë nuk bindem, dhe intervista e mësipërme kam frikë se më jep të drejtë.

Natyrisht, intervistën e drejton Fatmira Nikolli dhe pyetjet i ka formuluar ajo. Edhe sikur të pranojmë, me marrëveshje, se z. Kumbaro nuk ka luajtur rol në formulimin e pyetjeve, sërish të krijohet përshtypja se edhe një gazetare me përvojë në fushën e kulturës, si Nikolli, pikërisht kështu e sheh punën e Ministrisë së Kulturës: si kujdestare të trashëgimisë kulturore.

Jam në dijeni edhe të veprimtarive, jo të pakta, që ka mbështetur dhe nxitur Ministria e Kulturës në fushën e kulturës si komunikim; por këtyre veprimtarive nuk u jepet, në intervistë, vëmendja që meritojnë. Pse ndodh kështu? Ngaqë ato nuk janë të rëndësishme, apo ngaqë nuk kanë pasur sukses?

Sa për të sjellë një shembull: streha që iu shtua fasadës së Kryeministrisë mund të shihet në dy mënyra – si ndërhyrje në pamjen e një ndërtese të mbrojtur si monument kulture; dhe si një vepër arti me vizibilitet të jashtëzakonshëm, në qendër të Tiranës. Në intervistë flitet për aspektin e parë, por të dytin; në një kohë që valenca thjesht kulturore e marquée-së së Parrenos, në një kontekst urban si ai i Tiranës që është krejt i papërgatitur për gjeste të tilla, i kalohet në ngarkim “debatit për këtë temë” dhe “qasjeve subjektive, po të doni edhe legjitime të një publiku profesionist ose amator, të interesuar specifikisht për çështje të artit apo të arkitekturës.”

Problemi që kam unë, dhe përtej çfarë mund të ketë thënë për këtë punë “profesor Artan Fuga” në Facebook (siç na e sugjeron të lexojmë z. Kumbaro), ka të bëjë me dallimin midis anës funksionale ose artistike të strehës me drita; dhe raportin e saj me monumentin e kulturës. Duket sikur Ministria e Kulturës ka për detyrë të merret vetëm me administrimin (mbrojtjen) e statusit prej monumenti të ndërtesës në fjalë, ndërsa impaktin e ndërhyrjes së Parreno-s te publiku dhe qytetarët duhet ta debatojë shoqëria civile. Nëse është kështu, e përsëris, nëse është kështu, atëherë  Ministria e Kulturës e ka ripërmasuar rolin e saj drejt thjeshtimit, në këtë dialog të artit publik me qytetin.

Ky ishte veç një shembull. Në intervistë përmenden edhe dy ngjarje të rëndësishme në kulturën shqiptare, si Festivali “Tirana Open” dhe Festivali i Gjirokastrës 2015. Në të parin isha vetë pjesëmarrës dhe m’u krijua përshtypja se dështoi në shumë drejtime, sikurse edhe kam shkruar në atë kohë; për të dytin kam lexuar në shtyp më shumë kritika, ndonjëherë të ashpra, se vlerësime; pa çka se z. Kumbaro në intervistë e quan “arritje shumë e madhe e Ministrisë së Kulturës, por sidomos e folklorit origjinal shqiptar” e cila ringriti “kështjellën e folklorit si monumentin kryesor të trashëgimisë kulturore jomateriale.”

Ashtu qoftë. Por le të mos na shpëtojë fakti se, edhe në këtë vlerësim të sajin, z. Kumbaro flet për “trashëgimi kulturore” – çfarë më bën të mendoj se folklori – në nivelin e Festivalit – është reduktuar edhe ai në një ri-inskenim praktikash kulturore stereotipike dhe me vlera kryesisht zbavitëse dhe turistike.

Dhe meqë jemi në argument, edhe angazhimi madhështor i Ministrisë së Kulturës me projektet që u zbatuan për vitin jubilar të De Radës, i shërbeu sërish balsamimit të kulturës dhe të trashëgimisë letrare – me një seri konferencash dhe simpoziumesh dhe botimin (më kanë thënë, të shkëlqyer) të veprës së plotë të poetit: por sa vetë e lexojnë De Radën në origjinal sot, në Shqipëri dhe gjetiu?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.