BATUTA E POLITIKANIT (I)

Kur Ronald Reagan-i filloi punën si President i SHBA-ve, gazetarët dhe vëzhguesit që ndiqnin konferencat e tij për shtyp vunë re diçka shqetësuese: shumë pyetjeve, Reagan-i u përgjigjej me batuta. Batutat zbavitnin të pranishmit dhe çlironin tensionin në sallë, por vinin edhe si simptomë e diçkaje tjetër: Presidenti amerikan nuk i njihte a nuk i kuptonte shumë gjëra, nuk arrinte të thellohej dhe as t’i vlerësonte çështjet si duhet. Batuta përftohej kështu jo nga dëshira për humor a për të dëfryer gazetarët, por për të mbuluar inkompetencën.

Çfarë vlente në fillim të viteve 1980, nuk mund të merret për e mirëqenë sot – rrethanat e komunikimit publik të politikanëve kanë ndryshuar. Komunikimi me batuta, të enjteve të Parlamentit në Tiranë, nuk është aq rezultat i inkompetencës së atyre që flasin, se simptomë e një patologjie kronike të mënyrës si u drejtohen politikanët tanë njëri-tjetrit dhe veçanërisht kundërshtarëve, në praninë e Të Tretit (publikut). Pa çka se, edhe në rrethanat e reja, batutat i detyrohen sa dëshirës për të zbavitur të tjerët, aq edhe nevojës për riprodhimin e kundërtive të rreme në politikën shqiptare.

Me batutë këtu kam parasysh çdo thënie të shkurtër që synon të bëjë humor me bashkëbiseduesin, duke e bërë këtë qesharak. Ndryshe nga shakaja, e cila si rregull themelon ose riprodhon një marrëdhënie miqësore me tjetrin, batuta konfirmon një karshillëk ose armiqësi, gjithë duke shprehur herë vetëkënaqësinë, herë irritimin ose padurimin e autorit. Dhe pavarësisht nga spekulimet për fenomenologjinë e batutës në kontekstin e komunikimit politik, mund të vërejmë se kjo ka për efekt të menjëhershëm pezullimin e dialogut, të shkëmbimit të ideve, të debatit. Nëse çdo dialog publik e ka gjithnjë një aspekt spektakular, batuta e çon këtë në ekstrem, duke e shndërruar dialogun në farsë.

Duke qenë gjithnjë përçuese e efektit komik – ironisë, sarkazmës, përqeshjes, talljes – batuta shpesh e kërkon madje e lyp pjesëmarrjen e publikut nëpërmjet invokimit të një kujtese të përbashkët: për shembull, përmendja e plakut Mere parakupton familjarizim me filmin “Njeriu me top”, mbase edhe me romanin përkatës. Pa këtë familjarizim, batuta mundet edhe të funksionojë, por del nga kontrolli i autorit. Përkundrazi, kur familjarizimi realizohet, kjo siguron jo vetëm suksesin e batutës, por edhe krijimin e marrëdhënieve të simpatisë midis publikut të zbavitur, dhe atij që e ka bërë batutën.

Në politikën shqiptare aktuale batuta e ka gjetur rrugën falë vanitetit të protagonistëve, dëshirës për t’u dukur të lezetshëm dhe për të fituar popullaritet, por edhe në kontekstin e përgjithshëm të një komunikimi politik, tek i cili batuta shpesh zë vendin që i takon, në shoqërinë e deformimeve të tjera, si akuzat pa bazë, histrionizmi, gënjeshtrat dhe paroditë e marrjes në pyetje së tjetrit. Megjithatë, në rrethana të caktuara, inkompetenca e batutaxhiut gjithnjë vjen në vështrim; sepse avantazhi i batutës është që ta ndalë një shkëmbim mendimesh ose ta këputë një zinxhir pyetje-përgjigjesh, pavarësisht nga arsyeja për ndalje. Një politikan që i përgjigjet me batutë pyetjes nga gazetari në konferencë shtypi mund ta përligjë këtë me argumentin se pyetja ishte idiote, ose “loaded” (e parakuptonte një përgjigje komprometuese për të pyeturin); ndërsa gazetari “viktimë” e batutës mund të shohë atje inkompetencën e atij që ka përballë; ose, të paktën, ta interpretojë batutën si shenjë që autori i saj nuk dëshiron të përgjigjet.

Natyrisht, batuta duhet të jetë edhe zbavitëse, përndryshe nuk do të sillej në bisedë publike. Mund të pyesim: zbavitëse për kë? Mbase për autorin e saj, me siguri jo për “marrësin”; por çfarë ka më shumë rëndësi në ekonominë e komunikimit, është që të dëfrehet publiku. Dhe publik nuk konsiston vetëm në të pranishmit e pandërmjetëm, por edhe e sidomos me të gjithë ata që do të njihen me batutën nëpërmjet medias: publiku televiziv, në rrjetet sociale, në Internet. Shfletuesit e Internetit shqip, për të mos folur për teleshikuesit, janë mësuar tashmë të shohin shfaqjen komike të “së enjtes parlamentare”, ku redaktorët e lajmeve kujdesen që t’i montojnë emisionet në mënyrë të tillë, që t’i shndërrojnë në përmbledhje batutash, njëlloj si përmbledhjet e ndeshjeve të futbollit, që mjaftohen me golat. Në këtë kuptim, batuta si fenomen politik nuk bën dot pa bashkëfajësinë e medias, e cila i jep kontekstin e duhur, madje e ri-kontekstualizon, duke synuar dëfrimin e publikut.

(vijon)

© 2019 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.