BEST OF(F) (fragment/1)

nga Arb Elo

Veten e mbaj për përtac mendor, për aq sa mund të jesh kur ke një punë tetëorëshe e të pëlqen nganjëherë që, në vend që të lexosh, ta zemë, të kotesh, ulur në ndonjë stol diku në park, në kafene, duke përgjuar këngët me të cilat dhunon pronari i lokalit, apo edhe të hutohesh darkave në ndonjë pijetore duke soditur banakun, meqë njerëzit e këtyre anëve nuk janë fort të muhabetit.

Sidoqoftë, temperamenti im nuk ka mundur kurrë të bëjë paqe me minimalizmin e grykësisë kulturore në Perëndim, ku gjithkush mund të bëjë çfarë i do zemra, por ku më të shumtit e kanë parë të arsyeshme të mjaftohen me birrën e përditshme dhe futbollin në kohë reale; megjithatë, jam përpjekur të bëj kompromise me gjërat që nuk mund të ndryshohen dot e ankesat e zakonshme ekzistenciale, të cilat u ngjajnë aq shumë bisedave që bëhen rëndom për motin.

Na mbyti shiu, Scheisse! – më thotë gjithnjë një plakë e vetmuar që banon në pallatin përballë vendit tim të punës, me të cilën hasem kur dal jashtë për të tymosur një cigare, kur nis e bie si zakonisht ca shi andej nga fundi i vjeshtës. Ose: sa vapë, mbaruam, Scheisse!, kur termometri shënon mbi 30 gradë ato dy ditë në shtatë vite e vera bën përjashtimin nga rregulli, ndërkohë që i bën fresk vetes me një erashkë të lirë kineze, blerë në magazinën popullore me reklamën: çdo artikull 1 Euro.

Një ditë të bukur me qiell të pastër fare, të kaltër sa më s’bëhet, me ca rreze as të ngrohta e, natyrisht, as të ftohta (edhe kjo do të na mungonte: rreze të ftohta dielli…), me ca flutura vërdallë e nusepashke që hidheshin nga lulja në lule e s’gjenin vend prej bletëve që u kishin zënë sythat, 27 gradë (temperatura optimale për kurmin e njeriut), me fëmijë të lumtur që qeshnin e luanin rrugëve se u kishin dhënë pushim në shkollë për shkak të motit, me një fjalë, në një nga ato ditët idilike që ndodhin veç tre a katër herë në jetë, e shoh prej së largu zonjën Faust tek vjen e ngarkuar me qese në krye të rrugës e pothuajse i bërtas që tutje: „Ditë e bukur sot zonja Faust, apo…?“, duke pritur me një nënqeshje triumfuese a priori dorëzimin e saj, por ajo m’u afrua siç u afrohemi të rinjve që u merr koka erë, ndaloi para meje, më pa në sy me qortim e pasi më la të përpëlitesha ca i hutuar, më shkoqi, duke i ndarë rrokjet e i shqiptuar si plumba, fjalinë: „Tumor malinj… tha… mjeku…operohem… për dy… javë… A kuptoni?…“ Dhe shtoi, si gjithnjë, në fund: „Scheisse…!“ 

Një mbrëmje, kur zbulova që një nga klientët e përhershëm në një pijetore të braktisur humanopakë (shihemi prej vitesh me të, po aty, por nuk na kishte rënë rasti t’i flisnim njëri-tjetrit) po kërkonte çakmakun e nuk e gjente – mbaj dy çakmakë me vete për të tilla raste – i afrohem, ia zgjas pa fjalë, ai habitet aq pa masë nga ky gjest i papritur altruizmi, saqë më qeras me një birrë. Unë e mbivlerësoj situatën dhe hap një bisedë, nisur nga muzika që po luhej. Iron Maiden. Ah, po, ma kthen Misha, kështu quhet, Bruce Dickinson, po, po, ka blerë një fermë e merret me kuaj tani. E kam parë shpesh live. I ngazëllyer nga dijenitë e tij nis e flas për ndikimet klasike në muzikën e grupit, hidhem ca nga Bahu, për të përfunduar te Deep Purple. Misha porosit përsëri birrë, kësaj radhe vetëm një, shkruaje në llogarinë time i them kamarierit, e kthen pa e bërë gëzuar, i zbrazen dalëngadalë sytë, ndërkohë që kam ndryshuar temë e po shkoqis ca vlera për të cilat ia vlen të jetosh, citoj Oshon, ai më ndërpret me një klithmë të shkurtër „Tooor!!!“, kthej kokën, pas meje qenkësh një ekran i varur në mur, e Misha paskësh ndjekur gjithë kohën ndeshjen e futbollit e s’e paskësha vënë re; sidoqoftë ai ka mirësinë t’i shkëpusë për pak sekonda sytë që andej e të më sqarojë po aq shkoqur saç edhe Frau Faust: „ Arb – më thotë – unë jam buldozerist, a më kupton?…“. Kuptoj.   E mirëkuptoj aq sa e pyes pa u shtirë: „Kush e bëri golin?“ „Shalke 04 – gjallërohet ai – 4-1… Scheisse…“. Misha është fan i Arminias së Bilefeldit me sa duket. Minuta e 57-të.

E kthej me kafe e ndaj nuk më zë gjumi kur vij në shtëpi, por kësaj radhe nuk trishtohem si gjithnjë që të nis të reflektoj për vetminë e robit në këtë dynja: ja edhe dy ditë e fillojnë pushimet; e kam prerë biletën për Tiranë, njerëzit atje janë ku e ku më të gjallë e më të afruar; i mungon shumëçka kësaj bote, por veç ekuilibri jo. Jin, Jang: Jes! (Xhan-xhin Arbi? Këtë do të thuash?… Teuta M. kështu, që i mirëkupton po ashtu vështirësitë e mia me gjuhën amtare, shkaktuar nga harresa dhe kurbeti, dy javë më vonë, tek „Ars prosaica“, por për këtë më poshtë…)

Të shtunën marr avionin në Bruksel, pas dy orësh më shfaqen poshtë dritat e ethshme të Mëmëdheut. Janë disi më ndrysh’ se dritat tjetërkund: më të fikëta e njëkohësisht plot jerm, më të zbehta, tek-tuk pulson papritur ndonjë laser: diskotekë ndoshta, apo mbase ndonjë peshkatar që gjuan bretkoca me Petromax. Prite, prite se po vjen… vazhdimin e kam harruar, jam ca i lodhur, mbërrijmë në Tiranë, pastaj takimi me familjarët që mbaron dikur, shtrihemi për të fjetur, është vonë tashmë, por mua mezi më zë gjumi nga dëshira për të dalë e për të parë qytetin.

(vijon)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.