BEST OF(F) (fragment/2)

nga Arb Elo

Ditën e parë në Tiranë e shkoj si gjithnjë duke qëmtuar rrugët që kam shkelur dikur e ca ngrehina; përvojë e esëllt kjo e zhgënjyese më shumti: përballja me objektin e nostalgjisë dhe atdhemallit ka gjithmonë një efekt miopik te subjekti, por këta jemi, nuk ka pse të na vijë turp as nga vetja e as prej saj.

E, meqënëse është vapë, shpesh më duhet të bëj pushime të shkurtra mes dy inkursionesh e të kthehem në bazë si pëllumb poste, në kafenenë e lagjes, ku dëgjoj me ëndje muzikën e Top Gold: ka nga të tëra rrymat (jazz pak, klasike aspak) e ngjan, si të thuash, me shllak-un, Schlagsahne, mendoj, e shqiptarizuar nga kosovarët, sikurse edhe fjala gjigante frajer, Freier, që në gjermanisht ka kuptimin e klientit të bordeleve, ndërsa në Kosovë kështu quhen dashnorët (sic!); muzika ngjan pra me shllakun e kapuçinos që kam përpara dhe, ndonëse përjashta po bëhet nami me trafik e ecejake (po ku shkojnë more aman me kaq nxitim të tërë nëpër vapë, në kafene?), brenda ka kondicioner e muzika është një best of(f) e gjithçkaje muzikore që është krijuar ndonjëherë nga njeriu (pas ca ditësh kjo do të më kthehet në makth, por edhe për këtë më poshtë…)

Ditën e dytë nisem të takoj një mik, të cilin e gjej në tavolinë me dy të tjerë, prezantohemi, por shpejt më bie në sy se gjendemi, si të thuash, në rrafshe të ndryshme; është ora aty tek dhjeta e paradites e ndërsa unë kam marrë dozën time madhore të kofeinës, kokainën time, ata kanë zbrazur me sa duket më shumë se dy-tri dopio fërnet, heroinën e tyre, por efekti ngjan i përkundërt, a thua se droga ime ka vepruar tek ata dhe e tyrja tek unë, pasi unë jam ca si i këputur, ndërsa ata po diskutojnë me zell për ontologjinë hajdegerane dhe kruajnë here pas here hundën, ndërsa unë sytë. Ndonëse hapja e kësaj teme prej tyre është mirëdashje ndaj meje, si mysafir nga Gjermania që jam, për të më begenisur domethënë, për dreq nuk po mundem të kujtoj ndonjë gjë me vlerë nga një shfletim i përciptë i filozofit të shquar – por shpejt e marr veten kur vërej gafa të njëpasnjëshme konceptuale tek bashkëbiseduesit, të cilët me sa duket flasin për të folur: biseda është ndryshe në Mëmëdhe, kujtohem, komunikimi është një tjetër nga ai me të cilin pothuajse jam mësuar këtë çerek shekulli jashtë, sidoqoftë unë e di gjithashtu se si tema (lumi) bigëzohet pafundësisht deri në kanale vaditëse, për të vaditur arat tonë me misër sa dy bojë njeriu.

E kështu kuturisem e them se Heideggeri-t i kanë dalë ca kleçka në biografi për bashkëpunim indirekt me të kafenjtët, marr zemër ndërkaq nga vëmendja e tavolinës dhe dua të shtoj se për mua filozofët e vërtetë janë ata që e jetojnë filozofinë e tyre e jo profesorët e katedrave, kokorët kudo qofshin, por miku im më ndërpret, tek i bërtet atij kamerierit që rri veç në këmbë e vërtitet sa nga njëra tavolinë te tjetra „O çuno, na boj noi gjo për t’hongër daku!“. Djali vjen menjëherë e rri në këmbë, me kokën e përkulur ca mënjanë e ngjan i bindur më shumë se ç’duhet në të vërtetë – deri në sëmbim vetëdijeje të kundruesit, meje në këtë rast, por veç meje, siç duket qartas – „Patate, mëlçi, salsë kosi, bo ne nja katër bërxolla, bukë patjetër, dhe katër kriklla birrë…“

Ndërsa po kthehem pasi ndahemi për në bazën ku banoj, kur gjendem në Mëmëdhe, në apartamentin e gjyshes, has një kalimtar, tiparet e së cilit më vinë të njohura ç’prej kohësh të vjetra, të groposura nën ngjyrat me të cilat janë mballosur ngrehinat dhe zhurmës e borive të makinave, që nuk tolerojnë nostalgji, porse është pikërisht kjo, nostalgjia pra e një shkrepëtimë e papritur ndërmendjeje, që më bën të kujtohem papandehur: „Po ai që kaloi ishte Goni! Gon Tatra ishte ai që pe; si ka të ngjarë që e paske harruar kështu? Gon Tatra që futej te „17 Nëntori“ kur jepej shfaqja e parë në mëngjes e nuk dilte që aty pa u mbyllur kinemaja; Goni që shkonte në kinema veçse për të ngjallur hilaritet me batutat e tij, të cilat i ruante për çastet kur të gjithë spektatorët ishin të përqendruar e nuk ndiheshin, në skena me puthje për shembull, apo kur heroi ose i ligu, „i keqi“, jepnin shpirt. „Mos e pi o Kiri helmin se nuk të bën mirë!“, ose : „Dru me pre!“, apo „Hajde, kanistra!“.

E këtu më duhet të bëj medoemos një parantezë: Kinematë e Tiranës atëbotë.

(vijon)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.