BEST OF(F) (fragment/4)

nga Arb Elo

Ajo që nuk kuptoj në skenën që vijon është fakti se jam tash i rritur, te të tetëmbëdhjetat a ca më shumë ndoshta. Nuk e kuptoj pse gjendem në kinema „Republika“ me një shok, përsëri nga dreka, e po shohim një film turk, të cilit, në një situatë normale, nuk do t’i qaseshim as me zor.

Mos vallë na ka shtyrë nevoja për t’u ndier paksa vetëm, për t’u zhytur ato dy orë në errësirë e ku objekti i kundrimit është çarçafi i ekranit e jo ne vetë – kupto: objekti i vëzhgimit, i kontrollit shoqëror, në një lagje ku të tërë e dinë se ç’bën gjithkush, më së pakti pjesëtarët e familjes, me të cilët duhet ndarë vetë i tretë a i katërt një apartament, i cili me parametrat e sotëm do të ngjante i pamundur edhe për një person të vetëm? Apo kemi shkuar vetëm për të parë filmin tjetër që luhet nga spektatorët, filmin e filmit, si të thuash?

Por ka më shumë të ngjarë të kemi qenë të pirë; asokohe blinim nga një shishe për kokë, e fshihnim nën xhaketë, e me një tub, nga ata që përdoreshin në spital për serume, ia dilnim të pinim në çdo vend pa rënë në sy. Mjaftonte të lëvizje pak kryet për të thithur nga ajo pipëz konjakun a fërnetin e mund të futeshe pa problem kështu edhe në aktivitete kulturore; mbaj mend turbull të kemi qenë kështu, të dehur ose në dehje e sipër pra, në Teatrin Popullor (Kombëtar sot) dhe shpesh në opera, prej ku më ka mbetur në mendje koncerti recital që u ndërpre i një sopranoje, që u bë e njohur pas nëntëdhjetës edhe në skenat ndërkombëtare.

Gjysma e poshtme e sallës ishte bosh, përpos një torollaku të bëshëm e shtatlartë me emër të kryeqytetit, që rrinte te byrektorja aty pranë e që flinte pas Pallatit të Kulturës, i cili ishte ulur në radhën e parë e po hante ca pite, mu përpara pultit të dirigjentit, dhe e kishte kthyer edhe kolltukun mbrapsht për t’u mbështetur kështu më mirë, me krahët në shpinore; e linin, me sa dukej, të hynte falas, biletat për muzikën klasike nuk para shiteshin asokohe; ndoshta sepse koncerte të tillë jepeshin thuajse përditë.

Për të mundësuar njëfarësoj sidoqoftë recitalin e për të patur ca publik, kishin prurë disa toga me begsa, siç quheshin atëherë shkurt oficerët e ardhshëm, nga Shkolla e Mesme e Edukimit Ushtarak „Skënderbeg“, të cilët patën zënë gjysmën e majtë të sallës, ndërsa në pjesën e djathtë (parë nga skena) gjendesha vetëm unë me shokun tim, siç edhe një duzinë kompozitorë e këngëtarë, ndoca njerëz të arteve të tjera, kritikët e pak të afërm të sopranos. Vinte një erë e rëndë kapotash dhe pecesh këpucësh me kambale, që erdhi e u bë më mbytëse, kur sopranoja hyri në skenë e begsat nisën jo vetëm të duartrokitnin, porse edhe të përplasnin këmbët – është e tepërt të theksohet se ishin të tërë në uniformë.

Sopranoja, me sa dukej, nuk e shihte dot publikun e zhytur në errësirë kur nisi të këndonte, por mbase ishte edhe e përqendruar në arien e saj („Casta Diva“ nga „Norma“ e Bellini-t); vështirë të ftillohet kjo, aq më pak që kronikani, unë, siç e përmenda, i bie të ketë qenë thumb; sidoqoftë, e kjo më ka mbetur e ngulitur në kujtesë, në çastin kur ajo mbërriti në pikën kulmore të aries, te: „…Tempra ancora lo zelo audace,/ Spargi in terra quella pace / Che regnar tu fai nel ciel…” , e po kërkonte me shikim dirigjentin, hasi në radhën e parë sytë e zgurdulluar të Tos Budallës (kështu quhej torollaku), i cili po fuste në një të vetme çerekun e mbetur të  pites së fundit në gojë, dhe u tremb fillimisht, zëri iu drodh dhe e humbi fillin nga ajo pamje, por pastaj e zuri një e qeshur thuajse histerike, u mek, nuk mundi të vazhdonte më dhe e la ashtu recitalin, pa e nisur akoma mirë, e u largua, porse e qeshura e saj u dëgjua një copë herë, megjithëse ndodhej tash përtej kuintave. Begsat, me sa dukej, vetëm këtë kishin pritur, për të shpërthyer në brohoritje entuziaste: „Suela! Suela!“ – (emër i ndryshuar, shën. i shkruesit) – dhe „Bizzz!“…

… mirëpo u nisa të ndërmendja tjetër skenë e jo këtë. Gjendemi pra, për shkaqe psikedelike ndoshta, në kinema „Republika“, kohë dreke prapë, porse salla është plot; më së shumti spektatorë, nga ata të cilëve u bie një tis përdëllimi në fytyrë kur bie fjala për filmat  „Vagabondi“dhe „Zotnia 420“, (tashmë të ndaluar) me Raxh Kapurin [Raj Kapoor] dhe Ritën e që u bënë më vonë teleshikues të devotshëm të operës së sapunit (soap-opera) „Skllavja Izaura“, ndërsa sot target group i serialëve aq të sukseshëm si „Fatih Harbiye“ dhe „Bidai“, (ky i fundit me rekorde shikueshmërie), porse edhe i shumë opinionistëve të spikatur.

Çka nuk na ka rënë në sy qysh në fillim mua e shokut tim, mbase ngaqë konjaku ka nisur të bëjë të vetën, e që e vërejmë vetëm kur nisin t’u bien, është një grup me vegla muzikore, nja pesë-gjashtë vetë, të cilët, sa pa u fikur dritat akoma, janë kujdesur të shtyjnë ca karrige në mes të sallës, vende të cilët i bie t’i kenë paguar, e kanë instaluar aty baterinë (drums); xhazin, siç thuhet asokohe, ndërkohë që të tjerët po intonojnë instrumentat, klarinetën, dy lahuta, ndoshta edhe ca dajre; siç thashë, alkooli na e kish turbulluar ca përftimin.

Është orkestër, nga ato që pajtohen rëndom për dasma, dhe kanë ardhur aty për të ushtruar „Al Yazmalim“, soundtrack-un, uverturën e filmit që do të shfaqet pas pak, „Shamikuqja“, meqë mundësitë për ta gjetur të regjistruar gjëkundi ato vite janë pothuajse zero, apo se ndoshta e tejkalojnë për nga kompleksiteti teknik thjeshtësinë e hyrjes në kinema, që funksionon në këtë rast edhe si studio. Nuk zgjat shumë dhe salla zien; disa çifte ngrihen nga karriget në këmbë e nisin të kërcejnë me shamia; operatori, në kabinë e tij, me sa duket e vë re këtë, ose është mësuar të ndodhë kështu, dhe e kthen „Al Yazmailim“-in disa herë. „Harem plako, harem…“, më thotë shoku im, më sheh e qesh, nxjerr shishen nga xhaketa, i heq tubin, dhe e rrëkëllen drejt e  prej gryke. Të njëjtën gjë bëj pastaj edhe unë…

“Ka një çast – do të më thoshte miku im që nuk ka emigruar, kur po përpiqej t’i zmbrapsej me kujdes ngazëllimit tim, të shkaktuar nga ndryshimet që ndesh në Mëmëdhe, kur u takuam sërish, aq rrallë sa ç’më bie radha të jem atje – ka një çast pra, kur duket qartë se në vetëdije, ku presupozohet të ndodhë ndryshimi “prej vërteti”, nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Ky është momenti, kur analistët që i sheh në ekran, top-modelet dhe njerëzit e artit, politikanët që dalin të veshur me Gucci, Armani, Vivienne Westwood and so on, të pranishmëve në një gosti pra, u zë veshi, andej nga ora një e natës, tingujt e parë të Napolonit. Atypëraty u del pavetëdijshëm një gulç çlirimi, zbërthejnë kopsat afër qafës, shkunden a thua se po shkundin pluhurin “modern” e kthehen në origjinë si salmonë: duhet ta kesh parasysh pastaj vetë se si vazhdon ngjarja…”

E kisha edhe e kam parasysh akoma, po si jo, grykët e klarinetave që hovin përpjetë, qoftet, rakinë, njollat e djersës që ua njomin këmishat në zona barkore… e nuk po dija në të trishtohesha a jo, apo ta shihja diç më shumë si nostalgji të këndshme, të cilën koha e kaluar e bën edhe më dehëse, si konjak të keq, harruar në raftin e sipërm të ndonjë ushqimoreje fshati…

(vijon)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.