BEST OF(F) (fragment/6)

nga Arb Elo

Nuk do të ishte e saktë të pohoja që s’njihemi me Artemisën; njihemi, fort mirë madje, deri edhe në visore që të njohurve të zakonshëm nuk ua sjell rasti t’i shohin kurrë, por ja që nuk jemi takuar deri më tani; njihemi, por edhe s’njihemi, me një fjalë.

Jemi hasur në një chat shqiptar, tek Fajtori. Hyrja e internetit në jetët tona më ka mundësuar, qysh nga fundshekulli e këtej, jo vetëm që të jem në dijeni të asaj që ndodh në atdhe, por edhe që ta freskoj deri diku gjuhën amtare, që po rrezikonte të harrohej e të bjerrej pas dhjetëvjeçarit të parë në mërgim. Efekt anësor i gjithë kësaj kanë qenë edhe vajzat (apo gratë), me të cilat kam patur të bëj ç’prej virtualizimit e gjer tani; më të shumtat shqiptare afërmendsh; përjashtimet veç e kanë vërtetuar këtë rregull.

Nuk mund të pohoj gjithashtu që me Artemisën kuptohemi; komunikimi ynë verbal ka qenë goxha i varfër: pas ca të hedhurash e të priturash me shkrim në chat shkëmbyem adresat e Skype-it dhe, pasi qemë shkruar edhe aty fillimisht ca netë e patëm shkëmbyer link-e muzikore e emotikone pafund, kur ngjante se po na shteronin fjalët ajo kuturisi e shkroi: erdh’ koha të kalojmë në planin B. e lëshoi pastaj papritur kameran.

Ishte gjysmëerrësirë në dhomën e saj e me vështirësi arrita të dalloja një dorë e pastaj ca trajta të bardha që i binte të ishin çarçafët, ca të kuqe, reçipetat, të cilat i zbërtheu me gjasë dora tjetër, ndërkaq ajo që shfaqej nisi të fërkonte gjoksin e vet; hmm, jo keq, mendova, dhe ndieva se si po më gjallërohej fallusi nën tutat me të cilat rri në shtëpi. Pastaj dora e saj lëvizi përposh, tjetra drejtoi kameran kah ajo, edhe ca më poshtë akoma… e ja kështu u afruam goxha me Artemisën e qysh atëherë ndiznim kamerat thuajse përnatë, më së shumti pa fjalë, kur prindët e saj binin për të fjetur, që ajo të mund të kyçte kështu derën e dhomës, gjë që mund të shkaktonte dyshime gjatë ditës, siç më tregonte. Ishte studente në një nga universitetet private në të dalë të Tiranës, kurse diferenca e madhe e moshës mes nesh atë jo vetëm që nuk e shqetësonte, porse i pëlqente e mua, natyrisht, kjo nuk më bezdiste aspak, përkundrazi.

Nuk kishte qenë hera e parë për mua që një femër të më zhvishej në kamera, ndaj edhe nuk isha zënë gafil. Qysh prej një komunikimi me një ulqinake – të paktën kështu më ishte prezantuar, grua e martuar me dy fëmijë dhe e plotësuar, e lumtur me të shoqin, siç më kishte treguar me zell qysh në krye të herës pa e pyetur unë, e me të cilën patëm folur nja dy orë për punët që bënim e gjërat e zakonshme, jo po si është jeta në Gjermani e çfarë hobbies kemi; një bisedë tejet e rëndomtë në një nga ato netët e gjata e të ftohta, kur jashtë bie borë e nuk di se si ta vrasësh kohën, bisedë e cila pati marrë një kthesë të fortë kur gruaja tha se po shkonte të merrte një gotë verë e u kthye shpejt e pastaj, pa paralajmërim, hoqi fustanin e zi që kishte veshur e ishte lakuriq poshtë e nisi të ngrinte sisat, t’i shtypte e të rënkonte e të mbyllte sytë, mori një gjësend aty rrotull e se ç’nisi të bënte me të, ndërsa vetë pata mbetur si guak mbi karrigen time i shtangur; më shumë se pamja e një femre lakuriq, të cilat i gjen me qindramijëra në rrjet, më pat tromaksur beftësia me të cilën pati ndodhur e gjitha kjo e ndaj ndenja edhe ca ashtu, ndonja dhjetë minuta ndoshta, porse pastaj kuptova, duke qenë se gruaja po i mbante sytë mbyllur gjithë kohës, se prania ime si shikues nuk ishte se ngrinte ndonjë peshë e u ngrita të bëja ca punë shtëpie; më pat dërguar të nesërmen një e-mail, ku shkruante se i vinte turp nga vetja, se e kishte nga vera që piu e më kërkonte të falur e që të mos e keqkuptoja e kështu me radhë, por, ma do mendja, do e ketë bërë këtë ngaqë ose kish pritur prej meje ndonjë përçapje mashkullore, ose ndoshta ka patur frikë se mund t’i dilnin fjalë – qysh atëherë pra dhe pas ca përvojave të ngjashme më vonë nuk habitesha më nga të papriturat e njohjeve online.

Një makinë ndaloi para këmbëve të mia, dera u hap nga brenda e nuk po dija si të sillesha kur u futa e zura vend, mezi lëshova një mirëmbrëma e hapa krahët në një si punë përqafimi të mekur, mirëpo Artemisa ia kish ngulur sytë pasqyrës anësore, nuk më lejohet të ndaloj këtu, tha; munda kështu ta këqyr më mirë nga afër dhe më ngjau më shumë se kurrë e huaj, ndonëse ishte e këndshme në paraqitje, vetëm se shumë më ndryshe nga sa isha mësuar ta shihja në kamera. Ajo gjeti një të çarë në trafikun e frikshëm të Unazës e i dha gaz automjetit, që u hodh përpara si kalë i trembur e na shkundi të dy. „Sapo e kam bërë patentën, nuk kam përvojë, tha ajo, ndjesë, pastaj i foli makinës para nesh: ec o hajvan, mos ndalo, o kafshë, si frenon ashtu?“

Dhe, ndërsa, më në fund, kishte marrë kthesën e gjendeshim tash në një rrugë ca më të qetë anësore, ajo u kthye kah unë, më kundroi ca e buzëqeshte ndërkaq, pastaj shtoi: „Unë jam Xhilda, po ty si të quajnë?“

(vijon)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.