BINDJE DHE VËRTETËSI

Te një ofertë librash të përdorur afër Parkut Rinia në Tiranë më zuri syri Historinë e PPSH, në disa gjuhë të huaja. Po të kish qenë edhe shqip do ta kisha marrë, qoftë edhe vetëm për të testuar efektin “madeleine” të Proust-it: a do të më kthente, shfletimi dhe era e zamkës së faqeve, në vitet e rinisë së hershme?

Vetëm pak metra më lart, në Bulevardin e Madh valëviteshin nga era portretet e dëshmorëve të Luftës Na-Çl, ndërsa te kioska e gazetave përbri nxinin kryetitujt për realitetet dhe shtrembërimet e asaj lufte, përfshi edhe përlavdimet dhe përdhosjet e të rënëve. Mendova se ky zell, për t’i luftuar dhe riluftuar betejat e kaq e kaq vjetëve më parë mund të përligjet vetëm me programimin mendor dhe nevojën për të ruajtur grupimet identitare.

Biseda për Luftën vijonin të bënin jehonë, në kujtesën time të këtyre ditëve. Qëllova në Korçë para një muaji, kur po festohej përvjetori i çlirimit të atij qyteti – dhe me atë rast më thanë se në Korçën e paçliruar kish pasur gjithsej tre gjermanë. Ekzagjerim? Ndoshta – por që nuk mund dhe nuk duhet shpërfillur. Diçka të ngjashme dëgjova për Elbasanin, sërish në kontekstin e festës së çlirimit të qytetit.

Dhe në Tiranë, një shok që kish lexuar shkrimin tim për imazherinë e Luftës Na-Çl të përçuar nga filmat e Kinostudios, pasi më tregoi shakanë sipas tij të vjetër, se “luftën nuk e kanë bërë partizanët, por Timo Fllokoja”, më tregoi për nënën e vet të ndier, ish partizane: “ajo thoshte se për ato 15 muaj në mal (në brigadën e 5-të dhe të 14-tën) nuk pa gjerman me sy, jo të luftonte me ta.”

I gjithë ky kontestim i versionit zyrtar, “heroik” të Luftës dhe të Çlirimit vjen nga shumë anë, si pasojë jo aq e etjes për të mësuar të vërtetën, sa e ngopjes dhe e neverisë me gënjeshtrat zyrtare – dje dhe sot.

Pastaj më doli përpara një thënie e Nietzsche-s: “Bindjet janë armike më të rrezikshme të së vërtetës, se gënjeshtra” – rastësi kuptimplote. Dhe jo pse, meqë paska thënë diçka Nietzsche-ja, kjo u dashka marrë doemos si udhërrëfyese e mendimit. Por ngaqë ajo të fton të krahasosh bindjen dhe gënjeshtrën, të dyja në raport me të vërtetën.

Ajo Historia e PPSH-së, që përmenda në krye, dhe që u pat botuar për herë të parë mu kur unë po mbaroja 8-vjeçaren (si tani e mbaj mend kapakun e kuq plastik, me siguri të dizajnuar dhe të fabrikuar në Kinën e Madhe), ca data dhe ca emra do t’i ketë pasur doemos të sakta; por ish konceptuar në mënyrë të tillë që, nëpërmjet të vërtetave të padëmshme dhe referimeve në kalendar, të përcillte gënjeshtrat e mëdha.

Atëherë nuk e kisha ditur, por tani mund ta marr me mend se çfarë roli pritej prej asaj vepre të luante, në identitetin dhe funksionimin e PPSH-së; të ngjashëm me historinë e PK të BRSS, që i dha Bashkimit Sovjetik të shkuarën aq të nevojshme.

Ca prej autorëve, redaktorëve dhe miratuesve madhorë të Historisë së PPSH-së e dinin mirë se kjo përcillte, në masë të madhe, gënjeshtra – në sintoni dhe harmoni me shumë botime të tjera historiografike, sidomos që merreshin me periudhën pas vitit 1939. Brenda historiografisë staliniste, gënjeshtra është pjesë jo vetëm e kufizimeve intelektuale të tekstit, por edhe e synimeve të tij, ose misionit.

E megjithatë, për t’u kthyer te Nietzsche-ja, gënjeshtra – si akt më parë ligjërimor, por pastaj e sidomos intelektual – e parakupton të vërtetën; të paktën në atë masë që, ai që gënjen, është i vetëdijshëm se po gënjen. Ndërsa bindja, ndryshe nga gënjeshtra, e eliminon distancën midis subjektit dhe realitetit, sepse ai që kultivon një bindje dhe lufton për të, e beson këtë bindje për të vërtetën.

Ishte synim i propagandës totalitare, pjesë e së cilës ishte edhe Historia e PPSH-së, që të ushqente në qytetarët, duke filluar me fëmijët në bankat e shkollave, bindjen se “Partia thoshte të vërtetën” – me synimin për ta themeluar konsensusin total mbi natyrshmërinë. Aq më tepër që, dikush që ka një bindje për diçka, beson se kjo diçka është jo vetëm e vërtetë, por edhe e drejtë: çfarë i jep bindjes një përmasë etike elementare.

Ai që gënjen – p.sh. Enver Hoxha në vite, në lidhje me qëndrimin e tij ndaj Jugosllavisë dhe Titos – mund të arrijë deri aty sa ta shndërrojë të vërtetën në bindje dhe të kujtojë, se të pavërtetat mund të fillojnë edhe t’i përgjigjen realitetit, po t’u besosh fort.

Është gjithsesi e vështirë që dikush, bie fjala, të japë jetën për diçka që e ka të qartë se është gënjeshtër. Përkundrazi – bindja mund t’i shndërrojë njerëzit në heronj; dhe veçanërisht njerëzit me profil etik të formuar mirë.

Sistemi arsimor totalitar i edukoi brezat me bindje të caktuara; të cilat bindje ata breza i ruajnë, në masë të madhe, edhe sot; veçanërisht ngaqë asgjë nuk ua ka vënë në dyshim e në diskutim dhe as nuk ua ka marrë në pyetje. Familje, fise dhe shtresa të tëra të popullsisë në Shqipëri e themelojnë identitetin e tyre në bazë të këtyre bindjeve – pa çka se brezi që i njihte atje lirisht gënjeshtrat, tani nuk jeton më.

Këto dilema, ndonjëherë mirëfilli ekzistenciale, mediat – për synimet e tyre – shpesh i reduktojnë në debatet rreth “gjermanit të fundit”; në një kohë që çdo orvatje për rishikim të bindjeve do të merret nga pala e shënjestruar si keqdashëse. Aq më tepër që narrativa historike e Luftës Na-Çl, e kristalizuar në kujtesën kolektive, sot e kësaj dite u nënvendoset ritualeve civike, të tilla si kujtimi dhe nderimi i të rënëve, që kanë fituar një status moral të tyrin – për ta thënë duke perifrazuar sërish Nietzsche-n – “përtej së vërtetës dhe gënjeshtrës.”

E vetmja gjë që mund të shpresohet në këtë mes, është që brezat të fillojnë të mësohen me relativizimin e bindjeve; brenda kornizës edhe të një hapjeje të mendimit ndaj perspektivave pluraliste, që nuk është aq e lehtë sa ç’mund të duket. Vetëm se kjo do ta vinte në krizë politikën e mbështetur në aksionin qytetar dhe mbase edhe vetë principin demokratik.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top