BJERRJA E LEXIMIT, BJERRJE VLERASH

nga Arb Elo

Zhvillohet këto ditë në Tiranë Panairi i Librit dhe, si gjithmonë këto vitet e fundit, botuesit-et e gjithëkudondodhshëm të Diturisë, Pegi-t, Dudajt, Toena-s, Onufrit, etj., nuk mungojnë nga njëra anë të reklamojnë titujt e tyre të rinj e, nga ana tjetër, të ankohen për bjerrjen e leximit dhe rënien drastike të numrit të librave të shitur (këtë vit 40% më pak se vitin që shkoi, pak a shumë kjo, se statistika nuk para ka), porse edhe për politikat e munguara shtetërore për librin, rrjetin e paorganizuar të shpërndarjes, gjenden e mjerueshme të librarive, taksat e larta për librin, etj.

Çka botuesit, si gjithnjë këto vitet e fundit, por edhe më parë, mungojnë afërmendsh ta bëjnë është po ashtu roli i atyre vetë në bjerrjen e leximit, thënë ndryshe: në rënien e biznesit që kultivojnë, pa çka se ata vetë i mëshojnë ku të munden gatishmërisë së tyre për vetëmohim, si të thuash, për idealizmin e sjelljes së vlerave „lexuesit“. Shpesh ata, duke u përpjekur t’i vënë vetulla lexuesit (të përfytyruar, pra iluzor, por për këtë më poshtë), i nxjerrin sytë këtij të fundit me fushata për „libra vere“, me zhurmën mediatike e tam-tamin artificial që krijojnë për zbulesën e fundit të aksh politikani, të aksh gazetari, për librin e kuzhinës që paskësh shkruar moderatorja e njohur e një emisioni të ndjekur e kështu me radhë.

„Lexuesi“, ky koncept është më shumti i përfytyruar, pasi për të ditur se si funksionon më së shumti shoqëria jonë, do të mjaftonte një lundrim në rrjetet sociale dhe në statuset e Facebook-ut, për të kuptuar se kjo kimerë, ashtu si përflitet rëndom nga mediatikët, është iluzor; nuk ka lexues të qetë atje jashtë, të kulturuar e që paguajnë e blejnë gjithçka që u del përpara; lexuesit e kulturuar lexojnë edhe në gjuhë të tjera e ndaj nuk e kanë të nevojshme të çarten nga babelizimi i përkthimeve pa kriter e pa bonsens, nga rrokopuja e belbëzimeve të gjithkujt që mendon se i ka të nevojshme, sot e kësaj dite, ekranin e të përditshmet e grykësinë e botuesve për „promovime“, çfarëdo qenkëshin këto të fundit. Me një fjalë, lexuesi nuk është ufo, realiteti i së cilit qenkësh i pavërtetueshëm me fakte kokëfortë.

Ndonëse ka një shoqatë të botuesve, këta të fundit janë të përçarë, luftojnë për hesap të vet për t’ia hedhur publikut e për t’ia bërë ndjellës libra e letërsi në të vërtetë të dobët e harrojnë ndërkaq që lexuesi i lexuar e di se ia kanë me hile, ndërsa ai pa përvojë mësohet keq e kërkon më shumë nga kjo çorbë e prishur; rezultati është gjithnjë meskin dhe i trishtë: edhe në këtë panair, e ky është faktor kundërprodhues për ata që vetë po e shkaktojnë, shikon të trumbetohen vlera që nuk janë të tilla, t’u lihet kryet e vendit autorëve që në të vërtetë prodhojnë letërsi të dobët, për të mos përdorur epitete cinikë, por këtë nuk e thotë kush, ndonëse e dinë ( e dimë) të tërë që është ashtu.

Çdo shkrues shqiptar që ka provuar të publikojë një libër e di se, me përjashtimet e rralla që vërtetojnë rregullin, se botuesit të kërkojnë para për këtë me pretekstin, e vërtetë, duhet thënë, se libri nuk shitet. Mirëpo, nga ana tjetër, libri nuk ka se si të shitet, nëse gjithkush mund të publikojë duke paguar, pasi nuk ka se si që paraja, si e tillë, të jetë masa me të cilën matet kultura, libri, përmbajtja e tij.

Cilësia e librit dhe vlera e tij monetare nuk shkojnë medoemos krah për krah, por, ndërsa vlera e librit si mall mund të llogaritet lehtë, është fort e vështirë të matet vlera e tij kulturore, të paktën pa hallkat e domosdoshme që përkujdesen pikërisht për ta filtruar atë: redaktorët, korrektorët, politikat botuese, kritika, media, reklamimi; hallka këto, sikurse dihet, në më të shumtën të paqena apo, kur gjenden, keqfunksionuese e që vuajnë simptomat që tregon pacienti, shoqëria shqiptare, në të gjitha fushat e jetës: korrupsioni, mashtrimi, vjedhja, tarafllëku, mungesa e masës, keqpagimi, mungesa e përgjeshmërisë qytetare e me radhë.

Në këtë kuptim kriza e librit radhitet në vazhdën e krizës së vlerave; bjerrja e leximit është, në fund të fundit, një nga dukuritë e bjerrjes së vlerave morale e etike të shoqërisë.

Sidoqoftë, fakti që këtë vit botohen pothuaj shumë më pak tituj se vitin e shkuar (pothuaj gjysma) nuk është medoemos negativ: sasia nuk tregon gjithnjë cilësi, aq më shumë në tregun shqiptar të librit, të mbushur deng vitet e fundit me përkthime të dobëta, me tekste të këqija, me shkarrashkrime e gjithfarë dënglash informative e teori konspirative të kushedi se ç’botuesish të dyshimtë që shtypin pa iu dridhur qerpiku çfarëdo u bie nën thonj.

Bjerrja e leximit është tregues i bjerrjes së arsimit, i trandjes së edukimit si të tillë, i trandjes së moralit të shoqërisë sonë dhe humbjes së orientimit të saj kah e bukura, e drejta, e vërteta dhe e mira; koncepte këto që përkthehen në realitet më së shumti me antipodet e tyre, ndonëse fjalët, fasada e protagonistëve i keqpërdoron për reklamë e pasurim vetjak.

E megjithatë, falimentimi i kësaj fasade shenjon një fazë të re të këtij sistemi që ushqehet me bijtë e tij; aktorëve u kanë rënë maskat; askush nuk i beson më broçkullat e banorëve të ekraneve dhe të të përditshmeve; zhgënjimi ka ndodhur e çdo krizë përmban në vetvete një shans të ri, një përpjekje të re, në mos shpresën se tash e tutje vetëm më mirë mund të bëhet, pasi më keq nuk ka se ku të vejë.

Ka edhe lajme të mira nga ky panair; më në fund botuesit e kanë kuptuar se gjysma e shqiptarëve, të cilët nuk kanë mundësinë fizike për të rrëmuar në ato pak librari publike të kryeqytetit, për të mos folur për rrethet, ku për për të tilla as që bëhet fjalë, e kanë kuptuar pra se gjysma e lexuesve potencialë jetojnë jashtë vendit e po i qasen librit elektronik; ky është progres, për mendimin e shkruesit të këtyre radhëve, pavarësisht se dyshuesit dhe mërmëritësit, si gjithnjë, nuk mungojnë dhe se kjo hapje vjen, – e si mund të ishte ndryshe në Shqipëri? – me një vonesë gati dhjetëveçare.

Për kritikën mund të bëhej gjithashtu një shkrim më vete, nëse kjo do të ekzistonte, por që nuk është ashtu, për politikat shtetërore të librit mund të thuhej e njëjta gjë, për çmimet letrare e me radhë, për të gjitha hallkat e këtij sistemi që po rrënohet, që nga autori e deri te lexuesi, për nënvlerësimin që i është bërë kulturës nga pushtetarët tradicionalisht; mund të shkruhej gjatë; por nga ta kapësh këtë dem pa brirë?

Minotauri, që është, në fund të fundit, vetëdija e shoqërisë shqiptare i ka brirët e shkulura; ai, fundja, jemi ne vetë, unë e ti. Gjithsekush duhet ta kapë veten për hunde e të nisë e reflektojë për pafuqinë e tij, e cila nuk është vetëm e tillë. Të drejtat që i jepen me ligj gjithkujt, shumëkush mund t’i përdorte ndryshe, shumëkush mund të bënte të tjera zgjedhje, të cilat më së shumti janë mohore e kanë bëjnë me fjalëzën „mos“. Në këtë kuptim, mos-i i lexuesit ndaj së rremes, ndaj grafomanëve, bojkoti ndaj librave të këqinj, nuk është medoemos zgjedhja e gabuar.

Këtë zgjedhje i bie, nga ana tjetër, ta vuajnë edhe ata që nuk e meritojnë atë, të shkojë i njomi me të thatin, siç thuhet. Por se cilët qenkëshin këta, kjo mbetet të zbulohet, të zbulohet siç duhet e për këtë duhet punë e përkushtim e vetëdije shoqërore; kjo e fundit është sugjerimi që mund t’u bëhet të gjitha palëve që merren me librin, porse që mund të mbetet vetëm i tillë, sugjerim pra, pasi vetëdija është me përkufizim e brendshme e, të paktën te të rriturit, nuk mund të injektohet nga jashtë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.