Bota perso-iraniane në universin enciklopedik të Samiut

Gazmend SHPUZA

 

BOTA PERSO-IRANIANE NË UNIVERSIN ENCIKLOPEDIK TË SAMIUT

Gazmend Shpuza

Gazmend Shpuza

1.  Përfytyrimi gjeografik i Samiut për Iranin e kohës së tij

 

Shemsedin Sami Frashëri u ka kushtuar një vend të rëndësishëm botës perso-iraniane, kulturës dhe qytetërimit të këtij vendi në veprën e tij madhore “Kamus-ul alâm”. Ka qenë vetë madhështia e këtij universi ai që e ka detyruar autorin e kësaj vepre enciklopedike që të ndalet me mijëra herë dhe të pasqyrojë përmes zërash të shumtë vende, njerëz, dukuri dhe përmendore të qytetërimit perso-iranian. Këtë e dëshmojnë dhe zërat përmbledhës e përgjithësues kushtuar këtij vendi dhe populli me kulturë të lashtë në enciklopedinë e tij.

Vlen të theksohet që në krye të këtij përshkrimi që përfytyrimi gjeografiko-historik që na jep Samiu për Iranin është një përshkrim shkencor, i mbështetur në arritjet më të fundit të dijes në këto fusha, aso kohe. Mjaft përshkrime e përgjithsime të tij i qëndrojnë kritikës shkencore dhe sot e kësaj dite.

Me emrin Persi (Iran) në kohë të lashta, shkruan Samiu, mbulohej një hapësirë e gjerë, e cila shtrihej midis lumenjve Dilxhe dhe Senduxhejhun, midis detrave Azer (Kaspik), Gjirit të Basrës dhe Detit të Amanit. Në të, në lashtësi, përfshiheshin Iraku Perëndimor, Afganistani dhe Beluxhistani. Ndërsa në kohën e Samiut, sipas përshkrimit të tij, ky vend përbëhej nga pjesët që përfshijnë vendet e Axhemit Irakian, të Farsit, të Germanit, të Horosanit, të Mazanderanit, të Gilanit dhe të Azerbajxhanit. Përgjithësisht, në popull, vëren autori, njihet me emrin Axhemistan. Në vijim, ai thekson se Irani është një nga shtetet e pavarura më të mëdha të Azisë dhe të vendeve Islamike[1].

Mjaft hollësishëm jepet nga Samiu pozicioni, kufijtë dhe sipërfaqja e Iranit të kohës së tij.

Shteti i Iranit ndodhet në anën perëndimore të Azisë së Mesme dhe kufizohet me Azinë Perëndimore. Duke u rrethuar nga malet e larta të Madarit, mesi i tij përfaqëson një pellg të brendshëm, që ngrihet pa rrugëdalje. Ndërsa në Veri dhe në Jug kufizohet nga detet. Kufizohet gjithashtu, në Veri me Kaukazin dhe Horezmin, që sot, domethënë në kohën e Samiut, ndodhen në duart e Rusisë si dhe me brigjet jugore të Detit Kaspik që ndodhet midis këtyre dy vijave kufitare. Nga Lindja kufizohet me Afganistanin dhe Beluxhistanin; nga Jugu me Detin e Amanit dhe Gjirin e Basrës. Ndërsa nga Perëndimi kufizohet me Shtetin osman, domethënë me Irakun Perëndimor dhe Kurdistanin. Shtrihet midis 250 e 300 gjerësi veriore dhe 44o dhe 64o e 30 gjatësi lindore. Cepi më verior dhe më perëndimor është në shpatin jug-lindor të malit Agri që i përket Iranit, i cili ndodhet në pikën e bashkimit të kufirit rus me atë osman në rrethinat e Bajazidit. Ndërsa cepi më jugor ndodhet në skaj të Beluxhistanit, në brigjet e Detit të Amanit. Gjatësia më e madhe midis këtyre dy cepave shkon nga veri-perëndimi në jug-lindje dhe është afërsisht 2250 kilometra. Ndërsa gjerësia më e madhe, e cila arrin në 1300 kilometra, shtrihet nga Veriu në Jug, domethënë nga kufiri i Horezmit deri te brigjet e Detit të Amanit dhe të Gjirit të Basras. Vendi më i ngushtë shtrihet midis Detit Kaspik dhe Gjirit të Basras dhe arrin vetëm deri në 730 kilometra. Ndërsa sipërfaqja është 1 648 190 kilometra katrorë.

Edhe përsa i takon formave të reliefit të Iranit po ia lëmë përsëri fjalën Samiut.

Siç u tha dhe më sipër, anët e Iranit dhe, sidomos, pjesët veriore, perëndimore dhe jugore, janë të rrethuara me male, mesi dhe vendet në afërsi të kufirit lindor formojnë një gropë pa rrugëdalje. Malet më të larta të Iranit, janë vargmalet Elbruz, që shtrihen në pjesën veriore. Ata, pasi arrijnë në Istirdaba, duke u shtrirë drejt Veriut, gjatë brigjeve të Detit Kaspik, bashkohen me rajonin malor të Kaukazit. Pjesa veriore e tyre, në zonën e Horasanit, duke u ndarë në disa degëzime, pasi arrin në Afganistan me emrat Guhguristan dhe Guhbilur, përbën një nga pesë rremat (Hinduguh), pjesë e vargmaleve të Himalajave, që janë pika më e lartë e rruzullit tokësor. Maja më e lartë e vargmaleve Alborz është një vend mineral (Demavend) që ndodhet në lartësinë 4600 metra. Ajo është njëkohësisht maja më e lartë e të gjithë Iranit. Në zgjatimin e Alborzit, domethënë në vendin ku ky bashkohet me Kaukazin dhe takohet edhe me një vargamal tjetër, formohen malet Sevalan dhe Sehand në Azerbajxhan. Më tej, duke u zgjatur drejt juglindjes këto bashkohen me disa degë në vijat e Luristanit, të Axhemit të Irakut, të Hozistanit, të Farsit, të Germanit, dhe arrin deri në Tamkeran dhe në Beluxhistan.

Ky vargmal i madh nuk ka një emër të përbashkët. Në çdo vend, shënon Samiu, thirret me një emër të veçantë. Krahas me ngrohjen e klimës që vjen nga ulja e lartësisë së vargmaleve të Elbruzit, ka dhe maja të mbuluara me borën e përjetshme. Lartësinë më të madhe e ka në German (Guhihëzër), e cila arrin në 4572 metra. Lartësinë e dytë e ka në malin Zina që ndodhet në vargun e maleve të Farsit, 3656 metra; ndërsa maja e tretë është në malin Elvend, që ndodhet mbi Hamedan dhe është 3350 metra. Përveç këtyre dy vargmaleve ndodhen dhe kurorat e maleve të Guhistanit që shtrihen në Jug të Horasanit, të cilat janë të lidhura me malet e Afganistanit.

Disa male të Iranit janë me shkëmbinj dhe të thatë, disa janë të mbuluar me pyje dhe me kullota; dhe midis tyre përfshihen dhe lugina e fusha të lulëzuara dhe pjellore. Klima, veçanërisht, në shpatet veriore të malit të Elbruzit dhe në shkallë të dytë në Fars dhe në Azerbajxhan është e famshme për ajrin e pastër dhe prodhime të bollshme.

Midis Axhemit të Irakut dhe Horasanit ndodhet një shkretëtirë e gjerë e përbërë nga një tokë dhe rërë e kripur me emrin Desht-i Kebir (Shkretëtira e Madhe). Edhe në juglindje të saj, midis Germanit dhe Khuzestanit ka një shkretëtirë të dytë me emrin (Desht-i Lut).[2]

Në përshkrimin gjeografik të Iranit Samiu hyn dhe në arsyetime me interes lidhur me dukuri dhe fenomene gjeografike vendase. Kështu, duke bërë fjalë për lumenjtë dhe liqenet e këtij vendi, ai shpjegon dhe arsyet se përse në këtë territor nuk ka lumenj të mëdhenj.

Me që malet e Iranit ndodhen në pjesët anësore, ujërat që rrjedhin nga shpatet e tyre të brendshme, thahen nga shkretëtirat dhe zhduken. Ndërsa ujërat që rrjedhin nga shpatet e tyre të jashtme, me që nuk kanë hapësirë, nuk arrijnë të zgjerohen. Për këtë arsye Irani, përfundon me të drejtë autori, nuk ka lumenj të mëdhenj.

Vendi i Iranit është i ndarë në tri vija ujëndarëse, pra, dhe në tri pellgje ujëmbledhëse. Njeri prej këtyre është Deti Kaspik, i dyti është pellgu i Gjirit të Basrës dhe i Detit të Amanit, ndërsa i treti është pellgu pa dalje i shkretëtirave të brendshme.

Ujërat që derdhen në Detin Kaspik përfaqësohen nga tre lumenj. I pari prej tyre, Arasërmak, duke ardhur nga tokat e Perandorisë osmane, kalon nëpër Rusi, dhe përsëri kapërcen kufirin midis Rusisë dhe Iranit, duke hyrë rishtazi në tokat e Rusisë, derdhet më së fundi në brigjet perëndimore të Detit të sipërpërmendur. Lumi i dytë Sefidrud, nga burimet e tij në Azerbajxhan rrjedh me shumë zik-zake në drejtim të Veri-Lindjes, pastaj në drejtim të Jug-Lindjes dhe së fundi përsëri në drejtim të Veri-Lindjes, dhe pasi kalon përmes një gryke të maleve Elbruz, derdhet në Detin Kaspik, në brigjet jugore të tij, midis Resht-it dhe Lahxhanit. Lumi Etrek (Terek), i treti midis lumenjve që derdhen në Detin Kaspik, buron nga malet e Horosanit. Pasi shkëputet në një distancë të madhe nga kufijtë e Rusisë, derdhet në Detin Kaspik në brigjet e tij lindore.

Më të mëdhenjtë nga lumenjtë që derdhen në Gjirin e Basras, janë lumenjtë Gerh dhe Kârun, të cilët i përkasin pellgut të lumit Shat-el- Arab, i cili është lumi më i madh që derdhet në këtë pellg. Që të dy këta lumenj, duke zbritur nga malet e Luristanit, ndahen në vijën e Hozistanit dhe, pasi hyjnë në vendet osmane, derdhen në lumin Shat el Arab, i pari në Krane dhe i dyti në periferi të Muhamere, në anët e larta të Basrës.

Nga malet e Farsit në Gjirin e sipërpërmendur derdhen shumë lumenj, dhe në krye të tyre, duke filluar nga perëndimi janë lumenjtë Sitargjan, Dejurud, Peristar dhe Abhur. Lumi Peristar zbret nga malet që ndodhen përmbi Shiraz, dhe lumi Abhur i bashkangjitet Gjize-së që ndodhet përballë ishullit të Gjish-it.

Lumenjtë që zbresin nga Germani dhe Mekerani dhe që derdhen në Detin e Amanit, janë të parëndësishëm. Shumica e tyre gjatë verës thahen dhe shndërrohen në përrenj. Midis lumenjve që rrjedhin nga shpatet e brendshme të maleve të Iranit dhe që zhduken në gropën qendrore të tij, ka dhe disa lumenj të mëdhenj dhe të rëndësishëm. Më kryesorët janë: Absarrud (revd), i cili rrjedh në anën jugperëndimore të Teheranit dhe përbëhet nga tri degë që vijnë nga Hemdani, Sulltanabadi dhe Huansari. Këto, pasi bashkohen me Abhur-in, humbasin në Desht-i Kebir (Shkretëtirën e Madhe). Lumi Guhistan, duke zbritur nga Gjuhistani, pasi bashkohet me ujërat që vijnë nga Germani, humbet në Shkretëtirën e Lutit. Ndërsa lumi Herirud, pasi kalon kufirin e Iranit, duke ardhur nga Herati, zbret nga malet e Horosanit dhe kalon Sherurud- in nga ana e Nishapurit, duke humbur i tharë në Desht-i Kebir (Shkretëtirën e Madhe).

Në Iran me që shumica e ujërave janë të kripura, gjenden disa liqene të tillë. Më të mëdhenjtë midis tyre janë Ermih, që zgjatet midis Azerbajxhanit dhe Kurdistanit. Ndërsa, i dyti, i quajtur Hamun, ose, siç njihet ndryshe me emrin Zere, shtrihet në kufi me Afganistanin. Edhe midis maleve të Farsit dhe të Germanit ndodhen disa liqene. Midis tyre janë liqeni i Tebrizit afër Shirazit, dhe liqeni Bahtegjanit që ndodhet në German.[3]

Shemsedin Sami Frashëri pasi vijon të përshkruajë hollësisht pamje të gjeografisë së Iranit si klima dhe ajri, një vend të veçantë i kushton dhe gjeografisë ekonomike të këtij vendi, duke bërë fjalë hollësisht për prodhimet bujqësore dhe blegtorale si dhe veprimtarinë ekonomike të tij ose për burimet e pasurimit, siç i quan ai.

Më tej autori i Enciklopedisë gjashtëvëllimshe ndalet dhe bën fjalë për demografinë e Iranit në fundin e shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, duke u ndalur në aspekte të tilla si popullsia, racat, gjuha dhe besimi.

Autori ynë vëren, që në Iran, deri në kohën e tij, nuk është bërë asnjë përpjekje për të bërë regjistrimin e banorëve dhe, për rrjedhim, nuk ka të dhëna të sakta për popullsinë e këtij vendi. Në këto rrethana, nga ana e gjeografëve janë bërë të njohura përsa i takon numrit të banorëve  të tij, shifra të ndryshme midis 5 dhe 16 milionëshit. Më e përafërta, midis tyre, sipas Samiut, duhet të jetë shifra prej 9 milionë banorë. Deri në 7 milion prej tyre janë iranianë të mirëfilltë, domethënë i përkasin racës (familjes) farse; ndërsa 2 milion janë turq, arab, kurd, armen dhe izraelit. Pas racës farse më të shumtë në numër janë turqit. Këta përbëhen nga fiset turkmene, të cilat janë të vendosura në pjesën veriperëndimore të Iranit, domethënë ndodhen në anët e Azerbajxhanit dhe të Taberistanit dhe arrijnë afërsisht në 800000 vetë. Për shkak të cilësive të tyre si trima dhe guximtarë, shteti dhe Sulltanati iranian, që në kohët e periudhës së Mesjetës, kanë qenë në duart e tyre. Ashtu sikurse dinastia e Nadir Shahut i përkiste fiseve turkmene të Afsharit edhe dinastia e sundimtarëve të kohës së Samiut i takonte fisit Kaçar, po nga fiset turkmene. Shumica e tyre dhe sot janë shtegtarë që jetojnë në çadra dhe të organizuar në fise; në Azerbajxhan janë të përzjerë me popullsinë vendase. Gjuha e këtij vendi është turqishtja.[4]

Pas turqve, midis popullsive të Iranit më e përqendruar është raca kurde, që arrin afërsisht në gjysëm milioni. Kurdët janë të vendosur në anët jugore të Azerbajxhanit, për rreth liqenit Ermih dhe në Ardllandasa.

Armenët kryesisht janë të shpërndarë në rrethinat e Tebrizit dhe në qytetet e mëdha, po kështu të shpërndarë janë dhe izraelitët.

Megjithëse në periudhën e përhapjes së Islamit dhe më pas, në kohën kur Irani ishte në dorën e hilafetit Emije dhe Abasije në këtë vend erdhën dhe u vendosën shumë arabë, të cilët duke u përzjerë me iranianët, me kalimin e kohës, humbën dhe gjuhën e tyre. Në gjendjen e sotshme vetëm për rreth Gjirit të Basrës janë disa mijëra vetë, të cilët e flasin gjuhën arabe.

Me shumë interes janë mendimet që jep Samiu për pozitën e iranianëve nën sundimin osman. Sipërania kulturore dhe niveli i qytetërimit pers u lejoi atyre të ruanin dhe të zhvillonin gjuhën amtare, letërsinë dhe kulturën e tyre kombëtare.

Megjithëse me forcë dhe me luftë turqit arritën ta mundin popullsinë farse të Iranit, shkruan Samiu, iranianët, që i përkisnin racës fars ishin të përparuar në shkollim, në zejtari, në tregti, në shkencë, në letërsi dhe në qytetërim. Edhe pse shteti ishte në duart e bijve të turqve, gjuha zyrtare dhe letrare ishte dhe mbeti faresishtja.

Vënia në pah dhe theksimi i këtyre konstatimeve nga ana e Samiut diktoheshin nga pozita e rëndë e popullit shqiptar nën sundimin osman. Ato nuk ishin thjesht një pasqyrim i realitetit iranian. Ato buronin dhe nga aspiratat e tij të fuqishme për lulëzimin dhe konsolidimin e kombit të tij, për të ardhmen e popullit të vet, për lulëzimin dhe zyrtarizimin e gjuhës amtare.

Persishtja që flitet në Iran, vijon Samiu në kumtimet e veta të pasura, është disa llojesh, në çdo vend ka një dialekt ose të folme të veçantë. Sidomos në Gilan dhe në disa pjesë të zonave veriore, përdoren disa gjuhë të pakuptueshme midis popullsive. Megjithatë midis njerëzve të arsimuar dhe të fisëm gjuha që lexohet dhe shkruhet kudo është gjuha e bukur persishte.

Në Iranin e kohës së Samiut, sipas informacioneve që ai kishte siguruar, kishte deri në 300 000 të krishterë, afro 10 000 hebrenj si dhe deri në 8000 zartoshti (zoroastrianët). Pjesa tjetër e popullsisë janë tërësisht myslimanë. Sekti i tyre është shiit, vetëm një pjesë e kurdëve dhe e arabëve janë suni.

Në fundin e shekullit të kaluar Irani ndahej nga ana adminmistrative në 11 provinca (ejalete), dhe secila prej tyre ndahej në disa prefektura (kaza). Qendrat e ejaleteve ishin: Teheran (Axhemi Irakian), Amel (Taberistan), Sarë (Mazanderan), Desht (Gilan), Tebriz (Azerbajxhan), Germanshah (Kurdistan), Shoster (Hozistan), Shiraz (Fars), German (German), Shehristan (Gjuhistan), Meshhed (Horasan).

Kjo ndarje admnistrative përputhej, sipas Samiut, me ndarjen gjeografike dhe natyrore të Iranit. Ndërsa qendra e natyrshme e Axhemit irakian është qyteti Isfahan. Teherani, duke qenë me kohë kryeqytet i Iranit dhe duke u zgjedhur kryeqytet edhe nga dinastia e atëhershme në pushtet, qendra e tij kaloi nën administrimin e Axhemit Irakian, dhe rajoni i Rejt, shënon Samiu, nuk u caktua si provincë (ejalet) e veçantë.

Irani ka shumë qytete dhe qyteza të mëdha, të favorizuara si nga ana e pozicionit gjeografik, ashtu dhe nga pikëpamja tregtare.

Megjithëse shumica e tyre, vëren Sami Frashëri, janë në rënie dhe në shkatërrim, mjaft prej tyre janë të populluara dendur. Më tej në Enciklopedinë e Samiut shënohen qytetet më të mëdha iraniane të kohës së tij së bashku me numrin e popullsisë:

Teherani (210 000), Tebriz (170 000), Isfahani (90 000), Mashhadi

(70 000), German (48 000), Desht (41 000), Kazvin (40 000), Jezid (40

000), Hamedan (35 000), Kermanshah (32 000), Shiraz (32 000), Dizkull

(30 000), Kâshan (30 000), Shuster (27 000), Bender Bushir (27 000),

Jazd- i Xherd (20 000), Kom (Kum) (20 000), Naster Abad (15 000).

Samiu në vijim të përshkrimit të tij nuk mungon të shënojë qytet e lashta të Iranit. Qyteti i Susit, i cili në kohë të lashta ka qenë shumë i njohur dhe kryeqytet, ndodhej në rrethinat e Dizfullit. Pranë qytetit të Shirazit gjendeshin ende rrënojat e qytetit të lulëzuar të Istehr-it në kohët e para të Islamit. Po ashtu, disa qytete të cilat në periudhën islame kishin qenë të lulëzuara dhe shumë të njohura, si Nishapuri, Bestam, Maraga me rënien e tyre u shndërruan në qyteza të vogla, ndërsa qyteti i Tusit në Horosan, u shkatërrua krejtësisht.[5]

Jo rastësisht Samiu ndalet me mjaft hollësi në përshkrimin e formës së regjimit, dhe të mënyrës së qeverisjes së Iranit, për të vijuar më tej me sistemin financiar dhe organizimin e forcave ushtarake. Në këtë çështje qoftë dhe në mënyrë të tërthortë hiqen paralele midis Iranit dhe Perandorisë osmane, në të cilën bënte pjesë dhe atdheu i Samiut, Shqipëria.

Shteti i Iranit është në dorën e një sundimtari të pavarur, të emërtuar me titullin “shah”, Megjithëse, si rregull, sulltanati (mbretërimi) kalon nga i ati tek i biri më i madh, shahu mund t’ia lerë trashëgimin djalit që dëshiron.

Vendi drejtohet nga një këshill ministror. Shumica e drejtuesve të ejaleteve (guvernatorët) caktohen nga persona që i përkasin familjes së shahut ose nga radhët e ministrave të liruar nga detyra e tyre e parë. Në çështjet e drejtësisë, megjithëse baza e ligjeve është Sherijati, shumica e veprimeve gjyqësore kryhen, vëren Samiu, mbi bazën e të drejtës zakonore vendase. Dijetarët e zotë në interpretimin e ajeteve të Kur’anit dhe të haditheve të Profetit kanë një forcë dhe ndikim të madh.

Të ardhurat dhe shpenzimet vjetore të Iranit janë të përllogaritura në lira osmane, së paku, rreth 2 milion. Me që taksat janë të pakta dhe mënyra e administrimit të tyre është tepër e thjeshtë, të ardhurat janë të ulëta. Por dhe shpenzimet, nënvizon Sami Frashëri, janë në përputhje me to. Përveç që nuk ka borxhe, me që ka një ndryshim deri në 3 ose 4 milion frangash midis shpenzimeve dhe të ardhurave, në thesarin shtetëror ka dhe të holla disponibël.

Pra, përshkrimi i bilancit pozitiv të buxhetit të shtetit iranian prej Samiut përfaqëson një kundërvënie të hapur ndaj gjendjes së mjeruar të financave në Perandorinë osmane të mbytur në borxhe te bankierët anglezë dhe francezë.

Ushtria e rregullt e Iranit aso kohe përbëhej nga 78 batalione, domethënë 54700 këmbësorë, 2 regjimente me 1000 kalorës, 20 bateri artilerie me 5000 artilierë, të cilët që të gjithë bashkë bëjnë 60700 vetë. Përveç tyre, janë dhe 97 kompani me 24250 kalorës, dhe 24 batalione me 16800 këmbësorë, ushtarë jo të rregullt (rezervistë), të cilët, në regjistrat zyrtarë, të gjithë së bashku bëjnë 101750 ushtarë. Ushtarët më të vlefshëm janë kalorësit. Edhe ushtarët jo të rregullt që nxirren nga malet e Horasanit, të Mazanderanit dhe të Farsit, vijon në shënimet e tij Sami Frashëri, janë trima. Armët e tyre janë të tipeve të vjetra. Flotë nuk ka.

Është për t’u vënë në pah që S. Frashëri përshkrimin e zhvillimit ekonomik-shoqëror të Iranit e fillon me parashtresën rreth arsimit dhe kulturës. Ai ndalet dhe flet, duhet thënë, me kompetencë për historinë e gjuhës farsi, për nivelet në të cilat arriti letërsia e konkretisht poezia persiane. Irani që prej kohëve të lashta ka, thekson autori i “Kamusit yl alamit”, një letërsi të vetën të veçantë. Libri “Avesta” është shkruar në gjuhën Zend. Pas islamizimit u pranuan shkronjat e arabishtes.

Gjuha perse filloi të shkruhej në fillimet e islamizimit. Me që ishte krijuar mbi bazën e letërsisë dhe të qytetërimit të lashtë iranian, me veprat e poetëve të mëdhenj si Firdusi, Rudaki, Enveri, Nizami dhe Saadi, erdhi në shkallën e gjuhëve, thekson Samiu, më të përsosura poetike.

Në kohën më të shkëlqyer të qytetërimit islam në Iran dolën, thekson S. Frashëri, shkencëtarët më të mëdhenj islamë. Qytetet Tus, Nishapur, Kazvin, Isfahan, Shiraz, Maraga, dhe të tjerë qenë shndërruar në qendra shkencore. Pas kësaj dhe për pesë-gjashtë qind vjet megjithë rënien e cila nuk mund të mohohet, që u vërejt, në Iran zhvillimi i shkencës dhe i arsimit nuk u ndërpre. Edhe sot e kësaj dite ka plot dijetarë. Porse me që të rejat e shkencës dhe zbulimet e fundit vëren me të drejtë Samiu, nuk janë përkthyer në gjuhën perse, nuk kemi përparimet e pritura në fushën shkencore. Përkundrejt kësaj, Shteti iranian kohët e fundit kishte hapur në Teheran një universitet, dhe kohë pas kohe kishte filluar të dërgonte studentë për studime të larta në Evropë. Kurse nëpër shkolla kishte filluar mësimi i veçantë i shkencave në gjuhën arabe dhe i letërsisë iraniane.[6]

Duke bërë fjalë për shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit,  Samiu thekson prapambetjen e Iranit. Ai, me të drejtë, vëren mungesën e industrisë së re dhe të fabrikave. Megjithëse shumë zejtari të vjetra kishin rënë, vijonin të ushtroheshin mjaft zeje tradicionale. Më e para dhe më e rëndësishmja prej tyre mbetej zeja e prodhimeve prej mëndafshi. Halitë, qylymat, sixhadet dhe shallat e Iranit janë të mirënjohur. Si në endjen ashtu dhe në ngjyrosjen e tyre iranianët tregonin një zotësi të veçantë. Për këtë arsye këto prodhime pëlqeheshin dhe vlerësoheshin shumë nga evropianët prandaj eksportoheshin me shumicë.

Edhe prodhimet iraniane të lëkurëve, të armëve, të vazove dhe shumë të tjera si këto ishin të mirënjohura. Siç prodhoheshin cohëra të pambukta në Isfahan, çarqe cilësorë të armëve në Horasan, kishte dhe punishte të posaçme për prodhimin e cohërave të mëndafshta dhe të sheqerit në Jezid.

Iranianët, thekson S. Frashëri, kanë një prirje dhe aftësi të jashtëzakonshme për tregti. Ato, sipas tij, zotëronin monopolin e shkëmbimeve tregtare të vendit, si në eksport ashtu dhe në import. Ashtu sikurse i transportojnë dhe i shesin menjëherë në të katër anët e botës prodhimet e Iranit, edhe mallrat e huaja tregtare i transportojnë dhe i sjellin vetë në Iran. Porse, përkundrejt pozitës së favorshme të Iranit midis Indisë dhe Kinës, nga njera anë, dhe Azisë Perëndimore dhe Evropës, nga ana tjetër, autori i Kamusit vë në pah, se prapambetja e rrugëve dhe e vendkalimeve, mungesa e sigurisë në Iran, bëheshin pengesë për një zhvillim të tregtisë në përpjestim me aftësitë e popullsisë në këtë fushë dhe në raport me mundësitë që ofronte pozicioni gjeografik.

Ky ishte, sipas Samiut, mjedisi natyror në të cilin lindi dhe u zhvillua qytetërimi i lashtë persian dhe kultura e lartë iraniane.

 

2.  Pasqyrë e hollësishme e historisë së lashtë iraniane

 

Irani përfaqëson një nga vendet, zhvillimet historike të të cilit janë të dokumentuara që në kohë të hershme. E megjithatë historia e stërlashtë e Iranit, e këtij shteti të madh dhe jetëgjatë me një rëndësi të madhe në kohët e hershme, sikurse edhe ajo e shumë vendeve, është e mbuluar nga gojëdhëna dhe mitologjia. Prandaj, edhe për Samiun nuk ishte e lehtë të ndante të vërtetën historike nga gojëdhëna.

Për historinë e Iranit ekzistojnë dy burime, njeri ushqehet nga të dhënat e iranianëve dhe tjetri prej të dhënave të grekëve. Burimet letrare dhe historike të iranianëve të lashtë, vë në dukje S. Frashëri, janë zhdukur. Pas islamizimit, disa poetë dhe autorë iranianë si Firdusiu, duke dashur të kenë në dorë historinë e lashtë të vendit të vet, qenë të detyruar t’u drejtoheshin ndodhive të hershme që mbaheshin si kujtime të shenjta të zerdeshtëve. Fjala ishte për ngjarjet më të shquara, të përcjella nga goja në gojë nga fshatarët.

Autorët grekë, nga ana e tyre, me që ndodheshin larg Iranit dhe me që nuk dinin as gjuhën e iranianëve, vëren Samiu, jo vetëm që kanë përshkruar gabim shumicën e ndodhive, por edhe emrat e sundimtarëve të Iranit i kanë ndryshuar krejtësisht. Prandaj, përfundon me të drejtë ai, historitë e Iranit që kanë dalë nga këto dy burime të ndryshme, janë larg realitetit historik njera në kohë e tjetra në hapësirë. Me që asnjera prej tyre nuk mund të pranohet si plotësisht e saktë, është e vështirë edhe që të përputhen në shumë pika me njera-tjetrën. Njera nga këto është e njohur në botën islame dhe iraniane, ndërsa tjetra është e njohur në Evropë dhe që të dyjave studiuesit u referohen veç e veç. Në këto rrethana jo të favorshme, Samiu përpiqet të vërë në pah pikat e mundshme në të cilat ato mund të përqasen njera me tjetrën.

Me që të dhënat rreth historisë së tyre të lashtë vetë iranianët i kanë marrë nga librat e zerdeshtëve (zoroastrianëve), në këto histori nuk bëhet fjalë për Ademin dhe Nuhin. Në vend të Ademit përmendet Kjumresi dhe në vend të Nuhit, Feriduni. Kjumresi nuk shihet si baba i të gjithë njerëzve, por si sundimtari i parë i Iranit, ndërsa Feriduni nuk përshkruhet si njeriu i vetëm që ka shpëtuar nga përmbytja. Ai jepet si babai i tre personave që kanë qenë sundimtarët e parë të Iranit: i Turanit, i Irakut dhe i Shamit.

Sundimtarët që kanë sunduar në Iran nga Kjumresi e deri tek Islami, përfaqësohen nga katër dinasti me emrat: Pishdadijan, Kinanijan, Ashkanijan, Sasanijan. Sundimtarët e këtyre katër dinastive janë si më poshtë: Pishdadijan: Kiumres, Gikbad, Havshenk, Tahmures, Xhemshid, Zehaq, Feridun, Manuçehr, Tevzir, Afrasjab, Zab, Gershaseb.

Qijanijan: Est-hen Ishek, Gjihsrev, Lohraseb, Geshtaseb, Behmen, Hemai?, Darab, Dara, Iskender.

Eshkanijan: Ardeshir, Shapur, Eshkan, Behram, Pelash, Hormoz, Nersi, Kiruz, Pelash i parë, Khosrov, Pelashan, Ardvan, Khosrov i dytë, Pelash i tretë, Gydrez, Nersi i dytë, Gydrez dytë, Nersi i tretë.

Sasanijan: Gigjaus, Hormoz, Behram, Behram i dytë, Behram i tretë, Nersi, Hormoz i dytë, Shapur i dytë, Ardeshir i dytë, Shapur i tretë, Behram i katërt, Jezdgard, Behram i pestë, Jezdgard i dytë, Hormoz i tretë, Pejroz, Pelash, Khabad, Anushirvan, Hormoz-i katërt, Khosrov, Shiruje, Ardshir-i tretë, Pervandeht, Farahzad, Jezdgard i tretë.[7]

Të gjitha njoftimet për sundimtarët e dinastisë së parë mbeten në rrethin e gojëdhënave. Edhe pse ka disa përputhje me historinë e lashtë  të Indisë, kuptohet, që shumica e këtyre emrave të sjellë nga India nga ana e zerdeshtëvet nuk janë të këtyre sundimtarëve, por të disa tempujve. Besohet se Xhemshidi ka dalë nga dielli, që Feriduni është një engjëll, që Zehaqi është një xhind në formën e gjarpërit, të huazuar, përgjithësisht, që të gjithë, nga mitologjia e lashtë indiane. Midis sundimtarëve të kësaj dinastie ka dhe dy emra të huaj, njeri prej tyre është Zehaqi që është emër arab dhe i dyti është Afrasijab që është emër turk, përvetësuar nga iranianët. I pari është vrarë nga ana e Feridunit, ndërsa i dyti nga ana e Gjihsrevit.

Duke iu referuar Shahname-së autori i “Kamus al alamit” na jep  një përshkrim rreth kohës së pishdadijanëve qysh nga koha e shfaqjes së njerëzimit si edhe të rrugës dhe mënyrës së përparimit të Iranit. Dinastia e dytë e Kijanijanëve përfaqësohet nga heronj, gojëdhënat e të cilëve, sipas Samiut, vështirë se mund të merren si të vërteta. Ato përbëhen nga ekzegjerime poetike. Veçanërisht përshkrimet e pabesueshme të Shahnamesë rreth jetës së Rustemit plak mjekërbardhë dhe shokëve të tij, janë, me të vërtetë, të çuditshme. Kësaj dinastie i dhanë fund pushtimet e Aleksandrit. Pas vdekjes së këtij pushtuesi të botës, Irani për 80 vjet qëndroi nën sundimin e familjes së njerit prej komandantëve të tij, të quajtur Selefkos. Dhe më pas u shfaq dinastia e Eshqanijanive; sundimi i tyre zgjati për 475 vjet që nga viti 246 para erës së re dhe deri në vitin 229 të erës sonë. Dhe në këtë kohë u shfaq dinastia e sasanive, e cila sundoi deri me përhapjen e Islamit, domethënë, deri në kohën e hilafetit të Hazreti Ymer Faruk (Rezah) efendiut. Megjithëse ngjarjet e këtyre dy dinastive përbëhen nga ndodhi thjesht historike, veçanërisht ato që i përkasin dinastisë së parë, edhe këto, sipas Samiut, nuk janë plotësisht të besueshme.

Duke u ndalur te periodizimi i historisë së Iranit, Sami Frashëri i përmbahet mendimit shkencor më të përhapur të kohës, duke e ndarë atë në katër periudha:

E para është periudha mitologjike që përkon me kohën e sundimit të pishdadijanëve; e dyta është periudha e heronjëve, e cila është koha e sundimit të qijanijanëve; e treta është periudha historike paraislamike, gjatë së cilës sunduan eshqanijanët dhe sasanidët që u shfaqën pas Aleksandrit; dhe periudha e katërt përfshin kohën pas shfaqjes së Islamit e deri në kohën kur jetonte dhe punonte Samiu.

Historitë e lashta të Iranit që njihen në Europë, të cilat mbështeten në autorët e vjetër grekë, i përkasin vetëm periudhës së qijanijanëve. Sipas të dhënave të tyre, në kohët e lashta në Iran kishte dy shtete. Njeri quhej Midia dhe tjetri Fars. Farsi përkatësisht ishte një vend nomad, ndërsa Midia ishte një vend i qytetëruar. Një nga mbretërit e Midias me emrin Astiarg ia dha vajzën e tij sundimtarit të Farsit. Pasi pa një ëndërr, sipas së cilës, fëmija që do të lindte nga e bija, do t’i pushtonte pronat e tij, ftoi vajzën e tij shtatzënë dhe ende pa lindur fëmija e braktisi në një mal. Ky fëmijë i rritur në malësi, u bë një padishah i madh me emrin Kijrus. Pasi pushtoi Midian i shtriu zotërimet e tij deri te Deti i Ishujve Ta. Me pushtimin e shteteve Babel dhe Asur dhe të qyteteve të tjera, Kijrus formoi një shtet të madh. Kështu, qysh nga ajo kohë e deri te dalja e Aleksandrit, shteti i Iranit sundonte shumicën e pjesëve të botës së njohur deri më atëherë. Më pas, edhe në kohën e Sasanive, Irani vijoi të ishte po ashtu një shtet mjaft i madh.

Në konkretizim të kësaj pasqyre të historisë së lashtë të Iranit, Samiu rreshton sundimtarët e vjetër iranianë, domethënë qijanijan, sipas autorëve grekë si më poshtë: Kirius, Kambis, Semeridis Myxhevesi, Darius, i biri i Stasebit, Kserski i parë, Artakserski Darazdest, Kserksis i dytë, Sogdiani, Darius Nevtus, Artakserksi Mutenemevin, Ohus, Adesis, Darius Kodoman.[8]

Samiu përpiqet të përqasë këto emra të dokumentuar në kronikat greke me të dhënat e burimeve të iranianëve. Ai guxon dhe hyn, me njohuritë e shumta që ka mbi burimet greke dhe iraniane, në labirinthin e hershëm dhe shumë të ngatërruar të kronologjisë së lashtë të dinastive iraniane. Gjykimet e tij kanë vlerë metodike edhe sot për mënyrën se si Samiu, shkencëtar erudit, është në gjendje t’i krahasojë, t’i vlerësojë, t’i përpunojë dhe, madje, të ngrihet mbi këto fakte.

Sipas S. Frashërit, është e vështirë të thuhet saktë në se Kirus është Gjigjausi ose Gjihsrevi. Po të merret parasysh fakti që është rritur në mal, në mes të barinjve, në disa rrethana primitive, i takon që të jetë Gjihsrevi, ose Astiagu i Akrasijabës dhe i Midias, të quajtur Turan nga Firdusiu.

Prej kohësh është provuar që popullsia e Midias, vijon arsyetimet e tij Sami Frashëri, ka qenë nga kombet turanike. Porse po të shohim pushtimet e Kirusit, të vjen në mend që ka mundësi të jetë Gjaus-i. Me që Gjausi, sipas Shahnamesë së përmendur, ka pushtuar Mazanderanin, ka mundësi të arrihet në përfundimin që Midia të jetë Mazanderani.

I ati i Kirusit, vijon përpjekjet Samiu për të depërtuar në mjegullnajën e mitologjisë persiane dhe në historitë greke, përmendet me emrin Kambis; ndërsa Gjihrus është Gjisrevi, duke mos bërë fjalë për Sijaveshin. Kambisi (Gjausi) duhet të jetë, supozon Samiu, Kabadi, ndërsa Gjausi është Kirusi. Ky Kambisi është ai që ka pushtuar Egjyptin. Porse, dihet që i biri i tij, nuk ka as emrin e Gjausit të Gjihsrevit, as të Kabadit të Gjausit. Përkundrazi në Shahname bëhet e ditur që Egjyptin e ka pushtuar i ati i Gjusrevit, Gjausi.

Megjithëse në historitë iraniane, vijon në hamendësimet e veta Samiu, nuk bëhet fjalë ende për Esmerdis-in që i përket popullit mexhus, zedysht, (të cilët besojnë te zjarri), edhe në historitë greke nuk gjendet emri i Lehrasebit. Nuk ka dyshim që Dariusi i biri i Hastasebit, është Isfendiari, i biri i Gjeshtasebit. Ndërsa në historitë iraniane flitet për trimëritë dhe fushatat fitimtare të këtij personi dhe është thënë se i ati i tij ka vdekur në kohën e sulltanatit të Keshtasebit, në historitë greke, përkundrazi, sulltanati i përket këtij dhe Keshtasebi nuk përmendet në radhën e sundimtarëve.

Në shumicën e rasteve, megjithëse emri i Ksersit është shndërruar në Shirvih, në Shahnamenë e sipërpërmendur nuk ka një djalë të Isfendijarit me këtë emër. Pas Kestasebit, thuhet se ka sunduar i biri i Isfendijarit, Ardshir Behmen Darazdest. Ndërsa në historitë greke, tregohet që Ardshir Darazdest është i biri i Ksersit, të sipërpërmendur, ndërsa Artaksersis Menmun, është e qartë që është Ardshir Behmeni. Tregojnë që Dariusi i cili erdhi pas dy sundimtarëve të tjerë, është i biri i një Isfendijari tjetër, domethënë i biri i Darabit. Nuk kuptohet se kush janë Uhvesi dhe Arsis, por është e ditur që Darius është Dara.

Pavarësisht se është fjala për një temë tejet të ndërlikuar, larg pretendimit për të dhënë një përgjigje, pak a shumë të saktë, ajo që vlen të theksohet tek arsyetimi i Samiut është mënyra skrupuloze dhe mjaft shkencore e procedimit të tij për të arritur, përmes mitologjisë dhe gojëdhënave tek e vërteta historike. Ai nuk injoron dhe as nuk absolutizon asnjerin prej burimeve që ekzistojnë, as burimet greke dhe as ato iraniane. Përkundrejt thjeshtimit të problemit ai ndjek rrugën më të vështirë për të sqaruar historinë e lashtë iraniane përmes ballafaqimit të të dhënave që ekzistojnë.

Iranianët, vijon Samiu të thellohet në historinë e lashtë të këtij populli, janë nga fiset më të lashta të cilat i përkasin kombit të vjetër të quajtur arian. Atdheu i prejardhjes së kombësive ariane ndodhet në anët e Belxhit dhe të Heratit. Iranianët dhe hindianët formojnë dy degët më të vjetra të kombësisë ariane.

Lidhjet dhe ngjasimet që kanë gjuha e sotshme perse, gjuhët pehlevi dhe zend me gjuhët indoevropiane, domethënë me gjuhët greke, latine, kelte, gjermane, sllave dhe shqipe janë, përfundon gjuhëtari Sami Frashëri, shumë të gjera. Prej kohësh gjuhëtarët evropianë kanë bërë shumë kërkime dhe zbulime rreth këtyre lidhjeve dhe kanë shkruar shumë libra.

Emrin e Iranit autorët iranianë, sipas Samiut, e kanë nxjerrë të prejardhur gabimisht nga emri i të birit të Feridunit Irexh. Ndërsa autorët arabë duke iu përshtatur mënyrës së Beni Israelit, duke pranuar që emri Iran vjen nga një parardhës i Hazreti Nuhit, një person me emrin Iran. Porse, nuk ka dyshim, konkludon Samiu, që emri Iran vjen nga emri  Aria e Arian. Është e qartë që iranianët, këtë emër e kanë ruajtur dhe mbajtur përmes mjegullnajës mitologjike.

Para se t’i japë fund përshkrimit historik të Iranit të lashtë, Sami Frashëri ballafaqon ndarjen e vjetër gjeografike që na japin gjegrafët e lashtë grekë, me ndarjen e re: 1. Sosjana – Ehvaz dhe Hozistan; 2. Midia – Azerbajxhan dhe Axhemi Irakian; 3. Aria – Horasani Jugor dhe rrethet e Heratti; 4. Hirkania – Rrethet e Xherxhanit dhe të Mazanderanit; 5. Part(h)ia – Horasani Verior dhe Jugor së bashku me Taberistanin; 6. Marxhijana – Anët e Mervit; 7. Baktrijana – Rrethet e Belxhit; 8. Sogdijana – Mavre – i el – Nehr; 9. Horasmija – Horezm; 10. Karemania – German; 11. Persia – Fars; 12. Xhedrusia – Mekran; 13. Daraxhijane – Rrethet e Sistanit dhe të Kandasharit. Këto shënime të Samiut kanë një vlerë jo të vogël orientuese.

Përsa i takon besimit të lashtë të Iranit, vazhdon në përshkrimin e vet skrupuloz Samiu, u shfaq një person me emrin Meabad, i cili pretendonte se ishte profet dhe predikonte një fe, një sekt; dhe sipas të thënave, pasardhësit e tij kanë vijuar të sundonin në Iran para pishdadijanëve. Sipas disa librave të zbuluar në kohën e Samiut në gjuhën zende, përveç këtij ka pasur dhe disa persona të tjerë të cilët kanë pretenduar të ishin profetë.

Sidoqoftë, feja e iranianëve aso kohe, sikurse dhe e popujve të tjerë arianë, përbëhej nga besimi dhe nderimi i gabuar te objektet qiellore dhe në mënyrë të veçantë te dielli. Edhe Xhemshidi mendohet se ishte nga ndjekësit e këtij besimi, me që parapëlqenin t’i faleshin diellit dhe kremtonin ditën e pranverës dhe të verës, prodhonin dhe verën.[9]

Në kohën e Gjishtasebit nga Kijanijanët, doli një person, i cili me lutjet profetike në emrin e Zerdeshtit, predikoi në Iran fenë e adhurimit  të zjarrit. Zerdeshti, krahas krijimit të një feje të re, nxiti edhe lutjen te yjet. Ata që i besonin dhe që i luteshin zjarrit, kujtonin se secili prej tyre i përkiste njerit prej yjeve dhe mbante statujën e planetit që i përkiste. Në këtë besim kujtohej se Izidi ishte perëndia e së mirës, së cilës i përkisnin dielli, drita dhe zjarri, ndërsa Ehrimani ishte perëndia e grindjeve dhe ngatërresave së cilës i përkisnin dhuna dhe nata.

Me që në kohën e sasanive gjuha zend kishte filluar të mos kuptohej, libri i Zerdeshtës (Zend Avesta) i shkruar në këtë gjuhë  (Zend), u përkthye në gjuhën pahlevi. Megjithëse besimi i zerdeshtëve u shkatërrua me përphapjen e dritës së Islamit në Iran, mbetën disa mijëra zerdesht ndjekës të Izidit, ndërsa një pjesë e tyre ikën në Indi.

Më tej Sami Frashëri ndalet në historinë e Iranit pas islamizimit. Ky territor iu bashkangjit vendeve islame në kohën e hilafetit të Hazreti Ymer Farukut përmes dorës së Saad bin Vekas-it dhe të luftëtarëve të tjerë pejgamberan. Pas arritjes në Iran, në kohën e shtetit të muluqëve (Muluk- i emevije), të disa imamëve që i përkisnin familjes së Profetit dhe të personave të tjerë, ithtarët e tyre në Iran erdhën duke u forcuar gjithnjë e më tepër. Më së fundi, me shfaqjen midis tyre të Ebu Muselem Horasanit, iu dha fund shtetit të emevive. Hilafeti kaloi në duart e Abasit.

Edhe në fillimet e Hilafetit Abasije, Irani duke u ndarë në disa ejalete, administrohej drejtpërdrejt nga Bagdadi. Aso kohe në Iran u shtua numri i komandantëve, i shefave arabë, edhe gjuha letrare ishte arabishtja, dhe farsishtja filloi të mos shkruhej më. Në periudhën e tretë të mërgimit, në kohën e halifëve Memun, Tahir Zevaliminein, valiu, guvernatori, i Horasanit, shpalli pavarësinë dhe krijoi një shtet të pavarur në Horasan. Sundimtar të tij u bënë pesë pasardhës të Tahirit, sundimi i të cilëve zgjati 46 vjet. Në vitin 253 Hixhri (867) një person i quajtur Jakub bin Lejsafar i cili shpalli pavarësinë në Sisitan, i dha fund  dinastisë së Beni Tahirit, dhe pas pushtimit të Horasanit krijoi shtetin e Beni Lejsit. Sundimi i tre pasardhësve të tij zgjati 34 vjet. Në vitin 287 Hixhri (900) Ismail Bin Ahmed Samani i cili ishte valiu i Maura-i el Nehr-it, pasi shpalli pavarësinë, e mori Horasanin nga dinastia e Beni Lejsit, dhe themeloi shtetin samanian. Nëntë përfaqësues të samanijanëve sunduan për njëqind vjet, deri në vitin 386 Hixhri (996). Këta qenë ata që e risollën në jetë dhe e riaktivizuan gjuhën perse. Në kohën e tyre, gjuha perse filloi të shkruhej me shkronja arabe dhe në Iran filluan të shfaqen poetët, thekson Sami Frashëri. Që para rënies së sundimit të samanijanëve, në Fars dhe në Irak filloi të shfaqej shteti albevije.

Po në atë kohë në anët e Afganistanit u shfaqën alsebektekin-ët, të cilët pushtuan dhe Horasanin. Albevijet, gjithsej 17 sundimtarë, sunduan nga viti 448 Hixhri (1056 erës sonë) deri në vitin 527 të Hixhrit (1133), dhe më pas zotërimet e tyre u pushtuan nga selxhukijet. Alsebektekinët, domethënë gaznevitë u përfaqësuan nga 14 persona, dhe sundimi i tyre zgjati nga viti 390 i Hixhrit (1000) deri në vitin 543 Hixhri (1148), për 154 vjet. Sundimtarët e tyre, pasi pushtuan dhe Industanin dhe Maura el Nehrin dhe nënështruan edhe Irakun, e zvogëluan fuqinë e ebevijeve.

Në vitin 409 Hixhri (1018) në Hororsan u dukën selxhukët, të cilët dolën fitimtarë mbi gaznevitë dhe dilmitë, domethënë mbi alsebektekinët dhe albevijët, formuan një shtet, i cili u sundua nga 14 mbretër. Shteti i tyre erdhi duke fituar gjithnjë e më tepër fuqi.

Pas shkatërrimit të shtetit të albevive dhe të gaznevive, i gjithë Irani kaloi nën zotërimin e selxhukëve, të cilët sunduan për 181 vjet, deri në vitin 590 Hixhri (1194). Në kohën e selxhukëve doli në Horezm dhe shteti Horezmshahijan; ndërsa në Afganistan pas rënies së alsebektekinëve, u formua shteti i gurijanëve. Nëntë sundimtarë të horezmshahijanëve sunduan që nga viti 490 Hixhri (1094) e deri te dyndja e Çengizit, ndërsa pesë sundimtarët e shtetit gurijan vijuan të sundonin nga viti 543 Hixhri (1149) deri në vitin 706 Hixhri (1307), për

164 vjet; vit në të cilin pronat e tyre kaluan në duart e horezmshahijanëve. Në kohën e selxhukëve një degë e tyre vijon të sundojë e pavarur në German, sundimi i kësaj dinastie të përfaqësuar nga 11 sundimtarë zgjati për 150 vjet, që nga viti 433 Hixhri (1041) e deri në vitin 583 Hixhri (1187).

Në kohën e selxhukëve në Kahistan u themelua shteti Batanija nga ana e Hasan bin Sabahut. Tetë sundimtarë nga kjo dinasti vijuan të mbretëronin për 171 vjet deri në vitin 653 Hixhri (1255). Nga vitet e fundit të Sulltanatit selxhuk në Fars, në Azerbajxhan dhe në Luristan u formuan katër qeveri me emrin atabegjan.[10] Nga këta, 11 atabejt e Farsit, pasi sunduan nga viti 543 Hixhri (1158) e deri në vitin 668 Hixhri (1270) për 125 vjet, zotërimet e tyre u pushtuan nga ana e Halak-ut. Pesë atabejt e Azerbajxhanit pasi sunduan për 67 vjet që nga viti 555 Hixhri (1160) e deri në viitn 622 Hixhri (1225), zotërimet e tyre u pushtuan nga ana e horezmshahijanëve. Sundimi i nëntë atabejve të Lerbezerit zgjati për 155 vjet nga viti 540 Hixhri (1145) deri në vitin 695 Hixhri (1296). Edhe të

11 atabejt e Gjergjyxhit vijuan sundimin e tyre nga viti 570 Hixhri (1175) deri në vitin 690 Hixhri (1291).

Edhe në historinë e Iranit ashtu sikurse dhe për historinë e vendeve të tjera të përfshira në Enciklopedinë e tij gjashtëvëllimshe Shemsedin Sami Frashëri zbulon dhe vë në pah paradokset përmes të cilëve ecën rrjedha historike.

Kështu, në kohën e hilafetit të abasive, Irani, vëren Samiu, u bë shesh i grindjeve dhe i luftimeve që ndodhën midis këtyre shteteve të ndryshme. Megjithatë, vëren, me të drejtë, ai, ato kohëra ishin koha e shkëlqimit të qytetërimit islam. Në Iran shkenca dhe arsimi si dhe degët e tjera të qytetërimit përparuan gjithnjë e më shumë. Megjithëse shumica e sundimtarëve të këtyre shteteve ishin turq, këta u mposhtën nga letërsia faresie (persiane) dhe nga qytetërimi i Iranit dhe që të gjithë u iranizuan. Nën kujdesin e këtyre sundimtarëve joiranianë ylematë dhe letrarët persianë dhanë ndihmesën e tyre në përparimin e letërsisë faresie (persiane) dhe të shkencave islame.

Më së fundi në fillimet e shekullit të shtatë të Hixhrit u shfaq Çengizi, kohë në të cilën shumica e vendeve islame u bënë pre e terrorit mongol. Vendi që u shkatërrua më shumë nga kjo fatkeqësi, e stërmadhe, siç e quan Samiu, ishte Irani. Nipi i Çengizit pasi pushtoi një nga një shtetet që ekzistonin në Iran, ekzekutoi dhe Halifin Abasi Muatesemi  dhe themeloi në Iran shtetin me emrin Ilhanijan. Nga nëntë sundimtarët e këtij shteti katër ishin myslimanë dhe pesë prej tyre qenë jomyslimanë. Ata sunduan prej vitit 653 Hixhri (1255) e deri në vitin 736 Hixhri (1336) për një periudhë prej 83 vjetësh. Pas tyre edhe për 50 vjet në Iran sundoi rrëmuja dhe kaosi.

Ndërkohë u shfaqën grupe sundimtarësh të tjerë, si ilqanijan, inxhuja, serebdaran, Al dhe Kara Hataijan. Në vitin 783 Hixhri (1381) doli në skenë rishtazi një nga trashëgimtarët e Çengizit, Timuri, i cili sulmoi Iranin. Ai shkatërroi edhe ato ndërtime që kishin mundur të shpëtonin më parë dhe që për së gjalli i caktoi katër djemtë e tij si emir dhe vali në vende të ndryshme. Shumica e pasardhësve të tyre, pas vdekjes së këtij botëpushtuesi, u lodhën së tepërmi nga luftërat që bënë me njeri-tjetrin.

Pas vdekjes së Timurit dhe pas sulltanatit të nipave të tij, Pir Mehmedit dhe sulltan Halilit, për pak kohë, padishah u bë Shahirh bin Timur (i biri i Timurit). Irani dhe Turkistani, pasi qëndruan për 48 vjet nën sundimin e pasardhësve të këtij padihshahu, fronin dhe kurorën e vendit i shtiu në dorë sulltan Ebu Saidi, i nipi i Emiranshahut bin Timur (i biri i Timurit). Pas një sundimi të gjatë të kësaj dinastie Mavera-i ul Nehr kaloi në duart e Yzbegjanit. Ndërsa në vitin 873 Hixhri (1468- 1469) Uzun Hasani pushtoi Irakun, Farsin dhe Germanin. Me këto pushtime iu dha fund shtetit të Timurit në Iran. Nipi i Saidit të sipërpërmendur, Baber, u tërhoq në Afganistan dhe në Hindustan, dhe pasardhësit e tij vijuan mbretërimin e tyre në Hindustan deri në kohën e pushtimit anglez.

Shteti i akkojunlluve në Iran nuk zgjati shumë, grindjet që u shfaqën midis nipave dhe stërnipave të Uzun Hasanit e thelluan teposhtën e këtij shteti. Në shekullin e 10-të të Hixhrit u shfaq shteti safavije. Shah Ismail Safavi krijoi një shtet të ri në Iran. Shah Ismaili, sado që pretendonte të shndërrohej në një pushtues të madh, sundimi i tij përkoi në kohë me atë të një padishahu tjetër, tejet rezistent, si sulltan Javuz Selimi. Përballë Shtetit osman nuk arriti ta zmadhonte dhe aq shtetin e tij. Ky shtet, megjithë dobësimin që pësoi në kohën e halifeve, nën mbretërimin e Shah Abasit, sundimtari i pestë i dinastisë së safavive, u forcua së tepërmi. Nga kjo dinasti erdhën në fuqi nëntë sundimtarë, të cilët vijuan të sundonin për 330 vjet deri në vitin 1135 Hixhri (1723).

Pas tyre Iranin e sulmuan dhe e pushtuan afganët dhe i pari i tyre i quajtur Mahmudi u kurorëzua në fronin e Iranit. Pas vdekjes së tij, u kurorëzua xhaxhai i tij, Eshrefi. Porse, ndërkohë, u shfaq një burrë trim me emrin Nadir nga fisi Afshar, i cili, pasi përzuri dhe nxori jashtë Iranit afganët, shpalli sulltanatin e tij nën emrin e Nadir Shahut. Përveç Iranit ai nënshtroi dhe Afganistanin dhe Muara el Nehrin ose Mavera-ün-Nehr. Është një emër, sqaron autori i “Kamus yl alam”-it, që i kanë dhënë gjeografët arabë krahinës Xhejhun, që ndodhet në veri të lumit Amuderya, në Azinë e Mesme. Pushtimet e tij Nadir Shahu i shtriu deri në Hindustan.[11] Pas vdekjes së tij, shteti i madh, që ai kishte themeluar, nuk arriti të jetonte.

Dy sundimtarë që erdhën në fuqi nga kjo dinasti, pas vdekjes së Nadir Shahut, me që nuk treguan kurrëfarë aftësie, u bënë shkak për shkatërrimin e shtetit Afshar. Guvernatorët nëpër provinca shpallën pavarësinë e tyre dhe u krijua një rrëmujë e madhe, – shkruan Samiu.

Në këtë kohë një person autoritar me emrin Abdyl Kerim formoi shtetin Zend në emër të stërnipave të Safavive. Ky shtet pati katër sundimtarë. Por dhe ky organizëm i ri shtetëror u shkatërrua brenda një kohe të shkurtër.

Ndërkohë, u shfaq një person me emrin Aga Mehmed nga fisi i Kaxharëve, që ndodhet në Veri të Iranit. Ky themeloi shtetin Kaxhar, dinastia e të cilit vijonte të sundonte në Iran edhe në kohën e Sami Frashërit. Pas Aga Mehmedit, në fronin e Iranit u kurorëzuan Fatih Ali Shahu dhe pas tij Mehmed Shahu, i pasur nga Nasredini, i cili vijon të sundojë dhe sot, përfundon Samiu historinë e shkurtër të Iranit, të përfshirë në Enciklopedinë e tij.[12]

Në këtë sfond historiko-politik u zhvillua ai qytetërim i lashtë persian dhe ajo kulturë e lartë iraniane, të cilat Sami Frashëri i ka bërë objekt të sa e sa Zërave të Enciklopedisë së tij.

 

3.  Pasqyrim shkencor i qytetërimit të lashtë persian dhe i kulturës iraniane

 

Vepra madhore e Samiut, Enciklopedia e gjeografisë dhe e historisë (Kamus yl alam), mbetet një udhërrëfyes, mund të thuhet, i dorës së parë për të hyrë në hapësirat magjepëse dhe të pafundme të qytetërimeve të lashta dhe më të reja për kohën kur ai jetoi. E tillë ajo mbetet dhe për njohjen e kulturës perso-iraniane. Në të gjashtë vëllimet e saj marrim një informacion shumë të hollësishëm dhe të argumentuar për historinë, gjuhën, letërsinë, kulturën dhe qytetërimin iranian. Gjerësia, thellësia dhe argumentimi i këtij informacioni u ep zërave të hartuar nga Samiu karakter të mirëfilltë shkencor. Mbledhja e tyre do të formonte një monografi të plotë për Iranin në fund të shekullit XX.

Për të krijuar një ide sado të përafërt rreth përmasave të informacionit dhe të shkallës së trajtimit të tij shkencor nga Samiu po sjellim si shembull vetëm fjalësin e vëllimit të parë të kësaj enciklopedie me zërat që i kushtohen botës perso-iraniane.

Zërat që ndriçojnë personalitetet e historisë perso-iraniane dhe emërtesat gjeografike të Persisë së Lashtë ose të Iranit të sotshëm janë të pafundme.

Midis personaliteteve historike të trajtuara prej Sami Frashërit le të përmendim disa prej tyre.

Jo rastësisht një listë e tillë fillon me një emër që i takon mitologjisë iraniane së cilës Samiu i kushtoi aq shumë vëmendje. Fjala është për Abadnt, një prej profetëve të besimit pagan, që predikonte besimin te dielli. Enciklopedia e Samiut vijon me Abetin, të atin e Feridunit të famshëm, një nga sundimtarët e lashtë të Iranit, që i përket dinastisë së pishdadijanëve.[13]

Sqarimet që jepen për Ardeshirbabagjanin, themelues i shtetit të sasanijanëve, janë me shumë interes. Pas Aleksandrit të madh ai themeloi sërishmi një shtet të madh fars, pers, duke mbledhur të gjitha pjesët e ndara të Iranit të shkatërruar, që ndodheshin në duart e sundimtarëve lokalë. Dinastia e tij vijon me pasardhësin e tij, Ardeshirt bin Shapur.[14]

Të dhënat e Samiut mbi Iranin sikurse dhe për vendet e tjera të Lindjes islame nuk kanë karakter thjesht informativ, njohës. Ato përbëjnë një bazë të mirë për sheshimin e gojëdhënave për të arritur tek e vërteta shkencore.

Të dhënat për figura të shquara të së kaluarës persiane vijojnë me Arsllanin, një nga sundimtarët selxhukë, që sunduan në Iran dhe në Irak nga viti 429 Hixhri për 161 vjet.[15] Më tej ato vijojnë me Arsllan Argon, të birin e Alp Arsllanit dhe të vëllanë e Malekshahut.[16]

Galeria e këtyre sundimtarëve pasurohet më tej me Argunshahin, një nga emirët, i cili sundoi në mënyrë të pavarur në Nishapur dhe në Tus në vitin 738, vit i shpërnguljes së Nebevijëve.

Një vend të veçantë Sami Frashëri u kushton arianëvet.[17]

Edhe personalitetet iraniane që kanë jetuar, punuar dhe janë dalluar me veprimtarinë e tyre shtetërore, ushtarake e sidomos shkencore e letrare jashtë Iranit, nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së autorit të Kamus yl alamit. Një prej tyre është dhe poeti Aga Ahmet Ali, nga një familje e njohur iraniane, i cili e kaloi jetën në Indi. Ai vdiq në Madras më 1290 të Hixhrit (1873 të erës sonë). Ka lënë pas disa vepra titujt e të cilave Samiu i rreshton në zërin përkatës.[18]

Përfytyrimi që kemi ne sot për poetët e shquar iranianë është  shumë i ngushtë në krahasim me të dhënat që na jep Samiu rreth tyre.

Të kujtojmë midis atyre që rreshton Samiu poetin iranian Aftabi, i lindur në Save, afer Isfahanit. Veprat e tij kanë humbur pas pushtimit afgan dhe shumë pak poezi të ndjera të tij kanë mbetur. Vdiq më 1125 të Hixhrit (1713). Po ashtu, Akataki, poet nga Isfahani pasi shkoi në Indi, hyri në shërbim të padishahut Xhihangjir. Edhe poeti tjetër iranian, Akarzi, ka udhëtuar nëpër Indi dhe ka vdekur më 1024 të Hixhrit (1615). Poeti tjetër Akashahqi është dhe ky nga Isfahani.[19]

Zërat kushtuar këtyre poetëve autori i Enciklopedisë voluminoze, Samiu i përcjellë me strofa e vargje të zgjedhura nga veprat e tyre.

Një vend të veçantë, çka është e kuptueshme, Sami Frashëri i kushton Aka Mehmed Han Kaxharit, themeleuesit të dinastisë që sundonte aso kohe në Iran. Ai u përkiste fiseve turkmene të vendosura në pjesët veriore të vendit. I ati i tij qe Mehmed Hasan Hani, kryetar i fiseve të Asterabadit, i cili në gërmadhat e shtetit të safavijëve vuri në dorë fronin e Iranit, kufijtë e të cilit i shtriu dhe i zgjeroi nga India e deri në Buhara.[20]

Duke bërë fjalë për personalitetet politike, shtetërore dhe ushtarake Samiu nënvizon në mënyrë të veçantë talentin e tyre letrar, përkushtimin e tyre për zhvillimin e shkencës dhe kujdesin për shkencëtarët. Njeri prej tyre, Aka Mehdiu, lindur në Isfahan, pasi i plotësoi dijet e tij, u bë munexhim bash, kryeastronom, nën sundimin e safavive. Pas rënies së kësaj dinastie ai u tërhoq në Gilan, ku u mor me bujqësi. Aty vdiq në moshën 76 vjeçare. Siç e cilëson Samiu, ishte njeri me karakter të mirë dhe i ndershëm. Kishte dhe një natyrë poetike. Ai ka lënë, gjithashtu, dhe vjersha, rubaira (katrore).[21]

Figurat e shquara të botës perso-iraniane në fushë të letërsisë dhe të shkencave pasojnë njeri-tjetrin në veprën madhore enciklopedike të Samiut:

Ibrahim bin ebu el Talib nga Nishapuri, një nga hafizët më të shquar të Horasanit, vdekur më 295 të Hixhrit (908); Ibn-i Ami (Qemal- ul-din Ali Mehmed), një nga letrarët e mëdhenj të shekullit të shtatë të Hixhrit (shekulli XIII i erës sonë); Ibn el Big (Ebu Abdullah Mehmed bin Abdullah) një nga dijetarët islamë të shquar që jetoi në vitet 900 të erës sonë, edhe ky nga Nishapuri;[22] Ibn Hurudadbeh (Ebu ul Kasem Abdullah bin Abdullah) një nga gjeografët më të mëdhenj të kohës, vdekur më 330 të Hixhrit (942); Ibn Abedevije (Mehmed) shkencëtar islam në fushën e fëkhit, interpretimit të Sherijatit, autori i librit “El irshad”.

Midis tyre rreshtohet dhe dijetari i shquar islam Ibn-i Sina (Ebu Ali Hysejn bin Abdullah), i njohur ndryshe në botën perëndimore me emrin Avicena.[23]

Me dhjetëra janë shkencëtarët dhe poetët arabë dhe të vendeve të tjera të ndikuar nga kultura iraniane që përmenden nga Samiu në veprën e tij enciklopedike. Po ashtu, me dhjetëra janë personalitetet islame që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme të kulturës dhe të dijes në terrenin e Iranit. Një ndër ta numërohet dhe Ebu Sehel Mesihi.[24]

Nuk janë më të pakta dhe figurat iraniane të shquara të shkencës dhe të dijes të cilat kanë punuar dhe janë dalluar për veprimtarinë e tyre në vende të tjera. Midis këtyre të fundit, Samiu rreshton dhe dijetarë si Ebi Is’hak Shiraziun. Ky dha mësim në Medresen e Lartë Nizamie të Bagdadit.[25]

Pastaj vijnë me radhë Ibn Mende (Ebu Abdullah Mehmed bin Jahja el Abdi), një nga hafizët dhe autorët më të shquar. Autor i një historie të vendlindjes së tij, Isfahanit, vdiq më 301 të Hixhrit (914). Flitet dhe për Ebu el Berke, një nga poetët e Horasanit.[26]

Kur bën fjalë për sundimtarë të ndryshëm, Samiu vëren dhe vë në pah, gjithashtu, se ata shquheshin për qëndrimin dashamirës ndaj njerëzve të shkencës dhe të kulturës. Një nga këta ishte dhe Ebu Beqir bin Said, sundimtari i Farsit nga dinastia e atabegjijanëve, nipi i Zengji bin Mevdudit. Ishte një mbret i drejtë dhe theksohet, në mënyrë të veçantë, se ishte mik i shkencëtarëve. Thuhet, kujton Shemsedin Sami Frashëri, se Shejh Bezergjevar Sadi Shiraziu, Gjylistanin e tij e shkroi në emër të tij dhe ia kushtoi atij.

Përmendet dhe Ebu Tarab, një nga poetët e njohur të Iranit i lindur në Xhoshahan dhe i varrosur në Kashan, më 1026 të Hixhrit (1617), i cili jetoi, siç del, në kohën e Shah Abazit.[27]

Në ilustrim të pikëpamjeve që ka shprehur lidhur me ndihmesën e dhënë nga popujt e Lindjes në qytetërimin botëror, Samiu nënvizon figura të njohura dhe në Evropën Perëndimore si Ebu Bekir Razi, i lindur në Rej, mjek dhe shkencëtar i njohur edhe në Evropë me emrin Razes. Përveç tij bëhet fjalë dhe për figura si Ebu Bekir Shirazi, dijetar islam i njohur, i cili ka lënë dy libra e vepra të tjera. Në mënyrë të veçantë autori ndalet te figura e Ebu Xhafer Tusit (Shejh Mehmed bin Hasan), një nga imamët e ditur dhe ndër më të mëdhenjtë, vdekur në vitin 460 Hixhri (1068). Ai ka lënë një vepër madhore prej 20 vëllimesh me titull “Mecmua ele beyan el ulum el Kur’an”, një koment i Kuranit, i njohur me emrin “Tefsiri i Tusit”, si dhe pesë vepra të tjera. Njera prej tyre radhitet për nga rëndësia me veprën e Qatib Çelebiut.[28]

Pas tyre vijnë emrat e Ebu el Rejhan Birunit (Mehmed bin Ahmed Horezmi); të Ebu Said Nishapurit, dijetarë islamë të njohur të kohës së tij; të Ebu Sulejman Benaqeti (Daud bin ebu el Fazël), kronikani i Gazan Hanit nga sundimtarët mogolë që kanë sunduar Iranin.[29]

Të dhënat për Persinë e lashtë dhe Iranin e sotëm në vëllimin e parë të Enciklopedisë së Samiut fillojnë me fjalën persiane ab, që do të thotë ujë. Në përbërje të fjalëve të tjera ajo jep emrat e shumë lumenjve.[30] Po ashtu, fjala abad me kuptimin i lulëzuar, i zhvilluar, në përbërje të emrave të tjerë jep emrat e disa qendrave të banuara. Pas kësaj në këtë vepër rreshtohen sa e sa emërtime gjeografike që i përkasin Persisë së lashtë dhe Iranit të kohës së Sami Frashërit.

Qyteti Abade, midis Isfahanit dhe Shirazit, përshkruhet si një qendër banimi e ndodhur brenda muresh të rrethuara me kopshte mjaft të bukura.[31]

Midis tyre Samiu shënon dhe vendbanimin Axheniqan ose Axhenikan, një fshat në rrethinat e Serhes-it në Horasan. Dhe shton që Ebu el Fasël Mehmed bin el Vahid ishte kreu, i pari i Axhenikanijenit.[32]

Ahçe është një qytet tjetër iranian, që ndodhet 11 fersenk (baras me tre mila detare) në perëndim të Bilxhes, i përforcuar nga kështjella dhe nga muret rrethuese. Kishte, aso kohe, një popullsi prej 6-7 mijë banorësh.[33]

Me mjaft interes janë shpjegimet që autori i Kamusit jep për toponimin Azer. Për këtë qëllim ai zhytet thellë dhe me zell të veçantë në mitologjinë persiane. Sipas tij, ai përfaqëson një vend që i kushtohej zjarrit dhe diellit. Kjo, sipas besimit të mesuxhinjëve, besimtarë paganë që u faleshin këtyre dy forcave të mëdha të natyrës, në Iran. Me këtë toponim lidhen dhe shumë emra të tjerë vendesh në këtë rajon. Nga fjala Azerabad Samiu të çon te fjala Azerbajxhan. Pasi bën fjalë për këto terma gjeografikë ai ndalet tek Azeriu, poeti nga rrethinat e Tusit.[34]

Dhe lista e zërave kushtuar vendbanimeve të Iranit shkon shumë gjatë dhe vijon me emra si Amul, qytet në veri të Iranit në anët e Mazanderanit. Ai është njëkohësisht dhe emri i një qyteti tjetër po me të njëjtin emër në rajonin e Horasanit.[35]

Me të dhënat e shumta dhe të hollësishme që jep rreth historisë dhe gjeografisë së vendeve të Lindjes autori i Kamus ul alâmit, Sami Frashëri, synon që këto fakte t’ua bëjë të ditura një rrethi sa më të gjerë lexuesish. Në këtë rrugë ai përpiqet t’i bëjë ata sa më të vetëdijshëm për të kaluarën e tyre, për qytetërimin dhe kulturën e të parëve të vet. Gjithë kjo i shërbente ndërgjegjësimit të rretheve intelektuale të vendeve të Lindjes për detyrat që u delnin përpara, që popujt e tyre të bëheshin zot të fateve të veta.

————

/Orientalizmi Shqiptar/

[1] Iran (Persia), në “Kamus – yl – alâm”, 2. Cild, Ist. 1899, s. 1129-1130.

[2] Po aty.

[3] Po aty, 1131.

[4] Po aty, 1132.

[5] Po aty, 1133.

[6] Po aty, 1334.

[7] Po aty, 1335.

[8] Po aty, 1136.

[9] Po aty, 1137.

[10] Po aty, 1138.

[11] Po aty, 1139.

[12] Po aty, 1140.

[13] Po aty, 6.

[14] Po aty, 107-108.

[15] Po aty, 120.

[16] Po aty, 121.

[17] Po aty, 164 -167.

[18] Po aty, 223.

[19] Po aty, f. 235,245,250,252,253.

[20] Po aty, 253-255.

[21] Po aty, 255.

[22] Po aty 610.

[23] Po aty 636-638.

[24] Po aty 727.

[25] Po aty 685.

[26] Po aty 671,688.

[27] Po aty, 699.

[28] Po aty, 693-696,703.

[29] Po aty, 718,722,726.

[30] Po aty, f.1.

[31] Po aty, 2.

[32] Po aty, 39.

[33] Po aty, 45.

[34] Po aty, 67 – 68.

[35] F.378.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.