CAMAJ ME KADARENË TEK URA

“Shekulli” boton disa letra të Martin Camajt për Anton Nikë Berishajn, me shënimin se këto kanë dalë për herë të parë në revistën “Pasqyra e t’rrëfyemit”, nën kujdesin e studiuesit Behar Gjoka.

Letrat janë me interes edhe pse, si rrallë herë, tregojnë si e kanë parë autorët e mëdhenj të shqipes njëri-tjetrin, edhe përmes barrierave politike dhe ideologjike.

Veçanërisht më tërhoqi vëmendjen një letër e dt. 9 korrik 1979, ku Camaj ndalet në novelën (romanin?) Ura me tre harqe, dhe që po e sjell këtu më poshtë:

I dashun Anton,

mora letrën tande dhe një pjesë të Ura me tri harqe. E lexova ndoshta pakëz përciptazi, po langun ia nxora. Përshtypjet po t’i qes në letër ashtu si më vjen mbas leximit.

Sigurisht se Kadare ka një penë shumë të zhdërvjelltë dhe – si i thonë në popull – ai ditën e qet, sidokudo. Për mue asht një shkrim interesant ma tepër si dokumentacion e një gjendje të mbrendshme në Shqipni dhe feksit në ndërgjegjen e autorit. Baj habi të madhe si nuk ia ngrehin veshët atje mbrendë për një kompozicion të tillë. A e di si më duket? E shoh në rolin e atyne dy rapsodëve që këndojnë kundër ngritjes së urës, të paguem; herë pas herë bahet pishman… dhe e hedh ndonjë thimth të lehtë vëreri edhe kundër punëdhënësve të vet.

Të kthejmë tek kompozicioni, si i tillë: ky asht qit shpejt e shpejt në letër, ndoshta edhe mbas leximit të romanit tim… Gjej disa reminishenca që më bajnë me dyshue. Ndejse! Në këtë pikë besoj se gjykon ti ma drejt. Ka thimtha edhe kundër shfrytëzimit të legjendës si mjet alegorik apo simbolik. Sidokudo të irriton (ngacmon) sepse ai nuk i ka përblue çështjet, ngjan si pamflet apo reportazhë gazmore, e shkrueme për transmetim në radio. As gjuha nuk asht e përpunueme, po interesante sepse paraqet gjuhën e përditshme, një zhargon. Për ne që nuk jetojmë ndër ato kushte të vlefshme për t’u ditë: ndoshta kështu flasin toskët intelektualë posaçe nëse rrinë bashkë dhe u zhdërvillohet gjuha nga një gotë venë mbasdarke. Ai duket se ka lexue shumë mbi rapsoditë e folklorë, historinë e kulturës sonë: të gjitha i ban lamsh, lesh e li, natyrisht shpesh dhe invencion të qëlluem. Mue, në fillin e parë më irritojnë këto përciptësi sepse jam i dashunuem në të kaluemen e popullit tanë, ndonëse as vetë s’përpiqem kurrë ta hymnyzoj të shkuemen: ai më këta elementa sillet, si i thonë gjermanët “lieblos”, pa dhimbje. Shi për këtë nuk më pëlqen disa herë as Migjeni i cili shkruen mbi mizeren tonë si misionar kristian mbi vorfninë e mizeren e dheasve të Afrikës. Si të mos ndieja kështu, nuk do të shkrueja ashtu si shkruej.

Penë nervoze kjo e Kadaresë dhe në ato kushte fort e lirë!

Po nervozismi e prish kthjelltësinë e stilit e të gjuhës, gja që nuk e ban në Kronikën në gur. Kjo e fundit mbetet, kjo në fjalë (URA) mund të merret si sintomatike në një fazë të caktueme të tij.

Jam i bindun se edhe unë ia ngacmoj nervat nëse lexon sendet e mia: ndoshta dikund piqemi, po s’di se ku. […]

Letra mund të komentohet në disa rrafshe. Për shembull, duke vënë re se Camaj në atë kohë e konsideronte Kadarenë si “rapsod të paguem të regjimit”, por që ndonjëherë “bahet pishman” dhe “e hedh ndonjë thimth të lehtë vëreri edhe kundër punëdhënësve të vet”, çfarë do të ketë qenë një përshtypje që ndanin mes tyre shumë intelektualë të emigracionit në ato vite (përfshi këtu edhe afërsinë e Camajt me Pipën).

Ose për aluzionin që Kadareja, te kjo vepër, është ndikuar nga një roman i Camajt (“pas leximit të romanit tim”), meqë ky “gjen disa reminishenca që [e] bajnë me dyshue.” Cili të jetë ky roman, vallë? A ka ndonjë bazë për të folur për “polenizim të kryqëzuar” mes këtyre dy shkrimtarëve përndryshe të ndarë nga politika? Apo duhet të zgjedhim midis paranojës (hipotetike) të Camajt dhe plagjiaturës (hipotetike) të Kadaresë? Nuk di ç’të them.

Camaj vëren pastaj se teksti i Kadaresë i ngjan i papërpunuar, “si pamflet apo reportazhë gazmore, e shkrueme për transmetim në radio”, një përshtypje që më kap në befasi; sepse tekste të tilla, në fund të viteve 1970 në Shqipëri mbaheshin si maja të shqipes letrare, ose shembuj të përpunimit artistik të shqipes në nivelet më sublime.

Letërshkruesi e kap edhe me gjuhën e novelës: “nuk asht e përpunueme”, thotë; por “interesante, sepse paraqet gjuhën e përditshme, një zhargon.” Dhe pastaj parashtron hipotezën se “ndoshta kështu flasin toskët intelektualë posaçe nëse rrinë bashkë dhe u zhdërvillohet gjuha nga një gotë venë mbasdarke.”

Pastaj e shtyn thikën edhe më thellë: Kadareja ka lexuar shumë për rapsoditë dhe folklorin, historinë e kulturës sonë, por “të gjitha i ban lamsh, lesh e li”, dhe se sillet me to pa dashuri, pa dhimbje (“siç thonë gjermanët, lieblos).

Më në fund, Camaj kthehet tek motivi në hyrje të letrës, për të vërejtur se pena “nervoze” e Kadaresë i duket “fort e lirë.”

A kanë ndonjë vlerë këto shënime të Camajt, përtej informacionit që japin për shijet e tij dhe qasjet e tij ndaj letërsisë?

Përshtypja ime është se, ndoshta edhe ngaqë, siç thotë, nuk e ka lexuar të gjithë romanin (novelën), ai nuk e ka kapur natyrën e tij prej pastiche – ose si një tekst të baraslarguar edhe nga besnikëria etnografike, edhe nga saktësia historiografike; ose një vepër që shfrytëzon lëndë të parë folklorike dhe kulturore, për të ndërtuar diçka krejt të re. Camajt duket se i ka shpëtuar, besoj unë, që anakronizmi edhe narrativ edhe diskursiv, në këto vepra të Kadaresë, është përftesë artistike, jo efekt i nxitimit ose i superficialitetit të autorit. Edhe ajo “mungesë e dhimbjes” është më shumë efekt i distancimit, i tëhuajzimit (estrangement), sesa dëshmi e një qasjeje klinike të autorit, si ajo e natyralistit ndaj bretkosës të gatshme për t’u eksploruar në brendësi.

Përndryshe, si një mendje e dashuruar pas detajit etnografik, Camajt doemos do t’i dhimbet përdorimi që ia bën Kadareja këtij elementi; si të ishte ky i fundit piktor që i shkul lulet nga lëndina, për t’i ngjitur me zamkë në një pikturë-kolazh. Ka vërtet një farë lehtësie, te kjo qasje, por kjo është lehtësia gazmore (playfulness) e post-modernizmit, jo e gazetarit dhe as e atij që shkruan “për transmetim në radio.” Sërish, Camajt i ka shpëtuar krejt intertekstualiteti i romanit të Kadaresë; dhe jo aq ndaj letërsisë shqiptare të Realizmit Socialist, sa ndaj diskursit kombëtarist që në ato vite po kristalizohej në Shqipëri.

Dhe më në fund, gjuha. Nëse Kadareja i atyre viteve ishte një nga autorët që jo vetëm shkruanin në standard, por edhe kishin shkëlqyer brenda standardit (duke e legjitimuar këtë si gjuhë letrare), Camaj mbetej lëvrues i gegnishtes; dhe i një gegnishteje të sofistikuar, shpesh precioze, që ishte mjaft larg shqipes së Kadaresë prozator. Camaj thotë se vepra e këtij të fundit “paraqet gjuhën e përditshme, një zhargon.” Edhe pse nuk e kam të qartë se çfarë ka parasysh Camaj këtu me “zhargon”, ai ka të drejtë kur sheh te teksti i Kadaresë një pasqyrë a kampion të shqipes që ishte përpunuar në Shqipërinë e Pasluftës. Nga ana tjetër, duke parë përpjekjet jo të pakta të Kadaresë, në rrjedhë të dekadave, për të integruar elemente të gegnishtes letrare në prozën e vet, tingëllon ironike tabloja që pikturon Camaj, e Kadaresë duke pirë verë mbasdarke me intelektualë të tjerë “toskë”. Ka një farë trishtimi në këtë letër, që buron ndoshta nga izolimi i Camajt; ndoshta po të kish pirë ky një gotë verë me Kadarenë, do ta kish shkruar letrën ndryshe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.