CENSURA QIMEN E NDËRRON

Ma kanë ngjitur edhe mua, më shumë se një herë, si etiketë përbuzjeje: gjitholog! Me demek, po merresh me gjëra përtej kompetencave të tua, ekspertizës sate, fushës ku vërtet mund të thuash diçka (lexo: ku ne të kemi autorizuar të thuash diçka).

Meqë unë jam i specializuar në leksikologji, atëherë m’u dashka të përqendrohem në shkrimet e mia te ndajshtesat e shqipes, ose te fjalët e rralla nga gurra popullore; përndryshe, le të mjaftohem t’i bëj lexuesit për të qeshur dhe të koleksionoj ca likes në FB.

Se këta që rrudhin buzët për gjithologun (it. tuttologo), duan që fjala, për çështje të ndryshme, t’i lihet ekspertit: si më i parashikueshëm, si më i disiplinueshëm, si më i kontrollueshëm.

Në mos tamam la voce del padrone, të paktën qemania që e shoqëron.

Për shembull, kur gjithologu – edhe pse me profesion arkëtar ose gjeometër ose klarinetist – shkruan për mungesën e hapësirave të gjelbra në qytet, do t’i thonë: t’i lëmë urbanistët të flasim! Specialistët e peizazhimit, inxhinierët e ndërtim-gjelbërimit, kimistët e oksigjenimit, alergologët, vaksinuesit e trumcakëve, botanistët dekorativë, lepidopteristët, florikultorët, shatërvanistët, psikologët e kohës së lirë, disenjatorët e gazibove, fidanologët, rritësit e shkurreve!

Ose, kur gjithologu ankohet për nivelin shumë të ulët të mësuesve në shkolla, do t’i thonë: t’i lëmë specialistët e arsimit të thonë fjalën e tyre! Nuk i paskeni konsultuar raportet e fundit të KISMET-it, MYSS-it, RZHAP-it, BUZVK-ut, STYMP-it, BKATW-it? Pse, ty do të të dëgjojmë, apo Bankën Botërore? Vlen më shumë fjala jote, apo ajo e Komisionerit të Komisionit?

Ndërsa gjithologut që përmend gjendjen e llahtarisur të spitaleve në Shqipëri, do t’ia kthejnë: pa shih, na dole edhe mjek tani? Ekspert i organizimit të shëndetësisë publike? Pse nuk vjen të bëhesh shef, drejtor, ministër një dite dhe ta shohësh bøthën e viçit?

Këta që ankohen për “gjithologun,” e bëjnë zakonisht sepse duan t’i mbyllin gojën: taktikë e vjetër, e dalë boje. Më interesante është të pyesësh se çfarë i bezdis “gjithologu,” ku i ngacmon, pse i detyron të nxjerrin thonjtë?

Të kthehemi, pra, tek ai që shkruan për hapësirat e gjelbra: nuk është inxhinier, as specialist i bimëve dekorative, as urbanist. Nëse flet, e bën këtë si qytetar, i cili e ndien mungesën e parqeve.

Ose ai tjetri që ankohet për nivelin e arsimit: nuk flet si ekspert kualifikues i kuadrit arsimor, por si prind, që çon fëmijët e vet në shkollë dhe dëshiron që këta t’i marrin një edukim optimal.

Por edhe gjithologu që kritikon shërbimin shëndetësor, e bën këtë si klient i këtij shërbimi: ka qenë një ditë sëmurë ai vetë, ose një i familjes, një komshije, një kolege.

Prapa kësaj etikete përbuzëse “gjitholog” shpesh qëndron qytetari, prindi, pacienti, taksapaguesi, konsumatori, shtetasi: dhe ata që shqetësohen me fjalën e gjithologut, në thelb nuk duan të dëgjojnë dikë, që artikulon para tyre pikëpamjen e publikut.

Sa për ekspertët, të cilët përmenden sa herë që një gjitholog guxon të djegë a të kafshojë me fjalën e vet, këta kanë vendin e tyre në diskursin publik; por vështirë se mund të flasin me zërin e publikut.

Siç bëhet gjithologu qesharak, kur nis të flasë si ekspert, ashtu bëhet edhe eksperti qesharak, kur kërkon ta përdorë ekspertizën e vet si një formë të pushtetit në debatet.

Sepse problematik nuk është gjithologu si i tillë, as eksperti si i tillë, por ngatërrimi i roleve mes tyre, kaosi, inkompetenca diskursive.

Qëkur skena publike, e detyruar nga komplekset e inferioritetit të pushtetarëve, e ka shndërruar në tabu rolin e intelektualit, qëndrimet e qytetarit u janë besuar t’i artikulojnë mediave; ose gazetarëve dhe showmen-ëve që moderojnë ose nxitin debatet televizive.

Sa për ekspertët, këta rregullisht kanë provuar se blihen lehtë, në të gjitha gjerësitë gjeografike: për çdo shqetësim legjitim të publikut, do të gjendet një çetë e armatosur mirë ekspertësh për të vërtetuar të kundërtën.

Sa për të sjellë një shembull, krejt historia e ambientalizmit në Perëndim mund të shkruhet si një përplasje midis publikut të shqetësuar, dhe ekspertëve të mirëpaguar nga korporatat (lexo: të shitur).

Por le të mos i bëjmë me faj më shumë se ç’meritojnë: eksperti që flet në publik është një vegël, e cila mund të përdoret në mënyra të ndryshme; dhe të qenit ekspert nuk ka lidhje me integritetin moral.

Në një kohë kur çështja morale sot ka dalë në plan të parë.

Dua të them: bjeruni kokës “gjithologëve” – sepse nuk rrezikoni asgjë, sa kohë që nuk cenoni interesat e pushtetarëve, të krimit të organizuar, të biznesit të madh, të gjigantëve të mediave.

Bjeruni kokës – por të paktën kujtohuni ndonjëherë të mendoni se publiku ka nevojë për zëra që ta artikulojnë, madje edhe në media dhe në TV.

Madje, meqë jemi në temë, kur do të vijë ajo ditë që të mbrohet doktoratura e parë në anti-gjithologji? Tek e fundit, gjithë këta ekspertë do të kenë nevojë, herët a vonë, për ekspertologun, si degë të respektuar të public relations

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.