Çfarë pranie ndërkombëtare na duhet në Kosovë?

Gëzim SELACI

 

ÇFARË PRANIE NDËRKOMBËTARE NA DUHET NË KOSOVË?

 

Gëzim Selaci

Gëzim Selaci

Misionet e jashtme nuk kanë me e demokratizu shoqërinë, por munden me e ndihmu kalimin në demokraci. Për këtë qëllim, prania ndërkombëtare – sidomos ajo europiane – do të duhej të braktiste fushatat e gërditshme propagandistike dhe pallavrat që nuk prekin thelbin e problemit dhe sa më parë të niste me gjithë mend të plotësojë mungesat në sistemin gjyqësor e policor të Kosovës për t’a çliruar, së bashku me qytetarët, vendin prej udhëheqësisë klanore e mafioze.

Misioneve dhe administratave të përkohshme të jashtme nuk po u dihet fundi. Ka rrezik që përkohshmëria dhe faza kalimtare të bëhet gjendje normale e shtetit tonë. Rrethanat që kanë çuar deri te kjo stërzgjatje e fazës tranzitore janë më komplekse dhe jo të gjitha varen prej nesh. Mirëpo, një pjesë jo të vogël të fajit e bart edhe shoqëria, e në veçanti klasa jonë politike që assesi nuk po sillet si zot në vendin e vet, apo, me fjalë të tjera, si sovrane.

Duhet kujtuar që sovraniteti i është dhënë Kosovës me kusht që ajo të krijojë një sistem demokratik ku do të respektoheshin të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e pakicave, dhe do të ndërtohej shteti i së drejtës apo sundimi i ligjit. Këto përgjegjësi duhet të merren seriozisht nga shoqëria e Kosovës. (Se a janë kryer këto detyra, mendoj se shenjat që tregojnë se klasa politike e Prishtinës është e paaftë të ndërtojë një shtet të së drejtës e të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës janë të mjaftueshme për atë që don me i pa ato.) Vendimi për formën e pavarësisë së Kosovës dhe natyrën e pranisë ndërkombëtare aty ka qenë shumë i ndikuar nga pasojat që Kosova e pavarur do të mund të kishte për qytetarët në përgjithësi, e në veçanti për pakicat e saj. Niveli dhe forma e mbikëqyrjes së shtetit ka ardhur edhe si rezultat i paaftësisë së shoqërisë tonë me ndërtu sovranitetin real dhe shtetin e së drejtës.

Natyrisht, duket që Kosova ende nuk është e gatshme të bëjë hapin vendimtar drejt pavarësisë së vërtetë. Institucionet e shtetit të së drejtës nuk bëjnë punën e vet, ndërsa vendi udhëhiqet nga grupe gati-klanore të organizuara sipas stilit të mafies që ngërthejnë interesa ekonomikë e politikë. Nëse provojmë të përfytyrojë një situatë në të cilën politika, gjyqësia e policia e Kosovës do të ishte pa mbikëqyrje ndërkombëtare, zor se do të mund të imagjinonim ndonjë alternativë optimiste. Pra, së paku në këtë fazë, ndoshta do të ishte naive ta merrnim me mend ndërtimin e shtetit pa faktorë ndërkombëtarë.

Por, mbetet problemore mënyra dhe forma e angazhimit të këtyre autoriteteve ndërkombëtare në vend. Ajo që deri më sot kanë bërë këto autoritete në Kosovë është më shumë pengim dhe vonim i transformimit demokratik, duke marrë kompetenca që në një vend demokratik i takojnë institucioneve demokratike dhe duke ulur rolin e përfaqësuesve demokratikë dhe institucioneve në zbatues të direktivave të jashtme. Pastaj, këtë rrugë të dëmshme për demokracinë në vend duan me ndreq me pallavra për “fuqizimin e shoqërisë civile”, “mbështetjen e medieve të pavarura”, “lirinë e lëvizjes”, e slogane të tjera boshe. Nuk është e mjaftueshme të kesh shoqëri civile e media të pavarura e të lira pa qeveri përfaqësuese, sundim të ligjit, e kështu me radhë. Shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare nuk mund t’i kompensojnë këto, e as që është ky funksioni i tyre. Vetëm përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës do të çlirohej jeta politike nga dominimi i klaneve e klikave, gazetarët do të flisnin lirshëm, organizatat joqeveritare do të bënin publike matrapazllëqet e politikanëve, me fjalë të tjera, do të demokratizohej shoqëria.

Mirëpo, faktorët ndërkombëtarë nuk kanë me e demokratizu shoqërinë, por kalimi në demokraci mund të ndihmohet nga jashtë. E, për të ndihmuar transformimin demokratik, prania ndërkombëtare – sidomos ajo europiane – do të mund të niste që me gjithë mend të plotësojë mungesat në sistemin gjyqësor e policor të Kosovës. Mirëpo, përveç do fushatave të gërditshme në media që dështimet don me i paraqitë si suksese, Euleksi nuk ka bërë diçka që kishe me ia kthy qytetarëve besimin tek ai si një institucion që po e ndihmon vendin duke bërë përpjekje serioze për të ndëshkuar krimin politik, si manipulimin e zgjedhjeve dhe vjedhjen e votave, krimin e organizuar ekonomik dhe korrupsionin qeveritar, nepotizmin, klientelizmin, e kështu me radhë.

Kur pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare dukej se ka një rast për të vlerësuar kontributin e këtij misioni të BE-së për sundim të ligjit dhe rimenduar pozitën e tij në vend, Kuvendi i Kosovës i zgjati mandatin atij. Ky rast nuk u shfrytëzua për të rimenduar autoritetin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij autoriteti ndërkombëtar dhe, megjithë kompetencat e shtuara edhe ekzekutive, Euleksi mbetet një autoritet jo përgjegjës ndaj shoqërisë dhe autoriteteve kosovare, duke qenë se nuk i jep llogari asnjë institucioni vendës. Natyrisht, kishte me qenë absurde që një misioni autoriteti i të cilit buron nga jashtë shoqëria dhe sistemi politik vendës t’i kërkohet llogaridhënie nga brenda. Mirëpo, duke qenë se Eulexi tash e sa vjet nuk ka qenë efikas në fushën në të cilën Kosova çalon më së keqi, domethënë atë të gjyqësorit,[i] është e nevojshme që t’i kërkohet transparencë e kontroll vendës mbi përdorimin e autorizimeve të tij. Kjo mbase do të ndihmonte edhe Eulexin që të përmirësonte performancën e tij.

Prandaj, në vend të një mbikëqyrjeje që misioneve ndërkombëtare u jep kompetenca të cilat në demokraci i përkasin përfaqësuesve të popullit dhe institucioneve shtetërore, misionet ndërkombëtare do të duhej të hiqnin dorë prej kompetencave e autorizimet që në një shtet demokratik duhet t’i kenë institucionet demokratike të vendit dhe të ndihmonin në fusha ku Kosova nuk mund t’i drejtojë vetë, sidomos në gjyqësi, për të çliruar institucionet e shtetit nga grupe klanore e banda dhe për të mundësuar ushtrimin e lirë të politikës. Vetëm kështu t’i jepej një energji praktikës demokratike që deri më tash po çalon në Kosovë, se demokracia nuk do të importohet e vendoset nga jashtë në shoqëri, por duhet të ndërtohet nga brenda.

Demokracia, e jo misionet jodemokratike të jashtme, do të mund të krijonte paqe e institucione të forta në afat të gjatë, ndërsa qytetarët dhe autoritetet demokratike të vendit do të merrnin rol më aktiv në vendimmarrje dhe zbatim të ligjeve si një hap drejt fundit të mentalitetit vartës të shoqërisë dhe klasës tonë politike, mentalitet ky i mbjellë nga trajtimi paternalist i ndërkombëtarëve ndaj shoqërisë së Kosovës.

Botuar në Shenja, dhjetor 2012 dhe Gazeta Jeta në Kosovë më 3 dhjetor 2012.

Vënë nën:Ballkanologji, Kosova Tagged: faktorët ndërkombëtarë, Kosova, Politikë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *