ÇIFUTË DHE HEBRENJ

Lexoj sot se kryeministri Rama paska përdorur fjalën “çifut” në Kuvend dhe se kjo ka irrituar kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Vasilin, i cili e ka krahasuar gjuhën e Ramës me atë të nazistëve dhe të neonazistëve.

Ka thënë Vasili:

Ne jemi të habitur nga gjuha e tmerrshme që Rama përdori për hebrenjtë, termin çifut, term që përdorej vetëm nga nazistët në Luftën e II Botërore.

Kjo ishte një gjuhë e një naziskini të ri, i cili po me këtë gjuhë naziskini  […] i drejtohet popullit shumë të respektuar të Izraelit. Hebrejtë kanë qenë miq të kahershëm të shqiptarëve.

Edhe pse Vasilin nuk mund ta besosh në këto rrëmbushje leksikore filosemite; edhe pse nuk ka asnjë bazë argumenti se termin çifut e paskan “përdorur vetëm nazistët”; edhe pse përpjekja për ta lidhur përdorimin e kësaj fjale të shqipes me votën e Shqipërisë në OKB për Jerusalemin kryeqytet të Izraelit tani së voni… pra, megjithë teatrin patetik që luan opozita në Parlament, tabunë e heshtur ndaj fjalës çifut nuk e ka krijuar, as shpikur opozita.

Kjo tabu njëfarësoj rimerr – duke pasqyruar dhe imituar – një situatë leksikore që ekziston në gjuhë dhe kultura të tjera, ku antisemitizmi ka rrënjë edhe historike, edhe në të tashmen; dhe ku antisemitët rëndom përdorin fjalë sinjalizuese të posaçme për t’u identifikuar me njëri-tjetrin. E tillë do të ishte fjala kike në anglishte, e cila është tabu në ligjërimin e përditshëm dhe konsiderohet si fjalë fyese me natyrë raciste.[1]

Anglishtja, përndryshe, përdor fjalë si Jew dhe Jewish, të cilat nuk janë as fyese as raciste në vetvete.

Për arsye kulturore dhe historike, shqipja nuk ka fjalë e cila të jetë specializuar tashmë si etiketë raciste fyese për hebrenjtë; çifut, e cila sot po kërkohet të trajtohet kështu, nuk ka qenë përdorur gjë ekskluzivisht në kontekste të diskriminimit, denigrimit racial dhe të persekutimit antisemit.

Fjala ka hyrë në shqip gjatë shekujve të pushtetit osman dhe ka shënjuar në mënyrë neutrale individët e etnisë përkatëse.

Ndoshta edhe për këtë arsye, asnjë nga fjalorët e shqipes nuk e shënjon fjalën çifut si tabu a si keqësuese, por vetëm sa e përkufizon si:

Pjesëtar i një populli, që banonte në Palestinë deri në shekujt e parë të erës sonë dhe që më pas u shpërnda në vende të ndryshme të botës; ai që e ka prejardhjen nga ky popull dhe që banon sot në Izrael ose në vende të tjera të botës; hebre.

Përkundrazi, një përdorim i figurshëm i kësaj fjale, me kuptimin “dorështrënguar, koprrac, që sheh gjithnjë përfitimin”, etiketohet si keqësues. Edhe pse ky përdorim i referohet stereotipit folklorik të hebreut në kulturën europiane, ai sot nuk zbatohet më ndaj individëve të kësaj etnie (dhe në përgjithësi është vjetruar).

Megjithatë, sa kohë që integrimi dhe globalizimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit në kulturën politike Atlantike-Perëndimore ka sjellë me vete edhe pozicionimin e fortë kundër antisemitizmit, është ndier progresivisht nevoja edhe për një tabu leksikore, si ajo e anglishtes më lart, dhe këtë nevojë duket se po e plotëson fjala bisedore ekzistuese çifut. Ky specializim i një fjale të vjetër ka natyrë librore, jo-popullore; vjen nga lart jo nga poshtë; dhe nuk dëshmon ndonjë formë spontane antisemitizmi, edhe pse mund të përdoret tash e tutje për synime antisemite, sa kohë që e ka marrë etiketën e tabusë.

Që nga momenti që statusi i çifut u problematizua, sidomos në shqipen formale dhe standarde, atëherë u desh plotësuar zbrazëtia e lënë prej tabuizimit; dhe ashtu u shpluhuros fjala hebré, dikur krejtësisht librore, për t’u përdorur në kontekste neutrale (së bashku me mbiemrin hebraik). Sa më dendur që të përdoret fjala hebré në kontekste ku dikur përdorej lirisht çifut, aq më shumë fundoset statusi i kësaj të fundit, në kënetat e tabusë dhe të antisemitizmit.

Tani, mund të diskutohet sa të barasvlershme mund të jenë fjalët hebré dhe çifut – meqë ka një dallim në origjinë mes tyre, meqë të dytët mbahen si pasardhës të së parëve (te kjo faqe mund të lexoni një diskutim të dallimeve në anglishte); po aty, lexoj edhe se “në ato gjuhë ku të dy termat ekzistojnë, konsiderohet fyese dhe e pasjellshme që t’i quash “çifutët e sotëm” (modern Jews) hebrenj.”

Por kjo nuk ka vlerë për shqipen. Çfarë ka vlerë për diskutimin e tanishëm, përkundrazi, është se atje ku ekzistojnë terma sinonimë për të quajtur individët e të njëjtit popull, si në shqipen çifut dhe hebre, atëherë diferencat kuptimore mes tyre do të përfshijnë, herët a vonë dhe në rrethanat e globalizimit, edhe antisemitizmin. Dhe në shqipen e sotme çifut, si fjalë bisedore, e cila ka zhvilluar edhe një kuptim keqësues (“koprrac”), është vetvetiu e dënuar që të tabuizohet; ndërsa hebre, si fjalë librore, do t’ia zërë vendin në leksikun neutral, siç edhe ia ka zënë.

Është për t’u shënuar se, për arsye që janë vënë në dukje nga historianët dhe sociologët, antisemitizmi historikisht nuk ka hedhur dot rrënjë ndër shqiptarë; por sot, për pasojë edhe të globalizimit dhe të patologjive kulturore dhe fetare që vijnë si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, po vërehet një përhapje e qëndrimeve antisemite mes grupeve dhe qarqeve islamike ekstremiste, por edhe mes disa qarqeve neonaziste dhe konspiraciste (mjaft të përmend që denoncimi i fortë që i bëhet Sorosit dhe veprimtarive të OJQ-ve të financuara prej tij shpesh vjen me tonalitete të forta antisemite).

Antisemitizmi mund të mos ketë rrënjë kulturore mes nesh, por kjo nuk i bën gjë shqiptarët vetvetiu imunë ndaj tij, përkundrazi.

Dhe fakt është që diskursi antisemit, si ai islamist ashtu edhe ai tjetri neonazist, po e përdorin tashmë termin çifut si “ethnic slur”, ose epitet fyes, racist, kundër hebrenjve dhe gjithçkaje ata përfaqësojnë në psikologjinë dhe në imagjinatën kolektive. Dhe po e përdorin jo vetëm ngaqë besojnë vërtet ashtu, por edhe pse grupe të tilla ekstremiste konsolidohen edhe duke thyer sistematikisht tabutë, ose duke komunikuar mes tyre nëpërmjet një diskursi që pjesa tjetër e shoqërisë, përfshi edhe shoqërinë “zyrtare”, e konsideron tashmë si subversiv, ose tabu. Me fjalë të tjera, antisemitët “e rinj” mes nesh, nëse mund t’i quaj kështu, kanë keqas nevojë edhe ata për tabunë.

Kjo “rrëshqitje leksikore” i bën vetvetiu të ndjeshëm ndaj fjalës – dhe tabusë së implikuar – edhe të gjithë ata që nuk duan të merren, madje as gabimisht, për antisemitë; sidomos ata që nuk duan të përdoren prej gjuhës, për të marrë pozicione me të cilat nuk identifikohen.[2]

Fakt është që shqipes së sotme i mungon një fjalë për “Jew” dhe “Jewish”, e cila të mos ketë konotacionet e çifut, gjithë duke mundësuar diferencimin nga hebre, hebraik; aq më tepër që, për shumë prej nesh, izraelit – një tjetër alternativë – po i referohet gjithnjë e më shpesh qytetarëve të Izraelit dhe gjithçkaje ka lidhje me atë shtet (ndërsa për hebrenjtë (çifutët) karakteristika kryesore do të ishte që ata jetojnë në vende që nuk janë “të tyret” – p.sh. hebrenjtë e Francës, ose të Italisë.

Më në fund, ashtu siç importojmë antisemitizëm, nëpërmjet predikimeve të klerikëve islamikë ekstremistë dhe teksteve të neonazistëve dhe burimeve të tjera të së djathtës alternative, njëlloj jemi duke importuar edhe strategjinë dhe metodat e luftës kundër antisemitizmit, e cila kërkon – paradoksalisht – edhe stabilizimin e tabuve antisemite. Dhe meqë lufta kundër antisemitizmit përbën një përparësi për kulturën e sotme Perëndimore, si pjesë e një lëvizjeje më të gjërë që kërkon mbrojtjen e diversitetit, të tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare dhe të bashkëjetesës me Tjetrin, por edhe distancimin permanent ndaj persekutimit të hebrenjve gjatë Luftës II dhe Holokaustit, atëherë edhe ne – si shoqëri me aspirata të caktuara – po i përvetësojmë me zell (herë të sinqertë herë oportunist) disa trope dhe stilema karakteristikë e shoqërive dhe kulturave të tjera ku antisemitizmi ka qenë dhe mbetet shqetësues.

Prandaj edhe fjala çifut, në të gjitha përdorimet e saj, e ka marrë rrugën drejt tabuizimit dhe nuk ka më të ardhme në shqipen e përditshme, sidomos në atë publike. Kjo nuk i përligj, megjithatë, akuzat e P. Vasilit sot,  për Ramën “naziskin”; të cilat vetëm sa turbullojnë ujërat dhe ia rritin autoritetin palës në pushtet – tek e fundit, si të mos mbetet kjo palë në pushtet, kur ka përballë një opozitë të specializuar në improvizime të tilla teatrale?

 

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe riprodhimi online dhe në mediat e shtypura.


[1] Fjalë tabu në gjuhë të tjera, që sot konsiderohen haptazi si antisemite: жид në rusishte, çıfıt në turqishten e sotme.

[2] Ndonëse ende nuk e konsideroj dhe as e ndiej fjalën çifut si antisemite në vetvete, edhe unë tani kujdesem që të mos e përdor në tekste publike, për të shmangur keqkuptime dhe keq-identifikime. Nuk më kushton asgjë të përdor hebre, një fjalë e barasvlershme me të.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.