CILI NIETZSCHE?

Në biografinë që ka shkruar për Nietzschen (Nietzsche, L’apolide dell’esistenza, Marsilio, 2002), Massimo Fini rrëfen për një udhëtim të tijin, në fillim të viteve 1970, në vendlindjen e filozofit prusian, në Saksoni – e cila aso kohe bënte pjesë në Gjermaninë Lindore. Martesa e komunizmit me disiplinën tradicionale gjermane kish pjellë një përbindësh, thotë ai: një klimë të obtuzitetit ideologjik dhe intelektual, të vrazhdësisë, të shkretisë dhe zymtisë, që nuk e gjeje dot, të paktën në ato nivele, në vende të tjera të Lindjes, madje as në Bashkimin Sovjetik. Gjermania Lindore, si shumë simotra të kampit socialist, i kushtonte vëmendje të madhe kulturës, aq sa libraritë dhe dyqanet me muzikë klasike i gjeje gjithnjë plot; por në atë klimë kulture prej vitrine, emri i Nietzsche-s mbetej i panjohur për brezat e Pasluftës: “i panjohur, i anuluar, i shtyrë në harresë, i ndaluar,” shkruan Fini.

Në kufi, Fini-t gati i kishin çmontuar aparatin fotografik dhe ia kishin mbajtur Njeriun me një përmasë të Marcuse-s; por nuk i kishin thënë asgjë për ca libra të Nietzsche-s që kish pasur me vete – jo nga dashamirësia, por nga padija, thotë ai. Regjimi në Gjermaninë Lindore e konsideronte filozofin si pararendës të nazizmit dhe e kish “çrrënjosur” nga kujtesa kolektive e shtetasve – deri në atë shkallë sa të përftonte efektin paradoksal të një emri aq tabu, sa të tolerohej thjesht nga padija. E megjithatë, varrin e Nietszche-s në Röcken, një katundth me aso kohe veç shtatë banorë, Fini e gjeti të paprekur, edhe pse të mbuluar nga barërat: “një sistemim që ndoshta filozofit do t’i kish pëlqyer, meqë i përgjigjej shpërfilljes, braktisjes dhe vetmisë në të cilën kish jetuar.”

Studiuesit sot nuk gjejnë ndonjë afëri domethënëse mes filozofisë së Nietzsche-s dhe nazizmit; dhe akuzojnë të motrën, Elisabeth, për këtë gjykim përndryshe të gabuar. Në fakt, Elisabeth – që ishte martuar me një farë Bernhard Förster, nacionalist i njohur dhe antisemit – u kujdes për dorëshkrimet e të vëllait, sidomos pasi ky u sëmur rëndë; dhe ashtu edhe futi duart në veprën e tij, duke ia bashkëlidhur militarizmit gjerman dhe, më pas, nacional-socializmit. Ndërkohë ideologjia sovjetike tashmë e kish futur Nietzsche-n në listën e zezë; duke i dhënë rolin e nevojshëm të “armikut”.

Ajo çfarë rrëfen Fini, ose indiferenca e përfaqësuesve të shtetit gjerman ndaj emrit të një armiku tashmë të fshirë nga libri i kujtesës, mund të ndodhte vetëm brenda një kulture të mësuar t’u shkonte gjërave deri në fund, dhe ku ndalim-leximi i një filozofi të madh respektohej si të ishte komandë e një oficeri të lartë në fushën e betejës. Kjo lloj fshirjeje me gomë nuk do të kish sukses në Shqipëri – në fillim të viteve 1970 kish ende njerëz që e lexonin Nietzsche-n, në botime të Paraluftës; dhe që dënoheshin për këtë. Për këtë arsye, ishte krijuar, në mjediset disidente në Tiranë dhe gjetiu, një lloj kulti i Nietzsche-s, mu për shkak të ndalimit të tij nga regjimi (për arsye krejt të tjera, i njëjti kult ekziston edhe sot, por i kitsch-ifikuar). Një shqiptar që udhëtonte jashtë, nuk do të guxonte të sillte me vete një libër të filozofit: jo vetëm që do t’ia mbanin në doganë, por edhe do t’i krijonin probleme të mëtejshme. Njëlloj si në Gjermaninë Lindore, edhe në Shqipëri Nietzsche-ja ishte tabu; por tek ne tabuja ishte ende e dukshme, e ulur këmbëkryq, e pashmangshme.

Nuk di nëse e studionin apo jo Nietzsche-n në fakultetet e filozofisë në universitetet gjermano-lindore; ndoshta i rezervonin të njëjtin trajtim që i bënim ne, në Shqipëri, Ernest Koliqit, Mit’hat Frashërit, Faik Konicës. Natyrisht që elitat intelektuale të DDR-së e njihnin filozofin dhe ia kishin lexuar veprën; por kjo nuk ka lidhje me indiferencën e policisë kufitare, me të cilën u përball Fini: sepse ishte po kjo polici, që ia sekuestroi Njeriun me një përmasë të Marcuse-s. Duke pasur parasysh disiplinën prusiane të forcave të rendit atje, do të supozojmë se ky i fundit u ndalua thjesht e vetëm ngaqë figuronte në një listë librash të ndaluar: nuk ishte diskrecioni i policit, as bindja e këtij personale se Marcuse mund të ishte me rrezik për mirëqenien ideologjike të Gjermanisë Lindore; por një gjest mirëfilli burokratik. Në një farë mënyre, burokracia vepronte edhe në Shqipëri – vetëm se në doganat tona çdo libër i huaj do të ndalohej, përveçse kur lejohej në mënyrë eksplicite.

Kjo që i ka ndodhur Fini-t ilustron, më duket mua, tensionin midis regjimit represiv totalitar dhe censurës: në atë masë që funksionon/që duhet të funksionojë, censura dëshmon se totalitarizmi ende nuk ka vepruar mirë, ose nuk e ka bërë punën e vet. Më kujtohet këtu një anekdotë që e tregon Zhizheku: një mysafir në një vilë, teksa kërkon të gjejë banjat, hap gabimisht derën e një dhome ku gjendet e zonja e shtëpisë, lakuriq: “Më falni zotëri,” i thotë, dhe del nga dhoma duke e mbyllur derën. Në të njëjtën mënyrë, një sistem kontrolli totalitar do të kujdeset që t’i zhdukë krejt nga vetëdija kolektive emrin dhe veprën e një autori subversiv – dhe nëse e realizon këtë atëherë, paradoksalisht, vepra përkatëse mund të lejohet të qarkullojë lirisht. Paradoksi këtu është se, dikush që nuk e njeh Nietzsche-n dhe nuk e ka idenë se çfarë qëndrimi kanë mbajtur sovjetikët ndaj tij dhe as akuzat që i janë bërë si pararendës i nazizmit mund të lejohet t’ia lexojë Nietzsche-s veprën lirisht – meqë teksti i inkriminuar është toksik vetëm në atë masë që pritet të jetë toksik. Për të njëjtën arsye, Freud-i censurohej ashpër në Tiranë për shkak të famës së tij si guru i çlirimit seksual; dhe censurën e impononin njerëz që Freud-in nuk e kishin lexuar, ose kishin provuar ta lexonin dhe nuk kishin marrë vesh gjë. Sërish një anekdotë: një aktor komik e qortuan se, gjatë një monologu, kish bërë një shaka shumë të rëndë. Nuk e kam fajin unë, tha në mbrojtje të vetes; por ata që e kuptuan dhe qeshën.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.