“Çlirimi” i Pazarit të Ri dhe vendosja e pushtetit të ri!

Ismet AZIZI

“ÇLIRIMI” I PAZARIT TË RI DHE VENDOSJA E PUSHTETIT TË RI!

Ismet Azizi

Ismet Azizi

Popullata shqiptare e Kosovës, e Sanxhakut dhe viseve të ndryshme të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, ndonëse nën sundimin e pushtuesit të ri nazifashist, e përjetuan këtë si lehtësim, madje edhe si shpëtim. Bashkimi i pjesës më të madhe të tokave shqiptare me Shqipërinë, u prit me një entuziazëm të madh nga popullsia shqiptare. Këtë bashkim, edhe pse erdhi si rrjedhojë e interesave strategjike të shteteve të Boshtit, shqiptarët, të cilët kishin përjetuar dhunë e terror të paparë, e konsideronin si çlirim kombëtar. Pra, pajtimi i shumicës së shqiptarëve me situatën e re të krijuar ishte si rrjedhojë e politikës gjenocidale që kishte zbatuar Mbretëria Jugosllave, përkatësisht pushteti serb. Ky diskriminim kishte arritur deri në ato përmasa, saqë te shqiptarët ishte krijuar bindja se cilido pushtues që do të vijë, nuk mund të ishte më i egër se ai serb.

Gjermanët qysh më 20 prill, në takimin me liderët shqiptarë të Kosovës dhe Dukagjinit, por edhe nga Pazari i Ri, Tutini dhe Sjenica, premtuan se do të krijojnë të ashtuquajturat “Shqipërinë e Vogël” si një kundërpeshë ndaj Shqipërisë së Madhe, e cila do të ishte në unionin me Italinë. Kjo krijesë pritej të përfshijë tre rrethet e përmendura në territorin e Sanxhakut dhe disa pjesë të Kosovës dhe Dukagjinit.

Së pari, pjesëtarët e Divizionit të 60-të, të motorizuar hynë në Pazar të Ri (16 prill), e pastaj erdhi edhe njësiti i 294 i divizionit të këmbësorisë.

Përfaqësuesit e këtij qarku morën pjesë në tubimin në Mitrovicë më 21 prill 1941, kur u mor vendimi për dorëzimin e tërë pushtetit autoriteteve shqiptare, përkatësisht grupit nacional boshnjak. Pas kthimit nga ky takim dhe, në marrëveshje me komandat gjermane, filloi marrja e pushtetit e konsolidimit të tij, së pari në Pazar të Ri, e më pas në komunat tjera të rrethit të Dezhevës. Përndryshe bëhej fjalë për popullatën boshnjake, marrja e pushtetit kishte simbolikë pro-shqiptare. U shkarkua dhe u morën organet e qarkut, këshillat e qarqeve dhe të administratës komunale e gjyqësori, administrata tatimore dhe posta. Filloi nga kryeshefi i qarkut. Shkarkohet kryeshefi i qarkut, Dragoljub Panteliq, dhe në vend të tij u emërua Ahmed Daci. Në të njëjtën ditë Pazarin e Ri e lëshuan edhe kryeshefi i qarkut, dhe të gjithë policët, që nuk ishin nga Pazari i Ri. Pastaj shkarkohet edhe kryetari i komunës, Dushan Davidoviq. Këtë funksion përkohësisht e merr Ahmed Daci. Më vonë ky funksion do ta kryejë Jonuz Mulahodoviq. Nga 36 këshilltarë komunal nuk mbetet asnjë në detyrë. Aqif Blyta emëron 36 të rinj. Të gjithë ishin boshnjakë. Zyrtarët komunalë, serbët dhe boshnjakët, mbetën në postet e tyre. U shkarkua President i Gjykatës së Qarkut, Mihailo Damjanoviq. U liruan të gjithë punonjësit e kësaj gjykate dhe gjykatësit. Në të njëjtën mënyrë, u veprua edhe me presidentin e Gjykatës së Qarkut, Gjorgje Kostiqin, dhe gjyqtarët dhe nëpunësit e gjykatës. Ndryshimet janë bërë me të shpejt dhe në institucionet e tjera: në administratën tatimore, në postë, në drejtorinë e pyjeve, në fidanishte etj. U pezullua puna në shkolla dhe menjëherë kanë filluar përgatitjet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Edhe këtu është formuar xhandarmëria, më 23 prill 1941. Së pari çarmatoset e mëparshmja dhe pastaj nga popullata boshnjake (dhe shqiptare I.A.) formohet xhandarmëria shqiptare. Për komandant të saj u emërua xhandari rezervist Azem Axhoviq. Ndryshimet në administratën komunale në zonat rurale të rrethit është kryer më 12 maj 1941, në mënyrë të ngjashme si në qytet .

Në Tutin, për kryeshef të Qarkut u emërua Mustafa Alijeviq, një kushëri i Ferhat Dragës, i cili ishte redaktor i gazetës “Kosova” deri në fillim të luftës.

Edhe pse gjermanët morën kontrollin e tërë Sanxhakut, pas vendosjes së vijës së demarkacionit me Italinë, më 6 maj, Gjermania ia lë rrethin e Shtavicës (Tutin), Bjellopolës dhe atë të Plevlës. Me këtë rast e mbajti rrethin e Pribojit, Nova Varoshit, Milleshevës, Senicës dhe qarkun e Dezhevës. Për shkak se interesi i Gjermanisë ishte i lidhur kryesisht për “Trepçën”, në të vërtetë për rrethin e Dezhevës (Pazarit të Ri) si tampon zonë drejt kësaj miniere, krijonte hapësirë për zgjerimin territorial të Shtetit të Pavarur Kroat (NDH), veçanërisht në rrethet perëndimore të Sanxhakut. Për vetëm pak ditë, nga 29 prill deri 5 maj 1941, trupat e Shtetit të Pavarur Kroat (NDH) pushtuan rrethin e Pribojit, Nova Varoshit, Prijepoles dhe Plevlës, por, natyrisht, këto zona akoma mbetën nën protektoratin gjerman. Lënia e një pjesë të Sanxhakut nën shtetin e Kroacisë u miratua nga një numër i madh i përfaqësuesve të elitës myslimane në Sanxhak. Pra, prania e trupave kroate nxiti idetë dhe aspiratat e elitës myslimane për t’ia bashkuar këtë krahinë Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ishte pjesë e shtetit të kroat. Përfaqësues të shquar të myslimanëve të Sanxhak, pa përfaqësuesit e qarkut të Shatvicës dhe Dezhevës (pa dijen e Aqif Blytës), më 6 maj, me një deklaratë u janë drejtuar kryetarit kroat, duke kërkuar aneksimin e tërë Sanxhakut vendit të tij. Letra me kërkesa të ngjashme u janë adresuar Hitlerit dhe Musolinit .

Një delegacion pesë anëtarësh i boshnjakëve të Pazarit të Ri, i cili vizitoi Zagrebin, më 15 maj 1941, dhe liderin Ante Paveliq, ndër të tjera, thuhet se “97% e origjinës së popullsisë së Sanxhaku janë me prejardhje sllave (…) Çfarëdo copëtimi t’i bëhet Sanxhakut, do të jetë fati më i tmerrshme për të ardhmen e ”boshnjakëve të Sanxhakut.

Në Vjenë, më 21 dhe 22 prill 1941, u përtërinë bisedimet ndërmjet Ministrit të Jashtëm italian dhe gjerman, Çiano dhe Ribbentrop, me këtë rast u diskutua rreth ndarjes së territorit dhe brenda kësaj kornize mbi demarkacionin e zonave në Kosovë. Atëherë u pasqyrua interesat kontradiktore të gjermanëve dhe italianëve. Pavarësisht kundërshtimit italian, ndarja e territoreve iu përshtatën ekskluzivisht interesave gjermane

Kjo pjesë e Kosovës (rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Podujevës-Llapit), ishte dashur të mbetët pjesë e Serbisë, të cilën në fillim do ta udhëhiqte Këshilli i komisariatit të me përfaqësuar nga Millan Aqimoviq, ministër i punëve të brendshme i paraluftës në qeverinë e Stojadinoviqit. Ky vendim i gjermanëve shkaktoi pakënaqësi dhe demonstrata, të cilat u mbajtën më 23 maj 1941

Rrethi i Dezhevës, përkatësisht i Pazarit të Ri ishte regjioni më i varfër në Serbi. Qyteti i Pazarit të Ri ka pasur mbi 10.000 banor, ndërsa rrethi ka pasur katër herë më tepër, me 299 fshatra, të ndara në 11 komuna.

Millorad Vaviq e cilëson elitën e qytetit në krye me Aqif Blyten si njerëz të Ferhat Dragës, prandaj thotë: “Grupi i njerëzve, i cili udhëhiqte me Pazarin e Ri, ka vepruar nën ndikimin e fortë të Ferhat Bej Dragës (përndryshe me orientim pro-italian- thotë Vaviq) dhe “Këshillit kombëtar shqiptar”. Ky ndikim u vërejt edhe në mbledhjen e Komitetit shqiptar (term për degën e rrethit Lidhja Kombëtare shqiptare) e mbajtur më 16 qershor 1941, në të cilën shpallet vendimi për bashkimin e këtij rajoni “Shqipërisë e Madhe”. Kjo seancë dhe vendimi i marrë ishin përpjekje të paramenduara për të bërë presion mbi forcat gjermane dhe qeverinë kuislinge serbe. Pra, kjo ishte edhe një përpjekje tjetër që Qarku i Mitrovicës të shkëputet nga Serbia e Nediqit dhe t’i bashkohet Shqipërisë e cila ishte nën dominimin italian”.

Këshilli i Komisarit dëshironte që edhe në pjesën e Kosovës dhe Sanxhakut që ishte nën kontrollimin gjerman, i cili zyrtarisht ishte pjesë e Serbisë, të vendoset pushteti, i cili do të pasqyrojë një gjendje të tillë. Shqiptarët donin aneksimin e kësaj pjese të Shqipërisë së Madhe ose, së paku, një autonomi të plotë për këtë pjesë të Kosovës dhe Sanxhakut, në kuadër të së cilës shqiptarët do të kenë të gjithë pushtetin në terren, me vendosmëri duke refuzuar që ky territor të jetë nën sundimin serb. Nën presionin e gjermanëve, më 17 qershor erdhi në Beograd deri te takimi për negociata me Këshillin e Komisionarëve. Në krye të ekipit negociator ishte Xhafer Deva, dhe anëtarët e delegacionit: Shaban Mustafa, Aqif Blyta dhe Bahri Abdurahmanoviq. Ata kërkuan që rrethi i Mitrovicës të ketë status të njëjtë me Banatin, siç kishte atëherë në kuadër të Serbisë. Pastaj ata paraqitën kërkesa për zyrtarë në gjyqësor, në shkolla, në postë dhe institucione e trafikut. Së shpejti erdhi edhe delegacioni tjetër, i cili refuzoi çdo kontakt me autoritetet serbe, duke iu drejtuar misionin italian me një kërkesë që ajo të ndikojë në administratën gjermane, në mënyrë që të merret vendimi për bashkimin e këtij rrethi me Shqipërinë. Ata, e zgjeruan kërkesën e tyre edhe në Senicë, në mënyrë që këtu të vendoset kufiri i përbashkët me Shtetin e Pavarur Kroat të Ante Paveliqit. Kur përfundimisht iu është bërë krejtësisht e qartë se duhet të negociohet me Këshillin e Komisionarëve, më 12 korrik 1941, u zhvilluan negociatat e para serioze. Këshilli i Komisionarëve më 19 korrik 1941, ranë dakord mbi nevojën për të rishikuar marrëdhëniet agrare që kanë ekzistuar në Mbretërinë e Jugosllavisë, dhe për vitin 1941 u vendos që në rrethin e Mitrovicës, çifliçe-sahibia kanë të drejtë për një të katërtën e të korrave të pastër dhe fruta nga pasuria konfiskuar me reformën agrare të pas luftës së Parë Botërore. Më vonë marrëdhëniet feudale u legalizuan me rregullore të qeverisë së Nediqit dhe janë aplikuar deri në ardhjen e komunistëve në pushtet.

Në gusht të viti 1941, shqiptarët në vend të Komitetit të Kosovës formuan organizatën e re me emrin Lidhja Popullore Shqiptare. Selia e udhëheqjes kryesore ishte në Mitrovicë, ndërsa në rrethe dhe komuna u themeluan organizatat komunale dhe ato të rretheve. Në kuvendin themeltar, organizata ra nën ndikimin e përfaqësuesve të rrymës pro- italiane. Për kryetar të Lidhjes u zgjodh Ali Draga (djali i Ferhat Dragës), i cili, me këtë rast, mori titullin e udhëheqësit të grupit popullor shqiptar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.