DARKA E PËRGJUAR (I)

nga Arjan Shahini

Thuhet se John Le Carré (David J. M. Cornwell), nga autorët e famshëm të librave me spiunazh dhe ish-agjent i shërbimeve sekrete (MI5), ka përdorur informacione të vërteta në librat e tij[1], të cilat gjithsesi klasifikohen si trillime letrare. Hipoteza ime është se “Darka e gabuar” e Kadaresë[2] ka gjasa të bazohet në Dosjen (formular) të Sigurimit të Shtetit për Eqrem Çabej[3]. Besoj se vepra është një përpjekje e Kadaresë për të kuptuar ngjarjen.

Lexues, ki kujdes! Burokracia i shndërron interpretimet në fakte sociale nëpërmjet kujtesës shkresore. Këto lloj të vërtetash, shumë herë të stisura, përmbajnë dosjet e Sigurimit. Vetëm se janë shkruar, nuk i bën më të vërteta se ato që janë thëne e nuk janë regjistruar. Me ketë dilemë përballet çdo studiues i arkivave. Prandaj edhe Dosja “Ç” përbën një trillim të bazuar në fakte, sikur edhe “Darka e Gabuar”, që mëton të jetë e bazuar në fakte. Në të dyja rastet vetëm supozimi se trillimi është i bazuar në fakte është i vërtetë, por faktet e përmendura jo.

Darka e gabuar

Me pak fjalë, fabula e romanit është: Dr. Gurameto, një mjek i arsimuar në Gjermani, fton për darkë një oficer gjerman, ish-mikun e tij, gjatë kohës së pushtimit të Shqipërisë nga forcat gjermane. Forcat gjermane kanë marrë peng një grup individësh për tu hakmarrë për sulmin ndaj autokolonës së tyre. Nga darka rezultoi se pengjet u liruan. Me ardhjen e komunistëve në pushtet kjo darkë u bë shkak për dyshimin e regjimit ndaj Dr. Gurametos, i cili torturohet për të konfirmuar këto dyshime.

“… një lajm i mirë nisi të përhapej ndryshe nga të tjerët, si një puhizë prilli. Flatronte kujdesshëm, më i brishtë se ylberi, i cenueshëm lehtë nga gjithçka. Vetë era e grykës së Tepelenës, ajo që nuk s’prapsej përpara asgjëje, dukej se i hapte udhë të arrinte atje ku duhej: pengjet po liroheshin.

… Dhe këtë mrekulli e kishte bërë doktor Gurametoja i madh!

… Qyteti i tërë, ndërsa duhej t’i binte në gjunjë doktor Gurametos së madh, t’ia lante këmbët me lot e t’i kërkonte ndjesë për dyshimet, aty për aty, duhet t’i kthehej për ta dënuar atë që u gëzua para kohe për rënien e heroit, shemrin e tij, Judën dhe turpin e Europës, doktor Gurameton e vogël.

… Këto kureshti, herët a vonë do të rikthenin pyetjen e parë, atë të fillimit, të pashmangshmen: ç’ishte në të vërtetë kjo darkë, që ende nga disa quhej “darka e turpit” e nga të tjerë “darka e ringjalljes?” (fq. 37-38)

Për të verifikuar hipotezën, propozoj që vepra të analizohet si një histori e zhanrit të spiunazhit[6], ku përfshihen shërbimet sekrete shqiptare, sovjetike e ato gjermane. Historia, nga kjo perspektivë, i ngjan më shumë darkës së fundit të Krishtit.

Dr. Gurameto i madh, fton, në darkën e “tradhëtisë” së tij, një profet të rremë  – oficerin gjerman, “një mik i madh, një shok universiteti … më të ngushtin e miqve … vëlla e shkuar vëllait” (fq. 41), çfarë nënkuptonte edhe afinitetit e tij me “dojç kultur”. Gurameto i kërkon mikut të tij gjerman lirimin e disa të burgosurve, për të cilën kërkesë kompromentohet dhe cilësohet si bashkëpunëtor i gjermanëve nga shërbimet sekrete shqiptare.  Për të shpëtuar jetën, ai duhet të mohojë shumëçka nga vlerat e tij, duke iu rikthyer disa herë në kohë darkës me versione të ndryshme të ngjarjes.

E ndjen veten se duhet t’i bindet urdhrit. … Në darkën e vet, ndoshta, atë që e ka marrë më qafë.” (fq. 207).

“Duke zbritur thellë e më thellë në kohë, disa u kujtuan për darkën e Krishtit, siç tregohej në shkrimet e shenjta, të sigurt se atje do të gjenin, më në fund, enigmën. Ishin të gjitha në atë darkë: Krishti vetë, pikëllimi i tij hyjnor, apostujt, madje, dhe Juda Iskarioti. Kështu u duk se po e gjenin të vërtetën, por shi atëhere ajo nisi të fironte. Që s’ishte Krishti doktor Gurametoja e, aq më pak, mysafirët gjermanë, kjo dukej që larg, por edhe Judë t’i quaje, ishte e tepërt. (fq. 35).

Historia zhvillohet si një analizë hetimore, ku shkaqet e sjelljes së Sigurimit të shtetit gjenden në disa rrafshe. Kadare përpiqet fillimisht të ofrojë një kontekst historik e social të Gjirokastrës, për të shfaqur më pas konfliktet e ndryshme sociale e politike në Shqipëri e qytet, dhe përfunduar me operacionet e Sigurimit të Shtetit për rastin në fjalë.

Syri magjik

Sigurimi i Shtetit në Shqipëri, „arma“ apo „mburoja dhe shpata“ e Partisë, ishte tërësisht i varur nga Partia e Punës. Partia e Sigurimi ishin njësitë kryesore të shtetit kundrazbulues, siç i quan Dziak[7] regjimet totalitare komuniste të fiksuara me çështjet e sigurisë e të kërcënimit të brendshëm. Organet e punëve të brendshme ishin „një armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit që udhëhiqen nga Partia, për të dërmuar rezistencën e mbeturinave të klasave shfrytëzuese të përmbysura … për triumfin e çështjes së komunizmit”[8].

Partia vendoste politikat, personelin, jepte udhëzime për veprimtarinë, i mbikëqyrte nëpërmjet organizatave të masave dhe i ndëshkonte sipas rastit[9]. Organet sipas platformës udhëhiqeshin nga parimet politike të Partisë së Punës dhe platforma parashikonte një rol aktiv të qytetarëve (dmth. bashkëpunimin), pasi ato „mbështeteshin fuqimisht në popull“[10]. Emërimet e drejtuesve të drejtorive dhe kategoritë e operativëve vendoseshin në fillim me miratim të Byrosë Politike[11]. Lëvizjet e personelit ndërmjet Partisë dhe organeve të sigurimit ishin të shpeshta, ndërsa një pjesë e bashkëpunëtorëve ishin anëtarë partie e më vonë disa u bënë edhe anëtarë të Byrosë Politike (si p.sh. Hekuran Isai) apo ministra (Kadri Hazbiu)[12]. Konfliktet e brendshme brenda Partisë së Punës transferoheshin shpesh në organet e Sigurimit. Nga viti 1944 deri në 1990 prej 19 drejtuesve të sigurimit janë pushkatuar katër, burgosur katër dhe shkarkuar pesë drejtues[13]. Ndërsa ndikimi i udhëheqjes politike ishte madh. P.sh. Enver Hoxha udhëzonte organet e sigurimit për arrestime e dënime të personave të caktuar[14], e jo pak herë dosjet përmbajnë referime për udhëheqjen, apo që priteshin udhëzime prej saj.

Përgjegjës për mbikëqyrjen e inteligjencies përgjatë viteve 70 deri në fillim të viteve 80 ishte Drejtoria IV, Dega VIII, përgjegjëse për veprimtaritë kundërevolucionare. Kjo degë kishte nga një oficer drejtimi (në total 7 persona) për këto drejtime: (1) inteligjencian dhe rininë; (2) veprimtarinë dhe elementet anti-parti; (3) agjitacion-propaganda; dhe (4) ri-edukimi e internim-dëbimi. Dega VIII drejtonte strukturën ilegale, rrjetin sekret, për mbikëqyrjen e inteligjencës që merrej me arsimin e kulturën, industrinë, tregtinë dhe shëndetësinë[15]. Sidomos gjatë fillimit të viteve kjo degë ishte shumë aktive[16]. Me uljen e represionit gjatë viteve 80, struktura për inteligjencën dhe rininë u suprimua, pse regjimi vlerësonte se “rinia e vendit tonë dhe inteligjencia e re popullore” tashmë “e edukuar me virtytet e larta të moralit komunist” ishte në shërbim të regjimit “si ndihmëse e rezervë e luftarake e Partisë” [17]. Me survejimin e kontakteve, që studiuesit si Çabej kishin me të huaj, merrej Drejtoria IV, Dega I. Një pjesë e dokumentacionit kalohej edhe në degën II, që ishte për zbulimin anti-parti.

Struktura e Sigurimit te Shtetit. Sipas Thimo Bares, 1989, Historia e Armates se Sigurimit te Shtetit. Ministria e Punëve të Brendshme. (Para dhe pas 1958 , ka pasur disa ndryshime.)

Fijet që s’priten

Dosja e Çabej është hapur formalisht në 1952 nga Sigurimi i Shtetit, por shërbimet sekrete të ushtrisë kishin dosje për të prej 1948 (gjatë kësaj periudhe M. Shehu ishte ministër i Punëve të Brendshme[18]). Dosja është kompiluar në mënyrë të nxituar brenda 4 muajve derisa është klasifikuar si 2A (me cilësitë si i riatdhesuar dhe element anti-parti), çfarë ka lejuar marrjen e masave aktive për mbikëqyrje. Në 1954 bie intensiteti i vëzhgimit (përkon me emërimin e M. Shehut si kryeministër dhe K. Hazbiut si ministër i Brendshëm). Në 1958 është ri-klasifikuar si 2B (rrezikshmëri të ulët) dhe arkivohet në 1963, por ka përpjekje për tu hapur në 1969-72, deri sa mbyllet në 1981 me vdekjen e Çabejt. Po ashtu dosje ka pasur bashkëshortja e tij (2A), dhe me gjasë e bija.

Historia  institucionale e paraqitur në Dosjen E. Çabej është e ngjashme me planin e parë të rrëfimit në “Darka e gabuar”. Gjatë kohës që Çabej ishte në Romë, ai ndërhyn për lirimin e disa internuarve tek një oficer i lartë gjerman, të cilin e kishte pasur mik kur ishte student në Austri. Sipas raportimeve të ndryshme të liruarit janë 20-30-40-120 vetë, ndër ta edhe shumë komunistë. Ky ishte shkaku kryesor me të cilën ishte justifikuar hapja e dosjes. Mehmet Shehu, në një deklaratë pa datë e firmë, hedh edhe dyshime për të liruarit që ishin pritur me tren në Kosovë e dërguar me të holla më tej në Shqipëri.

Sigurimi e vlerësonte rrezikun që përbënte Çabej duke analizuar edhe faktorë të tjerë të arsyeshëm:

  1. Dyshimet mbi qëndrimet e tij anti-pushtet. Ka disa deponime të personave të burgosur që dëshmojnë për këtë qëndrim (janë rreth gjashtë persona që nuk kanë dhënë informacion të vlefshëm, por dy të tjerë e rëndojnë). P.sh. për të ka deponuar S. Kasimati, një mikeshë  e tij, dhe një familjar i afërt i saj që e perceptonte miqësinë e tij me të si shkak për sjelljen e saj kundra regjimit – Theksohet se S. Kasimati[19] ka dy deponime të ndryshme për Çabej, të dyja në një fletë të dosjes, çfarë tregon se ndryshimi i deponimit të parë është bërë nën presion, pasi i dyti rëndon pozitën e Çabejt);
  2. Armiqësia e tij për shkak të vrasjes së vëllait të tij, ish-prefekt në Kosovë, dhe kunati i tij që ishte arratisur si ballist;
  3. Edukimi i tij jashtë vendit – Çabej kishte përfunduar gjimnazin dhe studimet e larta në Austri, kishte pasur një qëndrim të gjatë për hulumtime në Itali dhe kishte njohje me albanologë të huaj.
  4. Miqësia e tij me disa persona që nuk ishin simpatizantë të pushtetit e vendoste gjithashtu nën lupën e operativëve, që nëpërmjet survejimit kishin mundësi të plotësonin disa dosje njëherazi.

Struktura e rrjetit të mbikëqyrjes së E. Çabej nga Sigurimi i Shtetit Struktura e rrjetit të mbikëqyrjes së E. Çabej nga Sigurimi i Shtetit

Por Sigurimi kishte edhe arsye të tjera që nuk i përkisnin fushës ligjore të veprimit të tij e që mund të lexohen nëpër rreshta:

  • motive të paqarta të Mehmet Shehut (Ministër i Brendshëm gjatë periudhës 1948-52 për t’u angazhuar personalisht për rastin Çabej në vitin 1952[20], tej dyshimit të tij për rastin e lirimit të së internuarve, për të cilën ai e cilëson “tradhtar” dhe përkon me kohën kur është hapur dosja;
  • përpjekje të dikujt me pushtet (ndërhyrë ndoshta nëpërmjet zv/Ministrit të Brendshëm, F. Shehu, i cili ishte interesuar personalisht për rastin[21]), për të ri-hapur dosjen e Çabej, duke yshtur një operativ që kishte punuar në Vienë kur Çabej ishte për vizitë atje[22];
  • Sipas Vehbiut (Komunikim Personal, dhjetor 2017), Enver Hoxha e ka mbrojtur nga reprezaljet e Sigurimit. Së paku siç konfirmohet  nga dosja dhe familjarët e ngushtë të tij, gjatë hetimit të S. Kasimatit është lakuar emri i Çabej disa herë e ky ndoshta ka qenë i rrezikuar. Në një bisedë të Enver Hoxhës në Byronë Politike që përkon me periudhën e hapjes së dosjes dhe mbikëqyrjes së Çabej, ku flitet mbi kontrollin që duhet të ushtronte Partia mbi inteligjencien dhe Institutin e Shkencave në veçanti, Hoxha[23] shprehet:

“[sic] Unë mendoj se ne na duhet ta dimë mirë se cilat janë kuadrot që punojnë mirë atje dhe kjo jo vetëm me emrat dhe biografitë e tyre, por edhe me kapacitetin e tyre. Ne e dimë p.sh. se çfarë elementi është Eqrem Çabej, po duhet të përpiqemi që ta bëjmë të punojë. Këto kuadro KQ duhet t’i marrë edhe t’i studiojë mirë dhe këtë do të mund ta bëjë po të dijë se çfarë bëhet atje. Nëse nuk bërë gjë gjer tani ky nuk është faji i shokëve që drejtojnë atje, po ai i KQ. … Ju të agit-propit duhet të interesoheni vetëm që të zbatohet vija e partisë në Institutin e Shkencave.”

Të vërteta të pavërtetueshme

Sipas prezantimit të veprës nga botuesi[4], rrëfimi është “bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë, dhe ndonëse i hetuar për një kohë tepër të gjatë, herë haptas e më së shumti në fshehtësi, e vërteta e darkës ka mbetur ende sot e pashpjeguar plotësisht.” Një trillim historik që mëton të bazohet mbi fakte, thotë A. Manguel[5] në një reçencë të veprës, ku historia dhe mitologjia janë njësoj të pranueshme për të dëshmuar. Vetëm se, nëse mitologjia është e mirë për ti raportuar faktet, historia është më e mirë për ti ndriçuar ato (Manguel, po aty).

Dosja e Çabej është e deklasifikuar rishtazi nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, por ajo është publikuar pjesërisht në Gazetën 55 (2008[24]).

Duke përdorur metodat e një punëtori operativ mund të konkludojmë se Kadare ka pasur qasje në dosje bazuar mbi këto rrethana:

  1. Dosja është publikuar në vitin 2008, një vit pas publikimit të librit të Kadaresë.
  2. Ismail Kadare ka botuar më parë (Pasardhësi, 2003[25]) një libër me tematikë të ngjashme (vrasjen e Mehmet Shehut) me Fahrin Balliun, botuesi i Gazetës 55 (ndërkohë që kishte marrëveshje për botimin e veprave të tij me SHPB “Onufri”).
  3. Të interesuarit e dinë se Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit Qendror, ka miqësi të madhe me Fahri Balliun dhe ai boton rregullisht materiale të ngjashme në gazetën 55. Gjithashtu kam mundur të konfirmoj nga burime të besueshme se K. Dervishi e ka zotëruar dosjen në këtë periudhë.
  4. Besoj se R. Alimerko, emri që ka sigluar artikullin e hapjes së dosjes te 55, është një pen name i F. Balliut ose K. Dervishit. Ky emër ka shkruar gjatë periudhës 2007-8 vetëm në Gazetën 55 dhe ka të regjistruar 23 artikuj, nga këta 5 i ka për (kundër) Kasëm Trebeshinën (nr. 224-228) me të cilin ka fillua karrierën në shtyp (21 gusht 2007), dhe 8 artikuj për Çabej (nr. 258-257), me të cilin e përfundon (27 shtator 2008). Ndërsa stili administrativ i të shkruarit, që ngjason me shkrimet e tij të mëparshme, të çon tek njëri prej tyre.

Në këtë dosje ka fakte (të konfirmuara këto nga disa burime), por edhe rrena e interpretime të gabuara për shkak se të orientuara. Edhe pse ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit janë krenarë për punën e tyre, mbrojtjen e regjimit dhe shtetit nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme, dhe për profesionalizmin në vlerësimin dhe trajtimin e riskut (Komunikim personal me një ish-punëtor operativ, 2017), është evidente se kontrolli politik ndaj organeve të sigurimit ka ndikuar ndjeshëm në rezultatet e tyre.

Dosjet e përgjimit në cilindo shërbim të inteligjencës janë të mbushura me thashetheme, raportime ziliqarësh, inatçorësh e të tjera reflektime të konflikteve ndërpersonale. Analistët e shërbimeve sekrete që interpretojnë faktet brenda një kuadri institucional, në logjikën e analizës së riskut ndaj sistemit, duhet të dallojnë faktet e relevancën e tyre (rrëfimin e ngjarjeve, bisedave e lidhjeve ndërmjet personave me interes) nga motivi i rrëfimit. Patjetër duke i dhënë rëndësi bashkëpunëtorit dhe motivit të tij personal që shërben si shtysë për bashkëpunimin e mëtejshëm.

E vërteta është si një lëng që merr shijen e enës së vetë. Kur analiza e operativit është e orientuar nga një politikë e brendshme, apo e paracaktuar nga një direktivë e caktuar, faktet përzgjidhen e interpretohen përkatësisht orientimit. Kur P. Cockburn[26] interpreton leximin e dosjes së të atit të tij, Claud Cockburn, i dyshuar nga MI5 (Military Intelligence Section 5, kundëspiunazhi anglez) si simpatizant sovjetik për shkak se i majtë, ku nuk mungojnë raportimet e paranojakëve, arrin në përfundimin se „më e rëndësishme nuk ishte mbledhja e fakteve, sesa zgjedhja për të vendosur se cilat prej tyre ishin domethenëse dhe të vërteta.“

Për Kadarenë, organet e Sigurimit nuk mund të dilnin nga një kuadër interpretativ i paranojës së sistemit, që i duhej të merrej edhe me ndodhi origjinën e të cilave ata nuk e kuptonin, të paraqitura në „Darkën e Gabuar“ si mite e fantazma që i kërcënojnë regjimit Deutungsmacht (pushtetin e interpretimit). Operativët e kanë të pamundur t’i japin kuptim fakteve të listuara. Pse të ngërthyer nga gjendja e gadishmërisë dhe e „banalitetit të së ligës“, atyre u mungon forca e imagjinatës, ose e mirësisë, për të kuptuar fundja një veprim human të Çabej, i cili ka ndërhyrë të shpëtojë bashkëkombësit e tij.

Faktet në libër, sikur edhe në Dosje, janë shenja që nuk organizohen në një hartë a sistem që lehtëson të kuptuarit. E vërteta, e pakuptuar, varroset në Dosje, së bashku me dëshmitarin e vetëm të saj, me një plumb pas koke. Faji edhe nuk mund të kuptohet fare, e fajtori të viktimizohet gjithësesi, ose pikërisht pse nuk kuptohet. Shprehet Kadare në „Darkën e Gabuar“:

 “Me kohë, ata e kapën se, përpara se të ishte fjala për ndonjë shenjë të mbinatyrshme, ai shpjegim që rrihte të shfaqej, nuk ishte i përshtatshëm për dosjet hetimore. Ai do të flakej nga çdonjëra prej tyre, siç flaket mishi i huaj, dhe kjo aspak për shkaqe misterioze, por thjesht ngaqë për shpjegime të tilla ende nuk kishte gjedhe të përgatitura as nga mjeshtëria e hetimit, madje, as nga vetë gjuha.” (Fq. 205)

Nëse historia e Gurametos të madh, gjinekolog, lë të mendosh se ai është modeluar sipas Çabej (etimolog), model i Gurametos të vogël mund të jetë vete Kadareja[27] (“shemrin [i] tij, Jud[a] dhe turp[i] [i] Europës, doktor Guramet[o] [i] vogël”, fq. 37). Oshilacioni i brohoritjeve e përkrahjes së popullit për këta të dy sipas ngjarjeve e interpretimit të imponuar nga pushteti, rivaliteti i këtyre figurave në kokat dhe për kokat e njerëzve, nënkupton konfliktet që Kadare e Çabej kanë pasur me grupime të ndryshme gjatë karrierës së tyre (të dy janë nga Gjirokastra, por në libër Gjirokastra përfaqëson të gjithë Shqipërinë), por edhe ndjesinë (=paranojën?) që kanë të tillë individë se po përndiqen e meritat e tyre nuk po njihen; ose, veprimet e tyre – sikur edhe darka e gabuar – keqkuptohen, mbivlerësohen apo keqvlerësohen.

„… rroftë Gurametoja i madh, nderi i qytetit. E, aty për aty, nuk harrohej i kundërti, Gurametoja i vogël, për të cilin, natyrisht, do të thuhej: poshtë i vogli, në ferr të vejë dhe turp i lagjes e i qytetit qoftë. …. Të shumtë ishin ata që thoshin se e kishin pritur t’i binte maska si filogjerman që ishte [Gurametoja i madh], në kohën që të tjerët e mallkonin si Judë të qytetit, e, aty për aty, nuk i kursenin lavdet për doktor Gurameton e vogël, atë të paktin, të vogëlthin, që rrinte si të gjithë, i përvuajtur, por hero, për besë, nder i dy Shqipërive!“ (fq. 32).

 


[1] Shih Corera G. (11 Shtator, 2011) Tinker Tailor Soldier Spy: John Le Carre and reality. BBC News. Marrë nga: https://www.bbc.com/news/magazine-14846154

[2] Kadare I. (2008) Darka e gabuar. Tiranë: Onufri.

[3] Pjesë të këtij studimi, çka fokusohet vetëm te rasti i Dosjes Çabej  dhe vëzhgimi i inteligjencies, është financuar nga prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe mbështetur nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit në Prill 2017.  Vepra mu e rekomandua që në fillim si e tillë, prandaj edhe leximi i saj ka qenë besoj i njëanshëm. Përderisa nuk munda ti shpëtoj kësaj perspektive gjate leximit, mendova të mundohem ta verifikoj këtë hipotezë.

[4] Shih Darka e Gabuar. http://bukinist.al/sq/sage-histori/3646-darka-e-gabuar.html

[5] Manguel A. (21 Shtator, 2012) The fall of the stone city by Ismail Kadare – Review. The Guardian: International Edition. Marrë nga: https://www.theguardian.com/books/2012/sep/21/fall-stone-city-ismail-kadare-review

[6] Manguel mendon se Kadare mund të jetë mbështetur tek skena përmbyllëse e Don Gjovanit.

[7] Dziak, John J. Chekisty: A history of the KGB. Lexington Mass.: Lexington Books,

1988.

[8] Platforma e Punës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme, 00014 C.F.R. (1977).

[9] Sa i përket rregullimit të veprimtarisë së Sigurimit nga Partia, në historikun zyrtar të Sigurimit, hartuesit i referohen rregullisht vendimeve të organeve kryesore të Partisë. Shih: Bare T. (1989) Historia e Armës së Sigurimit të Shtetit. Vëllimi VII. Ministria e Punëve të Brendshme. (Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, 2017).

[10] Po aty, fq. 4.

[11] Shih p.sh. mbledhjen e Byrosë Politike mbi kategorizimin e kuadrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (dt. 18.6.1949). AQSH, F. 14, V. 1949, D. 43.

[12] Dervishi, K. (2012) Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist. Tiranë: Shtëpia Botuese 55..

[13] Dervishi, po aty

[14] Cituar nga Dervishi rasti i arrestimit të N. Kerenxhit, ish-drejtuesi i parë i Sigurimit të Shteti. (fq. 9).

[15] Bare 1989

[16] Shih Bare, 1989, fq. 33. Në këtë periudhë ashpërsohet lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe ndiqen e dënohen një numër i madh personash, p.sh. numri i çështjeve penale të hapura u rrit me gati 60% nga periudha 1965-69 në periudhën 1971-74. Prej viti 1971 deri në 1974 u rrit numri i çështjeve të hapur mesatarisht me 1000 çdo vit.

[17] Dervishi, 2012, fq. 133. Urdhëri nr. 01/20 datë 19.08.1982 të MPB. Sipas Dervishit, dosjet më vonë u asgjësuan.

[18] Të dhënat mbi qeverinë janë marrë nga – Dervishi K. (2006) Historia e shtetit shqiptar : 1912-2005 : organizimi shtetëror, jeta politike, ngjarjet kryesore, të gjithë ligjvënësit, ministrat dhe kryetarët e shtetit shqiptar në historinë 93-vjeçare të tij. Tiranë: Shtëpia Botuese 55.

[19] Fq. 42 e Dosjes. Njëri deponim është shenjuar si i pavlefshëm.

[20] Janë dy referenca në Dosje: (1) Një raport i M .Shehut pa firmë e datë për rastin e të internuarëve ku e akuzon  Çabej si tradhëtar (fq. 69) ; dhe (2) një fletë raportimi i punëtorëve operativë mban shënimin se kërkesa për tu vendosur në përpunim aktiv vjen me porosi të Mehmet Shehut (fl. 14-15, dt. 6.10.1952).

[21] Në fakt është e vështirë të intepretohet drejtë forma e përfshirjes së udhëheqjes mbi dosjet, pasi referencat ose shënimet e tyre nëpër fletë mund të perceptohen edhe si forma te mikro-menaxhimit, që janë shumë prevalent në rastin e Shqipërisë. Kush ka punuar në administratë e di që edhe Kryeministrat ndërhyjnë ndonjeherë për raste të rëndomta që mund të trajtoheshin lehtë nëpërmjet respektimit të procedurave administrative.

[22] Me siguri dëshironte të kthehej sërish, çfarë mund ti ketë shërbyer si motiv për këtë raportim. Ndër të tjera operativi aludon se Çabej po prishte më shumë para nga kuota e tij dhe takohej me orë me persona të huaj (Dosja, fl. 180, dt. 13.8.1971, Xh. B, ish-deshifrant në Ambasadën Shqiptare në Vien).

[23] Mbledhje e Byrosë Politike”, (21 Shkurt 1950). AQSH, F. 14, V. 1950, D. 87, Fl. 26.

[24] Rushen Alimerko, “Si ndiqej EQ nga Sigurimi i Shtetit, Rushen Alimerko,” Gazeta 55. Shtator, 2008 (18.09.2008, 15-17; 20.09.2008, 16-17; 21.09.2008, 16-17; 23.09.2008, 16-17; 24.09.2008, 16-17; 26.09.2008, 16-17; 27.09.2008, 16-17).

[25] Tiranë: Shtëpia Botuese 55.

[26] Cockburn, P. (8 Qershor, 2018) “After assessing MI5’s files on my father, it’s clear that not all facts are equal”. Independent. Marrë nga: https://www.independent.co.uk/voices/mi5-files-fake-news-prevent-programme-newspapers-patrick-cockburn-a8389581.html

[27] Historia përfundon në 1953, vit kur Kadare publikoi tregimin e tij të parë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.