DE RADA MIDIS POEZISË DHE … MATEMATIKËS

Nëpër faqet e dosjeve të shumta të J. de Radës në Arkivin e Shtetit të bien në sy një sërë të dhënash që kanë mbetur pa tërhequr shumë vëmendjen e njohësve më të mirë të poetit të Makjes. Shumë dorëshkrime të tij, veçanërisht ato të rinisë së hershme, të themi nga mosha 15-20 vjeç, janë të mbushura anash me formula të ndryshme matematikore. Ishte kjo që na shtyu të kuptojmë më mirë pasionin e tij të hershëm për matematikën. Dhe ato pak kërkime që bëmë na njohën me të dhëna që mund të cilësohen si krejt të pazakonshme.

Së pari të bie në sy kujtesa dhe aftësia e De Radës për të kryer veprime të ndërlikuara matematike. Bashkëkohësit e tij, në disa shënime të shkurtra, thonë se poeti ynë i ardhshëm gjatë viteve të shkollës ishte në gjendje të shumëzonte përmendësh edhe numra natyralë prej shtatëmbëdhjetë shifrash dhe të nxirrte saktësisht shumën e tyre prej disa bilionësh. Të dhëna të tjera vërtetojnë se ai në rininë e tij kishte fuqi kujtuese ende më fenomenale për të kryer veprime mjaft më të ndërlikuara, siç do të shohim.

Këto cilësi të De Radës, më saktë zhvillimi i tyre i mëtejshëm, nuk mund të kuptohen të shkëputura nga ajo vatër dijesh siç ishte seminari i Shën Adrianit, ku ai kreu shkollimin e tij. Ndryshe nga shumë shkolla tradicionale të kohës, ku mësimdhënia e matematikës përqendrohej në njohuritë që jepnin kryesisht matematikanët e lashtësisë (sot nuk e kujtoj nga e kam nxjerre këtë përfundim), në Shën Adrian nuk kishte paragjykime nga trupa pedagogjike për futjen në programe të koncepteve matematikore moderne që kishin marrë zhvillim të madh në fillim të shekullit të XIX, veçanërisht me punimet e Gausit dhe të të tjerëve që kishin kryer një revolucion të vërtetë.

Kjo është njëra anë. Tjetra ka të bëjë me aftësitë nxënëse të De Radës, me vendin që zinte midis nxënësve të Kolegjit. Se e vërteta është që në fillimet e tij ai nuk u shqua aspak për ndonjë aftësi të madhe përvetësuese. Madje, në fund të vitit të parë në kolegj (pasi ngeli në klasë), Mikel Belushi, drejtori i Shën Adrianit e këshilloi të atin e tij që ta hiqte fare nga shkolla dhe ta mbante të birin në shtëpi ku kishte më shumë shanse të ishte më i dobishëm duke u marrë me punët e bujqësisë (shkurt, të ruante delet). Por Mikel de Rada, i ati i poetit të ardhshëm i kërkoi edhe një vit provë, që të bindej për paaftësinë e të birit për t’u marrë me punë mendjeje. Pikërisht, vitin që përsëriti, de Rada pati ecuri mjaft të mirë dhe në përfundim të Kolegjit cilësohej si krenaria e tij. Drejtori tashmë e mbante gjithnjë pranë vetes.

Tamam në ato vite atij i lindi ai pasioni i fuqishëm për matematikën, që siç thotë vetë ishte “jo më pak i zjarrtë se ai për letërsinë”. Dhe pati mëdyshje të fortë për të zgjedhur midis poetit e matematikanit.

Me sa del nga shënimet e tij autobiografike, dashurinë për matematikën atij do t’ia ketë ngjallur profesor Gaetano Çerri nga Marturano. Fillimisht ai kishte dhënë lëndën e matematikës në Institutin Nunciatello të Napolit, por duke qenë se qe dikush i ushqyer me idetë e Revolucionit Frëng dhe madje kishte marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1821 (i cili pati si forcë lëvizëse organizatën konspirative të karbonarëve), që dështoi si pasojë e ndihmës që Burbonët e Napolit morën nga Aleanca e Shenjtë. Në përfundim të këtyre ngjarjeje tragjike prof. Çerri ia mbathi nga kryeqyteti i Mbretërisë së dy Siçilive dhe gjeti strehim në Kalabri, ku jepte mësim në Shën Adrian.

Duke qenë se kishte mjaft pasion lëndën e tij, ai mbante lidhje me matematikanët më në zë të kohës. Madje në disa raste ua merrte që në dorëshkrim studimet të cilat ua paraqiste nxënësve të tij të Shën Adrianit, ndërkohë që bëhej fjalë për teori që nuk dihej se ç’fat do të kishin në të ardhmen.

Në një rast, pas gjeometrisë plane të Euklidit dhe gjeometrisë së trupave të ngurtë, ai u shpjegoi nxënësve të tij leksionet konike të Karavelit (mbase duhet të jetë fjala për leksionet sferike të Vito Caravelli-t), që e kishte pasur mik, siç thuhet. Por nxënësit hasnin vështirësi në të kuptuarit e tyre, sepse nuk kishin njohuri të mëparshme për teoritë e tij (sot ai cilësohet më fort si reformator i mësimëdhënis së matematikës në Mbretërinë e dy Siçilive).

Për këtë ngjarje De Rada shkruan: “Në nëntor 1832 profesor Çerri thuajse i dëshpëruar më thirri në dërrasë të zezë dhe pasi e shpjegoi lëndën në mënyrë të shkoqur, si mjeshtër që ishte, kërkoi që ta përsërisja edhe unë. Unë e përsërita por me disa pasaktësi të vogla. Këtë pastaj e hodha në të pastër në sallën e studimit dhe ua kalova shokëve për ta mësuar”.

Eshte tamam kjo periudhë kur ai vazhdon ta studiojë në mënyrë më të ethshme matematikën dhe nuk ngurron të mbushë anët e fletoreve të tij me figura gjeometrike dhe formula matematike. Si një fakt jo të zakonshëm (sepse me të vërtetë i tillë është, të paktën për mua), përmendim se ai arriti kulme të tilla saqë mund të nxirrte përmendësh rrënjën katrore të një numri me njëzet e katër shifra, numër ky që po të shkruhet, i bie të jetë prej disa biliardësh.

Dhe për hir të së vërtetës duket thënë se një rast i tillë mbase nuk është unik në botë, por ama mbetet tejet i rrallë.

Biografi bashkëkohës i de Radës, M. Markianoi (që ishte edhe kushëri i tij i largët, më duket), përmend dy tre raste të tilla, gjë që provon se ai kishte me të vërtetë talent të rallë në këtë fushë.

Thamë në fillim se De Rada dikur ka ndjerë mëdyshje për të zgjedhur midis matematikës dhe poezisë. Por mbase kontradikta do të ketë qenë vetëm në dukje. Nuk janë të rrallë ata që shohim mjaft poezi te matematika dhe e kundërta, matematikë te poezia.

(c) 2018, autori. Shkruar në 1983.

……………….

Gjatë një vizite të shkurtër të këtyre ditëve në Tiranë gjeta një dosje shkrimesh të fundit të viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80, ca të botuara e ca jo, sikundër ky shënim i sotëm. Me erdhi mirë për këtë gjetje, se kisha nisur të vras mendjen se me se e kalonim gjithë atë kohë të lirë në Tiranën e atyre viteve.

Arsyeja e vërtetë e vajtjes në Tirane kishte të bënte me nje kërkesë të botuesit  për të qenë i pranishëm në paraqitjen e romanit tim Habia, gjë që nuk e kundërshtoja në respekt të investimit që kishte bërë ai për atë libër. Veçse nuk doli të jetë prani shumë frutëdhënëse. Në stendë u paraqitën vetëm disa kushërinj të mi të largët, të cilët kishin lindur pas ikjes sime. Duket diku do të kishin dëgjuar për emrin tim dhe kureshtia me sa duket i shtyu të njiheshim, të paktën si fytyrë. Mua më erdhi keq që me këtë rast ata do të detyroheshin ta paguanin këtë njohje edhe duke blerë ndonjë libër, se i gjithë stoku administrohej nga studente që ishin pajtuar si shitëse për ato ditë. Një herë mendova t’u propozoja që  t’ju kthej leket më vonë, veçanërisht po të mbeteshin të zhgënjyer nga romani, por as këtë nuk e bëra, se terthorazi do t’i detyroja ta lexonin. Gjë që mund t’i nervozonte.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.