DETI QË THAHET

“Mëmëdhe quhetë toka/ku më ka rënurë koka,” shkruante dikur Çajupi, për të vazhduar me vargjet që ia njohim të gjithë. Po çfarë është atdheu, përtej dheut ku kemi mbirë si shqiptarë? Për disa, asgjë më tepër se sipërfaqja gjeografike që i brendashkruhet kufirit shtetëror; real ose imagjinar. Për disa të tjerë, hapësira kulturore e shqiptarisë – ose vendi ku kultivohen vlerat shpirtërore dhe etike të shqiptarit. Të tjerë akoma, e kanë atdheun te gjuha shqipe (për hebrenjtë dikur kanë thënë se e kanë atdheun te një libër, Bibla).

Nuk kalon javë pa lexuar në shtyp ndonjë artikull ose ndërhyrje për kufijtë: detarë të Shqipërisë me Greqinë, të Kosovës me Malin e Zi dhe tani me Serbinë, e kështu me radhë. Edhe ne në Peizazhet e kemi bërë, me vetëdijen se ka dobi, sidomos kur problemi trajtohet me kompetencën e duhur teknike. Por pa harruar, megjithatë, se kufiri nuk është veçse një vijë, që ndan tonën nga e tyrja: meqë zbatohet ndaj hartës, ka gjithnjë diçka nga demarkimi i pronës, diçka agrare në mos mirëfilli fshatare. Ka njerëz që për të mbrojtur “kufijtë” janë gati të lënë kokën, njëlloj siç vriten e gjakosen ata që zihen për pronën – madje edhe kur pronën e lënë pastaj djerrë (të tjerë lënë djerrë hapësirën që u ka dhënë Perëndia brenda kafkës).

Qëllon pastaj të lexosh, por shumë rrallë, ndonjë lajm si ky që më zuri syri te “Dita” dje: “Popullsia e Shqipërisë ra me 17.4 për qind vetëm gjatë vitit 2018.” Artikulli u referohet të dhënave të INSTAT-it, që po i marr të mirëqena (edhe pse me shtypin shqiptar duhet gjithnjë guxim i çartur, që t’u besosh lajmeve: gjithsesi, pas një verifikimi në faqen e INSTAT-it, rezulton që 17.4% të ketë qenë rënia e shtesës natyrore të popullsisë): shqiptarët ikin, zakonisht mërgojnë gjetiu, ose rinia që shkon të studiojë jashtë; por popullsia ulet edhe ngaqë ulet numri i lindjeve. Për mua, ky është atdheu që gërryhet nga erozioni social; por nuk shoh gjëkundi ndonjë alarm për këtë katastrofë që i ka rënë në kokë Shqipërisë.

Qëndrimi zyrtar i qeverisë Rama është se të paktën ikja e shqiptarëve është efekt anësor i natyrshëm i hapjes së kufijve – dhe se qytetarët janë të lirë të qarkullojnë sipas dëshirës. Të tjerët, përfshi këtu edhe hiper-patriotët, nuk dinë si t’ia faturojnë këtë gjëmë ndonjë armiku të jashtëm, prandaj nuk i kushtojnë dot rëndësi. Por mund t’i përfytyroj këta të fundit duke shkulur leshrat, para një lajmi të tipit “Kufijtë detarë të Shqipërisë tkurren me 17.4 për qind vetëm gjatë vitit 2018.” Nuk do të gjendeshin dot mjekë, që t’u bënin autopsitë të vetëvrarëve, pa folur për të rënët në fushë betejë dhe të vdekurit e tjerë kolateralë.

“Prej vitit 2001, popullsia e Shqipërisë ka rënë me të paktën 300 mijë banorë”, thuhet në artikull. Unë e kam të vështirë t’i përfytyroj 300 mijë vetë: më lehtë e kam të përfytyroj numrin e protestuesve në protestën e fundit të opozitës. Pa çka se edhe këta 300 mijë që ikin, përfaqësojnë një protestë nga më tronditëset: njerëz që ikin, sepse në Shqipëri – ose në vendin ku u ka rënurë koka – nuk jetojnë dot.

Për t’u ngushëlluar: “Tirana, si qendra e zhvillimit ekonomik dhe politik, vazhdon shtesën me 12 për qind në vit.”

Kjo zbythje e përgjithshme e gjeografisë, përballë urbanizimit, nuk shoqërohet nga ndonjë riformulim i shprehjeve publike të patriotizmit. Sërish dëgjon dhe lexon mburrje se “kufijtë tanë na i ruan NATO-ja”; për fat të keq, kufijtë e siguruar nuk vlejnë as një metelik, për ata që vendosin t’i kalojnë me biletë një-udhëshe.

Klasës politike vërtet i duhet të shqetësohet për integritetin gjeografik të vendit – por prej saj qytetarët presin, para së gjithash, që t’u sigurojë shpresën për të ardhmen, të tyren dhe të fëmijëve. Përndryshe, një i ri që largohet nga vendi, për ta kërkuar fatin gjetiu, nuk mund të ngushëllohet me faktin që të paktën detin nuk do të lëmë njeri të na e marrë.

Shqipëria po zbrazet. Edhe në kuptimin që shqiptarët po ikin, edhe në kuptimin që shqiptarët po e ndryshojnë konceptin për vendin ose territorin: dhe këtu kam parasysh edhe të gjithë ata bujq, të cilëve çdo vit u kalben me mijëra ton produkte, sepse nuk arrijnë dot t’i sjellin në tregjet e Tiranës, ku shiten lirisht fruta dhe perime nga ekonomitë fqinje.

Edhe të gjitha ato familje – me dhjetëra mijëra – që nuk arrijnë dot të sigurojnë punësim ose kujdes shëndetësor dhe arsimor në zonat ku jetojnë.

Çfarë është, pra, atdheu? Do të guxoja këtë përkufizim: është ai vend, ku fëmijëve në shkollë u mësohet ende vjersha e vogël e Çajupit, që citova në krye të shkrimit:

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.

Në sa shkolla vargjet e Çajupit nuk do të mësohen dot më tash e tutje, sepse nuk do të ketë më fëmijë as mësues? E kam kështu si pyetje, se nuk gjej dot paqe, sa herë që hapen ca tema…

Dhe tani që e hoqëm këtë siklet-muhabet, si ishte ajo puna e kufirit detar?

© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.