DISIPLINË DHE NDËSHKIM

nga Gresa Hasa

Çdo vit përpara festave të nëntorit, mësuesja e fillores (me rreptësinë karakteristike të mësueseve të fillores), do të rrekej me mish e me shpirt të na përgatiste denjësisht për festën e ditës kombëtare, gjë që na bënte të ndiheshim pjesë e një misioni të pashmangshëm. Pasi t’ia kishte dalë të na vinte në rresht për një, me zërin e ashpër dhe vështrimin që mua s’më dukej aspak ftues, do të na detyronte të këndonim Himnin e Flamurit. Gjithçka tingëllonte solemne, tepër serioze dhe e rëndësishme ndaj, gjatë përgatitjeve askush s’pipëtinte. Shihja shoqet dhe shokët e mi të klasës që, ca me sy të zgurdulluar nga habia, ca nga frika, ndiqnin me vëmendje çdo urdhër të saj për mënyrën si duhej performuar kënga. Sipas mësueses sime, zëri ynë duhej të dilte i plotë nga thellësia e kraharorit, se fundja po i këndonim pikërisht flamurit dhe ky përkushtim (i imponuar) do të përthyhej si gatishmëri për të nxjerrë nga brenda jashtë gjithçka… Shfaqja duhej të ishte e përkryer para spektatorëve që do të ishin prindërit tanë, stafi pedagogjik i shkollës dhe me raste, ndonjë politikan ose ambasador, aleat i drejtoreshës sonë sqimatare: kësaj zonje të hekurt, të angazhuar njëlloj si mësuesja kujdestare në përgatitjen e brezave që nesër-pasnesër do t’ia zbardhnin faqen kombit. Paçka se, në rastin e saj, bëhej fjalë thjesht për kryerjen e adetit diplomatik ndaj kombit fqinj (duke qenë se studioja në një kolegj grek në Tiranë, drejtoresha ime ishte greke, çka do të thoshte se më 25 mars do të përsëritnim pothuajse të njëjtin ritual me himnin grek).

Mua më dukej se s’haja pykë nga puna e himneve (lëre më nga të kënduarit). Nuk e kuptoja shenjtërimin e një copëze teksti që as më frymëzonte, as më thoshte realisht diçka. Besoja që nuk kisha talent dhe për dreq, as dëshirë për t’i dhënë ndonjë shans vetes në këtë mjedis asfiksues dhe të rrethuar nga mure autoritare. Nga ana tjetër, ndihesha në faj: as krenaria, as përdëllimi nuk më vinin në ndihmë, qoftë tek ai që ma kishin paracaktuar si himnin tim, qoftë te ky himni i tjetrit. S’kishte pikë krenarie aty; por përkundrazi, një ndjesi turpi e ngatërruar me bezdisjen kishin ngritur folenë tek unë. Pse duhej të ishin doemos krenarë ata mes nesh që identifikoheshin si shqiptarë dhe ata të tjerët që identifikoheshin si grekë? Mua më dukeshin të gjithë njësoj. E ç’kuptim kishte krenaria? Kam frikë se dikur ia bëra këtë pyetje mësueses por përgjigja që mora ishte një justifikim i çalë, i shpejtë dhe akoma më i paqartë.

Për më tepër, salla e vogëlth e provave më mërziste pafundësisht. Uniforma jonë e errët po ashtu. Edhe muret e pastër, ku s’shihje as edhe një merimangë të vetme, pas së cilës ta përqendroje vëmendjen qoftë për pak çaste. Njëlloj të mërzitshëm ishin flamujt e vegjël kuq e zi dhe bardhë e blu që duhej të valëvisnim. Më dukeshin kaq të rëndomtë. Edhe klasa më dukej e tillë, e gjithë godina dhe fryma e shkollës. Megjithatë, me kalimin e kohës përftova një marifet që më ngazëlleu pamasë: teksa në kor nxënësit këndonin fuqishëm, unë e shqyeja gojën në mënyrë tejet dramatike a thua kushedi se ç’nota do kapja ashtu, për t’u hequr se kinse po përpiqesha me shpirt për flamurin, por ndërkaq nuk bëzaja fare. Asnjë tingull nuk dilte nga goja ime! Kësisoj, mësova të mos lodhem në një aktivitet ku qartazi nuk kisha dëshirë të merrja pjesë. Fakti që askush s’e vuri re një gjë të tillë edhe më argëtonte edhe më irritonte. Më argëtonte sepse e ruante proçkën si njëfarë kundërvënieje të fshehtë, një kundërvënie personale që si përkiste askujt tjetër veç meje. Dhe më irritonte sepse dreqi e marrtë, kjo lojë tallëse ose ky refuzim për t’iu nënshtruar këndimit në rresht, i drejtohej të gjithë stafit që na mbante pas mësimi për një gjë të tillë.

Gjithsesi, gjatë javëve interesi im do të venitej edhe ndaj mimikës së ekzagjeruar dhe të pagojë që më pëlqente të besoja se e kisha shpikur. Do ta degdisja atë te krejt gjërat e tjera boshe që ua kisha paracaktuar tash vendin. Ndaj, vendosa që ta angazhoja veten në një proces ku të paktën të mos rëndesha shpejt: te kuptimi i teksteve që deri atëherë thjesht i përsërisja përmendësh pa ua vënë veshin.

Himni ynë qartazi u këndohej heronjve që në historinë kombëtare tonën ishin një tufë burrash. Burra të fortë, gjigandë – me mustaqe i përfytyroja unë disa syresh – burra të tmerrshëm (siç iu ka hije burrave xhanëm), të gatshëm për t’u vetëflijuar dhe që s’u bënte syri tërr! Nuk e mohoj që rileximi i disa vargjeve në krijimin e Aleksandër Stavre Drenovës (edhe ky burrë) ma rrëqethi mishin. Përjetimi i këtij emocioni të ri më dha shpresë. Mbase, më në fund, ia kisha dalë ta rrokja himnin si gjithë bota, si gjithë bota kuq e zi me një fjalë. Por më mundonte diçka: mungesa e grave. Kjo mungesë e bënte këngën (më) të huaj për mua, të largët, s’identifikohesha kund me të; nuk më bashkonte asgjë përveç gjuhës (madje edhe për këtë kisha dyshimet e mia sepse gjuha e himnit ishte ndryshe nga e imja; në gjuhën dhe botëkuptimin tim kishte vend për gratë, jo si në himnin tonë që s’tingëllon sikur të na përkiste të gjithëve).

Kur këta burra derdhnin gjakun lëndinave e kështjellave që të na mbronin territorin dhe nderin, çfarë bënin gratë? Ku ishin? Të ishin ato kaq indiferente ndaj armiqve e luftërave të tmerrshme që – sipas përshkrimeve mitike historike – me gjithë këta të vrarë e të humbur në betejat e kryengritjet, po e reduktonin popullin shqiptar në një popull pa burra? Si mund ta lejonin burrat këtë?! Pështjellimi më ishte rikthyer sërish. Vendosa të hedh një sy te himni grek, mos ndoshta e njëjta gjëmë ndodhte edhe aty e çoç fitoja ndonjë përgjigje, se mbase dhunimi e vrasja e burrave ishte fenomen që s’ndodhte vetëm në anët tona.

Himni grek u thurte lavde lirisë dhe grekëve të cilët gjithashtu ishin fillimisht burra, pastaj heronj ose ishin heronj ngaqë ishin burra…  Nuk isha gabuar.

Σε γνωρίζω από την κόψη Unë të njoh nga tehu i shpatës
Του σπαθιού την τρομερή, Që mbjell terrin në shkëlqim,
Σε γνωρίζω από την όψη,                                                      Nga buçima e shtrëngatës
Που με βιά μετράει τη γη.                                                     Që çan tokën me rrëmbim
   
Απ’ τα κόκκαλα βγαλμένη                                                   Dalë nga eshtrat stërgjyshore
Των Ελλήνων τα ιερά,                                                          Bekuar me shenjtëri
Και σαν πρώτα ανδρειωμένη,                                            Si dikur e më burrnore
Χαίρε, ω χαίρε, ελευθεριά!                                                  Mirë se vjen, ti moj Liri![1]


Edhe mes grekëve, vura re, liria paskësh qenë punë burrash! Nuk e dija nëse duhej të ndihesha mirë apo keq që gratë nuk flijoheshin por në fakt, unë s’e kisha idenë se ku ishin gratë që të hamendësoja nëse flijoheshin apo jo. Mbase ato hiqnin më keq se burrat që i kanoseshin njëri-tjetrit. Mbase jo. Asgjë s’është e sigurt kur ekzistenca s’është e sigurt. Iu riktheva disa herë himnit tonë. Më interesonte pasi intuita më thoshte se do të merresha më gjatë me të.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor
Kush është burrë, nuk frigohet
Por vdes, por vdes si një Dëshmor

Vargjet më linin të kuptoja se, ndryshe nga burrat, grave të paktën u lejohej të frikësoheshin. Por mësuesja ime – ajo që na detyronte t’i këndonim këto rreshta me përkushtim – s’dukej se frikësohej apo që t’i mungonte guximi. Kurse komshiu im, një burrë ky paçka se jo mbresëlënës, frikësohej dhe shpesh madje. Ai frikësohej nga macet në oborr, nga buria e makinave në rrugë, nga shamata jonë kur luanim deri vonë poshtë dritareve të tij, madje edhe nga hija e vet! A e bënte kjo gjë atë më pak burrë apo larg qoftë tradhtar të kombit? Vallë, të ketë patur burra të tillë si komshiu im gjatë luftërave ose atëherë kur u shkrua himni ynë? Po gra si mësuesja (unë isha e sigurt se ajo jo vetëm që mund të luftonte, por ishte e zonja edhe të përdorte pa kurrfarë droje ndonjë armë të rëndë për ta goditur armikun me po atë gjakftohtësi me të cilën na qëllonte ndonjëherë pëllëmbët kur gabonim në ushtrimet e matematikës)?

Pastaj, kjo që lindje tradhëtar s’ma mbushte hiç mendjen sepse e bënte tradhëtarin qenie krejt të mëshirueshme, në  mos të  brishtë si një i sëmurë pasi, ç’faj të kishte ai? Ashtu kishte lindur! Unë kisha besuar se dikush e mësonte tradhëtinë nxitur nga rrethanat dhe njerëzit e tjerë, pak a shumë si unë në mes të rreshtit, që e intimiduar nga Himni i Flamurit dhe akoma më tepër nga klithmat imponuese të mësueses, fshehurazi, isha detyruar t’i bëja bisht të gjithë shfaqjes sipas një zgjidhjeje të aty-për-atyshme që dukej shpëtuese (dhe ndoshta tradhëtare, nëse mësuesja do më kishte pikasur, mbase kështu do më kishte qortuar).

S’më dilnin llogaritë. Mërzia ia kishte lënë vendin një ankthi dhe parehatie të skajshme. Edhe pasi të kalonte festa kombëtare, edhe pasi t’i kishim mbyllur hesapet me shfaqjen për atë vit, miza e kureshtjes dhe pështjellimit kishte hyrë tashmë brenda sistemit fëmijëror të kokës time dhe po zukaste pothuajse dhunshëm. Çfarë tmerri! Kjo ishte sikur të bije nga shiu në breshër.

Trim burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror
Përjetë ai do të kujtohet
Mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

Drenova vazhdonte t’i binte fyellit të burrit përgjatë gjithë kësaj poezie apo kënge që e kishin bërë himn dhe askush, as mësuesja ime që s’i shpëtonte gjë, nuk e kishin vënë re ngatërresën apo pasaktësinë e këtij teksti që supozohej të bashkonte një mëhallë të tërë. Në provat e ardhshme, me himnin të shkruar në letër, isha përgatitur seriozisht t’ia dëftoja mësueses këtë gjë (plot krenari të ligjshme, meqë gabimin e Drenovës e pata zbuluar vetë) por sapo iu afrova, me buzën vesh më vesh, piskama dhe vështrimi i saj i vëngër më kthyen gati-tu e në rresht ku menjëherë kënga rifilloi akoma më vrullshëm, duke më alivanosur. Dukej sikur forca të padukshme konspironin rreth e përqark meje që të mos hapej diskutimi për himnin. Çfarë makthi!

Ajo që nuk kuptoja realisht atëherë e për të cilën s’do më binte në të deri vonë, ishte se e ashtuquajtura ndërgjegje kombëtare e ngjizur në ato kushte laboratorike dhe prangosëse në të cilën gjendet arsimi në Shqipëri tash sa kohë, do t’i çelte frytet më vonë, te një tjetër brez i bindur, i heshtur, i përgatitur dhe i edukuar të ndjekë në kor, në radhë, symbyllazi, autoritetin gjithëpërfshirës, i cili jashtë dyerve të shkollës thjesht sa ndërron maskën: atë të edukatorit e zëvendëson me atë të udhëheqësit ose kryefamiljarit (jo patjetër në këtë rend). A s’ka dështim dhe mjerim më të madh për një shoqëri, një shtet, madje edhe për një komb nëse do të përdorim një referencë nacionaliste, se shkatërrimi i mundësisë për të menduar e ngritur pyetje që institucionet e edukimit, të të gjitha statuseve dhe natyrave, ia kanë dalë të riciklojnë nën surratin sa të një pushteti mpirës, po aq të një tjetri? Si mund të zhvillohet drejt një shoqëri kur nacionalizmi dhe patriarkalizmi, dikur nën tutelën e socializmit shtetëror dhe më vonë të kapitalizmit, ngjizen, rriten, mitizohen e shenjtërohen bankave të shkollës, për t’u shndërruar në legjitimimin e çdo shoqërie që në themel të vetes vendos poshtërimin e njeriut nga njeriu, pabarazinë dhe dallimet e paqena? Por mbi të gjitha, kujt i hyjnë në punë sot këngë të tilla patetike që ndër të tjera, supozohet t’i referohen të gjithë bashkësisë shqipfolëse, por përfundojnë duke glorifikuar vetëm gjysmën e saj, gjysmën e idealizuar mashkullore sipas imagjinares së përçudnuar patriarkalo-nacionaliste? Si na shërbejnë ne këto tekste mitike që prej një moshe të njomë na është tërhequr veshi të mos i kundërshtojmë, të mos i kritikojmë, të mos u qasemi ndryshe përveçse emocionalisht, me emocione madhështore madje?

Ky nuk është një tekst që bashkon e që lëvdon vlera njerëzore (të specifikuara këtu edhe te shqiptarët), siç do të ishin liria, toleranca, dashuria. Ky është një tekst diskriminues, paranojak dhe agresiv. Përpos se e redukton të gjithë idenë e kombit në gjenitalet mashkullore, ka një perceptim po aq shqetësues mbi armikun, madje është i fiksuar me të: kundërshtarin-armik e kërkon dhe e gjen jo vetëm së jashtmi por edhe mes veti, tek ata që s’janë mjaftueshëm burra; po aq, edhe tek ata që e kundërshtojnë këtë mendësi infantile dhe dashakeqe. Në këtë kuptim, për hir të ironisë së rastit, i bie që Enver Hoxha të dalë atdhetar i flakët sepse teksa i kanosej armiqve të jashtëm, nuk la “armik” të brendshëm pa hequr qafe.

Shkruan Vehbiu tek artikulli “Pamje të tradhtisë”: “Teksti i himnit jo vetëm gjen kohë të ndëshkojë tradhëtorin, por edhe i jep kësaj dukurie një shpjegim gjenetik-antropologjik, sa kohë që sqaron se prej lufte largohet veç ai “që është lindur tradhëtor” (tradhëtori lind, nuk bëhet; agjenturave të huaja u mjaftojnë regjistrat e gjendjes civile). Ky tradhëtor, që ka lindur i tillë, e “tradhton” veten ngaqë nuk lufton – ndoshta ngaqë frikohet (me përkufizim tradhtari është edhe frikacak; ose e kundërta, frikacaku tradhtar); ndërsa ai tjetri, burri, vdes si një dëshmor.

Alternativa midis atij që ia mbath nga fusha e luftës, dhe këtij tjetrit që vdes si burrat, është e rreme; tek e fundit, po të ndodhë ashtu, nuk do të mbetet njeri gjallë, për ta kënduar himnin.”

Ka ardhur koha, madje shumë jemi vonuar, që higjienën nacionaliste ta zëvendësojmë me higjienën intelektuale ku përpara se të vazhdojmë të përsërisim si fëmijë të vegjël çdo gjë që na ofrohet për e mirëqenë, të provojmë të ngremë disa pyetje se mbase kështu do ta kuptojmë më saktë veten dhe shoqërinë ku përkasim. Përpara se të krijojmë një himn tjetër, më njerëzor dhe përbashkues (nëse një himn është me patjetër kaq i nevojshëm), s’do të ishte keq sikur këtë aktualin, këtë krijim më të vjetër se 100 vjet tashmë dhe jo aq të vyer sa ç’na kanë detyruar të besojmë përherë se është, ta sjellim në vëmendje seriozisht, ta vendosim në sitën e kritikës, ta dekonstruktojmë dhe pse jo? Ta hedhim poshtë po s’na pëlqeu ose po nuk na vlejti.

(c) 2018, autorja.


[1] Përktheu nga greqishtja Arqile Garo

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.