DORA E NGROHTË

Shfletoj ca nga librat që kam rreth e rrotull në shtëpi në Tiranë. Vepra nga autorë të huaj, të përkthyera në shqip, që për ndonjë arsye ose ndonjë tjetër kanë përfunduar tek unë – ca të blera, ca të dhuruara.

Lexoj në faqet e copyright-it:

Ky projekt realizohet falë ndihmës financiare të Komisionit Europian.

Kjo vepër u botua me ndihmën e Ministrisë së Arsimit, Kulturës dhe Sporteve të Spanjës.

Botimi i këtij libri u mbështet nga Instituti Francez në kuadër të programeve të tij të ndihmës për botime.

Ky botim u mbështet nga Österreichische Kooperation in Wissenschaft… [etj.]

Botimi i këtij libri është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ky libër u përkthye falë ndihmës financiare për përkthim, lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane.

E kështu me radhë: ky libër u mbështet, ky libër u ndihmua, ky libër u financua, ky libër u pagua…

Mund të mbushja faqe me këto pohime dhe të bëja statistika; por po mjaftohem këtu të spekuloj se një numër i madh botimesh nga gjuhë të huaja, që hidhen në tregun e librit shqip – me përjashtim të best-sellerëve tip Danielle Steel dhe të projekteve hobby individuale (“do ta përkthej vetë Nietzschen”) – financiarisht e sjellin bukën me vete.

Pastaj i marr këta libra, që i ka mbështetur krej harta e botës me gjithë OKB-në brenda, dhe u shoh çmimet. Siç e prisja – sepse një pjesë edhe i kam blerë vetë – çmimet janë të njëjta me ato të librave të tjerë, të themi autorëve vendës (librat e mi, për shembull).

Pyes veten: atëherë çfarë është mbështetur këtu?

Sepse për nga cilësia e letrës ose e tipografisë ose e libërlidhjes ose e kopertinës, asgjë nuk i dallon këto produkte nga të tjerat – ato që nuk gëzojnë mbështetjen e NATO-s dhe të Frankofonisë.

Dikush do të priste që serumet financiare t’i kalonin drejtpërdrejt publikut, si zbritje çmimi: por kjo nuk ndodh (besoj se nuk ndodh).

Dikush tjetër do të gjykojë se paratë e dhuruara nga ambasadat, institutet, ministritë dhe komisionet u shërbejnë botuesve për të mundësuar nxjerrjen në treg të librave të autorëve shqiptarë, mes tyre edhe unë (“nuk po shitet hiç”).

Në atë rast, edhe në librat e mi duhej të shënohej që “ky libër është mbështetur me ndihmën – e tërthortë – të Institutit Suedez të Bukinistikës”. Por as këtë nuk e kam parë gjëkundi.

Ndonjë keqdashës, do të thoshte se me ato të ardhura mbahen shtëpitë tona botuese si biznese fitimprurëse (a pensar male si fa peccato ma ci si azzecca).

Nuk kam ndonjë provë për këtë; aq më tepër që “dihet” se shtëpitë botuese i mban mbi ujë libri shkollor.

As jam në gjendje të them nëse këto burime financuese kanë ndikim në zgjedhjen e titujve që përkthehen. Me logjikë, një institucion publik i një shteti të caktuar u shërben interesave të atij shteti, përfshi këtu edhe interesat kulturore; të cilat jo doemos përkojnë me interesat e kulturës pritëse.

Më duket e vështirë, për shembull, që “Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë” të mbështetë përkthimin në shqip të një libri amerikan që vë në dyshim versionin shpjegues zyrtar të 9/11.

Por mund ta kem gabim.

Në disa raste thuhet shkoqur se me paratë e financimit është mbështetur përkthimi – jo botimi. Edhe unë kam përfituar ndonjëherë nga bujari të tilla, dhe jam paguar për përkthime shuma që, si autor, as do t’i kisha parë në ëndërr.

Çfarë më ngushëllon këtu është se edhe autori i librit që kam përkthyer (në rastin tim, Lacan-i), nuk ka marrë asnjë kacidhe nga shitjet e librit të tij të përkthyer në Tiranë.

Sikurse nuk ka marrë asnjë kacidhe enti që e pat financuar atë përkthim.

Edhe atëherë kur paratë dihet kush i jep, sërish nuk dihet mirë kush i fut në xhep.

Tani, për të kaluar nga fusha e spekulimeve në realitet, gjasat janë që në Shqipëri, për një kategori librash, shtëpitë botuese gjithnjë të dalin me humbje: ngaqë publiku mbetet gjithnjë relativisht i vogël në numër, madje edhe për vepra që i drejtohen një mase të padiferencuar lexuesish.

Dhe nëse botimet nga autorë të huaj mbështeten haptazi nga shtetet dhe institucionet përkatëse, kam të drejtë të pyes se kush i mbështet autorët vendës dhe si.

Ndihma financiare publike deri më sot nuk ka munguar krejt; por modeli i kësaj ndihme mbetet i llojit demonstrativ: në kuptimin që nuk arrin të luajë ndonjë rol domethënës në nxitjen dhe kultivimin e produksionit letrar.

Institucionet që e kanë këtë barrë në Shqipëri nuk mund ta mbështetin librin shqip, brenda vendit, në të njëjtën mënyrë siç mbështetin përkthimin dhe botimin e librit shqip jashtë vendit.

(Për shembull: Shtëpia botuese që përktheu dhe hodhi në treg Ndërhyrjet e z. Shyti në Greqi përfitoi nga një ndihmë financiare e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë; por nuk do të kishte kuptim që, ta zëmë, Ndërhyrjet e z. Shyti në shqip të ishte botuar me ndihmën e Ministrisë së Kulturës ose të ndonjë institucioni tjetër të ngjashëm).

Prej kohësh kam sugjeruar që libri shqip (i autorëve shqiptarë) të subvencionohej nga fondet publike në momentin e shitjes me pakicë – në kuptimin që një pjesë e çmimit të përballohej nga ato fonde.

Kjo do të kërkonte edhe që të bëhej qartazi dallim midis librit shqip të përzgjedhur për botim nga vetë enti botues dhe librit shqip të botuar me mbështetjen financiare të autorit përkatës. Kjo mund të realizohej (a) duke e shpallur haptazi, mu në faqen e parë, që “ky libër botohet me financimin e autorit (tezes së autorit)” dhe (b) duke mos i lejuar shtëpitë botuese që të botojnë edhe ashtu, edhe kështu; ose duke e bërë të detyrueshme, me ligj, që botimet e tipit “vanity” (ose të paguara prej autorëve) të bëhen nga shtëpi botuese të specializuara për këtë punë.

Mbase ashtu do të mundësohej që edhe librat e botuar me paratë e ambasadave dhe të instituteve kulturore të huaja të botoheshin, po ashtu, nga të njëjtat shtëpi botuese të specializuara për vanity press. Dhe pastaj do të flasim prapë.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera elektronike. Lutemi bëjeni share në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.