Dorëshkrimet arabe të ruajtura në bibliotekën e BI të Kosovës

Mahmud Abdulkadër ARNAUTI(1)

 

DORËSHKRIMET ARABE TË RUAJTURA NË BIBLIOTEKËN E BI TË KOSOVËS

Mahmud Abdulkadër Arnauti

Mahmud Abdulkadër Arnauti

Kosova ka të drejtë të jetë krenare për ekzistimin e këtyre dorëshkrimeve arabe në njërën nga bibliotekat e saj të rëndësishme.

Vendosja e Perandorisë Osmane në Ballkan në përgjithësi dhe në Kosovë(2) në veçanti ishte faktori kryesor i ekzistimit të dorëshkrimeve të vlefshme arabe, të cilat sot ruhen me kujdes në bibliotekat nacionale dhe ato private, në të gjitha shtetet ballkanike. E gjithë kjo, ishte si përgjigje ose reflektim i përhapjes së fesë së pastër islame në këtë pjesë të madhe gjeografike dhe në atë periudhë kohore.

Nga faktorët kryesorë të përhapjes së fesë islame në vendet e Ballkanit ishte arritja e dijetarëve dhe misionarëve osmanë dhe përhapja e tyre gjithandej,në lindje dhe perëndim. Ata dhanë kontribut të madh në përhapjen e mësimeve islame duke u angazhuar në aktivitete të ndryshme nëpër xhami dhe shkolla, të ndërtuara në qytete e fshatra të Ballkanit nga ministrat dhe valinjtë osmanë. Gjuha arabe ishte gjuha e fesë islame, nëpërmjet saj janë kuptuar rregullat e Fesë së pastër islame dhe kërkesat e qëllimet e saj.(3)

Vendosja e Perandorisë Osmane në Ballkan në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti, u pasua nga një përhapje të konsiderueshme të gjuhës arabe, prandaj ishte e natyrshme që të përhapeshin edhe librat dhe dorëshkrimet në gjuhën arabe dhe osmane(4), në Ballkan, në përgjithësi, dhe në Kosovë në veçanti. Pasi u arrit të vendoseshin bazat e sigurta të shkencave islame dhe Astana(5) u bë qendra e Shtetit osman, prej atje edhe buronin librat me dorëshkrime arabe dhe osmane. Me kalimin e kohës, nëpërmjet kontributit të disa dijetarëve me origjinë nga vendet e Ballkanit, në përgjithësi, dhe nga Kosova e krahinat e tjera të Shqipërisë së vjetër(6) në veçanti, me një kontribut vetëmohues- u arrit të vendosej civilizimi madhështor islam, duke shkruar disa vepra të rralla në gjuhën arabe dhe osmane. Ky kontribut vazhdoi pandërprerë me një forcë dhe vullnet të paparë. Kjo vazhdoi derisa sabotuesit e komplotistët i ndaluan hovin dhe shkatërruan Perandorinë Osmane, dhe morën pushtetin anëtarët e Kuvendit (Asamblesë) për Bashkim dhe Progres në vend të Sulltanit osman. Ata mbollën përçarje dhe urrejtje ndaj Perandorisë Osmane nëpër rajone të ndryshme, duke i nxitur bijtë myslimanë që ta urrenin Perandorinë.

Kështu arritën që, me duart e tyre, t’i jepnin fund pranisë osmane dhe mbollën urrejtje të madhe te popujt myslimanë, duke urryer çdo gjë që quhej turke. Që nga ajo kohë e deri tash i dhanë fund dhe e mbyllën kapitullin e vëllazërisë islame në mes myslimanëve. Secili vend dhe shtet mori orientim në vete, secili u nda në vete, Allahut i takon çështja para dhe pas.(7)

Unë kisha fatin të shkruaja një libër të paparë më parë. Libri titullohet: “Dorëshkrimet arabe në Shqipëri”(8). Ky libër ishte rezultat dhe fryt i vizitës sime të parë në Shqipëri. Libri u pasua nga një artikull që publikova më pastaj, në të cilin shkrova me një koncept përmbledhës dhe të shkurtër e konciz për dorëshkrimet. Artikullin e publikoi e përditshmja “EL-Hajat”, që botohet në Londër, gjatë vjeshtës së vitit 1993. Librin, për të cilin po flitet, tani mund ta gjeni në internet, kushdo që është i interesuar për ta shfletuar.

Përpjekjet e mia modeste në përpilimin e këtij libri u mirëpritën dhe u përshëndetën e u çmuan jashtëzakonisht nga shumë dijetarë dhe hulumtues të ndryshëm.

 

Dorëshkrime të rralla

 

Më pastaj, gjatë qëndrimit tim në Siri dhe në Kosovë, më kanë pyetur shumë për dorëshkrimet (arabe) në Shqipëri. Gjithashtu, gjatë vizitave që kam bërë në universitete dhe qendra të ndryshme shkencore në vende arabe dhe evropiane, përgjatë tetëmbëdhjetë viteve që nga botimi i librit, jam pyetur shumë për dorëshkrimet në Shqipëri.
Kur u ktheva në Kosovë në fillim të vitit 2010, shkëlqesia e tij Hoxha Mr. Naim Tërnava, Myftiu i Kosovës, më angazhoi që dorëshkrimet arabe që gjenden të ruajtura në depot e BIK në Prishtinë, t’i përgatis dhe t’i koleksionoj e t’i fus në indeks. Unë nxitova dhe fillova përgatitjet menjëherë. Tani arrita që këtë punë ta përfundoj.

Gjatë kësaj pune arritëm të koleksionojmë një numër të konsiderueshëm të dorëshkrimeve të rralla në Kur’an (Kur’ani i shkruar me dorë), në hadith, fik-h, akaid, histori të Pejgamberit, në histori të përgjithshme, në gjuhë, në sintaksë, leksikografi, letërsi, dialog, logjikë, filozofi dhe mjekësi, shumica e të cilave janë libra të periudhës osmane. Disa sosh janë edhe më të vjetra, u takojnë shekujve më të hershëm se epoka e ndritshme dhe fisnike. Ka prej tyre që janë kopje, të kopjuara me dorë nga kopjues (shkrimtarë) të qyteteve dhe vendbanimeve të Kosovës gjatë periudhës së sundimit të sulltanit të shtetit osman në Ballkan në përgjithësi, natyrisht kuptohet aty përfshihet edhe Kosova. Ka nga ato dorëshkrime që janë në duart tona, që janë në vend të sigurt dhe janë shumë cilësore e në gjendje shumë të mirë, saqë vlen t’i fotokopjojmë dhe t’i botojmë në formë libri, për t’ua ofruar studiuesve dhe personave që i vlerësojnë dorëshkrimet arabe dhe trashëgiminë islame. Në këtë mënyrë ne mund t’i vendosim në mesin e gjërave të çmuara, për të cilat kanë interesim dhe etje që t’i marrin për vete të gjitha bibliotekat publike si dhe konkurrojnë shumë personalitete të famshme që t’i zotërojnë ato. Kosova ka të drejtë të jetë krenare për ekzistimin e këtyre dorëshkrimeve arabe në njërën nga bibliotekat e saj të rëndësishme.

E tash kam kënaqësinë që para lexuesve të nderuar të paraqes një përshkrim të shkurtër të dhjetë dorëshkrimeve të çmuara, të cilat i ruan me fanatizëm kjo bibliotekë kosovare. Këto dorëshkrime janë nga më të bukurat që më kanë prekur duart deri tash. Për secilin prej tyre kam sjellë edhe nga një faksimile, për t’i ilustruar sa më bukur. Ato janë:

1

1. “Ed-Durerul-Menthuretu Sherhu Lugatul- Medhkuretu”, i shkruar nga dijetari i madh Es-Sejid Ahmed bin Muhamed, i njohur si Nakra. Libri është një fjalor (Leksikon) i vogël po shumë i dobishëm për studiuesit; përfshin fjalë dhe shprehje shkencore historike shumë të vlefshme, kështu që ofron dobi të jashtëzakonshme dhe bëhet shumë i dashur në duart e studiuesve. Autori ka sqaruar në të (Fjalët e gjuhës së Ibni Fërshetës), që e kishte përpiluar Imami dhe dijetari i çmuar Abdulatif bin Abdulaziz, i njohur si Ibn Melik; renditjen dhe editimin e tij e bëri nipi i tij, i cili në hyrje thotë: ”Nuk kam gjetur shpjegim që i zgjidh dilemat dhe i zbulon problemet e tij, prandaj kam bërë një shpjegim të pavarur që studenti t’i shqyrtojë komentet për të qenë një dhuratë për birin tim”. Numri i këtij dorëshkrimi është (D.A.205)

2. “Mekamat El-Haririj”: Ky është libri “Elmekamat”(Tabela) i njohur, të cilin e shkroi autori si rezultat nga ndikimi i librit “Mekamat” shkruar nga Bediu Zeman El-Hemedhanij. Veprën në fjalë e kopjoi me një bukurshkrim të rrallë, çfarë shumë rrallë gjendet në bibliotekat e njohura të botës bashkëkohore për ruajtjen e dorëshkrimeve arabe. Gjithashtu libri është i rëndësishëm për ekspertët që merren me trashëgiminë arabe. Libri “El-Mekamat” është vlerësuar lart nga gjuha e shkrimtarëve dhe dijetarëve që nga koha e shkrimit të tij e deri në ditët tona. Për të kanë dhënë komente figura të mëdha letrare që jetuan pas autorit të librit Hariri; ata e çmuan dhe e vlerësuan jashtëzakonisht shumë punën e autorit dhe atë që përfshihet në vargjet e librit.(9)

2

Ky dorëshkrim me vlerë karakterizohet nga shumë shënime të vlefshme shumë që janë shkruar në margjinat ose fusnotat e tij, të cilat e plotësojnë dobinë e tij. Numri i këtij dorëshkrimi është (D.A.240)

 

3. Fjalori “ Muaxhem elfadh” (Arabisht-Osmanisht), është një fjalor i çmuar, i shkruar nga dijetari Mustafa bin Shemsudin El-Kurreh Husarij, i njohur si Akhteriju. Autori në hyrje të librit shkruan: “Kur e vërejta se dëshira dhe kërkesa e dijetarëve në thellimin e kuptimeve tekstuale dhe racionale në gjuhën arabe ishte e madhe, dhe nevoja për to ishte tejet e madhe, provova të mbledh në këtë libër fjalët arabe, përdorimi i të cilave ishte i madh, po kuptimi i tyre ishte i vështirë. Kështu shkëputa fjalë nga “Sahah El-Xhevherij”, “Dustur”,(10) ”Et-Tekmiletu”, “El-Muxhmel”, El-Mugrebu” dhe nga libra të tjerë të njohur në fushën e artit të fjalës e gjuhës, të cilat i radhita në kapituj e nënkapituj, në bazë të renditjes alfabetike, kështu që secila shkronjë të jetë kapitull në vete. Arrita t’i interpretoj kuptimet e tyre dhe t’i vendos në gjuhën e banorëve të kësaj vatre,(11) në mënyrë që t’u lehtësohet leximi dhe të kuptuarit e tyre me interpretim”. Ky fjalor është i rëndësishëm për arabët dhe turqit njëlloj, përbëhet prej dyqind e dhjetë fletësh të madhësisë (22×30 cm). Secila fletë është e shkruar në të dy anët e saj. Numri i tij në depon e bibliotekës së Bashkësisë Islame të Kosovës është (D.A.T. 213).

 

4. “Sahih El-Buharij”, ky është më i rëndësishmi libër në duart e myslimanëve pas Kur’anit fisnik, siç e theksojnë të gjithë dijetarët. Autor i librit është Imami i Muhadithëve Muhamed bin Ismail El Bukharij (Allahu e pastë mëshiruar).(12) Kopja që gjendet në duart tona, është nga kopjet e rralla dhe të çmuara shumë. Kopjimin e saj me bukurshkrim në radhë të parë e ka bërë dijetari i madh dhe i mirënjohur Imam Ali bin Muhamed bin Ahmed bin Abdallah El-Junini. Libri është ekspozuar para shumë dijetarëve, imamëve të njohur nga muhadithët e hershëm. Kjo është kopja e parë e redaktuar e këtij libri madhështor në nivel botëror. Pikërisht kjo kopje që posedon biblioteka e Bashkësisë Islame të Kosovës është marrë nga kjo vepër madhështore. Numri i këtij dorëshkrimi është (D.A.74).(13)

 

5. “Sher’atul-Islam”, e autorit Imam Ruknul-Islam/ Muhamed bin Ebi Bekr, i njohur me pseudonimin Imam Zadeh El- Hanefij, njëri nga figurat e ndritshme të gjysmës së dytë të shekullit të gjashtë hixhrij. Libri ka vlerë të lartë dhe me shumë dobi. Ka vetëm një pjesë. Autori në hyrjen e librit shkruan: ”Këto kontrata të organizuara të synetit të Pejgamberit a.s. janë të zgjedhura nga shkrimet e imamëve të devotshëm nga mesi i dijetarëve të fesë”. Autori i librit në fjalë i ka ndarë në kapituj të shumtë, ku ka përfshirë hadithe të zgjedhura nga librat kryesorë të burimeve të famshme të hadithit, për të cilat ka nevojë të vazhdueshme myslimani ditë e natë, në vend e në udhëtim, në blerje dhe shitje. Numri i këtij dorëshkrimi është: (D.A.277)

 

6. “Sherhul-Erbain mine Suneni Sejjid El-Murselin”, të autorit Imam Muhamed bin Mustafa El-Birkevij El-Hanefij. Në këtë libër autori i ka shpjeguar dhe interpretuar katërdhjetë hadithe që kanë të bëjnë me çështjet esenciale të Fesë Islame. Libri është shumë i çmuar dhe ka një bukurshkrim të mrekullueshëm. Numri i librit është (D.A.82)

 

7. “El-Mevahib El-Fet-hije ala Tarikatul-Muhamedije”, autor i librit është Imam Muhamed bin UlanEs-Sidikij El-Bikrij. Shërbëtori i Synetit të të Dërguarit s.a., në Xhaminë e Qabesë në Mekë dhe në territorin e Hixhazit. Autori ka shënuar një koment të thukët dhe elegant si dhe redaktim të këndshëm në librin “Et-Tarikatu El-Muhamedijetu” të Imam Muhamed bin Bijr Alij-it, i njohur si Birkelij El-Uthmanij. Është një libër shumë i dobishëm për të gjitha shtresat e myslimanëve. Autori sinjalizon për dobitë që nxjerr myslimani nga ky libër dhe që ka nevojë gjatë tërë etapave të jetës së tij dhe që nuk mund t’i numëroj. Numri i këtij libri është (D.A.160).

3

8. “El-Kamusu El-Muhit” është vepër për të cilën duhet të krenohet Imam Mexhdidin Muhamed bin Jeakub El-Fejruz Abadi, një nga dijetarët më të mëdhenjarabë të kohës së tij: Imam, dijetar dhe ekspert i gjuhës arabe me disiplinat e saj. Fjalori në fjalë mori famë të madhe që nga koha kur u shkrua dhe vazhdon ta ketë këtë famë deri në ditët tona. Rreth këtij fjalori është folur dhe shkruar shumë, është admiruar puna e bërë dhe është çmuar lart. Më e bukura nga ajo që është thënë për të, janë këto vargje:

 

Sado që fjalë arabe mund të kërkoni

dhe përpiqeni në letërsi të thelloheni

Për ty janë këto fjalë të zgjedhura

Të cilat në shkallën më të lartë t’i vlerësoni

Dhe po të mblidhen njerëzimi

dhe veprat e shkrimtarëve t’i tubojnë

Edhe në qoftë se e prarojnë edhe e pasurojnë

Përveçse me ujë floriri, me tjetër nuk mund ta shënojnë.

 

Kopja e fjalorit në fjalë, e shkruar me dorëshkrim, është shumë e çmuar dhe ka një bukurshkrim të rrallë. Autori në fund të librit shkruan: ”E obligova vetveten që t’i mbledh, t’i shkruaj, t’i sistemoj dhe t’i përsos, e kur arrita që mundin tim ta kurorëzoja dhe ta përfundoja me përkushtim, lutem që kjo punë imja të mbetët vetëm për hir të Zotit. Allahu i Madhërishëm ma mundësoi që ta përfundoj këtë vepër në shtëpinë time pranë kodrinës Saffa(14) në Mekën e nderuar, i kthyer drejtë Qabesë Madhështore”. Numri i librit është: (D.A.185).

 

9. “El-Mevahibu El-Ledenije bil-Minha El-Muhamedije”, është libër që flet për historinë e lavdishme të Pejgamberit a.s.. Autor i librit është Imam Shehabudin Eba El-Abas Ahmed bin Muhamed El-Kustalanij El-Misrij, vdekur në vitin 923 H. Është një libër me vlerë të lartë, shumë i dobishëm, nuk ka ngjashmëri për nga tematika e tij. Autori e ka radhitur në dhjetë pjesë që kanë lidhjet e tyre në sqarimet e detajuara të historisë së Pejgamberit a.s.. Libri u bë shumë i njohur, saqë preku horizontet që nga koha e autorit e deri në ditët tona. Por, për fat të keq, deri më tani nuk është kryer një redakturë e duhur. Kjo kopje e shkruar me bukurshkrim dore ka vlerë të çmuar.(15) Ka një shkrim shumë të bukur. Në pjesët anësore të faqeve ka disa shënime që janë të dobishme gjatë kërkimit. Numri i librit është: (D.A.231)

 

10. “Et-Tedhkiretu bi-Umuril-Meuta ue Ahval El-Akhire”, e autorit Imam El-Mufesir Muhamed bin Ahmed bin Ferah El-Kurtubij, vdiq në vitin 671 H. Libri është shumë i famshëm, dorëshkrimi është i përfshirë brenda një kopertine. Myslimanët e kanë përdorur dhe kanë përfituar nga ky libër që nga koha e autorit e deri në kohën tonë. Është çmuar shumë nga shumë dijetarë. Autori ka bërë një koleksionim të ajeteve, haditheve, etereve, fjalëve dhe informatave që kanë të bëjnë me çështjen e vdekjes, të të vdekurve, Xhenetit, Xhehenemit, degjenerimit, shkatërrimit dhe kushteve e rrethanave të Ditës së Kataklizmës (Kiametit). Kopja e dorëshkrimit është shumë me vlerë dhe është e kompletuar. Ka një shkrim të bukur dhe numri i saj është: (D.A.41)

4
Shpresoj që, me fjalët që kemi theksuar më lart, kemi arritur t’ju ofrojmë një përkufizim konciz, që për herë të parë do të kontribuojë drejt hedhjes dritë të kësaj biblioteke dhe dorëshkrimeve që posedon, duke shpresuar shpërblimet e Allahut të Madhërishëm, i Cili nuk ia humb mundin e robit të Tij në punë të mira.

Dhe, në fund, unë kërkoj nga OIC (Organizata e Konferencës Islame, nga Organizata Islame për Edukatë, Shkencë dhe Kulturë, nga Organizata Arabe për Edukatë Shkencë dhe Kulturë, si dhe nga institucionet dhe qendrat që u përkasin atyre, së bashku me qendrat shkencore dhe universitetet e vendeve arabe, islame dhe evropiane që merren me çështje të dorëshkrimeve arabe dhe trashëgiminë islame,- të reagojnë dhe të angazhohen në indeksimin e dorëshkrimeve në vendet e tjera ballkanike, në mënyrë që me kalimin e kohës të ruhen këto thesare nga humbja dhe asgjësimi i tyre . Allahu i Madhërishëm qëndron mbrapa çdo qëllimi, Ai është që ndihmon dhe që udhëzon në rrugën e drejtë!

 

______________________
(1) Këtë punim me formulim të parë e ka paraqitur në simpoziumin ndërkombëtar të organizuar nga AIITC në Tiranë më 15,16 dhjetor 2010, pastaj janë bërë disa ndryshime para se të dorëzohej për shtyp, me shpresa se do të shtohet numri i atyre që kanë interesim për dorëshkrimet arabe dhe islame.

(2) Në shkrimet e hershme arabe dhe osmane emri Kosovë është shkruar me Kaf dhe me Sad e jo me Kef e me Sin, përderisa tani është përhapur dhe shkruhet me Kef dhe me Sin.

(3) Për të përfituar më mirë, shih artikullin “Alemijetul-Lugatul-Arabijetu” i publikuar në revistën “Trashëgimia Arabe”, që e botoi Unioni i Shkrimtarëve Arabë në Damask në vitin1998; po ashtu shih edhe librin tim me titull”Mekalati fi Mexheleti Et-Turathul- Arabij”, f. 22-23, botuar nga Instituti Nur në Damask 2007.

(4) Trashëgimi osmane konsiderohet çdo vepër që është shkruar nga autorë turq ose të tjerë që kanë jetuar brenda kufijve të Shtetit Osman e që kanë shkruar në gjuhën e vjetër turke me alfabet arab.

(5) Në fillim ky qytet i madh i Shtetit Osman është quajtur Astana, e pastaj e mori emrin Istambul (Stambolli).

(6) Shqipëria e vjetër përfshin: Shtetin e sotëm Shqiptar, Kosovën dhe territore të tjera që tani janë brenda territorit serb, grek, maqedonas dhe malazias.

(7) Më pastaj, pas shpërbërjes së Shtetit Osman, kanë dhënë kontributin e tyre mjaft nga bijtë e Kosovës që kanë pasur lidhje me gjuhën arabe, që paraqiten që gjatë viteve pas përfundimit të Perandorisë Osmane e deri në ditët tona. Me ndihmën e Allahut!

(8) Është publikuar nga “Darul-Fikr” në Damask dhe është botuar në “Darul Fikr El Muasir” në Bejrut, në vitin 1993.

(9) Për të përfituar sa duhet, shih librin “Keshfi dhunun” të autorit Haxhi Khalife (1787-1791/2)

(10) Është fjala për librin ”Dustur Luga”, që është një libër konciz në fushën e artit gjuhësor të gjuhës arabe, i autorit Bediu Zeman Husejn bin Ibrahim En-Natanzij, vdiq në vitin 499 H. Lidhur me të, shih në librin “Keshfu Dhunnun” (754/1).

(11) Gjuha e kësaj vatre është fjala për gjuhën turke me alfabet arab e cila dominonte në tërë shtetin e Perandorisë Osmane.

(12) Shiko historinë e çmuar të cilën e shkroi dijetari i Shamitn në kohën e tij Hoxha Muhamed Xhemaludin El-Kasimi Ed-Dimeshkij me titull (Hajatul-Bukharij) të cilin libër e ka redaktuar dhe e ka botuar “Dar El-Nefais” në Bejrut në vitin1412 H / 1992 m.

(13) Pas këtij artikulli pason artikulli tjetër, me ndihmën e Allahut do të njiheni edhe me këtë dorëshkrim të çmuar në artikullin që pason.

(14) Kishte qëllimin në afërsi të kodrinës Saffa.

(15) Në këtë rast sinjalizohet se në depon e bibliotekës së Bashkësisë Islame të Kosovës ka edhe njëkopje të plotë nga libri “Sherhul-Mevahib El-Ledenije” të Imamit Muhamed bin Abdulbaki Ez-Zerkanij, i vdekur në vitin 1122 h. Libri për të cilin e kemi fjalën është nga dorëshkrimet ma të çmuara që nevojitet një përkushtim i veçantë, gjë që së shpejti me ndihmën e Allahut do të punoj në këtë drejtim dhe do ta publikoj në ndonjë revistë e cila interesohet dhe njihet mirë në fushën e trashëgimisë arabe dhe islame.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top