DUKE NUMËRUAR GABIMET

nga Teuta Toska 

Që niveli i zotërimit të standardit në shkollë ka rënë, ky është një fakt i pranuar tashmë nga të gjithë. Dhe kur flas për standardin, po iu referohem rregullave të drejtshkrimit, edhe pse këto janë veç një pjesë e standardit, një nënsistem i tij. Por duhet të themi se norma drejtshkrimore është pasqyra e drejtpërdrejtë dhe më e prekshme e zotërimit dhe përdorimit të standardit si sistemi me shtrirjen më të madhe funksionale në komunikimin publik në shoqëri. Përvoja na ka treguar se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes zotërimit të kësaj norme dhe zotërimit të standardit si tërësi. Një performancë e ulët dhe e dobët e normës drejtshkrimore është tregues i një kompetence me mangësi dhe të ulët të standardit si tërësi.

Kur flasim për “përdorimin e standardit”, po flasim edhe për shfaqjen kryesore të aftësisë së të shkruarit të individit. Edhe pa ndonjë studim të veçantë, të gjithë mund të shprehen se ka një lidhje të ngushtë mes nivelit kulturor të një individi dhe zotërimit të standardit prej tij (duke përjashtuar rastet kur ai me vetëdije ka zgjedhur të përdorë një variant tjetër shkrimi). Ka një lidhje, mund ta pohojë çdo mësues, mes nxënësit dhe studentit të mirë dhe nivelit të lartë të zotërimit të standardit.

Në vitin 2009 kam kryer një studim për të matur shkallën e shmangies/ shkeljes së standardit dhe për të kuptuar se cilat rregulla gabohen posaçërisht. Edhe pse mund të duket një kohë e largët, po i risjell këto të dhëna me bindjen se realiteti mund të ketë ndryshuar fare pak. Dhe ky ndryshim nuk është përmirësim. Gjithashtu edhe për t’i publikuar këto të dhëna përpara fillimit të një studimi tjetër matës që kemi ndërmend të kryejmë, tashmë me një grup. Krahasimi i dy gjendjeve do të jetë burim të dhënash edhe më interesante.

Ky studim ishte një mbledhje e të dhënave numerike e statistikore në lidhje me zotërimin e standardit në shqipen e shkruar të studentëve në detyra kursi, prezantime, ese, provime[1] etj.

Punimi është i nxitur nga një periudhë e gjatë e kaluar me vëzhgime tekstesh të shkruara dhe përvijimi gjithnjë e më i qartë i një hipoteze sipas së cilës pjesa dërrmuese e përdorimeve të gabuara të standardit ose më mirë shmangieve vijnë për shkak të predominimit të formës së folur (e të dëgjuar) të fjalës mbi atë të shkruar në një realitet kur po lexohet gjithnjë e më pak.

Të dhënat janë vjelë nga ligjërime të shkruara nga studentë të Universitetit të Elbasanit, të programeve të ndryshme të studimit (gjuhë-letërsi, gazetari, cikli i ulët, edukatë qytetare dhe bio-kimi).

Pse kampioni është marrë nga shkrues të nivelit universitar? Për shkak se në asnjë mjedis tjetër më mirë se në shkollë nuk mund ta hetosh nivelin e tij të ngulitjes. Po ashtu niveli universitar i ligjërimeve të shkruara duhet të përmbajë performancën më të mirë të pritshme të normës drejtshkrimore. Nisur nga ky këndvështrim real dhe po ashtu optimist, kërkimi është përqendruar në këtë terren.

Kërkimi sasior është drejtuar nga rregullat e përcaktuara në botimin[2] e vitit 1973, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, duke mos hulumtuar të dhëna që lidhen me pikësimin standard të shqipes, sepse shenjat e pikësimit janë konvencione të gjuhës së shkruar dhe marrëdhënia me realitetin e folur është thjeshtëzuese, kufizuese dhe të një përmase tjetër funksionale gjuhësor. Ne jemi përqendruar në ato rregulla të normës drejtshkrimore që kanë një marrëdhënie të ngushtë mes formës së folur dhe të shkruar të gjuhës. Kështu nuk është numëruar si e dhënë në vlerësimin e të dhënave:

– përdorimi i apostrofit;

– shkrimi i fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes;

– përdorimi i shkronjave të mëdha;

– ndarja e fjalëve në fund të rreshtit;

– shkrimi i datave,

për shkak se arsyet e gabimit të këtyre rregullave janë të njohura, nuk janë objekt i ndërhyrjes së një forme tjetër të komunikimit dhe përdorimi në tekste i trajtave që janë subjekt i këtyre rregullave është më i pakët.

Në rastin e studimeve statistikore gjuhësore lënda në hulumtim përbëhet ose nga një listë fjalësh, ose nga një rrjedhë fjalësh që përbëjnë një tekst, p.sh. në rastin tonë 59 fjalët që përbëjnë këtë paragraf (që po lexon), duke pasur parasysh numërimin e programit kompjuterik që përdor Microsoft Word-i (Word Count, por jo statusin dhe kufirin e fjalës në shqip).

Kemi marrë si njësi të kërkimit sasior ortogramin, d.m.th. fjalëformën që përmban një zgjedhje gjuhësore drejtshkrimore, të kuantifikuar si të ndryshme sa herë paraqitet në tekst, edhe pse ajo mund të përsëritet[3].

Kështu, në tabelat e mëposhtme do të japim të dhëna nga tekstet e numëruara për çdo grup (N është numri i elementeve pasi janë kuantifikuar të gjitha tekstet e shkruara), numrin e gabimeve drejtshkrimore për çdo rregull kur shkronja mungon, shtohet ose përdoret një tjetër në vend të saj. Të dhënat janë paraqitur me përqindje, duke krahasuar numrin tërësor të gabimeve me numrin e gabimeve për çdo rregull.

Të dhënat sasiore krijojnë një pamje faktike të problemeve me ngulitjen e standardit dhe duhet ta drejtojnë më mirë punën për përmirësimin e tij. Bëhet fjalë për 104 tekste, në të cilat janë kuantifikuar 33 218 ortograma.

 

Tabela 1. Të dhënat nga të gjitha programet e studimit, kampioni = 104 subjekte

N1 = 33 218

Rregulli Mungon Shtohet Tjetër Gjithsej Përqindje
E e theksuar 121 121 5.9
E e patheksuar 3 4 7 0.34
Ë e theksuar 13 13 0.64
Ë paratheksore 237 16 1 254 12.4
Ë pastheksore 76 21 97 4.7
Ë fundore 748 120 7 875 42.8
Zanore të tjera 7 2 29 38 1.9
Grupe zanoresh 79 1 6 86 4.21
Shkrimi i i-së dhe j-së 51 7 45 103 5
Shkrimi i rr-së 81 10 91 4.46
Bashkëtingëllore të tjera 53 15 33 101 4.95
Takime bashkëtingëlloresh 4 1 5 0.24
Fjalë me prejardhje të huaj 68 1 82 151 7.39
Nyja/pjesëza 54 54 2.64
Emrat e plotësat ambigjenë 30 16 46 2.25
Gjithsej 1497 193 358 2042

 

Nga të dhënat e Tabelës 1 mund të shohim se shkrimi i zanores ë fundore përfshin numrin më të madh të gabimeve (42.8%) që kryejnë studentët. Shkrimi i zanores ë të patheksuar (ë paratheksore dhe pastheksore dhe fundore) zë pjesën më të madhe të gabimeve (59.9% të gabimeve). Por kjo nuk do të thotë se shkrimi i kësaj zanoreje është problemi kryesor në zbatimin e drejtshkrimit, sepse dhe shkrimi i fjalëve të huaja, përdorim i gabuar i I-së dhe i J-së apo përdorimi i e-së së theksuar janë gabime po aq të zakonshme, duke marrë parasysh dendurinë e përdorimit të zanores ë në tekst, jo vetëm në temën e fjalës, por edhe në treguesit gramatikorë.

Një e dhënë tjetër interesante është që në tërësinë e gabimeve dominon mungesa e elementit që e kërkon drejtshkrimi, me 74.96 % të gabimeve, ndërsa në 7% të gabimeve shtohet shkronja dhe në 17.99 % përdoret një shkronjë tjetër në vend të asaj që e kërkon rregulli.

 

Tabela 2. Pasqyrë përmbledhëse

Kategori analize Numra
Kampioni (Tekste të kontrolluara) 104
N (numri i njësive të kuantifikuara në tekste) 33 218
Numri i gabimeve 2042
Raporti i gabueshmërisë 1:16.26
Përqindja e gabueshmërisë 6.14%

Në këtë tabelë shohim numrin e teksteve që kemi kontrolluar dhe praninë e gabimeve në to. Një student në një tekst që shkruan gabon mesatarisht 1 në 16 fjalë nga pikëpamja drejtshkrimore. 6.14% e fjalëve të tekstit të tij janë shkruar me gabime drejtshkrimore. Më poshtë mund të shohim rregullat që gabohen më shumë duke zbritur deri tek ato që gabohen më pak.

 

Tabela 3. Përmbledhëse sipas rregullave dhe sipas rendit zbritës

Rregulli Numri i gabimeve Përqindje
Ë fundore 875 42.8
Ë paratheksore 254 12.4
Fjalë me prejardhje të huaj 151 7.39
E e theksuar 121 5.9
Shkrimi i i-së dhe j-së 103 5
Bashkëtingëllore të tjera 101 4.94
Ë pastheksore 97 4.7
Shkrimi i rr-së 91 4.45
Grupe zanoresh 86 4.21
Nyja/pjesëza 54 2.64
Emrat e plotësat ambigjenë 46 2.25
Zanore të tjera 38 1.8
Ë e theksuar 13 0.63
E e patheksuar 7 0.34
Takime bashkëtingëlloresh 5 0.24
Gjithsej 2042

 

Të dhënat e mësipërme mund të paraqesin dhe një interes për të hetuar raportin që ekziston ditët e sotme (pas më shumë se 40 vjetësh) mes shqipes së folur dhe shqipes standarde.

Në të vërtetë, të dhënat e gabueshmërisë në tabelat e mësipërme nga pikëpamja gjuhësore janë një tregues i prirjes psikologjike të përdoruesve për ta harmonizuar shkrimin me shqiptimin. Në fakt pjesa më e madhe e gabimeve në raport me normën janë gjuhësisht paraqitje grafike e imazhit akustik të dëgjuar apo të shqiptuar. Sistemi ynë i shkrimit (fonematik) dhe parimi kryesor i hamendësuar i drejtshkrimit (fonetik) duket se e drejtojnë psikologjinë e përdoruesve vetvetiu tek një harmoni e tillë. Nga ana gjuhësore të dhënat e mësipërme janë tregues i zhvillimit gjuhësor dhe i veprimit të ligjeve fonetike të zakonshme për jetën e gjuhës. Nga ana normative të dhënat e mësipërme pasqyrojnë “një situatë të papërgjegjshmërisë gjuhësore[4]” me tregues të thuash deri “alarmantë”.

Shkaqet e rrënjosjes së një prirjeje të tillë të vetvetishme të nxënësve/studentëve për të harmonizuar shqiptimin me shkrimin sigurisht duhen kërkuar, më së pari, në mënyrën e mësimdhënies së shkrimit, dhe në veçanti në mësimin e shkrimit fillestar (nëpërmjet abetares). Hamendësoj se një pjesë e madhe e mësuesve në klasën e parë e drejtojnë fëmijën ende te forma e dëgjuar e fjalës dhe jo tek ajo e shkruar.

Edhe pse prirja për t’u mbështetur në elementet fonetike të fjalëve gjuhësisht është e natyrshme, ajo sot nuk i shërben më shkrimit në shqip, tashmë një sistem tjetër dhe historik komunikimi, me zhvillim të drejtuar dhe që parakupton një mënyrë krejt tjetër të receptimit.

Pra, drejtshkrimi i fjalëformës nuk duhet të lidhet më me shqiptimin e saj, por me imazhin shkronjor të saj. Forma e fjalës dhe shkrimi i saj ndjek një konvencion, që duhet të përjashtojë çdo motivim (gjatë përdorimit te shkruesi i zakonshëm) që vjen nga struktura e saj tingullore/fonemore (që dallohet, identifikohet prej shqiptimit) apo morfologjike. Në këtë kuptim tradita e shkrimit, si element që e errëson çdo gjykim e motivim mbi/për formën e të shkruarit, bëhet parimi drejtues për shkrimin e drejtë të fjalëve.

Kështu, parimi historik-tradicional i drejtshkrimit është në fakt parimi gjuhësisht i qenësishëm (i vërtetë) i shkrimit të një gjuhe. Lidhja mes strukturës grafike dhe asaj fonemore është arbitrare dhe gjithaq konvencionale (duke parakuptuar marrëveshjen për institucionalizimin e saj).

Gjendja e papërgjegjshmërisë në mënyrën e të shkruarit është edhe gjendja e një shoqërie përballë rregullit në përgjithësi, në Shqipëri sot. Por zotërimi i mirë i standardit, duam apo s’duam, është zotërim i mirë i aftësisë së të shkruarit. Dhe të shkruarit është përbërësi kryesor që mat performancën e nxënësit/studentit dhe aftësia që e synon, më së pari, shkollimi (midis 4 aftësive gjuhësore: të folurit, të dëgjuarit, të lexuarit, të shkruarit). Pra, puna për përmirësimin e kësaj gjendjeje i takon shkollës, mësuesve në radhë të parë, të çdo profili. A janë ata përdorues të përgjegjshëm dhe a kanë ata një nivel të lartë të përdorimit të standardit ashtu si pritet prej tyre? Studimi ynë i radhës do të masë pikërisht këtë gjendje, duke u nisur nga një hamendësim tjetër se rënia e nivelit lidhet drejtpërdrejt me aftësitë e mësuesit, të çdo profili, posaçërisht të mësuesit të gjuhës shqipe në shkollë.

Ballafaqimi me realitetin e zotërimit të normës prej mësuesve shpresojmë të nxisë përgjegjshmëri më të madhe ndaj përdorimit të shqipes, nga vetë ata që duhet të kenë përgjegjësi për çdo fjalë që shkruajnë përpara syve të nxënësve.

(c) 2018, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kemi numëruar (apo kuantifikuar, term që përdoret në gjuhësinë statistikore) posaçërisht vetëm punët e shkruara me dorë, pasi punët me shkrime kompjuterike paraqesin një gjendje tjetër dhe më të ndërlikuar të ligjërimeve, pasi përmbajnë probleme të shtypshkrimit dhe të nivelit të ulët të zotërimit të njohurive të programeve shkrimore kompjuterike nga ana e subjekteve.

[2] Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë, Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Tiranë, 1973.

[3] Ja një shembull i numërimit të ortogrameve në këtë fjali nga teksti ynë: “Duke marrë1 idenë2 e konvencioneve3 që e përmendëm4 më lart5, mund6 të përcaktojmë7 si njësi8 grafike9 të kërkimit10 ortogramin11, d.m.th.12 fjalëformën13 që përmban14 një zgjedhje15 gjuhësore16 drejtshkrimore17.” Pra, kjo fjali ka 17 njësi të kuantifikuara.

[4] Shezai Rrokaj, Çështje të gjuhës shqipe, “Dy çështje për mësimdhënien e gjuhës shqipe në shkollë”, Albatros, Tiranë, 2007, f.211

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.