DY VJET VENEDIK

Një postim në Facebook i Artan Shkrelit, që kujtonte një episod pak të njohur nga historia e bregdetit shqiptar nën sundimin osman, më bëri të mendohem. Shkreli kujtonte se në 11 shtator të vitit 1690, venedikasit në kuadrin e Luftës së Moresë dhe të mbështetur fuqimisht prej vendësve, ua morën Vlorën dhe Kaninën osmanëve.

Kaq Shkreli. U bëra kurioz dhe pashë që venedikasit paskan depërtuar, aso kohe, deri në Gjirokastër, të cilën gjithashtu thuhet se ua morën osmanëve pa rezistencë. E megjithatë, kur u kthyen osmanët me ushtri serioze (vitin e ardhshëm, në 1691), “mysafirët” nuk i mbajtën dot këto qytete, meqë objektivi i fushatës së tyre luftarake ishte gjetiu. Në largim e sipër, shkatërruan krejt edhe Kaninën edhe – sidomos – kalanë e Vlorës me gjithë ç’kish brenda (“the fortress toën” e quan një historian).

Sikur të mos mjaftonte kjo, osmanët e rikthyer, të zemëruar që popullsia vendëse kish bashkëpunuar fort me venedikasit, i trajtuan këta kaq ashpër, sa një pjesë u detyrua të largohej drejt Korfuzit, ndërsa pjesën tjetër e islamizuan me dhunë. Me fjalë të tjera, një operacion periferik, që synonte të dëbonte osmanët prej brigjeve tona të Adriatikut dhe sidomos të Jonit, dha si pasojë islamizimin e detyruar të shumë arbërorëve vendës, të cilëve u doli solidarizimi me Venedikun për hundësh.

Në këtë pikë, unë po lejohem të pyes: sa ia vleu ajo përpjekje? Sidomos po të krahasojmë Vlorën e shekullit XVII me atë të fillimshekullit XX (një fshat i madh)? Dhe të kemi parasysh se, edhe në shekullin XVI, në Vlorë ka pasur 500-600 shtëpi të hebrenjve, çfarë lë të kuptohet menjëherë se atje ekonomia lulëzonte? Si rregull, hebrenjtë vendosen atje ku, jo vetëm i trajtojnë me tolerancë, por edhe ku mund të ushtrojnë lirisht bizneset e tyre: prandaj edhe vetë largimi i tyre do marrë si paralajmërues i rrënimit ekonomik.

Besoj se kësi shkatërrimesh, si këto që ndodhën në bregdetin e Arbërisë, nuk mund t’ia faturojmë thjesht Perandorisë Osmane: erdhën si pasojë e përplasjes së dy fuqive të mëdha, që ndiqnin secila interesat e veta (diçka e ngjashme ka ndodhur me Durrësin, që nuk e ngriti kurrë kokën gjatë 5 shekujve të sundimit osman). Edhe Venediku nuk është se u fut në Vlorë për të çliruar vendësit – por për të projektuar fuqinë e vet; kështu duhet kuptuar edhe rrafshimi i Vlorës dhe i Kaninës, që pasoi këtë aventurë.

Ndoshta shqiptarët e pësuan më keq se të tjerët nga sundimi osman edhe ngaqë ishin në kufi ose në anë të Perandorisë, ose në një brez me sizmicitet të lartë politik dhe luftarak.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *