E DUAM MË TË PASHMIN

Lajmi që u dha nga disa media të Tiranës, për liderët më të pashëm në botë, gëzoi e zemëroi njëkohësisht shumë shqiptarë.

Së pari, duhet të themi se mediat nuk kanë faj për reagimet e publikut, ato duhet ta japin lajmin cilido qoftë ai, i mirë apo i keq, i bukur apo i shëmtuar. E meqë këtu lajmi ishte që ç’ke më të, dhe mezi po e prisnim prej vitesh, mediat pra bënë detyrën e tyre, duke treguar edhe një herë profesionalizmin e tyre.

Shqiptarët që e shohin gotën gjysmë bosh thanë se edhe kësaj radhe na e patën me hile, se nuk ka mundësi që Edi Rama të rreshtohet i 22-ti dhe Bujar Nishani të renditet në vendin 112-të. Klasifikimi është manipuluar nga qarqet e zakonshme armiqësore. Natyrisht, që të dy janë shumë më lart. Mjafton t’i hidhni një sy numrave para 22-shit dhe keni për ta parë se çfarë gabimesh janë bërë. Për të mos folur për qindëshen e mëpasshme.

Siç mund të pritej, kategoria e gotave bosh u nda më dysh, sepse njëra palë mendonte të bënte protestë përballë selisë së organizatës që bëri klasifikimin, madje duke ngritur një dron me flamurin e stampuar me liderët shqiptarë; kurse pala tjetër tha se herës tjetër do t’i ndërronte rezultatet nëpërmjet një virusi elektronik, në shenjë proteste ndaj kësaj padrejtësie. Të dyja palët dolën me një peticion ku midis të tjerash thuhej me të drejtë se shqiptarët janë “racë e bukur”.

Përkundrazi, shqiptarët që janë optimistë, pra që e shohin gotën (jo vetëm të rakisë) gjysmë të mbushur menduan se klasifikimi ishte shumë i mirë. Për këtë vit, kuptohet. Se vitin tjetër me siguri do të klasifikohemi ndër të parët. Mirëpo edhe këtu kategoria u nda më dysh. Një pjesë e shqiptarëve thanë se liderët shqiptarë duhet të bëjnë më shumë sport e palestër, ose të ndryshojnë look. Në këtë mënyrë do të përparonin në listën e dëshiruar. Pjesa kundërshtare pohoi se e vetmja mënyrë për të ecur përpara në listë ishte ndërrimi i liderëve, çka edhe shkaktoi rrëmujë e polemika, sepse plasi sherri për emrat e politikanëve më të bukur, që mund të vëmë nesër në krye të institucioneve.

Ndërkohë, një kompani sondazhesh njoftoi se ka marrë porosi nga mediat e ndryshme për të bërë disa lista politikanësh sipas kritereve të pamjes. Ja disa prej tyre: Liderët më shtatgjatë, Liderët me mustaqe më të bukura, Liderët më karizmatikë, Liderët me mjekër më të pashme, Liderët me pamje më të këndshme, Liderët me veshje më të hijshme, Liderët me sy më tërheqës, Liderët me buzëqeshjen më të ëmbël, Liderët më fotozhenikë, Liderët më selfie-zhenikë, Liderët me trupin më seksi, e kështu me radhë.

Si gjithnjë nuk munguan hamendjet e polemikat. Disa thanë se këto sondazhe porositen nga mediat që të përdoren nga mediat. Si të thuash jepet punë për të krijuar punë. A e dini sa artikuj mund të bëhen rreth pyetjeve të mësipërme? Të tjerë, kryesisht në rrjetet sociale, u shprehën se këto sondazhe në fakt ishin në thelb politike. Sepse e vetmja mënyrë për të analizuar ecurinë e politikës dhe pëlqimin e publikut është të marrësh vesh se ç’mendojnë për pamjen e politikanëve.

Tejet interesant propozimi i Institutit të Demokracisë Eksperimentale, me qendër në Shishtavec e në Hoçisht, sipas të cilit liderët e partive nuk duhet të votohen më për programet politike dhe realizimin e tyre, por për pamjen dhe sharmin që kanë. Madje edhe negociatat ndërkombëtare duhet të zhvillohen në këtë bazë. Në këtë mënyrë, çlirohet edhe gazetaria nga barra e rëndë për të folur për politikë reale dhe programe ekonomike, të cilat janë tema që kërkojnë mund e përgatitje. Në të njëjtën mënyrë e masë, ndihmohen edhe votuesit, të cilët nuk duhet të gjykojnë punën e politikanëve, por vetëm karakteristikat e tyre pamore. Kjo është e vetmja rrugë për ta çuar demokracinë në një stad më të zhvilluar, sepse sigurohet pluralizmi i vërtetë, meqë njeriu ka gjithnjë shije të ndryshme. E këto nuk diskutohen, siç thotë edhe maksima De gustibus

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.