EDHE NJË HERË “GËZUAR E TUNGJATJETA!” PËR ERIC HAMP-IN!

nga Eda Derhemi 

Këtë shkrim e kam shkruar më 2009, plot dhjetë vjet më parë, dhe botuar po atëherë në një revistë të përjavshme, gëlltitur tashmë nga tregu makut. Për shkrimin s’ka më gjurmë të gjallë, sepse revista nuk pati një version online. Shkrimi del sot në “Peizazhe të fjalës” për të kujtuar njeriun dhe albanologun Eric Hamp që na la në moshën 99-vjeçare, dy ditë më parë, më datën 17 shkurt, 2019. E botoj me titullin dhe përmbajtjen që pati në origjinal.

Arrin një moshë dhe kuptojmë që të vjetrit që duam nuk mund të jenë gjithnjë me ne. Vdekja bën udhën e vet e përzihet me jetën, një nga pasionet e saj më të mëdha… (apo është jeta që luan me vdekjen dhe i ngatërrohet nëpër këmbë, sfiduese dhe e papushtetshme, absolutes vdekje në kohë e hapësirë?) Nis dhe e mendon këtë së pari për prindët. I sheh që plaken, nisin të kenë probleme zemre e tensioni, tërhiqen nga jeta, ecin më ngadalë, por të shohin ende me sy të kuptimshëm dhe bëjnë sikur gjithçka shkon si kurdo, si atëherë kur u kërkoje dorën se nuk i zbrisje dot shkallët pa ndihmë, kur kishe frikë nga dallga e mëngjesit në plazh, ose kur ai burri me mustaqe gjigante ish shfaqur prapë tek kthesa e rrugës. Dhe ti e kupton që ata vetë të përgatisin që të mos e ndiesh hidhësirën e ikjes së tyre gjithnjëherësh, duke të të lënë t’i shohësh shenjat e jetës që nis të lëshohet e të dorëzohet, duke thënë paqshëm “kjo ishte copa e rrugës që duhej të ecja, dhe unë eca aq mirë sa munda”. Ndërsa ne, pas prindërve, mbetemi me ndjesinë e të mosbërit sa duhet, me fajin e atij që s’ka thënë sa duhet ‘falemnderit’, e sidomos që s’e ka thënë këtë atëherë kur nderi u bëhej të gjallëve e jo të vdekurve.

Këtë fundjave pata këtë ndjesi mirënjohjeje dhe dëshire për ta falënderuar, ndaj Eric Hamp-it, gjuhëtar dhe indoeuropianist e albanolog i shquar amerikan. Ishim në një konferencë albanologjie në Universitetin e Chicagos. Drejtuesi i qendrës së studimeve slave pranë këtij universiteti, Victor Friedman, edhe ky veç të tjerash edhe albanolog, për fat të keq është në Maqedoni. Por ka vënë në dispozicion të gjuhëtares Kelly Maynard që po organizon konferencën, gjithë stafin e tij të përpiktë e efikas. Qendra shkencore dhe emocionale e kësaj konference është Eric Hamp, 89 vjeç, një shpirt i bukur njerëzor, dhe një nga mendjet më të rralla që jetojnë sot në botë. Ia ka dalë të balancojë natyrshëm brenda vetes skrupulozitetin dhe idealet e 1700-ës me kompleksitetin dhe lëvizjen e viteve 2000. Ecën tejet ngadalë nga pleqëria, por sytë i ka ende fort energjikë e vitalë. I vetëtijnë, kur diçka profesionale e tërheq, dhe qesh nën mustaqet e tij të bardha gjigante kur ironizon një ide. Por ka gjithnjë një pauzë para se ta thotë atë që do, sikur ta rrotullojë në mendje që të të bëjë të presësh e ta shijosh më shumë kur llafi i arrin. Ka humor të mirë, si kur flet për albanologë që kanë jetuar treqind vjet të shkuara, ashtu edhe kur i referohet mënyrës se si ngatërrohen sot gjuhëtarët nëpër botë me idetë dhe hartat e tij shpesh të pandjekshme. Si çdo profesor amerikan i asaj moshe, titulli professor nuk i bën shumë përshtypje e nuk ia kërkon kujt t’ia njohë…të gjithë e thërrasin Eric. Por nëse për shumë profesorë të tjerë “afërsia” ngelet e kufizuar vetëm tek emri, tek Eric Hamp, mund të gjesh një mik që të mbetet i afërt. Eric nuk mban asgjë prapa asaj që ia sheh në sy e ia thotë goja.

Ka shkruar rreth 4000 artikuj shkencorë gjatë jetës së vet Hamp, dhe është fat që dikush shpesh ka insistuar t’ia “rrëmbejë” fjalën e folur e t’ia dokumentojë disi qoftë edhe artikuj fare të shkurtër, por që janë si shafran i zgjedhur mali. Po të qe për të, Hamp, si një enciklopedi endacake mbi dy këmbë të palodhura (të cilave duhet t’u shtojmë edhe dy të tjera të gruas së tij të zgjuar Margo që e ndoqi kudo baltrave e shkëmbinjve të Ballkanit, Italisë apo Skocisë), do kish bredhur çdo ditë të jetës së vet në kërkim të fjalës së njerëzve që të ribënte pazëllin indoeuropian dhe të vendit që zenë bijat e pasardhëset e indoeuropianishtes në këtë pazëll, pa u kujdesur shumë për botime. Ajo që i intereson ende më shumë se gjithçka është gjurmimi i dialekteve maleve e fshatrave mes të folmeve arbëreshe e arvanitase, e pastaj kthimi nëpër salla leksionesh ku e ftojnë papushim, duke derdhur me një përpikmëri detaji gati monstruoze, thesin e tij të pafund të dijes. Njohuritë e tij në dialektetet e humbura të Europës që rrallë i interesojnë kujt, si në shqipet e ndryshme, gjuhët e vdekura ose gati të vdekura mes skocezëve, galëve, e bretonëve, dhe bukuria në lidhjen që Hamp u bën dialekteve të gjalla me dhjetëra gjuhë të vdekura dhjetëra mijëra vjet të shkuara, por që ai i njeh dhe përdor lehtësisht, janë mahnitëse. Më kujtohet profesori im i universitetit, Shaban Demiraj, edhe ky një tjetër indoeuropianist i shquar që ende prodhon, krahason, e rindërton nga copëza të vjetra e të harruara, që njëherë duke bërë shaka për ardhjen e pleqërisë tha: “ne indoeuropianistët jetojmë sa duam vetë…” dhe pastaj nisi të numëronte sa të vjetër ishin disa nga shkencëtarët e njohur të indoeuropianistikës. Ndoshta është vërtet kështu: së paku Hamp dhe Demiraj vërtetojnë teorinë e Demirajt.

Herën e parë e kam takuar para 10 a 11 vjetësh në një konferencë albanologjike organizuar nga grekologu e albanologu Brian Joseph në universitetin e Columbus në Ohio. Hampi, qejfli, i verës e i muhabetit, më tha: “Jam i dashuruar me kategorinë e foljes. Është vepruese, energjike, ka aq shumë forma pra edhe është aq shprehëse, dhe është e vetëmjaftueshme e s’ia ka nevojën kujt për të thënë atë që do…” Kështu janë dashuritë e tij, me kategori, me paradigma, me pemë gjenealogjish gjuhësore, me grupime absolutisht jo-binare, me dialekte, katunde e njerëz që prodhojnë e përdorin fjalën e çmuar e që vdes. Ka qenë gjithnjë duke gërmuar e kërkuar fjalën, të cilën e ka ndjekur gjithë jetën që nga Harvardi i largët ku nisi studimet, dhe e ka gjëmuar pas më me pasion se Kazanova 122 gratë e veta.

Kësaj radhe në Chicago e pashë më të kërrusur se më parë, me hap shumë më të ngadalshëm, por ende me një mendje krejt të ndriçuar e e ide befasuese. Kur erdhi radha e leksionit të tij, nxori me kujdes një orë xhepi të florinjtë e shumë të vjetër, mezi e hoqi nga një ylyk i xhepit që mbante sahatin, e vuri pranë vetes në bankën ku kish shtruar rreth dhjetë pirgje me letra shënimesh të ndryshme që do duhej ta drejtonin gjatë leksionit, dhe u bë gati të niste. Kelly Maynard që i dha fjalën, tha diçka për eksentricitetin e njerëzve me sahatë xhepi në ditët kur celularët janë komputera dhe televizorë në të njëjtën kohë. Hamp qetë qetë u përgjigj: “Ashtu si gjuha shqipe që mban fort çdo folje të parregullt, madje edhe supletive, thjesht sepse ato funksionojnë ende, ashtu edhe unë mbaj e nuk hedh asgjë që ende funksionon…pra edhe sahatin tim të vjetër të xhepit”. Dhe kështu nisi të flasë për foljet e parregullta e supletive të shqipes dhe një mijë e një çështje të tjera të lidhjes mes shqipes e gjuhëve indoeuropiane.

E nis leksionin me një nderim të albanologut Holger Pedersen, e më pas thotë… “Imagjinoni: Danimarka, një vend që në tërësinë e vet numëron më pak banorë se Chicagoja, i ka dhënë shqipes dhe rolit të saj të pakrahasueshëm në familjen indo-europiane nëntë gjuhëtarë të kalibrit ndërkombëtar”. Hamp i quan të nëntë- “The Great Danes”, duke nisur me Rasmus Rask-un, zbuluesin e vërtetë të ligjit të Grimit, që ky i fundit vetëm sa e publikoi para Raskut danez, duke i dhënë padrejtësisht emrin. Pastaj u tërheq vëmendjen gjuhëtarëve historikë shqiptarë që “gjithnjë i referohen Pedersenit duke e cituar gabim sikur të kish thënë se kishte dy dhe jo tre laterale (bashkëtingëllore laterale/anësore) në indoeuropianishte…kam frikë se ata nuk e lexojnë Pedersenin në origjinal…thjesht i referohen njëri pas tjetrit gabimit që ka bërë i pari i atyre që e kanë cituar…”- shton pastaj duke lënë pas Ë-në e tij të gjatë, të plotë e tingëlluese mes fjalive, por edhe fjalëve; një “ë” që njihej si legjendare në fund të viteve 1960 mes studentëve pasuniversitarë të linguistikës në Universitetin e Chicagos, në epokën kur linguistika ishte mëma e rilindur e shkencave sociale moderne.  “Ëëëëëëëëëëë, por nuk dua të bëj listën me emra… s’ka rëndësi”, – thotë pastaj. Ngadalë, me një tufë rritëse parantezash, por edhe pa e humbur kurrë fillin, nis e lidh logjikisht tezën e tij, duke sjellë shembuj nga fjalë të mbledhura në 80 fshatrat arvanitase të Boeotisë greke, ku ka bërë ekspedita gjuhësore në vitet 1950-1960. Mban mend e përmend çdonjërin fshat, bashkë me moshat dhe karakteristikat e folësve që ka intervistuar, me një shqiptim perfekt (ndonëse tejet të sforcuar prej dishepulli të paepur) të të folmeve, e me një keqardhje prej ati që ka humbur bijtë e vet flori. Nis e thotë: “ëëëëëëëë, në vitet 50-60 ishin 570 ngulime të shqipes në Greqi… i kam numëruar një nga një… veç nuk pata kohë fizike të regjistroja më shumë se 80 ngulime”. Vetëm një gjuhëtar e di se çfarë do të thotë vjelje në 80 ngulime në terren! Dhe fytyra i pritet, e shfaqet një pezm i thellë. “Tani thuajse kanë vdekur të gjithë… folësit që intervistova unë, ishin në të gjashtëdhjetat atëherë. Duhet të kënë vdekur, megjithëse prapë mund të gjenden folës të mbijetuar.” Politika i intereson pak. Se si e pse jan zhdukur kaq ‘me nxitim’ arvanitasit e Greqisë, përse gjuha nuk flitet edhe kur dihet prej disa grupesh, se ç’rol kanë politikat institucionale greke në këtë, nuk është puna e tij. Veç gjuha i intereson, ajo e gjalla. Gjithsesi modestisht injoron që është i pari, para Trudgill-it, Kazazis-it, e Tsitsipis-it që ka folur për ndjesitë e forta të inferioritetit dhe diskriminimit të arvanitasve kur ata ende ndiheshin jo-grekë. Dhe lehtësisht, sikur t’i referohej rrugës që bën çdo mëngjes nga shtrati tek tavolina e punës, vizaton në ajër me gisht hartat e udhëve nga fshati në fshat në ndjekje të fjalës shqip nëpër Ballkane, prej shkrepave të malësive greke, malazese, atyre dalmate, serbe, kosovare e maqedonase. Po kështu bën me fshatrat e tjerë të shqipes arbëreshe në Itali, i vizaton në ajër, si zogj që zhvendosen në hartën që vetëm ai sheh, ku historia gjuhësore s’zë fill e s’ka fund, dhe as kufij, por vetëm continuum. Lakon lëvizjen e dorës në ajër dhe dredh vijën e drejtë, duke shmangur male e lumenj që i patën zënë rrugën më këmbë dikur, por të cilëve u ra qark, sepse përtej e priste fjala.

Cilësitë e metodës shkencore të Hampit? -Empirik, rigoroz në ligjësitë e fonetikës dhe gramatikës historike, i përpiktë në imtësi dhe i palodhur në kërkim të konfirmimit pa fund të çdo zbulimi në kuadrin e gjerë gjuhësor, i paepur e konsistent, me integritet shkencor të palakueshëm. Kur Hampi flet, të krijohet ideja se jeton në gjithëkohë e gjithëhapësirë; të duket vetja e përjetshme si ai. Nis me një formë foljore të fshatrave arbëreshë Cerzeto e Vaccarizzo Albanese, që jehohet nga arvanitishtja e fshatit Mandres dhe Magoula, dhe krejt natyrshëm dhe logjikshëm kalon në format e hetitishtes, anatolishtes, e mesapishtes, njëlloj sikur t’i kish vjelë mes të gjallëve edhe këto të fundit. Ë-të e tij të stërgjata janë një fat i madh në kësi rastesh, se të japin kohë të gjesh fillin që me siguri e ke humbur. Nuk ka kufij mes vdekjes dhe jetës në gjuhë apo shoqëri për Hampin. E gjitha është komunikim njerëzor i pandërprerë, domethënë gjuhë e përdorur dhe gradualisht e ndryshuar; e gjitha është vazhdimësi. Dhe ndoshta veç sipas kësaj filozofie, rindërtimi i miliona fijeve të shkëputura mes mëmës indo-evropiane e gjuhëve bija do ishte ndonjëherë i mundur.

Dhe kur ka përfunduar së përshkruari në detaj rrjetin fantastik që lidh Lindjen me Perëndimin, dhjetëra gjuhë të vdekura me ato që sot lulëzojnë apo po humbasin, kombe folësish miq e armiq, Hampi thotë: “Albanian is a personal love of mine. Albanian is the pinion on which Balkan linguistics all rests. Albanian is what is the fundament of Balkan Sprachbund.” (Shqipja është dashuri e imja personale. Është strumbullari rreth së cilës sillet gjithë gjuhësia ballkanike. Është themeli i sprachbundit ballkanik). E pastaj shton se “Slavishtja e vjetër dhe gjuhët balltike—edhe lituanezët do binin dakord, u pëlqen apo jo—janë si binjakë. Por këta binjakë nuk do mund të rrinin bashkë pa trinjakun e tyre, shqipen.”

Ah, shënimet komplekse, të mbishtresuara, të kapërthyera e të ndërlidhura me shenja fonetike, simbole komplekse, shigjeta e paranteza dyshimesh interesante të Hampit, janë një tjetër mesele shumë e veçantë. E kam provuar kur doja t’i botoja një artikull mbi numërorët themelorë në gjuhët indoeuropiane. Sa djersë e mund për t’i deshifruar e riprodhuar elektronikisht dorëshkrimet e tij, tamam ashtu siç i donte i pakomprometueshmi Hamp: “hundorësia e asaj zanoreje është ndryshe në atë fshat dalmat, dhe kjo lloj “ë-je” është rreth 1/10 e sekondës më e gjatë se ajo e shembullit të mëparshëm, dhe këto ndryshime duhen dëshmuar saktësisht në simbolet fonetike, përndryshe nuk bëjmë shkencë por mashtrojmë”. E pastaj, kur i kërkova të më jepte në bibliografi të shkrimit që kish përgatitur, burimet bibliografike për Buzukun, Matrangën, Bogdanin dhe Kristoforidhin, ca i fyer e ca i irrituar më tha: “Këto nuk duhet të jepen në bibliografi. Çdo shqiptar po ta zgjosh nga gjumi, duhet ta dijë këtë informacion. Do ishte e tepërt të shkruheshin”. Por do duhej një tjetër shkrim për to.

Në darkë, teksa pinte pak verë, me një buzëqeshje që përcjell aq shumë mirësi e sinqeritet, me sy gjithnjë të ndritshëm e të zgjuar, ngriti ai dollinë e fundit të tryezës: “Gëzuar e tungjatjeta!”- na tha Hamp me një shqipe jugore fshatarake, të pastër e të ëmbël.

Me gjithë zemër, i dashur e i virtytshëm Eric! T’u ngjattë jeta edhe ty, dhe të falemi nderit të gjithë për një jetë që na e kushtove ne shqiptarëve e gjuhës sonë më shumë se vetes. Dhe shpresoj të mund të ta themi këtë sa je gjallë e na dëgjon.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.