EDHE SHTËPI EDHE PUBLIKE

Më ngacmoi një vëzhgim i Romeo Kodrës, për dhënien e bordellos në shqip si shtëpi publike, dhe pikërisht:

[D]ua të evidentoj edhe përdorimin e sintagmës “shtëpi publike” që përcakton bordellon, ku duket se “publikja”, nënkuptuar si hapje, për shqiptarët merr një konotacion përçmues, tërësisht ndryshe prej italianëve, që e përcaktojnë bordellon si “casa chiusa”. Të konceptuarit e publikes si prostituim sugjeron se lidhja e vështirë dhe problematike e shqiptarëve me hapësirën e përbashkët publike e ka gjenezën shumë më të thellë, përtej traumës së viteve të tranzicionit.

Dhe sakaq u ngacmova që të qëmtoj origjinën e kësaj shprehjeje, “shtëpi publike”, e cila emërton një vend (një hapësirë, një institucion) ku ushtrohet ligjërisht prostitucioni femëror. Në shqip, fjala përdoret krahas bordello dhe kuplara; për t’u shënuar se “shtëpi publike”, për nga vetë forma e brendshme, është eufemizëm, çfarë mirëkuptohet, po të kemi parasysh tabunë e seksit dhe të prostitucionit; dhe historinë e prostitucionit të ligjshëm e të paligjshëm, në Shqipëri dhe gjetiu.

Nga ana tjetër, termi “shtëpi publike” duket të jetë marrë fjalë për fjalë nga rusishtja публичный дом (publichnyj dom), i cili shënjon gjithashtu një vend ku ushtrohet prostitucioni. Në rusishte termi lidhet edhe me historinë e legalizimit të kësaj praktike; duke qenë kjo публичный дом edhe vend qejfi ose ku burrat e interesuar për seks mund të takojnë gra që e ofrojnë këtë si shërbim, përkundrejt pagesës. Në italisht, përdoret edhe casa di appuntamenti ose casa di toleranza, krahas casa chiusa që përmend Kodra (kjo e fundit duhet të lidhet me nevojën për t’i hequr prostitutat nga rruga dhe nga “sytë” e rrugës, e për t’i mbyllur me dryn, sikurse edhe për ta “mbyllur” seksin me pagesë brenda mureve të një ndërtese të posaçme ku edhe dritaret mund të jenë të muruara; khs. edhe frëngjishten maison close).

Në Rusinë e shekullit XIX, prostitutat ishin “gra publike”, në kuptimin që mund të ofronin seks përkundrejt pagesës (ndryshe nga gratë e tjera, të cilat mbeteshin “private”, ose nën kontrollin e bashkëshortëve, prindërve, kishës dhe institucioneve të tjera tradicionale). Megjithatë, cilësimi “publike” në termin публичный дом gjithnjë lidhet me legalizimin e prostitucionit, ose “normalizimin” e tij, çfarë lidhet me nevojën për të kontrolluar edhe përhapjen e sëmundjeve veneriane (si problem i shëndetit publik); por edhe nevojën për të ruajtur moralitetin publik duke moderuar sjelljen e burrave (të cilët, në mungesë të prostitutave, pritej që t’u lëshoheshin vajzave të pamartuara).

Kjo lidhej edhe me regjistrimin e detyruar të prostitutave dhe pajisjen e tyre me kartën e verdhë (желтыи билет/zheltyi bilet); një masë administrative e cila efektivisht krijoi një kategori sociale të re në Rusinë Cariste: gruan publike (Laurie Bernstein, Sonia’s Daughters). Edhe në italishte donna pubblica ka kuptimin “prostitutë, lavire”, sikurse në frëngjishte femme publique; termi, gjithnjë si eufemizëm, duket se e ka origjinën në ligjërimin juridik. Sipas kësaj mendësie, ndryshe nga gruan “jo-publike”, të cilën mund ta përdorë seksualisht vetëm bashkëshorti, gruan publike lejohet, në parim, ta “përdorë” kushdo (në moshë madhore) përkundrejt një shpërblimi ose pagese. Megjithatë, fakti që termi grua publike në shqipen formale të pas vitit 1944 është përdorur shumë pak ose fare me kuptimin “prostitutë”, tregon se normalizimi i prostitutës si rol social, në Shqipërinë moderne, nuk u krye dot, ose gjithsesi mbeti shumë prapa normalizimit, qoftë edhe vetëm a kryesisht në kulturë, të shtëpisë publike si vend ku ofrohet prostitucioni si shërbim i ligjshëm.[1]

Falë edhe ndikimit të rusishtes, mbiemri publik në togfjalëshin shtëpi publike të shqipes së sotme luan funksion klasifikues të ngjashëm me atë që luan në termat nevojtore publike dhe banja publike si vende “të hapura për të gjithë” dhe që ofrojnë shërbime të caktuara, me natyrë përndryshe private, për të gjithë ata qytetarë që nuk i kanë kushtet për t’i përdorur privatisht; njëlloj sikurse emri shtëpi përdoret në këtë rast me kuptimin seli e një institucioni a një shërbimi të caktuar, njëlloj si në togjet shtëpi pushimi, shtëpi e pritjes, shtëpi botuese, shtëpi kulture, shtëpi e lindjes, shtëpi e fëmijës, shtëpi e oficerëve, shtëpi e pionierit etj.

Përndryshe, në kulturën anglo-saksone, public house ka marrë me kohë kuptimin e një pijetoreje a taverne, statusi i së cilës rregullohej nga common law. Historikisht, një public house shërbente edhe si han, duke ofruar jo vetëm ushqim dhe pije, por edhe strehë për udhëtarët. Është afërmendsh që vende të tilla të shërbenin edhe për të bashkërenduar klientët e interesuar me prostitutat. Emërtimi sot është reduktuar në pub dhe ende shënjon një nga institucionet bazë të jetës në Britaninë e Madhe dhe gjetiu në vendet me kulturë britanike, edhe pse pa lidhje haptazi me shërbimet e seksit.

Sa i takon vërejtjes së lartcituar e Kodrës, rreth konotacionit keqësues që ka marrë publikja në shoqërinë e sotme shqiptare dhe vetë fjala publike në shqipen e sotme, po mjaftohem të them se çështja e ngritur nga ai autor shkon më tej synimit të këtij shkrimi; dhe se dukuria mund të lidhet edhe me përdorime të tilla gjuhësore si “kryen akte të turpshme në publik”, “bënë seks në publik”, “defekoi në publik”, “u zhvesh në publik”, “e shau në publik ose publikisht”, etj., ose të gjitha ato raste kur publiku shërben si kontekst i një shkeljeje të etiketës, të normave morale dhe sociale, ose edhe të ligjit; a i një akti sfidues të konformitetit (meqë hapësira publike gjithnjë rregullohet sipas normave të shkruara dhe të pashkruara, ndryshe nga një zabel në pyll). Sikurse mund të lidhet edhe me faktin tjetër, që qytetarët në Shqipëri (dhe sidomos pushtetarët) ende nuk mësohen dot me faktin që një pasuri a pronë “publike” është në fakt e tyrja dhe jo e qeveritarëve që e administrojnë.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.


[1] Një libër i Fatos Baxhakut dhe Klodiana Kapos për prostitucionin në vitet e mbretërisë titullohet: “Gra të përgjithshme. Histori prostitucioni shqiptar në kohën e Zogut.” Sikurse raporton gazeta Express:

Autorët na sqarojnë prej fillimit, se një nga telashet e librit ka qenë gjuha e përdorur në korrespondencën zyrtare të kohës dhe terminologjia shumë e larmishme, dhe shënojnë se “Kurvë, grua e përgjithshme, prostitutë, çengie, grua qejfi, grua e përdalë, bordello, kuplara, prostitucion, burdelizëm, shtëpi e përgjithshme, shtëpi publike, drejtori, pronari, i zoti i shtëpisë publike, burdeltari, të gjithë këta terma ndeshen paralelisht thuajse në të njëjtën periudhë”.

Edhe studiuesi Spiro Mëhilli ka bërë të njohur në një dokument të vitit 1927, ku prostitutat quheshin “gratë e përgjithshme” dhe shtëpitë publike “shtëpi të përgjithshme”; në një kohë që, vetëm tre vjet më vonë, një gazetë e Korçës mund të ketë përdorur termin “shtëpi publike” (materiali gjendet këtu). Në një dokument të mëvonshëm (1937), të botuar nga Irena Shabani, gjejmë termat shtëpi publike dhe shtëpi e lirshme për publik; ndërsa te një tjetër, i vitit 1941, ndeshim edhe termin gra publike. Duhet supozuar se grua e përgjithshme, njëlloj si grua botore dhe grua publike më vonë, janë shqipërime të donna pubblica ose femme publique dhe i përkasin ligjërimit juridik ose zyrtar; përkundrejt kurvë ose çengi, që janë të ligjërimit bisedor. Për t’u shënuar një letër, e cituar nga Baxhaku dhe Kapo, ku një nga këto gra kujdeset që të shpjegojë se “ka qenë në grupin e çengive”, por “nuk është prej grave të përgjithshme”, çfarë lë të kuptohet se ky term i dytë mund të ketë emërtuar prostitutat e rregulluara me ligj (meqë e nënshkruara sqaron se “ka hjekë dorë prej atyne punve qi shkaktojnë vizitë”, duke u orvatur të shmangë shpenzimet mjekësore dhe taksën).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.