ELEFANTI DHE ELEFANTJA

Lexoja sot një artikull për metodën e të mësuarit të “gender” në shkollat italiane, dhe më tërhoqëi vëmendjen që një e intervistuar, edukatore kopshti në Trieste, për të ilustruar bindjen e saj se “stereotipet e gjinisë janë më të fortë se eksperienca”, sillte për shembull vizatimin e mëposhtëm:

CaptureDhe shtonte pastaj se pyetjes nëse “elefanti me çantë” është mashkull apo femër, të gjithë fëmijët i përgjigjeshin “mashkull”, pa çka se shumë prej tyre do ta kenë parë nënën në atë rol social – si mësuese, ose avokate, ose mjeke.

Pa u futur në debatet për të cilat bën fjalë shkrimi, dua vetëm të shtoj se edhe unë atë elefant do ta kisha identifikuar menjëherë si “mashkull” – por jo aq për faj të stereotipeve të gjinisë, sesa për faktin e thjeshtë që shqipja, sikurse italishtja, na detyron njëfarësoj ta mendojmë elefantin në gjininë mashkullore – meqë e lakojmë si emër mashkullor, ia përshtatim mbiemrat dhe përemrat në gjininë mashkullore e kështu me radhë.

Ndoshta eksperimenti do të kish qenë më me interes, në Itali, sikur në vend të elefantit të kishin paraqitur një lejlek: la cicogna, që në italishte është emër i gjinisë femërore. Në këtë rast, stereotipia mashkullore e çantës do të hynte në konflikt me imponimin gramatikor të fjalës cicogna. Përndryshe, sikur unë të shihja një dhelpër në vend të elefantit, në imazh, do ta kisha identifikuar sakaq si “femër”, ngaqë dhelpra në shqip është e gjinisë femërore (por jo renard-i i frëngjishtes!).

Diskursi i sotëm për probleme të gjinisë (gender) është shtjelluar në masë të madhe në anglishte; çfarë përbën një paradoks, sepse anglishtja nuk e ka kategorinë e gjinisë, përveçse në disa pak raste dhe përgjithësisht të shoqëruar me seksin. Përgjithësisht, një anglishtfolësi do t’i duhej të zgjidhte me vetëdije për ta quajtur elefantin e imazhit Ralph apo Laura – meqë nuk ka asgjë në fjalën elephant që të sugjerojë mashkullorësi, siç sugjeron mashkullorësi, përkundrazi, nyja e shqipes: elefant-i.

Dhe nuk është se thjesht po spekuloj. Për shembull, në shqipe është e natyrshme që Dielli të përfytyrohet si djalë, dhe Hëna si vajzë; por në gjermanishte ndodh e kundërta: dielli është i gjinisë femërore (die Sonne), ndërsa hëna mashkullore (der Mond). Edhe Grimm flet diku për “Frau Sonne und Herr Mond” (“zonja Diell dhe zoti Hënë”).

Prandaj edhe një roman si Dranja i Martin Camajt do të mund të përkthehej me sukses vetëm në ato gjuhë ku breshka është e gjinisë femërore (si në italishte: tartaruga); sepse atje identifikimi i breshkës me nënën/gruan/dheun është themelor për të kuptuar romanin vetë, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me perceptimin e asaj kafshëze si “femër” nga lexuesi, nëpërmjet gjuhës.

I sjell këto përsiatje jo thjesht për kuriozitet; sot mësuesve u kërkohet, ndonjëherë me përparësi, që t’u ruhen stereotipeve të gjinisë kur komunikojnë me fëmijët; madje që edhe t’i përgatitin këta për fluiditetin e roleve të gjinisë në shoqëritë e sotme Perëndimore. Mirëpo, siç thashë, një pjesë e kësaj ideologjie është përpunuar në gjuhë pa gjini gramatikore, si anglishtja; ku semantika e gjinisë shpesh është e lidhur ngushtë me seksin.

Përkundrazi, në gjuhët me gjini gramatikore, ku bën pjesë edhe shqipja, ndarja e emrave në gjini vjen po aq natyrshëm sa edhe organizimi i hapësirës sipas akseve lart/poshtë, para/mbrapa, majtas/djathtas. Përfytyroni absurditetin e një doktrine që do të rrekej t’u shpjegonte fëmijëve se ndarja e hapësirës në “para” dhe “mbrapa” privilegjion njërin prej skajeve të aksit, duke diskriminuar tjetrin.

Imazhin më lart e solla qëllimisht të cunguar; në fakt, fëmijëve u ishte treguar ky i mëposhtmi:

elefanti

Mirëpo nuk pashë gjëkundi të thuhej në artikull, se ç’thonin fëmijët për elefantin që shtynte karrocën. Gjasat janë që ta kenë quajtur atë “femër” jo thjesht për shkak të rolit social që luan, por edhe në kundërvënie me mashkullin majtas – në kuptimin që një ndarje mashkull-femër e sugjeron vetë struktura e dyzuar e imazhit; njëlloj sikurse vetë gjinitë, mashkullore dhe femërore, parakuptojnë njëra-tjetrën dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën, që të përvijohen.

Një eksperiment i dizajnuar keq, që përdor si premisë atë çka kërkon të provojë; por edhe një mundësi për të kuptuar se stereotipet sociale ndaj gjinisë ndonjëherë i kanë rrënjët në gjuhë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.