EMOJI TË REKRUTUARA (VI)

Ky vështrim i përmbledhur i fytyrës që ka zgjedhur të tregojë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në Facebook nuk do të ishte i plotë, pa marrë parasysh që, veç fotove, videove, emojive dhe informacionit për punët e Bashkisë, statuset në fjalë përmbajnë shpesh moralizime, në formë “mësimesh”, të cilat autori i nxjerr – pas gjase – nga arritjet e institucionit që drejton, të tijat personale dhe të qytetarëve të Tiranës si komunitet.

Po citoj më poshtë disa nga këto grimca urtësie, siç i kam qëmtuar nga statuset e Veliajt gjatë periudhës njëmujore 10 qershor – 10 korrik 2018, të cilat shpresoj të mjaftojnë për të krijuar një ide se për çfarë e kam fjalën:

  • Ku ka më mirë për një qytet, ku gjithësecili ndihmon për zhvillimin e tij!
  • Historia ka provuar që kur ne shqiptarët bëhemi bashkë, mund të realizojmë vepra akoma më të mëdha se ç’kemi bërë deri më sot!
  • Vetëm me punë ecim përpara miq, 👷‍♂️ nga gjithologët 📢 që kundërshtojnë gjithçka e s’prekin gjë me dorë s’kemi parë hajër. 🙏
  • Nëse fëmijët tanë i rrisim me dashurinë për librat 📚❤dhe natyrën,  💚 jam i sigurt që Tirana do jetë në duar të sigurta.
  • Ju lutem, kujdes kohën e nxehtë! 🔥
  • Me pak mirësi, dëshirë për ndryshim e dashuri për të renë, mund të bëjmë mrekulli ku cdo gjeneratë i lë pas gjeneratës së re një teatër, qytet e vend më të mirë se ai që përjetoi vetë! Forca përpara!
  • Po t’i bëjmë gjërat me dashuri, jo duke penguar njëri-tjetrin, por duke i dhënë fuqi transformimit të Tiranës, atëherë ky është vetëm fillimi dhe më e mira është përpara.
  • Kur nuk merremi me llafe e fokusohemi tek puna, bëjmë mrekulli!
  • Edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë, por me punë dhe besim u bë siç e shohim sot.
  • Nëse gjithësecili jep një ndihmë të vogël,  🙏 jam i sigurt që do u lëmë fëmijëve tanë, një qytet më të rregullt, më të pastër e më miqësor. 🌳🌷🌾🐞
  • Veç me punë dhe pozitivitet ecim përpara!
  • Ja mor miq, kur punojmë, bëjmë mrekulli!
  • Herët a vonë, triumfon shumica e arsyeshme.
  • Puna nuk mungon 24/7, por le të kujdesemi të gjithë për Tiranën, shtëpinë tonë të madhe
  • Durimi dhe besimi shpërblehen me punë të mira!
  • Jam i bindur, se si në çdo vepër tjeter, kur bëhemi të gjithë bashkë, mund të nxjerrim vepra të mëdha.
  • Ky është shembulli se si, kur bëhemi bashkë, mund të kthejmë hapësira të harruara, në destinacione të preferuara nga qytetarët dhe turistët.
  • Kur ne shqiptarët bashkëpunojmë e nuk përleshemi, bëjmë mrekulli!
  • Shembulli perfekt, se si kur bëhemi të gjithë bashkë, mund të nxjerrim vepra të tilla të mëdha. 🙌
  • Kur komuniteti bëhet bashkë, bashkia përgjigjet.
  • E di që ka ende shumë për të bërë, por me pak durim dhe energji pozitive, do i mbarojmë të gjitha. 🙌🏻👏🏻
  • Me dashamirësi mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme! 😊👍
  • Të merresh me sport, të bën kampion në jetë! ⛹️‍♂️🏆
  • Sillni fëmijët të angazhohen me sport. Nëse nuk do dalin kampionë në fushë, 🏆 do të dalin kampionë në jetë!

Status pas statusi rikthehemi te nevoja për të qenë të bashkuar, primati i punës ndaj llafeve, kulti i punës si burim zgjidhjesh, nevoja për pozitivitet, dobia e dashamirësisë dhe promovimi i sportit: të gjitha të mbështetshme dhe po aq të pakundërshtueshme, sa edhe gjimnastika e mëngjesit ose shtysa e brendshme për t’ia liruar vendin një gjysheje në autobus.

Nga këto, bashkimi zë kryet e vendit, vlerë pozitive për komunitetet e vogla të mëhallave dhe qytezave (jo për Tiranën, ku nuk ka kuptim), por që vështirë se mund ta quash virtyt: ana e errët e bashkimit është uniformimi dhe unanimiteti, sakrifikimi i individit për hir të së përbashkësisë (“herët a vonë triumfon shumica e arsyeshme”), diktatura e shumicës; ndonjëherë edhe me nuanca kombëtariste (“kur ne shqiptarët bashkëpunojmë e nuk përleshemi, bëjmë mrekulli”). Në vija të përgjithshme, ky lloj bashkimi që sugjeron kryebashkiaku ka diçka nga stërvitja rreshtore dhe mendësia ushtarake; meqë, kur vjen puna për statusin dhe detyrat e një institucioni, qoftë edhe në marrëdhëniet e tij me publikun, bashkimi nuk është gjë tjetër veçse teknikë organizative; gjithë duke pasur parasysh se njerëzit mund të bëhen bashkë edhe për kauza nga më të mbrapshtat, pra se bashkimi në vetvete nuk garanton asgjë mirëfilli etike.

Bashkimi në këto statuse shkon krah për krah me punën: “vetëm me punë ecim përpara, miq”. Nuk del e qartë se për çfarë pune bëhet fjalë: për punën e paguar të kryebashkiakut vetë dhe të sektorëve, drejtorive dhe agjencive të Bashkisë, apo për punën vullnetare të shtetasve, apo për punën në përgjithësi, si krijuese vlerash materiale dhe shpirtërore. Rëndësi ka, për Veliajn, që “kur nuk merremi me llafe e fokusohemi tek puna, bëjmë mrekulli”; çfarë ia kundërvë punën jo dembelizmit dhe pasivitetit, por llafeve (që në zhargonin e Veliajt ndonjëherë duhet lexuar si “kundërshtimeve” ose “kritikave”)[1]. Për kryebashkiakun e Tiranës, llafet janë ato të gjithologëve “që kundërshtojnë gjithçka e s’prekin gjë me dorë” (prej tyre “s’kemi parë hajër” – sërish enigmatike veta e parë shumës: kush nuk ka parë hajër? Dhe më tej, kush flet këtu në vetë të parë shumës – populli i Tiranës?); dhe pengojnë realizimin “e mrekullive”. Si për ta çuar mesazhin në destinacionin e duhur, gjithologët ilustrohen nga emoji i megafonit (📢), i cili përdoret zakonisht në protestat, përfshi edhe këto të fundit, kundër Veliajt, për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Dhe nëse kryebashkiaku e ka seriozisht, kur ia kundërvë punën (👷‍♂️) logosit politik, atëherë nuk ka emoji që ta narkotizojë konotacionin negativ skërmitës, ose përballjen e atyre që punojnë me parazitët.

Natyrisht, kryebashkiakut i Tiranës i është besuar nga qytetarët një detyrë administrative për ta kryer, së cilës mund t’i dalë zot duke u qëndruar punëve mbi kokë (siç edhe u qëndron lavdërueshëm); askush nuk pretendon prej tij që të ligjërojë si bilbil, t’i bëjë njerëzit për të qarë, t’i bjerë kitarës, të debatojë për Nietzschen dhe Zhizhekun, të angazhohet në polemikat rreth Mustafa Nanos dhe të marrë përsipër rolin social të “mendimtarit” në agora. Por kjo kundërvënie e punëve me “llafet” do të binte erë të keqe sikur të mos ishte, në fakt, një platitudë po aq e konsumuar, sa edhe ajo e bashkimit që bën fuqinë dhe ajo tjetra që “po t’i bëjmë gjërat me dashuri…”. Oh yeah. Tani vetëm Kumbaya mungon.

Në fakt, predikimet e Veliajt tingëllojnë po aq të parafabrikuara sa edhe vetë emojit; duke kombinuar në vetvete ligjërimin motivacional si për boyscouts me thjeshtësinë e edukatores së kopshtit, që kërkon t’u përcjellë fëmijëve elementet e para të ecjes në rrugë të mbarë me tonin karakteristik faux prindëror (“Ju lutem, kujdes kohën e nxehtë!🔥”); dhe nëpërmjet një lloj infantilizimi skematik të ngjashëm me atë që sjellin me vete emojit. Tani marrin kuptim të ri edhe pozat e shumta fotografike të Veliajt me fëmijë: i rrethuar nga fëmijë, duke luajtur me fëmijë, në biseda me fëmijë; janë foto që përforcojnë rolin e tij të ri prej edukatori (scoutmaster).

Nëse ka një gjë që mungon, në këto fjalë të urta, është nevoja që Tirana të mbetet edhe vatra e mendimit kritik në Shqipëri, kryeqendra e kulturës dhe e dijes, vendi ku të kultivohet mendja e kombit dhe ku të riprodhohen brezat jo vetëm të ndërtuesve me kaskë mbrojtëse dhe të klientëve të Mobike-ut, por edhe të intelektualëve, artistëve, mësuesve; të cilët mund të mos prekin gjërat me dorë, por ama prekin mendjet dhe shpirtrat me fjalë, dhe prej të cilëve Shqipëria mund të ketë veç hajër.

Ky lloj të foluri moralizues duket sikur nuk është aq karakteristikë intrinseke e Veliajt politikan, por imponohet nga marrëdhëniet që ai ka vendosur të mbajë me publikun në Facebook, në kontekstin edhe të fotove, emojive, dhe pozitivitetit të përgjithshëm që shoqëron statuset. Këtu nuk është predikuesi që e krijon skenën, por skena që e krijon predikuesin, duke i blatuar edhe autoritet moral përndryshe të papërligjur. Dhe ky predikues njëkohësisht, po u thotë lexuesve të tij se është në gjendje t’i udhëheqë drejt mrekullive, gjërave të mrekullueshme, veprave të mëdha, madje veprave “akoma më të mëdha se ç’kemi bërë deri më sot”, në mënyrë që e nesërmja të jetë më e mirë se e djeshmja, meqë “ky është vetëm fillimi dhe më e mira është përpara.” Edhe mesazheve të fshehura në biskotat kineze do t’u vinte zor, po të tingëllonin kështu.

“Kur nuk merremi me llafe e fokusohemi tek puna, bëjmë mrekulli!” – lexon një nga proverbat e Veliajt. Te kundërvënia e punës me llafet, kryebashkiaku i Tiranës sheh materializimin jo vetëm të konfliktit mes eficiencës dhe shpërdorimit të kohës (parazitizmit), por edhe të luftës mes së mirës dhe së keqes: ndoshta asnjë nga stafi i vet, aq i rafinuar, nuk ka guxuar t’ia kujtojë Veliajt që ky obsesion i tiji i vjetër me punën (dhe veprimin) bart me vete aluzionin te një Arbeit macht frei. E megjithatë, në kontekstin e hulumtimit tonë, tundon sugjerimi për ta interpretuar maksimën si justifikim për vetë logosin aq të varfër me të cilin e prezanton veten Lali Eri në Facebook; për formulat, stereotipitë dhe platitudat, për mungesën e mendimit racional dhe të artikuluar mirë, sidomos në krahasim me pasurinë dhe larminë e mojive dhe marifeteve të tjera vizuale, mbi të cilat themelohen statuset. Prandaj le ta përkthejmë formulën kështu: “kur nuk humbasim kohë me gjuhën e shkruar e fokusohemi tek emojit, bëjmë mrekulli!” Pikërisht.

***

(Fund. Pesë pjesët e tjera të kësaj eseje mund të lexohen duke klikuar këtu.)

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.


[1] Për “filozofinë” me të cilën i qaset Erion Veliaj punës (punës në vetvete), kemi shkruar edhe dy vjet më parë – te “Puna që e mundka dhunën.” Këtu do të mjaftohemi të shtojmë se, në kushtet e njohura kur Shqipëria vuan nga papunësia në shkallë të gjerë, nxitja haptazi për të punuar nuk mund të jetë veçse një model (sado i ligjshëm) shantazhi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.