Epika në letërsinë perse

Dr. Ahmed TAMIMDARI

 

EPIKA NË LETËRSINË PERSE[1]

­­­

Ahmed Tamimdari

Ahmed Tamimdari

Në kuptimin terminologjik epikë do të thotë heroizëm dhe trimëri. Është nga llojet më të lashta letrare, e cila interpreton ngjarjet parahistorike dhe është një raport i epokës së parë. Epika përshkruan idealet e një populli, ku zënë vend historia, mitologjia, fantazia dhe e vërteta. Poeti i epikës është historiani i popullit[2]. Koncepti i poetit epik persian është interpretimi i heroizmave dhe i sakrificave të personazheve mitologjike dhe kombëtare në mbrojtje të fiseve dhe të qytetërimit iranian, të krijuar në stilin luftarak. Epika në letërsinë persiane është më e pasur dhe më e lashtë në krahasim me gjinitë e tjera dhe kjo është e natyrshme për një letërsi të lashtë. Prandaj, njeriu para se të shprehë ndjenjat dhe qëndrimet e tij qytetare, duket se ka ndierë nevojën të shprehë perceptimet e tij për botën e jashtme që e rrethon dhe në realitet njerëzimi, pasi ka interpretuar botën e tij objektive, më pas i është qasur botës subjektive, sepse ai në fillim ka parë veprat e zotërve dhe të heronjve të tij dhe epika përpiqet t’i interpretojë përjetimet e njeriut të parë. Kjo vërehet shumë qartë te kalimi i poezisë nga epika në lirikë që është një nga karakteristikat e letërsisë persiane. Ky është dhe shkaku që kasidetë epike të oborrit të dinastisë së Gaznevitëve u transformuan në kaside përshkruese dhe lirike të shekujve të mëvonshëm[3].

Nga që epika merret me jetën dhe me veprat e heronjve’ ajo ka marrë emrin edhe poezi heroike. Në fillim epika është ruajtur në formën e gojëdhënave dhe për shkak të nevojës së tubimit ose të përmbledhjeve të epikave në një vepër të veçantë, ajo për nga lashtësia ndahet në tri grupe:

 

  1. Epika tradicionale. Është lloji më origjinal i epikës dhe kësaj i thonë edhe “epika e parë” ose “gojëdhënë”, në të cilën bëjnë pjesë veprat si: Shahname-i Mensur Ebu Mensuri, Gershasbnameja e Esediut, Behmenname, Berzuname dhe Shahnameja e Ferdusiut. Transmetimet e Shahnames së Ferdusiut bazohen në veprat e lashta, transmetimet e tubuara nga vende të ndryshme dhe nga gojëdhënat.
  2. Epika e dytë ose letrare. Kjo lloj epike shkruhet në bazë të epikave të lashta. Në këtë lloj, poeti është shpikësi i tematikës dhe atë e shkruan në bazë të kritereve të epikave të vjetra, siç është “Parajsa e Humbur” e Hamiltonit.
  3. Epika e tretë ose e fundit, shkruhet duke u bazuar në llojin e dytë të epikës dhe si shembull mund të paraqesin tregimet popullore që janë shkruar duke u mbështetur në tregimin e Rustemit të Shahnames[4].

 

Kemi edhe një tjetër kategorizim të epikës, që epikën e ndan në dy lloje: Epika natyrore dhe kombëtare; dhe epika artificiale[5]. Ndërsa përsa i përket rrafshit tematik, epika mund të klasifikohet në disa lloje të ndryshme, si:

 

  1. Epika mitologjike, e cila është edhe epika më e lashtë. Në letërsinë persiane, pjesa e parë e Shahmanes së Ferdusit, deri tek tregimi për Feridunin dhe Ejatekar Zeriran, i takon kësaj lloj epike.
  2. Epika heroike, e cila ka edhe dimensione të mitologjisë, sikurse edhe tregimi i Rustemit në Shahname. Epika historike përmban të dhëna historike, kurse si shembull mund të tregojmë veprat Zafername e Hamdullah Mustafaviut dhe Shahinshah name e Sebas në periudhën e kthimit.
  3. Epika fetare, si Havername e Ibni Hesamit dhe Ordibeheshtname e Surushit, dhe
  4. Epikat mistike, e cila është edhe karakteristikë e letërsisë persiane. Në këtë grup bëjnë pjesë tregimi për Hallaçin në Tezkiretu Evlija dhe në Mantikut Tajr të Atarit[6].

 

Për nga forma dhe dukja e jashtme, epika ndahet në lloje të ndryshme, por ky kategorizim nuk ka qenë aq shumë objekt i studiuesve, kështu që, mund të përmendim epikën mitologjike në poezi dhe në prozë ose epikën heroike në prozë dhe në poezi.

Studiuesit, veçoritë e epikës i kanë klasifikuar në 20 grupe, por ne do të mundohemi që këto t’i përmbledhim në katër grupe:

 

  1. Në grupin e parë hyjnë veçoritë që kanë të bëjnë me personazhet e epikës dhe veprat e sjelljet e tyre, si: dyluftimet e heronjve të epikës me burrat më të fortë të armikut, kalimi i shtatë stazave, luftimi me divat, shkuarja në udhëtime të gjata e të largëta, mbytja e dragonjve, etj.. Këtu heronjtë janë gjallesa mbinatyrore dhe rrjedhin prej fisit të zotave, ndërsa në epikën iraniane, heroi ka një jetë shumë të gjatë. Në epikën iranian ekziston hyjnesha e cila zakonisht dashurohet me heronjtë e epikës, sikur dashuria e Tehmines, nënës së Sohrabit me Rustemin dhe dashuria e Sudabes me Sijavushin. Ka shumë pak raste që në epikë të ketë heroina dhe kjo gjatë tërë Shahnames së Ferdusiut mund të vërehet vetëm në tregimin e Rustemit dhe Sohrabit, në të cilin gjendet një heroinë e quajtur Gordaferid. Përballja e Rustemit kundër Afrasjabit dhe Ahuramazda përballë Ahrimenit janë luftim i personazheve dhe që me veprat e tyre, epikën e shndërrojnë në tragjedi. Vdekja e heronjve të epikës zakonisht fshihet nga lexuesit e kësaj letërsie.
  2. Veçoritë që kanë të bëjnë me vendin dhe kohën e epikës.

 

Zakonisht në epikë ekzistojnë dyshime për kohën dhe vendin e ngjarjeve. Ndonjëherë në to flitet për një vend gjeografik, por ne nuk e dimë se ku ndodhet ai vend, si p.sh. Turani, Semnegani, Mazenderani, etj..

 

  1. Veçoritë që përmbajnë elemente magjike, siç janë personazhet magjike si Simorgu, zanat e malit, rritja dhe ndikimi i Rustemit nga ana e Simorgut në Shahname dhe po ashtu kali mbinatyror i Rustemit.
  2. Veçoritë që kanë të bëjnë me sjelljet dhe veprat e përgjithshme në epikë, si dyluftimet e personazheve me heronjtë e armiqve, sjellja e shtazëve dhe divave, gjuetia, të folurit me Zotin, veprat e jashtëzakonshme të heronjve para dyluftimit dhe shumë gjëra tjera që ndjekin harmoninë e veprës epike.

 

Fillimi i epikës iraniane dhe mbledhja e tregimeve epike ka filluar edhe para dyndjes së fisit arian në tokat e Iranit. Në kohën kur fiset ariane erdhën në Iran, me vete sollën edhe epikën e tyre kombëtare. Këto tregime në mesin e iranianëve dhe të arianëve indiano-lindore kanë ngjashmëri të shumta, siç është miti i Xhemshidit[7]. Kështu që, epika kombëtare e Iranit ka filluar përpara emigrimit të iranianëve në Iran, por pas ardhjes së iranianëve në këtë vend epika u pasurua me elemente të reja dhe në periudhën e sasanidëve arriti kulmin e saj[8]. Rrjedha e zhvillimit të letërsisë epike në Iran ka tri periudha:

 

  1. Periudha e parë është nga fillimi i shek. 3/9 e deri në fund të shek. 6/12, në të cilën u krijuan edhe eposet më të rëndësishme për heronjtë kombëtarë të Iranit. Veprat më të rëndësishme të kësaj periudhe janë: Shahname-i Mensur Ebu Mensuri dhe Shahnameja e Ebul kasem
  2. Periudha e dytë fillon në shek. 6/12 ku dhe krijohen eposet historike të Iranit. Në këtë periudhë filloi të përhapet kultura e shkrimit të tregimeve kombëtare. Arsyet kryesore të saj janë faktori politik, ndikimi dhe sundimi i kombeve joiraniane në Iran, rritja e faktorit fetar dhe zbehja e krenarisë racore. Eposet historike, që janë shkruar në lidhje me trimat dhe burrat e historisë së Iranit zëvendësuan eposet kombëtare, dhe si shembull mund të tregojmë Iskendernamen e Nizamiut dhe Shahenshahnamen e Muxhededdin Muhammed Pajizi
  3. Periudha e tretë fillon nga fundi i shek. 9/15 e më vonë, në të cilën përveç epikës historike, zënë vend edhe eposet fetare[9]. Kjo epikë së fundi ka filluar të quhet edhe “epika artificiale”. Në këtë grup bëjnë pjesë veprat Shahname-i Hazreti Shah Ismail e autorit Abdullah Hatefi dhe Shahname-i Kasem Gonabadi, poet i shekullit të 10/16.

 

Natyrisht që me depërtimin e misticizmit dhe të tesavufit në letërsinë persiane, epika mistike zhvillohet pothuajse ashtu si dhe epika fetare dhe historike. Veprat më të rëndësishme epike në letërsinë persiane janë:

  1. Epika mitologjike si Mehrisht, Zamjadisht në Avesta, Ejatkar Zeriran dhe Karname-i Ordshir Babekan në gjuhën pehlevite, pjesa e parë e Shahnames së Ferdusiut, Gorshasbnameja e Esedi Tusiut dhe Shahnamet e Ebul Muejjed Belhiut dhe Ebu Mensuriut.
  2. Epika heroike si pjesa e dytë e Shahnames së Ferdusiut deri në vdekjen e Rustemit dhe Dastani Semek Ajar dhe Hasan Kord
  3. Epika historike si Zafernameja e Hamdullah Mustafaviut dhe Shahinshahname e Sebas[10].

 

Poetët më të mëdhenj të epikës persiane janë Ferdusiu dhe Esedi Tusi.

—————

/Orientalizmi Shqiptar/

[1] Marrë nga libri “Historia e letërsisë perse”, botim i Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2008.

Ahmed Tamimdari, studiues, autor i librit Historia e Letërsisë Perse.

[2] Shemisa, Envai Edebi, fq. 48

[3] Abadjan, Tekvini Gazel ve Nakshi Sa’adi, fq. 12.

[4] Shemisa, Envai…, fq. 52.

[5] Safa, Hamase Seraji der Iran, fq. 5-6.

[6] Shemisa, Envai…, fq. 53.

[7] Shih: Kristensen, Hohostin Insan, nohostin Shehrijar der Tarihi Efsnae-i Iran.

[8] Safa, Hamase…, fq. 28.

[9] Rezmxhu, Enavi Edebi, fq. 59.

[10] Shemisa, Envai…., fq. 59.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.