Erdhi pa luftë, por po mbrohet me luftë… Kurrë më komunizëm!

Endrit HOXHAJ

 

ERDHI PA LUFTË, POR PO MBROHET ME LUFTË… KURRË MË KOMUNIZËM!

Demokracia në Shqipëri

Komunizmi në asnjë vend të botës nuk është instaluar pa luftë, ndërkaq, demokracia në këto vende ka ardhur po ashtu me luftë. Vetëm në Shqipëri vinë e shkojnë të gjitha rrëmujshëm. As falje apo dënime për ata që kryen krimet e diktaturës. Në Shqipëri u instalua komunizmi, sepse gjyshërit tanë e neglizhuan atë dhe s’e menduan që do ndodhte ashtu. Këtë gabim po e bëjmë edhe ne, në vitin 2019! Demokracia erdhi pa ndëshkime radikale për ata që na sunduan dhe abuzuan në këtë vend! Gjërat u vërtitën nga ustallarët kriptokomunistë, saqë të gjithë e hëngrën “sapunin për djathë”. Si po shkon koha, në vitin 2019, i bie që Ramiz Alia të jetë “demokrati më i madh”!  Tano Karidi komunist, “hapi” krahun për lirinë e shqiptarëve dhe fabrikoi demokracinë! Shqiptarët, më shumë se shumëçka, donin lirinë, pastaj të drejtat e tjera. Është ndryshe të ta japë Ramiz Alia demokracinë dhe është ndryshe ta fitosh vetë atë! Kjo u bë përsëri më 30 qershor 2019, nga bijtë e etërve. Në çdo vend të botës të drejtat e njeriut dhe liria janë fituar me luftë.

S’ka rëndësi janë 100 veta apo 400 mijë veta, por rëndësi ka kauza e tyre e vërtetë dhe këmbëngulëse! Ajo që po ndodh sot, ka ndodhur saktësisht më 1991, veçse me disa ndryshime të padukshme! Sot demokracia është sërish e plagosur dhe e burgosur në “Spaç”. Përsëri kam frikë që do ndodhë si atëherë, në kohën e gjyshërve tanë, që duke qenë të shpërqendruar po instalojnë përsëri komunizmin. Nipat enveristë janë gati për fitore të reja! Në atë kohë të dënonin nëse flisje keq për PPSh-në. Edhe sot dënohesh po të flasësh kundër partisë së vetme, “Rilindjes”! Në burgjet shqiptare aktualisht janë ata që i kanë dalë kundër Partisë “Rilindja”…! Sot, nuk dënohen ata që prodhojnë drogën, si dikur nuk dënoheshin kontrabandistët e cigareve, nga Jugosllavia në Itali. Këto fakte nuk kontestohen dot nga askush. Sot, e thua të vërtetën me veten tënde, pa ta dëgjuar partia Rilindja! Sot, në Shqipëri quhet tabu demokracia e vërtetë, quhet cinike lufta për mbrojtjen e lirisë. Ne duam të futemi në Europë, aty ku demokracia dhe liria nuk cenohen as diskutohen!

Sot, shqiptarëve po u kthehen vizat. Sot, vendi po shkon drejt vetëkufizimit (mbylljes së kufijve). Jemi në të njëjtat parashenja të gjyshërve tanë, që me heshtje instaluan komunizmin! Sot, në qoftë se ke një të afërm që kundërshton rilindjen dhe mbron demokracinë, ai dënohet për shpifje nga partia shtet. Enveri dhe Ramizi me shokë, ju shpallnin luftë vendeve perëndimore, në qoftë se ato fusnin hundët në punët e partisë. Këtë po bëjnë dhe Rama me pinjollët e komunistëve, në shtëpinë e shqiptarëve dhe në dëm të tyre (Begeti, Bild e shumë të tjerë mbeten kambana alarmi). Sot, perëndimi certifikon instalimin e partisë-shtet me zgjedhe pa rivalë nga frika e një përplasje civile apo nga mungesa e gjykatave! Sot edhe ambasadat në vendin tonë besojnë në idetë e liderit suprem dhe partisë së tij, Rilindjes! Ashtu si në komunizëm që bëheshin “zgjedhje” me një kandidat dhe pa kundërshtarë, ashtu po i bën Rama edhe sot! Në atë kohë dhe në këtë kohë kemi ngjashmëri. Një parti sundon median, popullin, shtetin, gjyqësorin…, me pak fjalë të gjitha! E di, do thoni: – po vdes demokracia e plagosur. – Unë ju them, luftoni fort që demokracinë mos ta burgosin përsëri në “Spaç”, pinjollët komunistë. Nëse e duam Shqipërinë si gjithë Europa, të gjithë ta ngremë zërin fort, kundër instalimit të komunizmit në Shqipëri! T’i themi ndal një partie-shtet që ecën akoma me mësimet e diktatorit Hoxha dhe udhëhiqet nga shembujt e Amerikës Latine!

 

Burimi: http://shekulli.com.al/erdhi-pa-lufte-por-po-mbrohet-me-lufte-kurre-me-komunizem/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top