ERRATA NON CORRIGE

Mes veprave të shumëllojshme, në ekspozitën e mirë “Prova” të Adrian Pacit te Galeria Kombëtare e Artit në Tiranë, më tërhoqi vëmendjen seria “Bukurshkrimi”, ku paraqiten disa fletë prej fletores së tij të klasës së parë, ku Paci ka mësuar të shkruajë dhe ka ushtruar dorën me fraza të thjeshta propagandistike, të tipit “Në Tiranë punojnë udhëheqësit tanë të dashur”. Këto fletë fletoreje bartin edhe korrigjime me bojë të kuqe të bëra nga mësuesja dhe notën përkatëse.

Duke e lënë syrin të udhëtojë me penën e fëmijës, vura re diçka të papritur (deformim profesional): mësueses i kishin shpëtuar disa gabime pa ndrequr:

Fjala koprativistët, të cilën e kam rrethuar me blu, ka dy gabime, meqë duhej shkruar kooperativistët; mu përbri, shohim si mësuesja ka korrigjuar një gabim të ngjashëm: hpin për hapin.

Pak më lart, fjalia Plotësoni këta fjali vjen me një gabim gramatikor, meqë duhej këto fjali.

Për t’u shënuar edhe që disa prej pikave të ë-ve duken si të shkruara me laps; ndoshta Paci fëmijë i ka hedhur më parë detyrat me laps dhe pastaj u ka rënë përsipër me penë. Eppure…

Figura më poshtë ilustron një gabim edhe më “të rëndë”:

Te kjo fletë, ku Paci ka mësuar si të shkruajë shkronjën xh, mësuesja ka lënë pa korrigjuar – dy herë – fjalën Xhaxin.

Të linte kaq për të dëshiruar, arsimi fillor në ato vite? Apo ta ketë mbajtur mësuesja Pacin e vogël me hatër?

Vizitojeni ekspozitën: disa prej videove nuk do t’i harroni kurrë.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top