Fanfara Tirana takon Transglobal Underground dhe rregjistrojnë një kryevepër: Kabatronics

kopertina

nga Darien LEVANI

Fanfara Tirana janë ansambli i vjetër i ushtrisë, Transglobal Underground janë një hibrid post elektronik, rap e reggea me bazë në Londër, e përmbledhin të gjithë ato ndikimet që perandoria britanike ka mbjellë nëpër botë. Kur takohen lind Kabatronics, album hedhur në treg në shkurt të këtij viti. Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe që është një album që,  të paktën në atdhe,  ka kaluar shumë në heshtje, ndoshta sepse të gjithë po duartrokisnin Elina Dunin! Nejse. Kabatronics, po thoja, janë katërmbëdhjetë këngë, pardon, katërmbëdhjetë martesa midis isosh labe, dajre dasmash, sintetizatorësh e bas diskosh tip ai i viteve 80’, sitar e ritme reggea.

Defekti i vetëm i këtij albumi është që vjen nja dhjetë vjet me vonesë, mbërrin në një moment kur grupe si Kocani Orkestra, Goran Bregoviç a No Smoking Orchestra kanë korrur ça mund të korrnin duke marrë lek, femra e famë. S’e di se pse, po fakti është që grupet shqiptare kurrë s’kanë ditur t’i përgjigjen atij publiku të jashtëm që priste disqe të tilla.

E megjithatë, përgjigja e kritikës e publikut të jashtëm ka qenë më se pozitive: Kabatronics,nuk ka kaluar pa u vënë re. Merita e Hysni Zelës që këtu shkrihet në çdo tingull a kaba, merita e Transglobal Underground që i afrohet kësaj muzike me respekt e frike (ndoshta edhe me shumë respekt e me shumë frikë), merita e grupit që luan e ndërsa luan zbavitet e luan akoma më mirë.

Në më shumë se një orë muzike, kalohet nga më popullorja “Qaj Maro”, te “The Eagle Takes Flight” (që deri diku kujton Waits e Black Raider), tek element folklori social të tipit “Don’t take your guns to the weeding”, duke kaluar në eksperimente të lumtura si “Kabatronics” a “Afërdita”. Për ata që mallëngjehen duke dëgjuar këngë “Sinan  Labi”, apo “Viktori t’u bëftë nëna”, ky album është në radhë të parë një album i pasur me të gjitha ato gjërat që ju pëlqejnë shumë. Për të gjithë të tjerët, është një album aq i pasur sa përfshin çdo gjë nga indie te elektronika, me gjithçka që mund të ketë mes këtyre dy ekstremeve.

Kabatronics është një kërkim i sinqertë që refuzon me elegancë diktaturën e notave ndërsa mundohet të interpretojë e të këndojë sinqerisht, me ndërgjegjen e atij që e di mirë që s’mund të luash shumë me këngët e një populli. Këtu nuk ka shpifësira tip  rapper që vjedhin nota popullore, talent show-tallave që vjedhin kënga dasmash e as rockera alternativë që përpunojnë muzika filmash solemne. Te Kabatronics, me sa kam kuptuar unë, ka burra me një histori të rëndë muzikore e personale: vendosin ta marrin atë histori e mundohen ta çojnë pajë të stolisur mirë drejt të ardhmes. Ja dalin, natyrisht që ja dalin.

Albumi në Amazon

Faqja e Fanfara Tirana në internet

Këngët

1         Qaj Marò     5:25
2         Weeping Willow Tree     4:04
3         No Guns To The Wedding     4:34
4         Kabatronics     4:46
5         Three Beauties     5:34
6         Bring The Bride In     2:51
7         Shtojzovalle     4:00
8         Flowers Lament     5:57
9         Baklava Revenge     5:40
10         Aferdita     5:40
11         Mehndi     4:45
12         The Eagle Takes Flight     3:34
13         No Guns To The Wedding

Filed under: Muzikë Tagged: album, fanfara tirana, Kabatronics, recension, Transglobal Underground, world music

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top