FENOMENOLOGJIA E URËS TE KADARE DHE IVO ANDRIÇ

(Mbi romanet « Ura me tri harqe », të Kadaresë dhe « Ura mbi Drin » të Ivo Andriç)

nga Ilir Yzeiri

Mbi poetikën e urës

Të dyja romanet kanë qenë objekt vështrimi nga kritika e huaj dhe, në këtë rast, më shumë i është mëshuar nënshtratit të legjendës së murimit që gjendet si shtysë e nisjes së intrigës sesa fenomenologjisë së të dyja veprave. « Urat në Mesjetë » titullohet libri i botuar nga « Presse de l’Université  Paris-Sorbone », 2006, libër që përmbledh kumtesat që u mbajtën në seminarin e organizuar nga ky Universitet me argument « Urat në Mesjetë ». Një prej referuesve, përkatësisht, Claude Tomasset, në kumtesën e tij « La construction du pont médieval dans deux romans contemporains » ka analizuar dy romanet e sipërcituara. Ai është përpjekur që të shpjegojë fenomenologjinë e urës te të dy këta shkrimtarë duke u kujdesur më shumë që të zbulojë shtratin mesjetar të ndërtimit të Urës, qoftë te Kadare qoftë te Andriç. Mes të tjerash, ai shkruan : « Les deux romans, décrivant les observateurs, se font l’echo d’une conscience populaire, pour qui la construction du pont, met en œuvre des secrets qui appartiennent au monde des démonsTë dy romanet, shkruajnë vëzhguesit, u bëjnë jehonë vetëdijes popullore, sipas së cilës ndërtimi i urës, nxjerr në reliev sekrete që i përkasin botës së demonëve » (f. 24). Po ashtu, Veronique Gely pedagoge e letersisë së krahasuar në Universitetin e Sorbonës,  (Vanhese Gisèle. Le Lait de la Mort. La ballade de l’emmurée et sa fortune littéraire. Anthologie et études réunies par Véronique Gély-Ghedira. In: Romantisme, 2002, n°115. pp. 123-124,  flet për përhapjen e legjendës së murimit në Ballkan dhe për rimarrjen e kësaj teme nga autorë të shquar si Ivo Andriç e Kadare, por edhe rumuni Mircea Eliade. Për Kadarenë ajo ka ritheksuar atë që kanë vënë re më parë studiuesit Eric Faye et Jean Paul Champsieux. E kam fjalën për leximin e dyfishtë të tekstit ose bartjen e së sotmes në të shkuarën. Krahas studimit të Champsieux unë do të përmendja edhe atë të Peter Morgan, studiuesit austrialian të Kadaresë i cili në Kolokuiumin Ndërkombëtar « Lecture de Kadare, Paris, 2009 » mbajti kumtesën « Sacrifice, modernité et perte  – Le pont aux trois arches de Kadaré”. Siç e përmenda, studiuesi francez Champsieux është përpjekur të vërë përballë dy romanet dhe ka treguar se Ivo Andriç dhe Kadare, megjithëse kanë në qendër të veprës së tyre ndërtimin e një ure në Mesjetë, rrëfejnë dy botë krejtësisht të ndryshme. Kadare, duke folur për librin e Andriçit në novelën e tij « Muzgu i perëndive të stepës” thotë se balada jonë e murimit është më e bukur se ajo boshnjake e përdorur nga Andriç.

Për një kohë të gjatë, sidomos gjatë periudhës komuniste, në studimet shqiptare shpallej gati si me triumf vjetërsia e baladave dhe motivet e tyre të patjetërsueshem, për të sfiduar në një farë mënyre variantet e fqinjve. Në pamje të parë, të duket sikur edhe këta dy shkrimtarë duan të bëjnë të njëjtën garë, mirëpo, kam përshtypjen se duhet të vështrojmë edhe diçka tjetër në këto dy vepra. Qoftë njëri, qoftë tjetri e përdorin legjendën ose baladën si një artific në veprën e tyre për t’i dhënë ngjarjes atmoseferën mistike të Mesjetës te Andriç, ndërsa te Kadare legjenda aktualizohet dhe ajo trajtohet si një aferë që ka të bëjë me një krim njerëzor si ata që ndodhin shpesh në shoqëritë që jetojnë me paranojat e fatit të paravendosur ose të magjive.

Nga autori te rrëfimtari, Ura si fiksion dhe Ura si imazh

Kur flasim për fenomenologjinë në një vepër letrare zakonisht sjellim në vëmendje punimet e Roman Ingarden dhe veprën e tij « L’œuvre d’art littéraire » (1931). Po ashtu, kujtojmë punimet e Pol Rikër mbi rrëfimin e fiksionit nën vështrimin e hermeneutikës. Kështu, vepra letrare na shfaqet si një tërësi dinamike kuptimesh që nisin nga autori, vijojnë me konfigurimin e veprës dhe mbyllen me lexuesin që e përfundon këtë proces. Po ashtu, nocioni i fenomenologjisë letrare sqarohet më mirë edhe nga kuptimi që i jep Rikër shenjueshmërisë në veprën letrare te librat e tij « Metafora e gjallë » dhe « Koha dhe rrëfimi ». Ai thotë se në veprën letrare shenjuesi nuk shenjon realitetin por irealen. Kjo ireale mund të jetë fiktive ose imagjinative. Për këtë, autori ndërton figurën e rrëfimtarit i cili është irealizacioni i autorit. Nga kjo pikëpamje, si shfaqet rrëfyesi te Andriç dhe te Kadare ? Që në fillim vërejmë se te Andriç kemi një rrëfimtar që na tregon një ngjarje irreale, ndërsa te Kadare, rrëfimtari na rrëfen një ngjarje të trilluar. Ivo Andriç e shkroi veprën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1942-43 dhe e botoi në vitin 1945. Kadare e shkroi në vitin 1978 këtë vepër dhe, nëse do t’i përmbaheshim parimit të qëllimshmërisë aq i dashur për fenomonologjinë e Huserlit, do të thoshim se bota që rrëfen narratori i Andriçit, ndryshon krejtësisht nga bota që rrëfen narratori i Kadaresë. « Ura mbi Drin »  ose ura e Vishegradit është një objekt real, « Ura me tri harqe » nuk ekziston askund, ajo është një trillim i autorit i cili kërkon të ndërtojë një botë të humbur dhe të harruar që ngjet me botën në të cilën jeton autori. Ura e Andriçit është një sagë moderne që përmbledh gjithë historinë e popujve sllavë të Ballkanit që jetojnë në kufi të njëri-tjetrit. Ata janë bosnjakë, turq, hebrej, serbë. Dikur ishin të ndarë nga lumi Drin, por një djalë i krahinës, Mehmet Pasha, kur po merrej peng nga Sulltani u betua sipas gojëdhënës, se do të ndërtonte një urë që të tjerët të mos vuanin siç vuajti ai kur u transportua në një kosh. Ura bëhet metafora e bashkëjetesës dhe ndarjes. Ura është gjithashtu porta nga vjen i huaji, tjetri, i ndryshmi që ndryshon rregullat dhe stilin e jetesës. Te Kadare Ura është shfrytëzuar si një metaforë për të ndërtuar Shqipërinë para pushtimit turk. Nëse Ivo Andriç është përpjekur që të japë gjithë historinë e sllavëve të Ballkanit, nga pushtimi turk e deri në Luftën e Parë Botërore, përmes Urës së Vishegradit, Kadare ka zbërthyer një tekst tjetër ose narratori i Kadaresë lexon një tekst të shkruar më parë. Mua më duket se asnjë prej studiuesve që janë marrë me këto dy romane nuk ka vënë re se fraza me të cilën nis novela e Kadaresë : « Unë murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue u kujtuom se në gluhën tonë ende s’ka gja të shkruom për urën e Ujanës së Keqe… » të kujton pasthënien e librit të parë të shkruar në shqip, Meshari (1555) të Gjon Buzukut, në të cilën thuhet  «U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nuk kish gja të  ndigluom n së shkroumit shenjtë, etj… ».  Kështu, narratori i Kadaresë, murgu Gjon, në qoftë se do t’i referoheshim Rikërit e shmang të shenjuarin real që është bota e Gjon Buzukut dhe në vend të saj ndërton botën fiktive të autorit Kadare. Të duket se rrëfimtari i Kadaresë kërkon të ndriçojë jo kronikën e Ujanës së Keqe, por Shqipërinë e para pushtimit otoman. Kadareja e ka projektuar rolin e vet si shkrimtar te murgu i Mesjetës dhe ashtu si ai kërkon të rindërtojë edhe njëherë historinë e shqiptarëve deri sa ajo u zhbë nga pushtimi otoman. Te Ivo Andriç, Ura, siç thotë me të drejtë Champsieux, është indiferente ndaj historisë. Ajo është një dëshmitare e heshtur dhe autori, përmes imazhit të saj, rindërton rrugën, hapat. Ura është vendi më i plotë ku gjurmët e kalimtarëve ose me një metaforë më të plotë, gjurmët e historisë, duken më shumë. Ndërkaq edhe funksioni epistemologjik që merr ura ndryshon te të dy shkrimtarët. Ura e Ivo Andriçit dëmtohet nga Perëndimi, nga austriakët ; Ura e Kadaresë është një ndërtim apokaliptik, se ajo do të lejojë që vendi të pushtohet nga hordhitë otomane, që vendi të bjerë në gjumin e rëndë të shfytyrimit për 500 vjet. Të duket sikur kjo fenomenologji e portës së Lindjes dhe Perëndimit funksionon edhe sot. Bombardimet në Beograd gjatë konfliktit të fundit të kujtojnë bombardimet e Urës nga Astro-hungarezët, ndërsa debatet për modifikimin e historisë dhe për rregullimin e imazhit të otomanëve në vetëdijen kolektive shqiptare i ngjajnë ankthit që ka rrëfimtari i Kadaresë ose trallisjes që murgu Gjon shpreh kur dëgjon gjuhën e tyre që i ngjitet jetës dhe rutinës shqiptare. Rënia e kontëve shqiptarë njëri pas tjetrit po bëhej një ngjarje e rëndomtë. Ndërkaq, një detaj në dukje i vogël do ta prishte drjtpeshimin psikik të kombit. “Në vend të vitit 1379, ata sipas kalendarit islamik dhe kjo ishte një nga kërkesat e pakta të osmanëve, kishin shkruar “hixhra 757”. Fatzestë. E kishin çuar kohën gjashtëqind vjet prapa dhe qeshnin dhe talleshin. Ç’tmerr”. (Ura me tri harqe, Shtëpia botues “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 110)

Në fund unë do të shtoja se romani i Ivo Andriçit si sinekdokë e objektit, e vendit për të shenjuar historinë e atij komuniteti ngjet më shumë me “Kronikë në gur » të Kadaresë.

© 2018, autori.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.