FILOLOGJIA E SHKURTIMIT

Mora të shfletoj librin “Kadare, Vepra poetike në një vëllim”, Onufri 2018, të përgatitur për botim nga Enxhi Hudhri (por me “zgjedhje të autorit”), dhe u kapa pak në befasi kur vura re se poema e shumë-përfolur, “Në mesditë byroja politike u mblodh”, ishte botuar e gjymtë – me vetëm pesë pjesë nga tetë që ka pasur një version i qarkulluar më parë (versioni i paraqitur si origjinali mund të lexohet këtu, si dhe në shumë sajte të tjera). Më poshtë po sjell pjesët e hequra, siç i kam gjetur online:

6.

Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.

Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Dhe i pa tek prishnin gjakun e dëshmorëve
Tek ndanin mantelet seç i pa.

“Ja, ku qënkeni!”
Ata u ngrinë.
-Oh, shoku Enver, hm, rroftë, oj!-
Por ai i mvrenjtur
me dhembjen në çdo thinjë
Si një mal në dimër bubulloi.

Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte
Nga pushteti me kamçik dhe stap.
Ai klasën ngriti të punëtorëve.
Për ta bërë burokratizmin zap.

7.
Si dikur patrullat partizane
Shtegëtojnë ekipet e kontrollit punëtor.
Që të mos i marrin ministritë më topa
Nesër.
Sot i marrin me kontroll.

Diktaturë e klasës s’është veç në vjersha
Dhe në dit[ë]lindjen e veteranit tornitor.
Je për socializmin?
Vrapo në rrjeshta
Shpall kudo dhe mbi këdo
kontroll punëtor.

Bjeri ditë e natë burokratizmit,
Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj.
Në se s’do që nesër skuadër e pushkatimit
Të të vejë në mur
tek Bulevardi i Madh.

8.
Ditët ikin.
Vorbullat e ngjarjeve
Nëpër stinë e vite shtjellen me furi
Vijnë plenumet e partisë porsi ushtarët
E revolucionit
në stuhi.

Ecën klasa pas partisë në ditë epike,
Populli pas klasës derdhe[t] oqean
Dhe n’u mbledhtë prapë Byroja Politike
Mesditë a mesnatë
gati të gjithë janë.

Edhe një herë: vargjet e sjella më lart nuk janë më në versionin e tanishëm.

Nuk dua t’i mërzit lexuesit, duke ua përsëritur kalvarin e njohur të kësaj vepre: e shkruar nga Kadareja në vitet 1974-1975, ajo u refuzua për botim nga “Drita” dhe pastaj u dënua ashpër nga vetë Enver Hoxha, i cili pat dhënë urdhër që autori të dërgohej në burg (për reagimin e Enverit mund të lexohet këtu; komentet e Kadaresë për këtë këtu; disa komente të D. Agollit këtu).

Çfarë e ndërlikonte edhe më punën, ishin kritikat e ashpra që kish marrë Kadareja pas botimit të veprës “Dimri i vetmisë së madhe” në 1973, nga të cilat thuhej se nuk e kish shpëtuar askush tjetër veç Enverit: këtij mbase i përkëdhelej sedra kur e shihte veten personazh të romanit si “në legjendat e mëdha” – ose i një vepre që së shpejti dhe me bekimin e tij do të përkthehej në frëngjisht dhe do të botohej në Perëndim.

Gjithsesi, meseleja është e njohur; poema nuk u lejua t’i shkonte lexuesit (“u arrestua”) dhe dorëshkrimi i saj u mendua për një kohë të gjatë i humbur; ndërkohë thashethemi për poemën “Pashallarët e kuq” u përhap anembanë, duke u ushqyer edhe nga mungesa e një teksti për t’iu referuar.

E gjetën pastaj, poemën, në vitet 2000, në Arkivin e Shtetit, në formë të daktilografuar; dhe ashtu edhe e botuan në shtyp, më shumë si sensacion se si dëshmi të një drame personale dhe konflikti kulturor dhe politik.

Nuk është e qartë nëse teksti i zbuluar rishtas përkonte me atë që me gjasë ish bërë gati për gazetën “Drita”: atëbotë redaktorët angazhoheshin me veprat shumë më tepër se sot. Le të themi se gazetat botuan një dorëshkrim jo përfundimtar të veprës.

Nuk di as të them nëse kanë dalë versione të tjera të poemës, pas rizbulimit të saj, të miratuara nga autori; por versioni që kam tani para syve ndryshon shumë nga ai i tekstit të gjetur në Arkiv, pikërisht ngaqë i janë hequr strofat e fundit.

Te shënimet në mbyllje të vëllimit të tanishëm, të cilat sipas botuesit “janë përpiluar në bazë të shënimeve të botimeve të mëparshme shqiptare dhe të huaja, të analizave kritike si dhe të vetë autorit, në intervistat dhe dialogët e tij”, jepet një shpjegim për këtë cungim të poemës. Na thuhet mes të tjerash se, sipas autorit I.K.,

“kundërthëniet logjike brenda vjershës, shtojcat artificiale për të justifikuar botimin dhe dobësia artistike e tyre kanë qenë të pashmangshme në një krijim letrar që çohej për botim në atë kohë, sidomos në një gazetë e me një subjekt kaq delikat. Në këtë botim përfundimtar të vjershës, sipas parimit që është shpjeguar në shënimin e poemës ‘Përse mendohen këto male’, autori i ka shkurtuar këto shtojca, bashkë me mbylljen optimiste […] e cila, sipas autorit, përveç dobësisë artistike, po të lexohet me vëmendje, nuk ka ndonjë kuptim.”

Me fjalë të tjera, pjesët e hequra – që në fakt përbëjnë një të tretën e origjinalit, ose rreth 50 nga 150 vargje gjithsej – janë shtojca “artificiale”, për të mundësuar botimin; dhe se ky i tanishmi, është botimi përfundimtar i vjershës.

Po cili është parimi i shpjeguar në shënimin e poemës ‘Përse mendohen këto male’, e cila botohet tani edhe ajo me shkurtime?

Sërish citoj:

Lidhur me veprat e shkruara gjatë kohës së diktaturës, të cilat tërësisht ose pjesërisht bartin gjurmët e klimës dhe të mendimit të kohës, I. Kadare ka shprehur mendimin e tij në intervista, dialogë dhe sprova të ndryshme. Sipas tij, në të gjitha rastet, autori, sa është gjallë, mbetet zoti i vetëm i veprës së tij dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë me të. Autori mund ta mohojë krejtësisht një vepër ose, në rast tjetër, nën përgjegjësinë e tij morale, mund t’i bëjë asaj ndryshimet dhe retushet që i duken të nevojshme. Ndërkaq, brenda këtij parimi universal, autori e ka të pamundur të ndryshojë thelbin ose tingëllimin e përgjithshëm të veprës. Ka qenë e njohur trysnia e shtypit dhe e botuesve të shtetit komunist për të hequr pjesë të veprave ose për të shtuar në to klishe dhe parulla të kohës. Njihen rastet kur shkrimtarët e kanë pranuar këtë taksë, për hir të botimit të veprës siç ka pasur edhe raste të rralla kur janë përpjekur t’i shmangen asaj. Mohimi i veprave që, për arsye dobësie artistike ose ndërhyrjesh të censurës e të autocensurës kanë dëmtime të pariparueshme quhet, sipas shumë autorëve, duke përfshirë edhe I. Kadarenë, një e drejtë natyrale. E drejtë quhet gjithashtu që, në rastet e veprave që mund t’i qëndrojnë kohës, të retushohen klishetë dhe parullat e ngjitura artificialisht në to. Një mendim i kundërt, që nuk ia njeh moralisht autorit këtë të drejtë, është konsideruar si një triumf i vonuar i diktaturës, e cila, edhe duke qenë e përmbysur, dikton ende kërkesat e saj mbi ato të artit. Lidhur me besueshmërinë e procesit, ajo ka lidhje me ndërgjegjen e shkrimtarit. Nuk është vështirë që, në ansamblin e përgjithshëm të një vepre, të dallohen pjesët e shtuara artificialisht.

Nuk ka dyshim, autori ligjor ka të drejtën formale që të bëjë të gjitha ndryshimet që dëshiron në një vepër të vetën – për sa kohë që është i vetëdijshëm se, duke vepruar kështu, po rishkruan edhe entitetin e tij si autor letrar i veprës. Për ta thënë ndryshe: Kadareja autor i “Pashallarëve” me tetë pjesë nuk është i njëjtë letrarisht, me Kadarenë autor i “Pashallarëve” me pesë pjesë – meqë i pari flet për Enver Hoxhën me sy të mprehtë, që zbriti në themelet e shtetit me pishtar të kuq në dorë, dhe kur i kapi armiqtë bubulloi si një mal në dimër dhe pastaj ngriti klasën punëtore në këmbë që ta bënte burokratizmin zap; dhe ashtu si kalimthi i sugjeron lexuesit që klasa e përmbysur duhet mbajtur nën këmbë, përndryshe ata do të kthehen në pushtet dhe do të të pushkatojnë “tek Bulevardi i Madh”. Shtojca artificiale ose taksa, i ka quajtur Kadareja; dhe nuk kemi arsye të mos ia besojmë argumentin – le t’i përfytyrojmë madje si leje-kalimi për botim.

E megjithatë, duke qenë poema në fjalë tejet politike, vështirë t’i quash “artificiale” ato pjesë të saj, që merren me qendrën e tablosë së pikturuar – ose me fatin që i pret “pashallarët e kuq”. Dhe ky s’është aq vizion i autorit, sa rimarrje e versionit zyrtar të ngjarjeve në kokë të PPSH-së, ku plenumet, që vijnë “porsi ushtarët e revolucionit në stuhi”, nuk lodheshin së identifikuar armiq nga të gjitha anët, nën udhëheqjen e Enverit, “me pishtar të kuq në dorë.”

Pas këtij ribotimi të rishikuar thellë, janë krijuar dy versione të ndryshme të poemës: ai me tetë pjesë, dhe ky i tanishmi me pesë pjesë. Botuesi dhe me gjasë autori na thonë se versioni i dytë është “botimi përfundimtar” – duke lënë të kuptohet se tre pjesët e hequra Kadareja i ka mohuar, si “shtojca artificiale”; çfarë ia lëkund ndjeshëm statusin filologjik versionit të parë, të botuar nga mediat për arsye lajmi, por jo si vepër letrare, me sa më rezulton. Pa çka pastaj se ishte pikërisht ai version i parë, që e çoi tekstin e poemës deri në tryezën e Enver Hoxhës dhe që mund t’i kish kushtuar shtrenjtë autorit. Këtu mua më duket se krijohet paradoks, sa kohë që merita kryesore e kësaj vepre, edhe letrare, është që në kohën e vet e futi në pështjellim kupolën e letërsisë dhe të kulturës në Shqipëri. Sikur Kadareja ta kish dorëzuar në redaksi në versionin me pesë pjesë, punët do të kishin shkuar ndryshe; madje gjasat janë që të ishte penguar për botim që pa iu çuar Enver Hoxhës.

Faksimile me datimin e poemës, në botimin e vitit 2018.

Ka edhe më. Në qoftë se kjo poemë, në botimin e saj “përfundimtar”, rimerret – të themi – në tekstet e historisë së letërsisë për shkollat, atëherë e drejta legjitime e autorit të saj për të bërë ndryshime në vepër shndërrohet në shkas për riparaqitje të historisë – sa kohë që versioni i tanishëm, i shkurtuar nga vetë autori, futet në një kontekst të viteve 1970, ku në fakt nuk ka ekzistuar kurrë në atë formë (poema është datuar në libër si 1974-1975, pa çka se është retushuar thellë shumë më pas). Edhe pse në shënimin e cituar më lart theksohet se “mendimi… që nuk ia njeh moralisht autorit këtë të drejtë, është konsideruar si një triumf i vonuar i diktaturës, e cila, edhe duke qenë e përmbysur, dikton ende kërkesat e saj mbi ato të artit”, unë do të shtoja se po aq triumf i vonuar i diktaturës do të ishte edhe ky efekt i modifikimit a posteriori të së shkuarës; ose censura e vonuar nga ana e autorit a e kujtdo tjetër.

Ndryshe nga të tjerë, unë nuk i vë faj Kadaresë se ka shkruar vargje lëvduese për Enver Hoxhën dhe PPSH-në: e konsideroj këtë si haraç që shkrimtari duhej të paguante, në mënyrë që të vazhdonte të mbetej shkrimtar, brenda sistemit totalitar. Aq më tepër, kur Kadareja ka qenë poet jo i fluturave dhe i ograjave dhe i deleve, por poet i angazhuar fort në politikë, me qëndrime të prera, revolucionare dhe optimiste. Dua vetëm të vërej se, në një farë mënyre, ishte angazhimi politik i këtij autori, që e ekspozonte ndaj nevojës për kompromise të tilla, të cilat janë pjesë e veprës së tij, edhe në poezi edhe në prozë.

Për poemën “Në mesditë byroja politike u mblodh” mund të pyetet edhe pse u dashkësh (ri)botuar e gjymtë dhe nëse nuk do të kish qenë më mirë sikur të lihej jashtë vëllimit, si “Shqiponjat fluturojnë lart”, një poemë kushtuar PPSH-së dhe që, e botuar në vitet 1960, e katapultoi Kadarenë ndër shkrimtarët e regjimit; ose poezi të tjera që nuk i kanë rezistuar kohës (më duket se as “Ëndërr industriale” nuk është përfshirë). Gjithsesi, lënia jashtë një antologjie të tillë më duket e pranueshme: sërish është e drejta e Kadaresë, këtë herë edhe morale, që të përzgjedhë nga vargjet e veta ato që i pëlqejnë më shumë, ato ku e gjen sot veten më shumë.

Siç thashë, rasti i “Pashallarëve” është anormal: kjo poemë nuk besoj se e ka fituar vendin në vëllim për vlerat e saj artistike; prandaj edhe mbase duhej lënë jashtë, bashkë me simotrat e saj ideologjike-propagandistike. Gjykimi im – subjektiv – është se Kadareja e pat konceptuar atëherë si mesazh besnikërie për Enver Hoxhën, si një mënyrë për t’i thënë “unë të kuptoj se ç’po bën dhe jam në krahun tënd”, pas muajve të ankthshëm kur iu desh të përballej me zemërimin e turmave linçuese, për “Dimrin.” Nuk është, pra, aq vepër letrare e denjë për antologjizim, sa ç’është një nënprodukt i marrëdhënieve të shkrimtarit me kupolën politike, i cili vështirë se mund të vlejë sot për t’ia riformuluar profilin Kadaresë së djeshëm.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera. Kopjuesit do të përndiqen me rrugë ligjore.

Imazhi në krye: detaj nga kopertina e librit “Kadare, Vepra poetike në një vëllim”, Onufri 2018,

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.