Firdeusiu dhe Shah-name-ja e tij nëpër botë

Shahrouz FALAHATPISHEH

 

FIRDEUSIU DHE SHAH-NAME-JA E TIJ NËPËR BOTË

 

Shahrouz Falahatpisheh

Shahrouz Falahatpisheh

Përmbajtja e artikullit:

» Hyrja

» Rreth rëndësisë së Firdeusit dhe Shah-Name-së së tij

» Retrospektiva dhe burimet e tregimeve të Shah-Name-së

» Studimi i figurës së Firdeusiut në botë

 

Hyrja
I urti Abul-Kasim Hasan Pur-Ali Tusi, i njohur si Firdeusiu, sipas mendimit të shumicës të studiuesve të sotëm, mendohet të ketë lindur në vitin 940 në fshatin Bazh (Paz i sotëm), në qytetin Tus të provincës Khorasan. Fëmijërinë e kaloi në periudhën e sundimit të qeverisë të dinastisë Samanian, të cilët mbështesnin fuqimisht letërsinë perse. Firdeusiu vdiq në vitin 1020 në qytetin tij të lindjes dhe u varros në kopshtin e vajzës së tij. Sot ky vend është shndërruar në një ndër pikat më të rëndësishme kulturore dhe turistike të Iranit, ku, për çdo vit, e vizitojnë me qindra mijëra vizitorë, që rikujtojnë me respekt dhe nderim të thellë këtë poet madhështor, i cili ringjalli emrin dhe kulturën iraniane.

Firdeusiu është një ndër poetët dhe epopeshkruesit më të mëdhenj të letërsisë perse dhe botës. Shah-Name-ja, e cila është edhe kryevepra e tij, përmban afro 60 mijë vargje dhe mund të cilësohet e barabartë më “Iliadën” e Homerit grek. Unesco e ka shpallur Shah-Name-në e Firdeusiut si një nga 3 veprat më të shquara në botë.

Rreth rëndësisë së Firdeusit dhe Shah-Name-së së tij
Rëndësia e Firdeusit qëndron në faktin se ai, me krijimin e veprës së tij, i dha përjetësinë jo vetëm gjuhës, por mbarë kulturës dhe historisë së popullit iranian. Në kohën kur gjuha perse rrezikohej të zhdukej dhe kultura e qytetërimi iranian rrezikonte të harrohej dhe të fashitej, pas hyrjes të dhunshme të të huajve brenda territorit iranian, Shah-Name-ja e Firdeusiut mori përsipër rolin e ringjalljes dhe të mbrojtjes së kësaj kulture dhe të këtij qytetërimi. Iranianët e sotëm, mbijetesën e gjuhës perse dhe dokumentimin e të kaluarës së tyre historike ia dinë për nder Shah-Name-së së Firdeusiut.

Gjuha është biografia e njerëzve, vetë historia; nëse do të heqim gjuhën, nuk do të mbetet pothuajse asgjë nga personaliteti, bindjet, kujtimet dhe mendimet tona të formalizuara përmes gjuhës. Pa gjuhën merr fund edhe ekzistenca e vetë njeriut, nuk do të kishim as histori, as kulturë e qytetërim. Gjuha është rezervë e spikatur e mendimeve, ndjenjave, krizave, kundërshtive, urrejtjeve, ujdive, besnikërive, dhe motiveve të cilat luajnë rol thelbësor në manifestimin e identitet kulturor të njerëzve.

Firdeusiu kishte një gjuhë dhe natyrë të butë, fjalët e tij nuk përmbanin ironi, mashtrim dhe shtirje dhe bënte të pamundurën për të mos përdorur fjalë jo të hijshme dhe të pamoralshme. Ai ishte atdhetar i flaktë, kishte dashuri të madhe për tregimet dhe traditat e lashta historike. Për Firdeusiun, katër janë elementët bazë të vlerave themelore, mbi të cilat e ka shkruar edhe Shah-Name-në. Këta katër elementë janë: kombësia iraniane, mençuria, drejtësia dhe besimi fetar. Ai tregimet e tija i ka ndarë në këto katër elementë.

Kjo është edhe arsyeja që “Shah-Name”-ja ka mbrojtur traditat e vërteta kombëtare të popullit iranian. Ndoshta, po të mos ishte kjo vepër e madhe, shumë prej elementëve pozitivë të kulturës të stërgjyshërve tanë, do të ishin zhdukur nga stuhitë e ngjarjeve të ndryshme dhe prej tyre s’do të kishte mbetur asnjë shenjë.

Firdeusiu, me krijimin epopesë së tij madhështore, mbajti të gjallë në formën më të mirë kulturën iraniane përballë invazionit të huaj. Rëndësia e Shah-Name-së nuk qëndron vetëm në aspektin letrar dhe poetik të saj, ajo, para se të jetë një vepër tregimesh, është një vepër thelbësore, ku çdo varg dhe çdo fjalë e saj i ka rrënjët në thellësitë e dëshirave të një populli të lashtë, popull i cili, në të gjitha etapat e historisë, ka qenë ndriçim për popujt e tjerë dhe gjithmonë ka kundërshtuar të keqen dhe dhunën.

Shah-Name-ja është një tregim i betejës ndërmjet të mirës dhe djallëzores dhe heronjtë e saj janë luftëtarët e përhershëm në botë. Lufta e figurave të tilla si Kaveh me Zahak, gjakmarrja e Manuçehrit prej Salam dhe Tur, vdekja e Siavashit për shkak të komplotit të Sudabesë e të tjerë personazhe flasin për këtë betejë. Ideologjia e Firdeusiut është mbrojtje e përhershme ndaj të mirës kundër dhunës dhe korrupsionit.

Në tregimet e Shah-Name-së, Irani, i cili konsiderohet vend i lirisë, gjithmonë është në rrezikun e vazhdueshëm të agresionit të fqinjëve. Bukuria dhe madhështia e Iranit bëhen shkas për xhelozi dhe fatkeqësi të ndryshme. Për këtë arsye heronjtë e këtij vendi ngrihen në mbrojtje të atdheut të tyre të dashur me të gjithë forcën tyre. Disa prej heronjve të Shah-Name-së, janë shembuj të epërm të atyre njerëzve të cilët gjithë jetën e kaluan në shërbim të atdheut. Heronj të tillë janë Feriduni, Sijavashi, Kejhosro, Rustam, Gudarz dhe Tus. Kurse personalitete të tjera, si Zahak, Salm dhe Tur, janë figura të së keqes dhe degradimit. Ata janë misionarë të Ahrimanit (djallit), të cilët kanë marrë përsipër detyrën e shkatërrimit dhe prishjes të botës. Shumica e tregimeve të Shah-Name-së e ftojnë lexuesin të jenë vigjilent dhe të nxjerrë mësime nga jeta.

Portretet paraqesin një rëndësi tjetër tejet të veçantë në Shah-Name-në e Firdeusiut. Poeti duke portretizuar ngjarjet dhe aventura e tregimeve, së bashku me tekstin, i paraqet lexuesit edhe një pamje totale të ngjarjeve. Poezia e Firdeusiut karakterizohet edhe nga një muzikalitet i veçantë që konsiderohet si pjesë e elementëve kryesorë të poezisë së tij, e cila tek lexuesi krijon ndjesinë e epopesë.

Retrospektiva dhe burimet e tregimeve të Shah-Name-së
Duhet të dimë që rrënjët e tregimeve të Shah-Name-së nuk janë sajesa të Firdeusiut, por janë ngjarje të cilat kanë ndodhur në lashtësi në mesin e popullit iranian. P.sh., në librat e gjuhës Pahlavi, që i përkasin periudhës para hyrjes së Islamit në Iran, i kushtohet rëndësi heroizmave dhe heronjve të Shah-Name-së. Po ashtu edhe në librin fetar Avesta, që i përket fesë Zoroastriane, flitet shpesh për personazhet e Shah-Name-së. Por, në përgjithësi, mund të thuhet që burimet kryesore të Firdeusiut në shkrimin e kësaj vepre janë dy të cilat do ti sqarojmë më poshtë.

Burimi kryesor ku u mbështet Firdeusiu në shkrimin e tregimeve të tij ishte libri “Shah-Name” me autor Ebu Mansurin, e cila ishte shkruar në prozë, ku flitet për historinë e Iranit antik. Libri origjinal është zhdukur dhe prej tij ka mbetur vetëm parathënia prej 15 faqesh, e cila gjendet në disa prej faqeve me dorëshkrime të Shah-Name-së. Përveç kësaj Shah-Name-je, ka ekzituar edhe një tjetër Shah-Name në prozë, e quajtur Shah-Name-ja e Ebu Mujid Balkhi, për të cilën mendohet të jetë shkruar para Shah-Name-së së Ebu Masurit, por, për shkak se tashmë kjo vepër nuk ekziston, nuk mund të japim asnjë mendim rreth saj.

Më vonë, një poet i quajtur Dakiki Tusi (bashkëkombës i Firdeusiut) filloi të vjershërojë tregimet kombëtare iraniane, duke u mbështetur në Shah-Name-në në prozë të Ebu masurit. Ai u ngarkua me mision nga Nuh Bin Mansur Samani, mbret Sasanian, që të vjershërojë Shah-Name-në e Ebu masurit, e cila ishte shkruar në prozë. Por ai nuk e mbaroi dot punën e nisur, për shkak se u vra. Puna e tij u quajt “Goshtasb Name”.

Pas kësaj, Firdeusiu, në moshën 40 vjeçare, filloi punën e lënë në mes nga bashkëkombësi i tij, Dakiki. Firdeusiu e përmend për mirë emrin e Dakikit në Shah-Name-në e tij dhe rreth 1000 vargje të tija, që flisnin për historinë e Iranit antik deri në shfaqjen e Zarathustrës, i fut në Shah-Name-në e tij. Për një periudhë afro 30 vjeçare Firdeusiu krijoi rreth 60 mijë vargje epike, duke përfunduar kështu Shah-Name-në e tij në vitin 1010.

Gjithashtu, burime të tjera ku u mbështet Firdeusi në Shah-Name-në e tij mund të përmendim edhe librin tejet madhështor në fundin periudhës të dinastisë Sasaniane (dinastia e fundit mbretërore në Iran para ardhjes së Islamit) me titull “Hotaje Namag” (“Zoti i letrës”), i cili, në një kuptim, konsiderohet si burimi historik, zyrtar i Shah-Name-së.

Me hyrjen e Islamit në trojet iraniane, një historian iranian i quajtur Ruzabeh Daduvijeh, të cilin arabët e quanin Abdullah Ibn Mukafa, e përktheu në gjuhën arabe këtë vepër historike. Kjo vepër cilësohej si një ndër burimet e të gjithë historianëve të shekujve të parë të erës islame. Libri “Khotaje Namag” në Shah-Name është quajtur “Letra e Mbretërve”. “Khotaje” është një fjalë e gjuhës Pahlavi që jep kuptimin “Zot” e që nënkuptonte mbretin. Këtu është e nevojshme të theksojmë që më herët se Dakiki apo Firdeusiu, mbi epopenë kombëtare iraniane ka shkruar edhe një poet tjetër i quajtur Masoudi Maruzi. Fatkeqësisht, prej Shah-Name-së së tij sot kanë mbetur vetëm disa vargje. Por, mesa duket, në kohën e Firdeusiut ishte shumë i njohur.

Tregimet e Shah-Name-së, të cilat sot cilësohet si mite, në atë kohë që janë shkruar konsideroheshin ngjarje të vërteta historike. Pra, Firdeusiu ka vjershëruar historinë dhe epopenë kombëtare iraniane dhe jo mitet e tyre.

Studimi i figurës së Firdeusiut në botë
Firdeusiu gëzon famë dhe respekt botëror. Shah-Name-ja e tij është përkthyer në 30 gjuhë të botës dhe në shumë katedra të Orientalistikës janë kryer studime të shumta rreth kësaj vepre, ku mund të përmendim rastet si më poshtë:
Fakulteti i Lindjes së Mesme në Universitetin Leningrad (aktualisht Shën Petërburg) në Moskë, Instituti i Lindjes së Mesme dhe instituti i Gjuhësisë në vartësi të Akademisë së Shkencave të Rusisë, katedra e Studimit të figurës së Firdeusiut në Gjermani, së bashku me librat “Kultura e Shah-Name-së së Firdeusiut” me autor Fritz ëolf, “Epopeja Kombëtare e Iranianëve” me autor Teodor Noldke, “Historia e letërsisë Iraniane” me autor Jan Ripka, apo “Mazdak; Historia e lëvizjes sociale në periudhën e Sasanianëve” me autor Otogar Klima. Përveç këtyre mund të shtojmë edhe veprat e autorëve të tjerë si Hamer Purgeshtal, Fridrish Ruket, Helmut Rihter, Hans Hajnrish Sheder, Oto Fon Mostler, Fritz Majer, Volter Hintz, Hans Robert Romer, Bertold Shpuler, Karl Jan, Vilhelm Ajlers si dhe të tjerë studiues të Lindjes të Mesme dhe iranologë gjermanë. Po ashtu, katedra të tjera të studimit të figurës dhe veprës së Firdeusiut janë hapur edhe në universitetin Firdeusi në Iran, Armeni, Taxhikistan, Afganistan, Kazakistan, Uzbekistan, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ukrainë, Pakistan, Itali, Jemen, Arabi Saudite, vendet e Azisë Qendrore dhe të rajonit të Gjirit Persik, Egjipt, Indi, Kinë, Japoni, Francë, Angli dhe SHBA.

Po ashtu libra dhe dorëshkrime me vlerë ruhen në bibliotekat e Napolit, Romës, Firences, Bolonjës dhe Parisit, të cilat shfrytëzohen nga studiuesit e Lindjes së Mesme dhe studentët e interesuar të kësaj pjese të orientalistikës. Nga mesi i këtyre librave të vyer mund të përmendim kopjet e para të dorëshkrimeve të Shah-Name-së së Firdeusiut të identifikuara nga profesor Anxhelo Mikele Piemonte. Ky grup dorëshkrimesh me vlerë, që janë sjellë nga Kajro në Itali nga Girolamo Kiti, sot ruhen në bibliotekën kombëtare të Firences.

Dr. Fathullah Muxhtabai, studiues i shquar i Shah-Name-së së Firdeusiut, thotë kështu lidhur me Firdeusiun dhe trashëgiminë kulturore iraniane: “Trashëgimitë kulturore tona në botë janë të veçanta. Shtrirja shumë e gjerë e Persisë antike u bë shkas që kultura iraniane të mbërrijë nga kufijtë e Kinës e deri në malet Kaukaz dhe të kalojnë brigjet e lumit Eufrat. Gjatë periudhës islame këto rajone kanë mbajtur lidhjet e tyre kulturore me Iranin, ose kanë qenë nën ndikimin kulturës iraniane”. Firdeusiu është i veçantë. Këtij poeti të madh i dedikohet ekzistenca e iranianëve dhe identitet tonë kombëtar.

Firdeusiu ringjalli historinë tonë dhe forcoi lidhjen tonë me të kaluarën, duke bërë një lidhje midis Iranit pre islamik me Iranin e sotëm. Nëse nuk do të ishte kështu edhe ne do të kishim harruar identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, ashtu sikurse edhe ka ndodhur me disa popuj të tjerë.

Hans Hajrish Sheder, iranolog gjerman, në fjalimin tij të mbajtur me rastin e Kongresit të Firdeusiut, në datë 27 shtator 1934, me rastin e mijëvjeçarit të Firdeusit (lindjes së Firdeusit), që u organizua në qytetin e Berlinit, ngjashmërinë midis situatës të iranianëve në periudhën e Firdeusiut me Gjermaninë e shekullit të 19-të e cilësoi si faktorin kryesor të interesimit të mendimtarëve gjermanë për Shah-Name-në e Firdeusiut dhe përkthimin e saj në gjermanisht. Ai theksoi se sipas fjalëve të shumë letrarëve iranianë, Firdeusiu ka krijuar epopenë me të madhe në botë, pra, Shah-Name-në.

Shah-Name-ja e Firdeusiut është një vepër botërore dhe një kapital kulturor, e cila vlerësohet dhe shfrytëzohet nga shumë popuj të botës. Sot përkthime të ndryshme të kësaj vepre të hershme kanë ruajtur të gjallë Firdeusiun në mesin e popujve dhe kanë shërbyer si faktor për afrimin dhe njohjen kulturore të qytetërimeve dhe kremtimin e mijëvjeçarit të Shah-Name-së të Firdeusiut, duke i dhënë kështu një kuptim të ri vitit 2010, i cili është shpallur, siç dihet, si “Viti Ndërkombëtar i Afrimit të Kulturave” nga ana e Unesco-s.

Fatmirësisht, në Shqipëri ekziston mundësia kulturore që për shkak të përkthimit shumë të bukur, të rrjedhshëm dhe epik të një pjese të konsiderueshme të Shah-Name-së të Firdeusiut nga ana e shqipëruesit të ndjerë Vexhi Buharaja, i cili i ka shtuar në këtë mënyrë dëshmi të reja marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve, të përjetësohet kujtesa e Firdeusiut po ashtu edhe të Vexhi Buharasë në kulturat e Iranit dhe të Shqipërisë.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

Botuar në revistën shkencore-kulturore “Perla”, 2010, Nr. 1.

Vënë nën:Iranologji Tagged: Firdeusi, Shah-Name-ja, Shahnameja, Vexhi Buharaja

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top