FITORE NË BERLIN

Këto ditë po zhvillohet, në Berlin, Turneu i Kandidatëve 2018 – me tetë pjesëmarrës të kalibrit të lartë, që ndeshen mes tyre për të përcaktuar se kush do të sfidojë Kampionin e Botës në fuqi, Magnus Carlsen, në nëntor 2018, në Londër.

Lojërat e turneut mund të ndiqen live në sajtin e Chess24 ose në atë të ChessBase ose në chess.com.

Sot, dy nga shahistët më të mirë në sens absolut, rusi Kramnik (që ka qenë kampion botëror në vitet 2000-2007, pasi shfronësoi Kasparovin) dhe armeni Aronian (për shumë vjet mes 10 më të mirëve në botë), u përballën në një lojë spektakulare, të destinuar për antologjitë; edhe pse Kramnik, që luante me gurët e zinj, e mori iniciativën që në fillim, pa i dhënë kundërshtarit asnjë shans për t’u kthyer në lojë.

Aronian u dorëzua në lëvizjen e 27-të.

Lojën e komentuar mund ta ndiqni këtu; për t’u shënuar se që në lëvizjen e 18-të rusi kish siguruar një avantazh të fortë, me … f5.

Pozicioni pasi Kramniku (i ziu) lëvizi ushtarin në f5.

Në intervistat pas ndeshjes, Kramniku rrëfeu se e kish përgatitur prej kohësh variantin me …Tg8 dhe veç po priste rastin për ta përdorur; dhe se, në çdo rast, u habit që ky rast i erdhi me Aronianin, i cili zakonisht nuk e fillon lojën me e4, kur luan me të bardhat.

Gjithsesi, armeni u kap i papërgatitur dhe kapitulloi në mënyrë të pabesueshme.

Pozicioni një lëvizje para se Aroniani të dorëzohej meriton vëmendje: dama e bardhë, një nga torret dhe kali nuk bëjnë dot absolutisht asgjë, për të penguar matin.

Pozicioni para lëvizjes së fundit. I bardhi nuk ka mbrojtje ndaj g3-g2.

Këtu Kramniku lëvizi ushtarin në g2 dhe i bardhi u dorëzua menjëherë.

Kuriozitet: Kramniku zgjodhi t’i përgjigjej hapjes Ruy Lopez (ose spanjolle) të së bardhit me një version të njohur si Mbrojtja Berlin, i cili zakonisht shpie në pozicione të mërzitshme, që përfundojnë barazim. Por me sa duket qyteti ku po zhvillohet turneu – Berlini – i solli mbarësi.

(në kopertinë: Aroniani gjatë lojës)

(c) 2018, Peizazhe të fjalës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.