FJALËT E PYLLIT

Fjalën shqipe dru e kanë lidhur që herët me një familje fjalësh indo-europiane ku bëjnë pjesë edhe greqishtja δρῦς , sanskritishtja dā́ru, proto-sllavishtja drъvo, proto-keltishtja daru, gotishtja triu, etj., të cilat i referohen të gjitha një rrënje *derew(o)- (që ndonjëherë jepet edhe si *doru- dhe ndonjëherë tjetër si *drewo-). Nga gjuhët moderne, për t’u shënuar afëria me anglishten tree.

Më pak e njohur është prania e së njëjtës rrënjë i.e. në fjalën druid (“anëtar i shtresës së lartë profesioniste të shoqërisë kelte në lashtësi, prift, mjek, magjistar, falltar, gjykatës, këshilltar politik”); sot e përhapur në gjuhë të tjera prej anglishtes, por që kjo gjuhë e ka marrë nga latinishtja druidēs, me gjasë sipas një fjale të keltishtes së kohës. Fjalën kelte e kanë rindërtuar pastaj si *dru-wid-s, me kuptimin “ai që sheh, ai që njeh pemët”.

Etimologji të ngjashme ka edhe emri driadë (lat. dryas, dryadis) nga greqishtja e vjetër Δρυάς, gjinorja Δρῠᾰ́δος; një nimfë jeta e së cilës është e lidhur me atë të pemës, zakonisht të një lisi; dhe që ekzistojnë vetëm e vetëm për ta ruajtur pemën dhe për t’u kujdesur për të (ato që jetojnë “brenda” në pemë, njihen si hamadriada). Driada jeton po aq gjatë sa pema e saj, por mund të vdesë, nëse pema thahet ose e presin. Nga driadat e famshme, le të kujtojmë Euridicen, e cila u dashurua me Orfeun.

Me të njëtën rrënjë nga e cila rrjedh shqipja dru shpjegohen edhe fjalë të tilla si anglishtja true, hollandishtja trouw, gjermanishtja treu, suedishtja trygg. Lidhja midis kuptimit “dru” dhe kuptimit “i vërtetë” kalon nëpërmjet tiparit të qëndrueshmërisë, qëndresës, rezistencës. Për të njëjtën arsye, latinishtja durus, që ka dhënë italishten duro, i përket së njëjtës familje, meqë e kanë krahasuar me sanskritishten dāruṇa “i fortë, i sertë”, dāru “dru”.

Nga drurët në pyll, te druidët dhe driadat dhe e vërteta dhe qëndresa – një rrënjë e vetme e ka virtytin t’i përfshijë të gjitha këto brenda vetes: ja thelbi poetik i etimologjisë. Druidët e lashtësisë kelte e lexonin botën, madje edhe të ardhmen, duke njohur lisat (literalisht, duke i shikuar); teksa driadat ishin, tekstualisht edhe ato, nuse të lisave. Botëvështrim ndoshta mitologjik dhe i kapërcyer, por që gjithnjë ta risjell në vëmendje gjuha, me historinë që ruan të fosilizuar në trajtat e fjalëve.

Tani, këtu do të ngrihej një idiot noterik ose një i sëmurë rëndë, për të shpjeguar – jo rrallë i fryrë si kaposh – se të gjitha këto gjuhë, nga sanskritishtja te proto-sllavishtja, te keltishtja e vjetër, greqishtja e vjetër dhe proto-gjermanikishtja, e kanë marrë këtë rrënjë nga shqipja dru (mbase pellazgjishtja *dru); duke ngatërruar bashkëpërkimin me filiacionin; dhe mbase shpjegimi i këtij të sëmuri a idioti do të tingëllonte më i besueshëm madje entuziazmues për profanët, se koncepti i rrënjëve indo-europiane dhe i gjuhëve të një familjeje. Dhe katastrofa e arsyes është se këtë pikëpamje ose hipotezë ose teori nuk mund ta luftosh dot seriozisht, përveçse me barna.

E megjithatë, ka gjasa që shqipja dru të ketë kaluar te një gjuhë tjetër – në trajtën druete, e cila ndeshet në ndonjë dialekt të rumanishtes dhe që nuk i përket leksikut latin të asaj gjuhe. Jo të gjithë gjuhëtarët e pranojnë prejardhjen nga shqipja – disa ia gjejnë fjalës rumune origjinën në trakishte. Nëse ajo -te te fjala rumune do t’i përgjigjej nyjes së shquar të shumësit të shqipes (drutë), atëherë prejardhja e drejtpërdrejtë nga shqipja vështirë të kundërshtohet.

© 2018, Peizazhe të fjalës.™

Në kopertinë: Vidhi Camperdown në Prospect Park, Brooklyn.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.