FJALËT SHQIPE – LISTA DHE PËRDORIME (I)

Një nga kritikat më të zhurmshme – dhe më absurde – që i kanë bërë Fjalorit etimologjik të Kolec Topallit është se “i ka nxjerrë shumicën e fjalëve shqipe nga sllavishtja”; për fat të mirë, kjo kritikë vjen nga të paditur, amatorë, ndonjëherë edhe sharlatanë, që kujtojnë se deklarimi i tyre në favor të “lashtësisë shqipe” mund t’ua përligjë, madje jo vetëm moralisht, të gjitha çuditë që thonë dhe që bëjnë në publik.

Të njëjtën kritikë madje e dëgjon edhe për studimet etimologjike të Çabejt – i të cilit nxënës ka qenë Topalli. Sërish, një interesim i sëmurë për një fushë të vështirë të dijes, si etimologjia, ku nuk mjafton entuziazmi, për t’u përfshirë me kontribute dhe kritika.

Kjo kritikë e vë përballë profesionalizmin e albanologëve si Çabej dje dhe Topalli sot me patriotizmin e kujt e sheh shqipen si fenomen unik, si relike të rrallë, si gjuhën “më të lashtë”, “hyjnore”, gjuhën e “Perëndive” – duke iu qasur një dukurie sociale kaq themelore, me mënyra irracionale, herë religjioze dhe herë edhe mistike.

Por pasioni në kufi të fanatizmit nuk mjafton, kur vjen puna për të gjykuar një vepër shkencore, si fjalori etimologjik. Dhe, në fakt, kritikat sipas “përqindjeve” tradhtojnë një keqkuptim të madh, ndaj mënyrës si funksionon gjuha dhe ç’vend zë leksiku në të.

Në fakt, fjalorët – të gjithë fjalorët – janë lista fjalësh, zakonisht të renditura alfabetikisht, për lehtësi përdorimi. Një Fjalor i shqipes së Buzukut, do të përfshijë të gjitha fjalët që dalin te “Meshari” – pa asnjë dallim. Dhe nga ky vështrim, një Fjalor etimologjik i shqipes synon të përfshijë sa më shumë fjalë të shqipes, që kanë interes etimologjik. Për shembull, në Fjalorin etimologjik të Orelit, nuk janë përfshirë turqizmat dhe huazimet e tjera që kanë hyrë në shqipe, pas pushtimit osman; sepse ai autor nuk i konsideron me interes.

Por, çfarë edhe ngre peshë për argumentin tonë, një fjalor etimologjik nuk ndalet në etimologjinë e fjalëve të prejardhura dhe të përbëra: pasi është marrë me etimologjinë e fjalës punë, etimologu nuk merret më me shpjegimin e fjalëve si punoj, punim, i punueshëm, punëtor, përpunoj, bashkëpunoj, ripunoj, ripunim, i papunë, papunësi, bashkëpunim, etj.; sepse këto fjalë janë lehtësisht të shpjegueshme, si krijime brenda shqipes. Ndryshe nga një fjalor i zakonshëm çfarëdo i shqipes, që këto fjalë i përfshin dhe i trajton normalisht, Fjalori etimologjik do t’i anashkalojë.

Dhe veç kësaj, Fjalori etimologjik nuk i dallon fjalët sipas statusit që kanë në ligjërim (në përdorim). Një fjalë e fondit të trashëguar të shqipes dhe me përdorim të gjerë, si barrë, do të renditet krah për krah me fjalë si barokë, basamak, baski, bastur, e plot të tjera, të cilat sot përdoren fare pak, në mos fare.

Kjo është arsyeja kryesore që analiza e fjalësit të një fjalori etimologjik sipas përkatësisë së prejardhjes (kaq latinizma, kaq sllavizma, etj.) nuk përkon me fytyrën reale të leksikut shqip, ashtu siç përdoret sot. Është e gabuar, tepër e gabuar, të ngatërrohet një fjalë, me okurrencat (hasjet) e saj në ligjërim; dhe kushdo që do të analizonte leksikun përfaqësues të ligjërimit shqip sot, në bazë të teksteve dhe përdorimeve reale, do të nxirrte rezultate krejt të tjera, nga ç’mund të tregojë analiza e thjeshtë e fjalësit të një fjalori, aq më tepër e një fjalori etimologjik.

Le ta ilustroj këtë, me shembullin e një poezie nga më të njohurat, të letërsisë shqipe bashkëkohore, “Mall”, nga Ismail Kadareja:

MALL

Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

Edhe m’u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylberë në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m’u kujtua sot për dreq :
« Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç ».

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,
Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

(1976)

Po të vështrojmë leksikun e kësaj poezie nga pikëpamja e prejardhjes, do të vërejmë se fjalë si pikë, shi, ndiej, dy, shoh, duk, erdh, kjo, vjeshtë, një, mëngjes, si, edhe, ky, ca, ngrys, mes, sot, zgjuar, jam, bashkë, botë, fjetur, veç, ëndërr, thënie, rënë, kaq, keq, kam, zgjohem, vallë, bie, pa përmendur parafjalët dhe lidhësat, i përkasin në fakt ose leksikut të trashëguar të shqipes, ose janë formime shumë të vjetra (ylber por edhe vjeshtë, pikë, mëngjes, sot); ndërsa të tjera si befas, jetoj, thënie, çuditshëm janë krijime të brendshme të shqipes, me prapashtesa tipike. Nga ana tjetër, qelq, mall, qytet, rrallë, qiell, vjetër, kujtoj, dreq janë huazime të shqipes nga latinishtja, të periudhës antike. Ndërsa lejlek është turqizëm. Thelbi i ndonjë etimologjie mund të diskutohet – p.sh. befas vërtet është formim i brendshëm i shqipes, por vjen nga beh/bef të cilën e marrin ndonjëherë për turqizëm; dhe mbiemri i çuditshëm, formim i brendshëm i shqipes, vjen nga tema çudi, të cilën shqipja e ka huazuar nga sllavishtja. Por, në masën dërrmuese, leksiku i përdorur fare natyrshëm në këtë poezi (natyrshëm, në kuptimin “pa neologjizma”) nuk i përgjigjet, për nga struktura etimologjike, përpjesëtimeve të leksikut shqip në një fjalor etimologjik të atyre viteve. Në kuptimin që përqindja e huazimeve në një fjalor të tillë, pavarësisht se nga ç’gjuhë ose të ç’moshe, nuk ka lidhje me strukturën historike të leksikut të shqipes në përdorim. Çfarë refuzojnë ta kuptojnë zhurmëtarët amatorë.

Natyrisht, është shumë e lehtë të marrësh një fjalor dhe të fillosh të numërosh; analiza e okurrencave në praktikën ligjërimore kërkon tjetër lloj impenjimi dhe ekspertize, shpesh të paarritshme për ata që u qasen këtyre punëve me pasion ideologjik, në mos mitologjik.

Prandaj, dhe le ta përsërit sepse e gjej me rëndësi: përbërja e fjalësit (listës së fjalëve) të një fjalori, qoftë ky edhe etimologjik por edhe çfarëdo fjalori tjetër, nuk pasqyron përbërjen e leksikut shqip sot në përdorim. Etimologut i interesojnë gjithfarë fjalësh – të rralla, dialektore, të vjetra dhe të vjetruara – që sot praktikisht nuk përdoren më. Kjo sepse synimi i etimologut nuk është t’i bëjë gjuhës shqipe analizën e gjakut, por të sqarojë prejardhjen e fjalëve të caktuara, si bazë për të kuptuar më mirë historinë e gjuhës, të kulturës dhe të popullit që e flet.

(vijon)

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top