FJALËT SHQIPE – LISTA DHE PËRDORIME (II)

Fjalorin e parë etimologjik të shqipes e pat hartuar Gustav Meyer-i, edhe pse përpjekjet për të sqaruar etimologji fjalësh shqipe patën filluar shumë më herët – tek e fundit, edhe Franz Bopp-i në ato pak etimologji u mbështet, për ta klasifikuar shqipen si gjuhë indo-europiane.

Mirëpo në kohën e Gustav Meyer-it shqipja nuk njihej mirë; dhe studiuesit e kishin më të lehtë dhe të volitshme të merreshin me shqipen më mirë të dokumentuar dhe më të lehtë për t’u arritur, të ngulimeve arbërore në Greqi dhe arbëreshe në Itali. Çfarë edhe shpjegon pse te Meyer-i, por jo vetëm atje, leksiku periferik i të folmeve të ngulimeve dhe i letërsisë arbëreshe, i ndikuar thellë nga gjuhët fqinje, është përfaqësuar në Fjalor në një mënyrë që nuk i përgjigjet realitetit leksikor jo vetëm të shqipes sot, por edhe të shqipes së atyre kohëve.

Këtë specifikë të studimeve etimologjike të hershme e ka vënë në dukje me qartësi të madhe Çabej; duke shpjeguar edhe se, përqendrimi i hershëm te leksiku i ngulimeve e pat deformuar tablonë e historisë së leksikut të shqipes.

E megjithatë, fjalët e trajtuara nga Meyer-i janë bërë tashmë pjesë e traditës etimologjike në albanologji; në mënyrë të tillë që albanologët e mëvonshëm, përfshi këtu edhe Çabejn vetë, kanë qenë të detyruar t’i marrin parasysh në studimet e tyre, duke i komentuar, miratuar ose hedhur poshtë sipas rastit.

Të folmet arbërore dhe arbëreshe kanë vendin e tyre specifik, në studimet e historisë së shqipes; por ato ndikime dhe zhvillime, që kanë ndodhur në të folmet, pas shkëputjes së tyre prej trungut ballkanik, duhen trajtuar veçan; në kuptimin që një pjesë e madhe e greqizmave dhe italianizmave, që dalin në të folmet dhe në variantet letrare përkatëse, nuk janë pjesë e historisë së shqipes ballkanike. Etimologët do të merren me to, sepse etimologët do të merren me gjithçka që i ndihmon të kuptojnë jetën e shqipes në rrjedhë të shekujve; përndryshe, pesha specifike e elementit leksikor të ngulimeve larg Shqipërisë, edhe në studimet etimologjike, ka ardhur duke u ulur, dora-dorës që ka përparuar njohja e leksikut në trojet e shqipes në Ballkan.

Për ta theksuar sërish: prania e fjalëve nga të folmet e ngulimeve, që kanë pësuar ndikim të thellë nga gjuhët rrethuese (greqishtja dhe italishtja), në studimet albanologjike është efekt anësor i një aberracioni subjektiv – dhe pikërisht, pamundësisë së studiuesve të shekullit XIX që të njihnin shqipen e Ballkanit; këto fjalë vazhdojnë të trajtohen në fjalorët etimologjikë për hir më tepër të vijueshmërisë së dijes, traditës etimologjike dhe faktit që disa prej tyre janë dokumentuar mjaft herët dhe nuk mund të lihen mënjanë.

Me gjithë traditën e pasur albanologjike, shqipes dhe kulturës shqiptare ende i mungon një fjalor etimologjik për përdorim nga lexuesi me formim të përgjithshëm; përfshi këtu edhe Fjalorin e Topallit, i cili u drejtohet specialistëve. Duke parë interesin e madh të publikut, për çështje të origjinës, përfshi edhe origjinën e fjalëve, ky fjalor divulgativ ndoshta do të ndihmonte për të shpjeguar qoftë edhe vetëm dallimin midis huazimit të një fjale, si dukuri e shkëmbimit kulturor mes dy gjuhëve, dhe një fjale të huazuar, të cilën gjuha tashmë e ka bërë të vetën. Mosha e fjalëve gjithashtu ka nevojë të ndriçohet – një huazim nga latinishtja në lashtësi nuk mund të krahasohet me një huazim nga italishtja në shekujt XIX-XX. Në fakt, shumë njerëz që flasin për etimologji nuk e kuptojnë se për çfarë po flasin; sa kohë që nuk e kanë të qartë se fjalët nuk e bartin me vete historinë e prejardhjes së tyre.

Përndryshe, fjalorët etimologjikë – të tipit të Meyer-it, Çabejt, Orelit ose Topallit – nuk kanë gjë synim të provojnë këtë ose atë; por vetëm të sqarojnë rrugëtimin e fjalëve të shqipes në kohë; duke përcaktuar gjuhën burimore dhe kohën e hyrjes së një fjale, për huazimet; dhe pozicionin brenda sistemit rrënjor të indo-europianishtes, për fjalët e trashëguara (po lë mënjanë, si triviale, fjalët e prejardhura). Një etimologji e argumentuar mirë i shërben jo vetëm fjalës vetë, por edhe formulimit të rregullsive fonetike, të cilat pastaj mund të përdoren për etimologji të tjera. Nga ana tjetër, historia e shumë fjalëve plekset me historinë materiale të objekteve, teknikave, veshjeve e kështu me radhë; shpesh duke shërbyer si i vetmi burim që kemi, për të marrë vesh si jetonin shqiptarët dhe para-ardhësit e tyre në lashtësi.

Dhe nga ky këndvështrim, kontributi i huazimeve është i pazëvendësueshëm; sepse huazimet dëshmojnë, sado tërthorazi, për kontaktet mes popujve – dhe një gjuhë që ka huazuar shumë, është gjuha e një kulture të ekspozuar ndaj kontakteve të shumta me botën. Nëse shqipja është gjuhë indo-europiane për shkak të karakteristikave të saj themelore: gramatikore, fonetike dhe leksikore, ajo është gjuhë europiane për shkak të strukturës së leksikut të saj të huazuar. Fjalët me prejardhje latine, greke, sllave, italiane (dhe veneciane) dhe osmane, që janë integruar në rrjedhë të shekujve në leksikun shqip, janë dëshmi e historisë së folësve të gjuhës, të cilët kanë dhënë e kanë marrë me popujt përkatës.

Origjina e fjalës i intereson leksikologut, historianit të gjuhës, historianit dhe specialistit; por në përgjithësi nuk ka lidhje me rrafshin e përdorimit të saj. Kjo interferencë, e vetëdijes shpesh gjysmake të “pasaportës” së një fjale në ligjërim, jo gjithnjë i shërben përdorimit. Vetë folësi nuk ka arsye ta dijë, bie fjala, që fjala kovaç është huazim nga sllavishtja; sepse kjo vetëdije nuk do ta ndihmojë që ta përdorë fjalën kovaç më mirë a me efikasitet më të madh. Informacioni gjendet në fjalorin etimologjik; por ky informacion duhet përdorur me kujdes. Në përgjithësi, pastrimi i fjalëve nga ligjërimi, në bazë të së dhënave etimologjike, është formë e racizmit gjuhësor; një fjalë mund të hiqet nga një tekst për arsye praktike (gjuhësore, komunikative), por jo ngaqë ka biografi të keqe. Këtu nuk dua të diskutoj shumë purizmin si ideologji dhe as zbatimet e purizmit në kulturën e gjuhës; por vetëm të vë në dukje se purizmi, që të funksionojë në baza “shkencore”, ka gjithnjë nevojë për fjalorët etimologjikë; pa çka se vetëm amatorët ngulin këmbë për ta ngatërruar diakroninë me sinkroninë dhe për t’i mbështetur politikat gjuhësore mbi të dhënat për historinë e fjalëve.

Fjalori etimologjik është pjesë e studimit historik të një gjuhe, jo manual i politikave gjuhësore (leksikore) për t’u ndjekur – këtë nuk duan ta kuptojnë shumë prej atyre që shqetësohen nga “numri i madh” i huazimeve që gjejnë te Çabej ose te Topalli. Sikurse u orvata të tregoj tashmë në pjesën e parë të këtij shkrimi, çdo fjalë shqipe e regjistruar në fjalorët dhe në tekstet – në çdo periudhë të historisë së shqipes së shkruar – meriton të etimologjizohet; nuk ka fjalë më të meritueshme se të tjerat; edhe pse një fjalë e trashëguar mund të rezultojë, në analizë të fundit, më e dobishme për studimin, se një huazim periferik kontakti. Por gjuhëtari nuk mund t’i vërë vetes “detyrë” se si t’i orientojë etimologjizimet e veta, përveçse kur bëhet fjalë për parime të natyrës metodologjike. Për shembull, Çabej, si vazhdues i studimeve etimologjike të Joklit, i dha gjithnjë përparësi shpjegimit të historisë së fjalëve me mjete të brendshme të gjuhës, ndaj krahasimeve me gjuhë të tjera; dhe kjo e ndihmoi të arrinte rezultate të jashtëzakonshme, në kërkimet e tij etimologjike, të cilat shënojnë një kapërcim cilësor dramatik, edhe në raport me etimologjitë e Joklit, të cilat sot i tregojnë fort shenjat e moshës.

Etimologjia nuk është shkencë e saktë, por një kombinim i metodave rigoroze me subjektivitetin e etimologut; çfarë duket veçanërisht qartë në ato raste kur një fjale nuk i gjendet dot prejardhja, dhe që për shqipen nuk janë të pakta. Si edhe në fusha të tjera të dijes, paqartësitë e sotme mund të çelin rrugën për zbulime të nesërme; dhe nuk do të ishte çudi sikur në shtresën e trashëguar, por të pashpjeguar mirë të shqipes të gjendeshin përgjigje për një numër çështjesh dhe misteresh që ende i mundojnë studiuesit; duke filluar nga marrëdhëniet parahistorike mes shqipes dhe greqishtes së vjetër, për të cilat unë besoj (dhe shpresoj) se nuk është thënë ende fjala e fundit. Një tjetër fushë premtuese – gjithnjë për mendimin tim – do të ishte hulumtimi i strukturave dialektore në shqipen e antikitetit, në bazë të trajtimit fonetik të diferencuar të huazimeve latine, ose të faktit që tinguj dhe grupe tingujsh të njëjtë në fjalët latine kanë dhënë reflekse të ndryshme në shqipen. Për këto dhe të tjera perspektiva, etimologjitë e sigurta përfaqësojnë gjithnjë pikënisje të domosdoshme.

Dhe më në fund, le të mos harrojmë se studimet etimologjike të leksikut shqip, përfshi këtu edhe fjalorët, kanë për objekt shqipen, jo gjuhë të tjera. E thënë kështu, kjo mund të tingëllojë si truizëm, por në të vërtetë harrohet shpesh nga albanologët “alternativë”, të cilët në masë të madhe nuk merren aq me leksikun e shqipes në vetvete, sa ç’e përdorin këtë leksik si platformë drejt gjuhëve të tjera – etruskishtes, shumerishtes, gjuhëve semite, dhe kushedi ç’tjetër; ose për të shpjeguar lirisht njësi onomastike (toponime, antroponime, etj.). Janë pikërisht këta, që edhe kanë vënë alarmin për “huazimet e shumta” në fjalorin e Topallit dhe në Studimet Etimologjike të Çabejt; pa çka se objekt i hulumtimeve të tyre nuk është pothuajse asnjëherë shqipja.

(fund)

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top