FLUTURON…

Debati mbi domosdoshmërinë e një samiti mbi diasporën, solli në diskutim edhe dobitë e kostot e mëdha financiare të këtyre organizimeve. Rreth 500 mijë EUR, që mund të jetë kjo mbledhje tre ditore, është gati sa 1/10 e buxhetit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ose afërsisht sa shuma totale që është shpenzuar në 2018-2019 për udhëtime jashtë shtetit nga kjo ministri (MEPJ). Shqiptarët po ikin, por mbrapa, me të njëjtin zell, por besoj turistik, i gjëmojnë edhe zyrtarët e shtetit të tyre të varfër.

Për të kuptuar diçka mbi praktikat e shpenzimeve të buxhetit të shtetit në lidhje me udhëtimet jashtë vendit, unë analizova të dhënat e publikuara nga OpenData.al (http://spending.data.al/en/treasury/list/year/2015). Këtu paraqiten disa nga përfundimet e mia mbi shpenzimet e MEPJ dhe të institucioneve të tjera për udhëtimet jashtë vendit (të dhënat për përpunim të mëtejshëm i gjeni këtu).

Rreth 38-50% e shpenzimeve të MEPJ-së shkojnë për rimbursime të TVSH. Pra buxheti faktik i MEPJ është rreth 3 milion EUR. Një pjesë, nga 16% deri në 25%, sipas vitit, shkojnë për paga, dieta e të tjera shpenzime për personelin. Shuma të konsiderueshme shkojnë edhe për pritje të delegacioneve, disa prej të cilave kushtojnë mbi 50 mijë EUR.

 

 

 

Nga rreth 25 milion EUR që janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit prej 2014, vlerën dhe numrin më të madh të udhëtimeve e kanë Kuvendi Popullor (mbi 1.5 milion EUR) dhe Ministria e Jashtme. Bashkia e Tiranës (afërsisht 700 mijë EUR, me shpenzime të mëdha që fillojnë në periudhën 2016-2018) dhe Universiteti i Elbasanit ua kalojnë edhe institucioneve qendrore. Një pjesë e këtij buxheti mund të jenë edhe nga projektet ndërkombëtare, financimi i të cilave kryhet nëpërmjet derdhjeve në llogarinë e Thesarit të Shtetit. Rreth 44% të vlerës totale e kanë shpenzuar institucionet e paraqitura në grafikun e mëposhtëm.

Nga grafiku i udhëtimeve gjatë muajve, vihet re se një pjesë e madhe kryhen (ose regjistrohen si shpenzime) në dhjetor. Jo se konferencat, trajnimet apo takimet janë lënë për dhjetor, por sepse atëherë janë pushimet e pazaret e Vitit të Ri, sidomos për Kuvendin Popullor.

 

Në të njëjtat kushte fluturojnë edhe nëpunësit e Ministrisë së Kulturës, që për të shpenzuar rreth 310 mijë EUR (2014-2018), gjithashtu zgjedhin kohën e fundvitit për udhëtime. Ndoshta, veç koncerteve të fundvitit, afron planifikimi i buxhetit, dhe shume programe rishikohen nëse nuk shpenzohen fondet e parashikuara për projektet.

Ndër universitetet, Universiteti i Elbasanit ka shpenzuar shuma të konsiderueshme në udhëtime (rreth 300 mijë EUR në vit). Ose këta duhen lavdëruar, ose duhen kontrolluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi ia kalojnë disa herë Universitetit të Tiranës, i cili duket se shpenzon shumë pak për mobilitetin e pedagogëve.

 

Rreth 10 firma kanë qenë përfituesit kryesorë të fondeve të shtetit, me rreth 80% të të gjitha shpenzimeve për udhëtime. Më poshtë përfituesit e preferuar sipas institucioneve buxhetore.

 

(c) 2019, autori.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.