Fytyra e një vendi

Patrick RINGGENBERG

 

FYTYRA E NJË VENDI

Patrick Ringgenberg

Patrick Ringgenberg

Përmbajtja e artikullit:

» Flamuri

» Gjeografia

» Kufij dhe province

» Klima

» Hidrografia

» Burimet

» Kanalet ujitëse

» Popujt

» Etnitë (kombet)

» Popullsitë shtegtare ose shtegtimtarët

» Bota shtazore

» Kafshët shtëpiake

» Zogjtë

» Bota bimore

» Pyjet

» Burimet natyrore dhe ekonomia

» Industritë dhe shërbimet e vogla

» Nafta dhe gazi

» Lëvizjet nëpër Iran

 

Flamuri
Flamuri iranian përbëhet nga tre breza horizontalë me ngjyra, të vendosur njëri poshtë tjetrit: brezi i gjelbërt (ngjyra e Islamit), brezi i bardhë (simboli i paqës), brezi i kuq (gjaku i dëshmorëve). Në qendër të tij është shkruar emri i Zotit (Allah) me shkronja të stilizuara dhe në trajtën e tulipanit, që është emblema e martirit. Mbi brezin e gjelbërt e të kuq përsëritet formula e Kuranit “Zoti është më i madh” (“Allah akbar”), shkruar me shkronja kufike.*

Gjeografia
I vendosur midis Mesopotamisë dhe Azisë, Irani është një rrafshnaltë e pafund që shtrihet në një lartësi mesatare prej 1000 metrash mbi nivelin e detit. Në qendër të tij janë dy shkretëtira ranore krejtësisht të thata, me guriçka dhe kripë, që përshkohen pa ndërprerje nga male të ashpra, shpesh të prera si me thikë: njëra, që quhet Dasht-e Kavir, është e mbuluar me oaze shumë të rralla, dhe tjetra, me emrin Kavir-e Lut, është një prej shkretëtirave aspak mikpritëse të botës. Kjo rrafshnaltë rrethohet prej dy pellgjesh: prej detit Kaspik në veri dhe prej Gjirit Persik në jug.

Rrafshnalta kufizohet nga dy vargmale. Alborzi, në veri, ka një lartësi mesatare prej rreth 3100 metrash dhe arrin pikën më të lartë me një vullkan të shuar në majën e malit Damavand (5647 m.). I përfshirë në strukturën e Alpeve Evropiane, trajta e tij si drapër hëne përkon me lakoren e detit Kaspik të cilën ai ndjek, duke përftuar një pengesë ndërmjet Rrafshnaltës dhe tokave bregdetare, që janë më pjelloret në vend. Në lindje, Aborzi shtrihet deri në Kurasan, vendkalim ky i popullsive që vijnë nga Azia Qendrore dhe krahinë e pasur me lugina pjellore; në perëndim, Alborzi takohet me Azerbaixhanin, një vend bujqësor, ku gjatë kohës u vendosën popullsi të shumta, që janë pjesë e historisë së Iranit: persët, medët, kurdët dhe mongolët.

Vargmali Zagros, shumë i pasur në naftë dhe gaz, shtrihet diagonalisht nga veri-perëndimi në jug-perëndim, në një gjatësi prej 1000 km. I gjerë 200 km., ky vargmal është vazhdim i Alpeve Dinarike, që kalojnë nga Qiproja. Majat e maleve të tij i kapërcejnë të 4000 metrat. Në jug-lindje dhe në lindje të vendit, vargmalet e Makranit, të Balushstanit e të Sistanit krijojnë një kufi natyror me Pakistanin dhe Afganistanin.

Rëzë këtyre vargjeve malore shtrihen dy fusha të mëdha. Fusha e Kuzistanit, në jug-perëndim, shtrihet në hapësirën nga brigjet e Gjirit Persik deri në vargmalin më të ulët të Zagros. E përshkuar nga lumenjtë Karun, Dez, Karkeh, ajo përbën skajin lindor të fushës mesopotamike, ku lindën qytetërimet më të lashta, me të cilat Irani do ta lidhë fatin e vet shpesh: Shumer, Ur, Akad, Asiri, Babiloni. Në veri, ndërmjet Alborzit dhe detit Kaspik, shfaqet një zonë e lagësht e mbuluar me pyje, me këneta dhe me ara të mbjella me bimë bujqësore të shëndetshme, e cila vazhdon me stepat e Turkmenisë në verilindje.

Formimi i vargmaleve ka ndodhur kryesisht në epokën e paragëlqerorëve, para 141 milion vjetësh. Palosjet gjeologjike që kanë ndodhur në varmalet e Alborzit e të Zagros, kanë ardhur si rrjedhim i afrimit të pllakave tektonike të Arabisë e të Euroazisë (Kaukazet dhe fusha e Turanit*), kurse malet e Makranit, të Balushestanit e të Sistanit kanë lindur thuajse drejtpërdrejt nga afrimi i pllakave të Indisë me Euroazinë. Këto pllaka vazhdojnë të zhvendosen ende, çka bën që tërmetet të bien relativisht dendur në Iran: dy tronditje të tokës shkatërruan qytetet tradicionale Tabas (1978) dhe Bam (2003), një tjetër tërmet shkaktoi vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, më 1990, në veri-perëndim të vendit.

Kufij dhe provinca
Kufijtë e sotëm të Iranit janë përcaktuar në shek. e XIXtë dhe të XXtë. Në këtë Lindje të Mesme, pas rënies së BRSS-së më 1991, Irani ka një prej numrave më të mëdhenj të vendeve kufitare. Në veri, ai kufizohet me ish-republikat sovjetike, territoret e të cilave, gjatë historisë antike ose islamike, ishin ndonjëherë pjesë të Persisë: Armenia, Azerbaixhani, Turkmenistani. Në perëndim, Irani ka vend kufitar Irakun, i cili mbulon Mesopotaminë e lashtë dhe kryeqytetin e kalifëve abasidë (Bagdad), dhe Turqinë, që qe qendra e fundit e perandorisë së madhe myslimane (SULLTANATI OTOMAN). Në lindje, Irani është fqinj me Afganistanin dhe Pakistanin, të cilët kanë pësuar, që të dy, ndikimin e kulturës perse dhe përbëjnë një pengesë ndërmjet Iranit dhe Kinës e Indisë. Në jug, përtej Gjirit Persik, shtrihet Gadishulli Arabik, atdheu i zanafillës së Islamit, ndërkohë që në veri, deti Kaspik lidh Iranin me Rusinë dhe Kazakistanin.

Në brendësi, vendi ndahet në provinca, çdonjera prej të cilave ka kryeqytetin e vet. Numri i tyre ka ndryshuar këto vitet e fundit: më parë, qyteti Kum bënte pjesë në provincën e Teheranit, kurse sot ai është kryeqyteti i një province që mban emrin e tij. Çdo provincë ndahet në departamente, në rajone, në kantone dhe në fshatra.

Klima
Deri në fund të epokës paleolitike, aty nga vitet ˜ 10’000, akullimet e njëpasnjëshme shkaktuan një këmbim të herëpashershëm të periudhave të thata me ato të ftohta dhe të periudhave të lagshta me ato të nxehta. Klima mori qëndrueshmëri aty nga viti ˜ 15’000. I vendosur përmbi tropikun e Kanserit, Irani është nën ndikimin e kushteve klimaterike shumë të ndryshme: në veriperëndim, ai ka një klimë të zbutur, në jug ka klimë tropikale ose subtropikale, dhe në lindje e juglindje, klima e tij është nën ndikimin e erës së musonit, një erë tropikale periodike, që vjen nga India. Në klimën e Iranit takohen kushte të skajshme, nga krahina të ngrohta e të lagështa në veri, kalon në shkretëtirën e thatë dhe me guriçka të qendrës së vendit, e prej këtej në krahinat e ftohta malore. Për Iranin thuhet se është vendi i katër stinëve, sepse në çdo kohë të vitit, çdo rajon ka klimën e vet karakteristike. Në disa vende, duket se ka vetëm dy stinë: vera dhe dimri. Ky ndryshim u detyrohet, pa dyshim, ndryshimeve të gjerësisë gjeografike dhe të lartësisë mbi nivelin e detit: qytetet e Rrafshnaltës ndodhen shpesh në lartësinë mbi 1000 metra: Teherani është në një lartësi mesatare 1190 m., Shirazi në 1530 m., Kermani në 1749 m.

Në mënyrë skematike, temperaturat zbresin nga juglindja në veriperëndim. Dimri mund të jetë shumë i ftohtë dhe vera me zheg (djegagur). Rrjedhimisht, stinët më të mira për të vizituar vendin janë pranvera (nga fundi i marsit deri në fillim të majit) dhe vjeshta (messhtator-mesnëntor). Temperaturat më të ulëta shënohen në janar dhe më të lartat në korrik e gusht. Në Esfahan, temperaturat më të ulëta dhe më të larta mund të lëkunden ndërmjet -16°C (në janar) dhe +42°C (në korrik), kurse në Tabriz ndërmjet -25°C (në janar) dhe +40°C (në korrik). Pranvera është e shkurtër, kurse vjeshta shumë e gjatë. Gjatë dimrit, erërat fryjnë rregullisht nga lindja në verilindje duke sjellë në Rrafshnaltë ajër të ftohtë kontinental. Për të gjithë Iranin, dimri është stina e reshjeve të shiut. Në këtë kohë, jugu merr 75% ose më shumë të reshjeve të vendit. Dhe e kundërta, vera është stina e thatë, përveç krahinës së detit Kaspik, e cila është më e lagështa e vendit gjatë gjithë vitit. Pranvera dhe vjeshta paraqiten me një grafik të larmishëm shirash, por zakonisht, vëllimi i reshjeve zvogëlohet nga veriu në jug dhe nga perëndimi në lindje.

Hidrografia
Në Iran, uji është nderuar gjithmonë: mbreti akemenid u lutej perëndive, kur donte që të binte shi; dalja e burimeve u detyrohej Shenjtorëve dhe Imamëve, dhe, të japësh ujë, në Iran, është gjithmonë një shenjë mikpritjeje dhe një veprim thuajse fetar. Në një vend me shkretëtira dhe këneta të kripura, zotërimi i ujrave ka përcaktuar thellësisht veprimtaritë njerëzore: shpërndarjen e tyre, natyrën e tyre, sasinë dhe historinë e tyre. Qytetërimi iranian nuk mund të zhvillohej përveçse në luginat e Alborzit e të Zagros, në rrëzëmalet që grumbullojnë ujin e maleve ose në oazet e shpërndara rrëzë shkretëtirave. 67% e popullsisë së vendit është e përqëndruar vetëm në 27% të sipërfaqes së vendit, kryesisht në veri dhe në perëndim.

Burimet
Bora dhe ngricat e vargmaleve të larta janë burimi kryesor i ujit, sepse shirat asnjëherë ose rrallë janë të bollshme. Ato janë stinore, të çrregullta, të ndryshme nga njëri vit në tjetrin dhe nga njëra krahinë në tjetrën, dhe përgjithësisht të pamjaftueshme. Në verë, jugu nuk ka fare shi. Lagështia përqëndrohet në krahinat anësore të vendit: në Kuzistan, i cili laget nga tre lumenj, dhe në veri, ndërmjet detit Kaspik dhe maleve të Alborzit.

Lumenjtë e mëdhenj e të vegjël të Iranit janë përgjithësisht të palundrueshëm. Janë të pakët ose tepër të vrrullshëm, kur bien nga lart dhe rrjedha e tyre e rëpirtë mund të përshkojë gryka të pakalueshme nga anijet. Vetëm Karuni (920 km.), që kalon nëpër Ahvazit, mund të përdoret për lundrim pjesërisht. Në fushën e Kuzistanit, përmbytjet shkaktojnë ndonjëherë dëme të mëdha. Në rrethinat e qyteteve-oaze, si Esfahan, Shiraz, Kashan, Kum e Jazd, shtrihen liqene të kripur ose këneta të thara. Pirgjet me kripë u ngjajnë ndonjëherë ajsbergeve në mes të një ujnaje, që duket si një vegim nën dritën e diellit. Në verë, për shkak të avullimit, liqenet janë shpesh të thatë, kurse në dimër mbushen plot, dhe përmasat e tyre ndryshojnë përgjatë muajve. Në Azerbajxhan, liqeni Orymjeh është më i madhi në vend. Për të plotësuar nevojat me ujë, janë ndërtuar sisteme të gjera hidraulike qysh prej Antikitetit (puse, penda uji, diga, kanale). Kanalet e para vaditëse të njohura datojnë qysh nga koha e bronzit. Nën sundimin akemenid (˜ VI-të-˜ IVt), kanalet dhe rezervuarët e ndërtuar në fushën e Persepolit, dëshmojnë për një politikë ujore po aq të arsyeshme sa edhe jetësore. Përpara se të ndërtoheshin pompat e sotme, në Iran janë përdorur shumë teknika për nxjerrjen e ujit nga puset dhe lumenjtë: një nga më të thjeshtat ishte përdorimi i një kove të lidhur me litar te një ka dhe më të sofistikuarat qenë çikrikët me kova, që viheshin në lëvizje me kafshë ose me dorën e njeriut, dhe që quheshin makina hidraulike me kova. Në Kuzistan, Sasanidët (III-të-VII-të) krijuan urë-pritat me fletë të lëvizshme, që lejonin të merrej ujë nga rrjedha e lumenjve për ta shpënë në tokat bujqësore. Në shek. e XX-të, në kohën e mbretit të fundit Pahlavi, u ndërtuan shumë prita për të rregulluar rrjedhat e ujit, për të ujitur fushat e për të furnizuar qytetet. Fushat, në përgjithësi, janë të ujitshme, përveçse në veri, ku shirat janë të mjaftueshme dhe ku prodhohet ? e të ardhurave të përgjithshme bujqësore. Shpërndarja e ujit ndërmjet fshatarëve sipas madhësisve të arave që kanë, përbën objetkin e një protokolli dhe të rregullave të sakta, të vëzhguara nga një mjeshtër i ujit.

Kanalet ujitëse
Vepra hidraulike më tipike në Persi është një lloj kanali që, në persisht, quhet “kanat”. Kanati është një kanal nëntokësor, që shpie ujin nga malet në fusha, dhe që lidhet me sipërfaqen e tokës me anë pusesh. Polibi, historiani grek i shek. ˜ II-të, i përshkruan kështu kanatat: “Në sipërfaqe të tokës, nuk ka ujë të dukshëm në këtë krahinë, por ka kanale të nëndheshme të shumtë, që përshkojnë shkretëtirën duke u lidhur me sipërfaqen e tokës me anë pusesh, që nuk dihen nga ata që nuk e njohin vendin.”. Gjatësia e tyre ndryshon nga 1.5 ose 3 km. për kanatat më të shkurtra, në 16 ose 30 e deri në 60 km. për më të mëdhatë. Në sipërfaqe të tokës, ato dallohen nga vrima të rrethuara nga grumbuj dheu, që ndodhen me dhjetra metra larg njëri-tjetrit. Në mes të shek. të XX-të, një studim i Kombeve të Bashkuara vlerësonte se 75% e ujit të përdorur në Iran vinte nga këto galeri. Këto vazhdojnë të përdoren edhe sot, megjithëse janë vendosur instalime hidraulike moderne.

Popujt
Si urë dhe vendkalim, Irani ka qenë gjithmonë një vend shumëetnik dhe shumëkulturor. Herodoti thoshte se: “Persët janë populli më i hapur ndaj zakoneve të huaja” (I, 135).

Larmia e visoreve, e mënyrave të jetesës, e rrënjëve historike, e kushteve të jetesës, e mënyrave dhe tipeve të punës, e gjuhëve dhe feve, ka krijuar një mozaik njerëzor dhe një ylber kulturash të njësuara në identitetin iranian.

Etnitë (kombet)
Etnia iraniane, me zanafillë indoevropiane, përbën pak më shumë se gjysmën e popullsisë. Irani ka shumë etni të ndënjëtare dhe shtegtare, si lorët dhe arabët në perëndim, kurdët në perëndim dhe në verilindje, azerisët në veriperëndim, turkmenët në verilindje dhe baluçët në juglindje. Disa janë ndërkufitarë: baluçët janë të ndarë në të dyja anët e kufirit Iran-Pakistan, kurse kurdët janë ndarë midis Irakut, Iranit dhe Turqisë.

Popullsitë shtegtare ose shtegtimtarët
Bashkë me fshatarët e qytetarët, shtegtimtarët janë një përbërës kryesor i shoqërisë iraniane, e kulturës dhe e historisë së saj. Më 1987, Irani kishte rreth 1’200’000 shtegtimtarë dhe 96 fise. Ata nuk zënë shkretëtirat, por malet dhe kryesisht Zagrosin. Fiset Bakhtjare, Qashqa’is, Baliçe, Turkmene, Kurde, Mamasane ose Shahçavane jetojnë kryesisht me rritje delesh e dhish, si dhe me kuaj, gomerë, mushka, qe ose deve (gamile). Ata nxjerrin të ardhura edhe nga bimët e vogla bujqësore dhe nga shitja e qilimave të leshit. Çdo fis ndahet në barqe, pastaj në familje: çdo bark ka një hierarki shoqërore të vetën dhe sundohet nga një shef (khan) që vendos drejtësinë, udhëheq zhvendosjet e bashkësisë dhe e përfaqëson atë në shoqëri e në qeveri. Në thelb, gjendja e sotme e shtegtimtarëve e ka burimin në shek. e XIII-të. Në kohën e dyndjeve mongole, shtegtimtarët me shumicë turke kaluan në Azinë Qëndrore në Iran, ku ata shkaktuan përndryshime të jetës gjysmështegtare të popullsisë malore. Që nga koha e dinastisë gaxhare (shek. XVIII-të), shtegtimtarët formuan me të vërtetë “shtete brenda shtetit”. U rrit pjesëmarrja e tyre në politikë dhe në çështjet e qeverisjes së vendit, herë me kundërvënie, herë si beslidhës (aleatë), herë si konkurrentë të shtetit në Teheran. Në shekujt XIX dhe XX, Fuqitë perëndimore i kanë manipuluar shpesh këto fise për të përhapur ndikimin e tyre dhe për të mbikëqyrur ngjarjet dhe marrëdhëniet me forcë. Nën mbretërimin e Pahlavitëve, janë zhvilluar fushata të drejtpërdrejta ose të tërthorta për ngulitjen e tyre të detyruar në një vend të caktuar, por që të gjitha kanë përfunduar me dështim. Kurse sot, shtegtimtarët janë thuajse të gjithë të rrënjosur në një vend. Ata mbjellin arat dhe lëvizin kryesisht kur shpien bagëtitë për verim ose për dimërim: me tufat e tyre dhe me pak ngarkesë që e mbartin në krahë ose me gomar, ata ngjiten nga fusha në mal, në pranverë, dhe zbresin nga malet në fusha në vjeshtë.

Bota shtazore
E studiuar dhe e vrojtuar pak e pjesërisht, bota shtazore e Iranit përbën shembëlltyrën e vendit me pasurinë dhe larminë e saj.

Në Iran, ka rreth 129 lloje gjitarësh, 48 prej të cilëve janë brejtës, 28 mishngrënës, 21 lloje të ndryshme lakuriqësh nate dhe 15 kandrangrënës. Disa prej tyre (rreth 18%) janë vendës, kurse të tjerët kanë ardhur nga Afrika dhe India. Shumë lloje mishngrënësish janë në zhdukje, për faj të njeriut. Xhungla në veri të Alborzit mban arinj dhe pantera, por vërehet shumë rrallë në të edhe tigri. Luani, të cilin e shikojmë në basoreleievet e Persepolit, praktikisht është zhdukur. Hijenat, çakejtë*, dhelprat, macet ose leopardët janë nga mishngrënësit më të përhapur. Megjithëse vritet nga shtegtimtarët, ujku është ende i pranishëm, sidomos në Alborz, në Azerbajxhan dhe në Kurdistan. Ndër thundrakët, duhet përmendur gomari i egër, i cili jeton në pjesët anësore të shkretëtirës qëndrore dhe është simbol i ndjenjave të forta të dashurisë në poezi. Ai ka qenë, gjithashtu, një gjah i parapëlqyer në gjuetitë mbretërore. Nëse gazelat janë më të kërcënuara në tokë sesa në poezi, ku ato janë shembëlltyra e së dashurës, drerët dhe kaprojt vazhdojnë të lodrojnë nëpër pyjet nën detin Kaspik.

Shumica e brejtësve janë minj ose brejtës të shkretëtirës. Numërohen 5 lloje breshkash dhe 93 lloje zhapinjsh. Ato që janë vendëse, janë të përhapura në Rrafshnaltën e Iranit, dhe shumëllojshmëria e tyre dëshmon për marrëdhëniet me botën shtazore indiane, aziatike-qendrore, afrikano-veriore dhe evropiane.

Kafshët shtëpiake
Më të përhapurat nga kafshët shtëpiake janë kali, gomari, bualli indian, deveja, delja, lopa. Buajt gjenden në krahinat e Azerbajxhanit, dhe devetë kryesisht në lindje të vendit, në provincat e Kurasanit dhe në hapësirën nga Sistani në Baluçestan. Marko Polo i lëvdonte gomarët iranianë, të cilët shiteshin më shtrenjtë se devetë, sepse “hanë pak, mbajnë shumë ngarkesë dhe mund të udhëtojnë gjatë brenda një dite. Qentë, që janë të racave shumë të përziera, quhen të papastër nga Islami. Nëpër familje nuk mbahen qen pothuajse asnjëherë, ndërkohë që shihen të enden rrugëve të qyteteve, ose të shoqërojnë barinjtë shtegtarë dhe tufat e tyre me bagëti. Megjithëse më të vlerësuara, macet janë në përgjithësi të egra, kurse macja me qime të gjatë, që perëndimorët e quajnë “persiane”, në të vërtetë, nuk gjallon as në vend, as në kulturën iraniane.

Zogjtë
Shumica e zogjve, vendës ose shtegtarë, janë të ngjashëm me ata që shihen në Evropë. Janë regjistruar rreth 450 lloje. Shpendët e egra janë të përqendruara në zonat buzë detit Kaspik dhe në provincën e Sistan va?? Baluçestanit, ku ata vijnë shpesh në dimër. Zogjtë këmbëgjatë (shapkë, kurrillë, lejlek) janë të shumtë, si p.sh. gatat (çafkat) e flamingot, kurse çerdhet e lejlekëve zbukurojnë majat e minareve të xhamive të Iranit të Veriut. Lumenjtë ose ishujt e Gjirit Persik e të detit Kaspik strehojnë zogj deti, si goelandët*, pulëbardhat, shumë lloje dallëndyshesh deti, pelikanët. Në epokën akemenide, luftërat ndërmjet Perandorisë perse dhe grekëve (˜ V-të – ˜ IV-t) lejuan përhapjen e palloit, të gjelit dhe të pëllumbit të bardhë të Lindjes në Perëndim. Në epokën safavide (1501-1732), dashuria për pëllumbat ishte nder në mjediset aristokratike. Shpendët e gjahut gjenden në të gjithë vendin. Ka 7 lloje shqiponjash: disa përdoren bashkë me langua (zagar) për të gjuajtur gazela në Jugun e shkretëtirtë të Iranit. Skifterët janë shumë të përhapur në zonat malore. Zbutja dhe ushtrimi i fajkoit ka qenë një art mbretëror: kjo ushtrohet ende nga fise shtegtare të Iranit jugor, që parapëlqejnë më shumë fajkoin pelegrin.

Bota bimore
Të 10’000 llojet e bimëve të regjistruara në Iran u takojnë grupeve të ndryshme. Si një tërësi me shumë zona dhe kushte klimaterike, Irani ka një botë bimore të përbashkët me Azinë Qendrore, në fushat e brendshme dhe zonat e larta, me Evropën dhe Siberinë, në brigjet e detit Kaspik, me Afrikën, në brigjet e Gjirit Persik dhe të Makranit, me botën indiane dhe himalaje, në pyjet verilindore, kurse disa bimë u përkasin grupeve mesdhetare, sahariane dhe arabike.

Bimësia ka njohur periudhat e saj më të mira tre ose dy mijë vjet p.e.s., pikërisht në kohën kur indoevropianët e parë arritën në Iran. Gjatë mijëvjeçarëve, ndërhyrjet e njeriut dhe veprimi i dukurive natyrore e kanë përndryshuar, pak a shumë, botën bimore. Ndryshimet klimaterike dhe shkretëtirëzimi, prerja e pyjeve, bujqësia dhe kafshët e shtegtimtarëve i kanë zvogëluar gjithmonë e më shumë zonat pyjore dhe kanë bërë që të zhduken brezat barishtorë. Shpesh, mbjellja e bimëve bujqësore ka bërë që të zëvendësohen oazet natyrore me oaze artificiale. Pyjet dhe kullotat janë shtetëzuar më 1963, dhe Irani ka sot shumë rezervate e parqe natyrore.

Pyjet
Bimësia e Iranit tregon një dëmtim të zonave të lagështa, gjysëm të lagështa ose gjysëm të shkretëtirta e të shkretëtirta (shkretëtira dhe stepa). Në tokat e ulëta përreth detit Kaspik ndodhet i vetmi pyll i lagësht i vendit, i cili shtrihet në lindje të Kurasanit dhe në perëndim drejt Turqisë, duke tërhequr shiun e gjithë vitit. I quajtur nga botanistët “pylli hyrcanienne??”, ai qëndron si një mbijetojë e pyllit të ngrohtë e të pafund që mbulonte Evropën dhe Azinë e Veriut në epokën terciare. Megjithëse hapësira të mëdha të tij janë dëmtuar, përsëri ai e ruan pamjen e një pylli me drurë të mëdhenj e të fortë, të dendur dhe të rritur në brezare. Rriten në të frashër, bli, panjë, vidh, arrë, tek ?? (lloj druri pyjor i qëndrueshëm, që punohet me lehtësi, sepse nuk ka nyje, dhe që përdoret për ndërtim urash të anijeve, për shtrim dyshemesh dhe për mobilje) dhe lloje të ndryshme shkurresh. Hapësira të gjera zihen nga pyje gjysëm të lagështa. Më i rëndësishmi prej tyre është një rrip i gjerë, që shtrihet nga Lindja anatolike deri në Fars, duke kaluar nga Kurdistani iranian dhe iraken. Ai përbëhet kryesisht nga shumë lloje të ndryshme lisi, që nuk janë të lartë, as të dendur, nga drurë vidhi, panje, arre, bajame, xine dhe nga një sasi e madhe shkurresh. Përrenjtë e tij të lagësht krijojnë kushte shumë të mira për rritjen e plepit, të shelgut, të vidhit, të frashërit, të rrapit dhe për bimët kacavjerrëse.

Së lashti, një pyll i thatë me dëllinja mbulonte shpatet jugore të Alborzit. Ai shtrihet tani poshtë pyjeve të lagështa të provincave të Veriut dhe në Kurasan. Dëllinjat rrethohen nga shkurre dhe drurë si xina, murrizi etj. Një tjetër lloj pylli i thatë i shkon përanash pyllit gjysmë të thatë të Zagros. Qëmoti ka qenë shumë më i gjerë. Drurët dhe shkurret e tij janë kryesisht: xina, panja, bajamja dhe dëllinja.

Burimet natyrore dhe ekonomia
Bujqësia 
“Njeriu i parë që mbolli tokën qe Adami, dhe pas tij, shumë profetë e shenjtorë bënë të njëjtën gjë”, shkruante Raziu, teolog iranian i shek. të XII-të. E lindur bashkë me ngulitjet shoqërore të neolitikut*, bujqësia e përdori ujitjen qysh në mijëvjeçarin e ˜ VII-të. Qysh nga kjo kohë dhe deri në shek. e XIX-të, ajo përbënte burimin kryesor të të ardhurave në Iran, nga i cili përfitonin shteti, pronarët e mëdhenj dhe njerëzit e fesë. Tokat që mund të mbillen në Iran nuk zënë më shumë se 10% të territorit të tij, por prodhimet bujqësore janë të ndryshme, për shkak të larmisë së kushteve klimaterike dhe të llojit të tokave. Në fushat e Kaspikut bëhet çaji, duhani, bimët vajore dhe pjesa më e madhe e orizit të vendit. Në jug, prodhohen kryesisht portokallet dhe hurmat, ndërkohë që elbi, gruri, bimët vajore, mollët dhe rrushi prodhohen kudo nga pak, por në sasi që ndryshojnë shumë sipas krahinave. Në parim, bujqësia iraniane duhet të jetë e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e vendit, përderisa Irani eksporton fëstëkë dhe fruta të thata në Evropë, perime dhe fruta në Emiratet Arabe. Por Iranit i duhet të imoportojë ushqim për të plotësuar një sasi të caktuar mishi dhe qumshti, që i mungon. Burimet në mish vijnë nga bagëtia e shtegtimtarëve dhe e fshatarëve si dhe nga rritja industriale e lopëve dhe e shpendëve. Haviari, i njohur dhe i eksportuar kudo, është pasuri e detit të zonës së Kaspikut; peshkimi industrial është zhvilluar në gjirin Persik. Në shek. e XX-të, mbreti i fundit Palhavi kreu reforma bujqësore për të zhdukur “feudalizmin” dhe “bujkrobërinë”. Tokat që dikur ishin të një pakice feudalësh të mëdhej, iu shpërndanë fshatarëve. Por kjo solli dobi të padobishme, shpeshherë negative (të pasurit mbetën të pasur, dhe të varfërit gjithashtu). Megjithatë, reforma bëri një ndryshim të thellë të prodhimit bujqësor, të popullsisë fshatare dhe të organizimit të të mirave materiale e të prodhimeve të fushave. Republika Islamike bëri shumë për të rregulluar fshatin (uji, dritat, gazi, telefoni, rrugët) dhe për të përmirësuar jetën e fshatarëve, por gjendja e tyre, e ndërlikuar nga ndryshimet e politikës së Revolucionit, nuk u zhvillua shumë. Industria bujqësore u zhvillua pjesërisht dhe krahina të shumta në numër presin që të bëhet një modernizim i bujqësisë së tyre. Sistan va?? Balushtan, p.sh., ka mbetur i varfër dhe pa të ardhme të sigurt, në krahasim me provincat e pasura të Gilanit, të Mazandaranit e të Teheranit.

Industritë dhe shërbimet e vogla
Irani mbetet një vend bujqësor, megjithëse prodhimi kryesor i tij është nafta, dhe megjithëse industritë dhe shërbimet e vogla janë zhvilluar shumë në shek. e XX-të. Më 1999, 27.4% e popullsisë punonte në bujqësi, 42 % në shërbimet e vogla dhe 30.6% në industri. Industritë janë përqëndruar kryesisht në provincën e Teheranit. Irani ka shumë rafineri nafte, qendra bërthamore në ndërtim, një industri të rëndësishme kimike, farmaceutike, tekstile, të ndërtimit të makinave dhe të mjeteve elektro-shtëpiake. Por ndërkohë, ky prodhim është vetëm për tregun e brendshëm dhe i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha nevojat e tij; kurse për eksport, nuk bëhet fjalë.

Nafta dhe gazi
Në fillim të shek. të XX-të, Irani nuk kishte asnjë uzinë dhe pothuaj asnjë nënstrukturë bashkëkohore. Gjithçka ndryshoi me zbulimin e naftës, më 1908. Tregtimi i naftës i dha mundësinë Iranit të fillonte të lulëzonte pas dy shekujsh rënie dhe qëndrim në vend. Rruga hekurudhore transiraniane, që përfundoi më 1938, lidh Ahvazin, kryeqytetin e naftës, me Teheranin, kryeqytetin politik. U ndërtua rafineria Abadan, një nga më të mëdhatë në botë. Megjithatë, në fillim, Iranit i mbetej nga ky shfrytëzim një fitim qesharak, i papërfillshëm, sepse copën e luanit e merrte Kompania Anglo-Iraniane Oil, një shoqëri e krijuar më 1909 nga anglezët. Pas disa dhjetëvjeçarësh mosmarrëveshje me Anglinë, nafta u shtetëzua, më 1951, nga Dr. Mozadek, i cili u përmbys dy vite më pas nga një grusht shteti amerikan. Më 1954, një marrëveshje më përfituese për Iranin e bëri naftën pronë të iranianëve, por të shfrytëzuar dhe të drejtuar nga një grupim ndërmarrjesh (Konsorcium*) të shoqërive angleze, amerikane dhe franceze. Më 1961, Irani, që ishte prodhuesi i katërt i naftës në botë, themeloi bashkë me të tjerët O.P.E.P. (Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës). Sot, ashtu si dhe dje, Irani e ruan pavarësinë e tij, falë arit të zi të eksportuar në Evropë dhe Azi. Por ai ka, gjithashtu, rezerevën e dytë më të madhe në botë me gaz natyror, e cila ndodhet kryesisht në malet Zagros dhe premton të bëhet një burim të ardhurash të mëdha në të ardhmen. Në provincën Bushehr, qendra vendore Azalujeh është qendra më e madhe e trajtimit të gazit në vend.

Lëvizjet nëpër Iran
Në pjesën më të madhe, Irani është një shkretëtirë malore e larmuar me oaze që janë larg njëri-tjetrit. Në epokën islamike, karrocat dhe parmëndat me rrota ishin të rralla ose të aspakta, dhe përdoreshin në disa krahina të kufizuara në numër. Për bartjen e njerëzve dhe të mallrave parapëlqehej deveja. Sot, avioni është mjeti më i mirë për t’u zhvendosur nga një qytet në tjetrin. Rrjeti i fluturimeve të brendshme është shumë i zhvilluar dhe shumica e kryeqyteteve të provincave lidhen me kryeqytetin e vendit me avion. Teherani zotëron të vetmin aeroport ndërkombëtar, që kryen lidhjet me Perëndimin. Iran Air (Linja ajrore iraniane) është kompania kryesore e vendit: ajo është kompani shtetërore dhe kryen fluturime kombëtare e ndërkombëtare.

Rrjeti hekurudhor është relativisht i thjeshtë, në krahasim me madhësinë e vendit. Linja kryesore hekurudhore është transiraniani, i ndërtuar nga viti 1927 deri më 1938. E gjatë 1400 km., ajo lidh detin Kaspik me Gjirin Persik, duke kaluar nga Teherani dhe Ahvazi. Një tjetër rrugë hekurudhore lidh Teheranin me Bandar-e Abas, që, pas luftës Iran-Irak, u bë i njohur si një pol i ri ekonomik i naftës. Rugë të tjera hekurudhore të rëndësishme e lidhin Teheranin me Mashadin, qytet ku ndërrohen trenat që shkojnë drejt Azisë Qëndrore, si dhe me Tabrizin, që është një dalje drejt Turqisë dhe Kaukazit. Lokomotivat punojnë me motorrë diezel dhe vagonat e udhëtarëve janë të klasit të parë, të dytë e ndonjëherë edhe të tretë.

Të gjitha qytetet e Iranit lidhen me autobusë, kurse mikrobusët u bien kryq e tërthor fshatrave. Biletat janë shumë të lira, por rrugët janë të gjata, ndalesat shumë të rralla, rehatia jo gjithmonë e sigurtë. Ndërmjet qyteteve me largësi disa dhjetra kilometra, ka edhe taksi kolektive. Autostopi është shumë i rrallë në Iran dhe shumë i rrezikshëm për gratë që janë të pashoqëruara.

Në Iran, çmimi i një veture është i barabartë me çmimin evropian, por mbushja me benzinë kushton vetëm disa dollarë. Shumica e veturave janë të markës Paykans të bardha, të ndërtuara në Iran në vitet 1960 sipas modelit anglez Hillman Hunter. Mund të gjesh edhe Kia e Daewoo, të markës koreane, si dhe Peugeot, të ndërtuara me liçencë nga ndërtuesi kryesor iranian Iran Khodro. Qarkullimi me mjete është i vetmi vend ku mirësjellja iraniane zhduket pa lënë gjurmë: ai duket ndonjëherë si metafora e një shoqërie ku mbretëron një rregull pa rregull, ku përparësitë dhe rregullat janë të fshira, se përndryshe quhesh i nënvleftësuar ose leshko, dhe ku mund të kalosh vetëm me forcë.

Në qytete taksitë punojnë pa aparat përllogaritës dhe sipas dy parimeve: taksi vetjake, e thirrur për në një vend të caktuar, dhe taksi kolektive. Taksitë kolektive përshkojnë qytetin, duke kaluar nëpër vende kyçe dhe duke pranuar udhëtarë, vendmbëritja e të cilëve ndodhet në rrugëtimin* e taksisë. Ato marrin deri në 5 veta (tre në ndenjësen e pasme, dy në ndenjësen përpara). Secili paguan 1/5 e çmimit që një udhëtar do të paguante për një taksi vetjake. Në qytet, atobusi është mjeti më ekonomik; brenda në autobus, në përputhje me ligjin mysliman, vendet e burrave dhe të grave janë të ndara. Në fillim të shek. XXI, rrjet të rëndësishëm të udhëtimit me metro ka vetëm Teherani.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Botuar në revistën shkencore-kulturore “Perla”, 2010, Nr. 1.

Vënë nën:Iranologji Tagged: burimet njerezore, fete dhe besimet, flamuri, flora dhe fauna, gjendja e zhvillimit, Irani sot, iranianët dhe pakicat, kufijte, nafta dhe gazi, ndarja administrative, pasurite natyrore, popuj dhe etni, simbolet kombetare dhe shteterore, sistemi politik, struktura demografike, urbanizimi

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Scroll to Top