Gazeta “Dajti” e Hafiz Ibrahim Dalliut denoncuese e krimeve serbe mbi shqiptarët në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore

Nuridin AHMETI

 

GAZETA “DAJTI” E HAFIZ IBRAHIM DALLIUT DENONCUESE E KRIMEVE SERBE MBI SHQIPTARËT NË PERIUDHËN NDËRMJET DY LUFTËRAVE BOTËRORE

Nuridin Ahmeti

Nuridin Ahmeti

Si në opinionin vendës, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, janë të njohura padrejtësitë e shumta që u janë bërë shqiptarëve në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore nga Mbretëria Serbo–Kroato-Sllovene. Kjo Mbretëri, që u shpall më 1 dhjetor 1918, futi nën administrimin e vet edhe trojet shqiptare që kishin mbetur jashtë Shqipërisë administrative. Shqiptarët nën këtë Mbretëri, nuk kishin të drejta, po përkundrazi, i ekspozoheshin një dhune sistematike nga serbët dhe malazezët, si moslejimi i hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, marrja e pronës në emër të reformës agrare, vrasje në mënyra të ndryshme[1] etj.

Përballë këtyre padrejtësive të shumta që ushtronte Mbretëria e SKS-së ndaj shqiptarëve, shumë patriotë të kohës nuk ndenjën duarkryq. Ata me pushkë dhe me penë u munduan t’i parandalonin ato. Prej tyre  po përmendim: Hasan Prishtinën, Azem Bejtën, Hoxhë Kadri Prishtinën etj.

Për informimin e drejtë të opinionit për realitetin dhe situatën politike të shqiptarëve nën Mbretërinë SKS, një rol me rëndësi luajti edhe shtypi i kohës, e ndërmjet tyre edhe gazeta Dajti, e cila doli në Tiranë midis viteve 1924- 1926.

Kjo gazetë dilte nën drejtimin e patriotit, hoxhës, revolucionarit e veteranit të gjuhës shqipe, mikut të ngushtë të Hasan Prishtinës e Hoxhë Kadri Prishtinës, – Hafiz Ibrahim Dalliut[2].

Duke qenë miq të I. Dalliut, Hasan Prishtina dhe Hoxhë Kadri Prishtina, shkruanin në këtë gazetë për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar. Këto raporte për padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, që botoheshin në këtë gazetë, i sillte Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, udhëheqës i të cilit ishte patrioti Hoxhë Kadri Prishtina. Gazeta botohej me tituj të plotë dhe të kuptueshëm, kështu që informacionet e ofruara në faqet e saj, janë me shumë interes për historinë tonë kombëtare.

Pavarësisht se shtypi i kohës nuk hyn në burimet e dorës së parë, ai megjithatë është mjaft i rëndësishëm për ndriçimin objektiv dhe të gjithanshëm të rrethanave shoqërore e politike në kohën kur botohej ai shtyp. Këto të dhëna të shtypit të kohës plotësojnë mjaft shpesh burimet, e herë-herë në mungesë të materialeve arkivale autentike, shfrytëzohen edhe si materiale të dorës së parë[3].

 

Dy fjalë për gazetën “Dajti” të Hafiz Ibrahim Dalliut

 

Para se të bëjmë fjalë për masakrat serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, të pasqyruara në gazetën “Dajti”, të cilën, sikurse u tha, e botonte dhe e drejtonte intelektuali Hafiz Ibrahim Dalliu, e quajmë me vend të japim dy konstatime për këtë gazetë nga dy njohës të shtypit shqiptar që botohej asokohe.

Kështu, studiuesi i gazetarisë shqiptare Hamit Boriçi, kur bën fjalë për gazetat që dilnin në fillim të shek. XX, ndër të tjera, shkruan: “ Xhoka” dhe “Dajti” ishin dy gazeta që u botuan në Tiranë, por jehona e tyre u dëgjua edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë…., “Dajti”, e  drejtuar nga Hafis Ibrahim Dalliu, një prej figurave përparimtare e demokratike të klerit muhamedan në Tiranë. Ajo filloi botimin më 5 janar 1925…, i kushtoi vëmendje të veçantë luftës kundër opinionit patriarkal, feudal, të prapambetur. Kjo gazetë shquhej për rubrikën “Dajti në gaz”, e cila botohej në faqe të parë dhe kishte autor vetë kryeredaktorin e fletores, publicistin H.I. Dalliun. Përmes humorit e satirës, stigmatizohej e vjetra, kritikoheshin mbeturinat feudale në jetën qytetare, përcilleshin ide e mesazhe përparimtare e demokratike. Në 25 numrat e saj, “Dajti” e ruajti natyrën, përmbajtjen përparimtare e demokratike”[4].

Në anën tjetër, po për të njëjtën gazetë, Blendi Fevziu, shkruan: ”Në rend kronologjik, gazeta e parë e kësaj periudhe ishte “DAJTI”, e botuar në Tiranë nga një ish- deputet dhe figurë e njohur e jetës së kryeqytetit, Hafiz Ibrahim Dalliu. Ky personazh tipik i Tiranës, i njohur si një njeri revolucionar dhe patriot, mësues veteran i gjuhës shqipe në Shqipërinë e Mesme, e kishte filluar botimin e gazetës përpara kthimit të Zogut. Presidenti i ri shqiptar, që e njihte mirë personalisht, nuk e preku atë, edhe pse e konsideronte një njeri jomiqësor. “DAJTI” vijoi të dilte për 125 numra në vitet 1924- 1926, me 2, ose 4 faqe, sipas rastit”[5].

 

Gazeta “Dajti” për masakrat serbe në Kosovë

 

Lidhur me faktin se sa seriozisht i paraqitnin kjo gazetë dhe drejtuesi i saj masakrat që bëheshin në atë kohë në Kosovë, një autor  nga Kosova, kur bën fjalë për masakrat serbe të asaj kohe në Malësinë e Gallapit, në vitin 1921, ndër të tjera, shkruante: “Për ngjarjet në fjalë ka shkruar edhe shtypi shqiptar si “ Besa shqyptare”, që dilte në Shkodër, “Dajti” në Tiranë etj. Në të gjitha këto gazeta janë publikuar të dhëna rrëqethëse me shifra të mëdha të të vrarëve, dhe një numër të madh fshatrash të djegura e të plaçkitura. Sidomos vend të posaçëm në faqet e shtypit të kohës zunë masakrat në Prapashticë, Keqekollë, Sharban, Bellopojë etj., ndërsa për Prapashticën ato dhanë edhe mandatën për shuarjen e saj. Të gjitha këto gazeta konstatojnë, duke u lemerisur, masakrat monstruoze që bëheshin ndaj shqiptarëve”[6].

Gjatë hulumtimeve tona në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, kemi arritur t’i kemi në dorë vetëm katër numra të kësaj gazete (nr. 20, 53, 54 dhe 57), sepse, sipas shërbimit të kësaj biblioteke, vetëm këta numra i posedon biblioteka (!). Edhe pse tre numra janë pak krahasuar me numrat e botuar, megjithatë nga materiali që përmbajnë këta katër numra, mund të krijohet një pasqyrë e mirë se çfarë rëndësie u kushtoi kjo gazetë dhe kryeredaktori i saj, H.I. Dalliu, ngjarjeve që po ndodhnin në atë kohë. Gazeta dilte në fillim dy herë në javë[7], e më vonë një herë në javë.[8]

Në numrin 20 të gazetës “Dajti” gjejmë shkrimin “Veprimet e Ceno Begut Gjakovës në qarkun e Kosovës”, ku, sipas gazetës, vihet në spikamë roli destruktiv i të lartpërmendurit dhe lidhjet e tij me Mbretërinë SKS e me Esat Pashë Toptanin. Kjo gazetë, për Ceno Begun shkruan: ” Biografia e këtij Zotniës mjerisht përmblidhet vetem kundra interesave t’atdheut”. Gjithashtu gazeta boton edhe një dokument, sipas të cilit Mbretëria Jugosllave e lavdëronte punën e Ceno Begut.[9]

Në numrin 53, (Tiranë, e premte, 7 nëntor 1924) të kësaj gazete lexojmë shkrimin: “ Përpara realiteteve”, ku vihen në spikamë politikat asimiluese serbe, lufta diplomatike e Serbisë dhe torturat e ndryshme të serbëve ndaj shqiptarëve: ” …, me mujtë edhe gurët e Balkanit i shterngoin të flasin serbisht e të ken emna serbë”[10] shkruan aty. Gjithashtu kjo gazetë publikon edhe një tabelë me numrin e të burgosurve, të vrarëve, të rrahurve, numrin e shtëpive të rrënuara dhe të plaçkitura në Kosovë, midis datave 15 tetor 1918 – 1 qershor 1921, me titullin: “Ja këtu një “ tableau” të gjallë qi kallzon se ku jetoin e ku ushqehen katilat”[11]. Sipas kësaj tabele, të dhënat e së cilës, sikurse shkruan, ishin nxjerrë nga Arkivi i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, shihet se:

Në krahinën e Prizrenit, gjatë kësaj periudhe serbët kishin vrarë, 836 veta, kishin burgosur 2, 708 veta, kishin rrahur 120 veta, kishin rrënuar 770 shtëpi dhe kishin plaçkitur 1.562 shtëpi.

Në krahinën e Gjakovës, gjatë kësaj periudhe serbët kishin vrarë 68 veta, kishin burgosur 205 veta, kishin rrahur 25 veta, kishin rrënuar 56 shtëpi dhe kishin plaçkitur 78 shtëpi.

Në krahinën e Pejës, serbët kishin vrarë 1, 563 veta, kishin burgosur 3,803 veta, kishin rrahur 240 veta, kishin rrënuar 714 shtëpi dhe kishin plaçkitur 1, 970 shtëpi.

Në krahinën e Mitrovicës, serbët kishin vrarë 133 veta,  kishin  burgosur 700 veta, kishin rrahur 30 veta, kishin rrënuar 42 shtëpi dhe kishin plaçkitur 104 shtëpi.

Në krahinën e Prishtinës, serbët kishin vrarë 4, 600 veta, kishin burgosur 3, 659 veta, kishin rrahur 353 veta,  kishin rrënuar 1, 346  shtëpi dhe kishin plaçkitur 2, 190 shtëpi.

Në krahinën e Ferizajt, serbët kishin vrarë 1, 694 veta, kishin burgosur 2, 407 veta, kishin rrahur 194 veta, kishin rrënuar 724 shtëpi dhe kishin

plaçkitur 960 shtëpi.

Në krahinën e Kaçanikut, serbët kishin vrarë 340 veta,  kishin  burgosur 1, 304 veta, kishin rrahur 167 veta, kishin rrënuar 298 shtëpi dhe kishin plaçkitur 356 shtëpi.

Në krahinën e Gjilanit, serbët kishin vrarë 656 veta, kishin burgosur 2,406 veta, kishin rrahur 226 veta, kishin rrënuar 452 shtëpi dhe kishin plaçkitur 634 shtëpi.

Në krahinën e Preshevës, serbët kishin vrarë 267 veta, kishin burgosur 975 veta, kishin rrahur 285 veta, kishin rrënuar 180 shtëpi dhe kishin plaçkitur 240 shtëpi.

Nga përllogaritjet përfundimtare, që dalin nga kjo tabelë, shihet se në krahinat e lartpërmendura serbët kishin vrarë gjithsej 12, 371  veta, kishin burgosur 22, 110 veta, kishin rrahur 1, 654 veta, kishin rrënuar

6.050 shtëpi dhe kishin plaçkitur 10, 525 shtëpi.[12]

Është tronditës fakti që theksohet në këtë shkrim: “ Po shtojm se sot vetëm në burgjet e Pejës jan tue rënkue treqin gra[13].

Punimi i lartpërmendur përfundon me këtë konstatim: “Përpara këtyne realiteteve në Shqipni të Lirë duhet të punohet me nji energji shumë ma të madhe se në kohë të Lidhjes së Prizrenit, të Kongresit të Vlorës e të Lushnjës[14].

Nga të dhënat në tabelë, shihet qartë po ashtu se rajonet që kishin pasur më së shumti viktima në njerëz dhe dëme materiale, ishin rajonet e Prishtinës, Vushtrrisë, Ferizajt, Pejës. Gjithashtu të dhënat e mëvonshme tregojnë se numri i lartcekur i dëmeve materiale dhe i viktimave do të ishte edhe më i madh, sepse krimet serbe mbi popullin shqiptar nuk kishin të ndalur.[15]

Dajti 1

Dajti 2

(Faksimile të marra nga gazeta “ Dajti”, emri i gazetës dhe një tabelë, ku tregohen mizoritë e serbëve mbi shqiptarët më 1918-1921).

 

Në numrin 54 të gazetës “Dajti, ndërkaq kemi një intervistë të Hasan Prishtinës dhënë kësaj gazete, po kjo intervistë, me sa kemi parë, në literaturën tonë nuk është përmendur asnjëherë.[16] Në faqen e parë të  këtij numri gjejmë titullin: “Një intervist me Zotin Hasan Prishtinën”[17]. Aty H. Prishtina vinte në spikamë përpjekjet e Serbisë dhe të Ahmet Zogut për marrjen e pushtetit, sepse, siç dihet, në atë kohë, pas Revolucionit të qershorit të vitit 1924, A. Zogu ndodhej në Beograd.

Në numrin 57 është një artikull nga Hasan Prishtina me titullin “Sjelljet e Sërbis kundrejt Shqipnis”[18]. Hasan Prishtina përshkruan kështu propagandën serbe ndaj shqiptarëve që prej vitit 1913: ”Prej ditës që Flamuri Kuq- Zi u ngreh në Vlonë, prej ditës që ju tingllëllue botës mbarë lajmi i nji Shqipnie të lirë kur shqiptarët po urojshin shoki- shokin e idealistët shqiptar po derdhnin lot gëzimi e shpresë po ato ditë shtypi i Beligradit filloj me helmuë opinionin publik të botës kundra Shqipnis”[19].

 

Përfundim

 

Nga materialet që kemi shfletuar rreth tematikës së lartpërmendur, mund të përfundojmë se, informacioneve që vinin nga Kosova, sidomos atyre që kishin të bënin me masakrat serbe mbi shqiptarët, kjo gazetë dhe drejtori i saj përgjegjës, Hafiz Ibrahim Dalliu, u kishte dhënë një hapësirë të veçantë në gazetën “Dajti”, ato lajme vinin të parat në ballinë.

Lajmet ishin të dorës së parë, sepse Hafiz Ibrahim Dalliu, si mik i dy patriotëve të dëshmuar – Hasan Prishtinës dhe Hoxhë Kadri Prishtinës, merrte vazhdimisht informacione reale dhe të sakta nga këto personalitete dhe bashkëpunëtorët e tyre, rreth Kosovës dhe popullatës  së saj. Është me rëndësi të theksojmë edhe faktin se, pas themelimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, më 1 maj 1918, kjo gazetë e shfrytëzoi edhe arkivin e këtij komiteti.

Duke pasur parasysh faktin se në gjithë numrat që posedojmë, ka informacione mbi popullatën e Kosovës dhe për hallet e tyre, kjo tregon që kjo gazetë dhe kryeredaktori i saj ishin të interesuar në vazhdimësi për popullatën e kësaj ane.

Mirëpo, jo vetëm Hafiz Ibrahim Daliu ishte i brengosur për fatin e vëllezërve nga Kosova, sepse kishte edhe ulema e patriotë të tjerë që jetonin në Shqipërinë e asaj kohe dhe që preokupoheshin për gjendjen jo të mirë të vëllezërve të tyre në Kosovë. Në atë kohë, dhembjen për vëllezërit e tyre nga Kosova e ndjeu edhe miku i Hazif Ibrahim Dalliut, patrioti i dëshmuar Hafiz Ali Korça, i cili, në qershor të 1924-ës, kur forcat serbe sulmuan Drenicën, në ditën e Kurban Bajramit. Ai, nga dhembja që ndiente në shpirt, shkroi poezinë “Vajtimet e atdheut”, ku, në mes të tjerash, kishte shkruar:

“Qani vëllezër Kosovën qani, për gjëmëzezën ca dit zi mbani! Kosov’ e bukur o shpresa jonë, bujare, trime, je gjithmonë,

sot të zu halli në zgjedhë ngele, kurban po bënesh për dit si dele, kurban po bënesh ditë- bajrami, në Balkan theret veç myslimani[20].

 

Kurse një tjetër patriot shqiptar nga Dibra, një nxënës, koleg, mik i Hafiz Ibrahim Dalliut, Haki Sharofi[21], duke përjetuar masakrat serbe ndaj vëllezërve të tij në Kosovë dhe njëkohësisht duke lavdëruar qëndrimin dhe luftën heroike që po bënin këta të fundit në ruajtjen e atdheut të tyre, kishte shkruar vjershën ”Një malësori”[22], të cilën, për shkak të përmbajtjes, po e (ri)sjellim këtu:

 

Cili je ti, O Shqiptar! Or i dashur i Përëndisë! Qi vrave’i komandar, ne midis të’i ushtris?

Atë ditë qi t’kish rrethue. Gjith ushtrija e Serbis.

Atdheun t’and ti për të prue, Kishe hypun ne nji lis!

Mos të vin keq pse ndrove jetë, Mbasi vrave shtatë ushtarë,

Komnadar qe i tetë

q’ish i parë ndër këta barbarë! Si dragoni ti luftove,

Për t’i dal dalë Zot atdheut, Të githë botës i diftove,

Qi je nip’i Skenderbeut! Emni yt, vall, si te quhet, Se na duhet për Shqipni, Se ky emën nuk harrohet,

do t’a shkruejmë ne Histori? Historia do t’a përdori!

Emnin tand me lavderi! “Fillkat vetëm nji malsor, Bani luftë me një ushtri!”.[23]

————————-

/Orientalizmi Shqiptar/

[1] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare ( 1844-1990), Lumi-T, Gjakovë, 1991, f. 225-375.

Nuridin Ahmeti, studiues.

[2] Hafiz Ibrahim Dalliu lindi më 1878 në Tiranë, ku kreu medresenë. Studioi në Stamboll. Gjatë studimeve u aktivizua për çështjen kombëtare shqiptare. Pas kthimit në vendlindje, mori përsipër detyrën e mësuesit në një nga shkollat e para të Tiranës (1901), me gjithë vështirësitë e shumta e pa u shkëputur nga detyra e imamit në xhamitë e qytetit të lindjes.

Në formimin me ndjenja patriotike, te Dalliu ndikoi bashkëpunimi me atdhetarë shqiptarë. Në librin e tij Patriotizma në Tiranë, autori ka përmendur mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të kombit. Këto qenë motivet pse Hafiz Dalliu u zgjodh delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos hapja e Shkollës Normale (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri) e ku Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re, prandaj A. Xhuvani, ndër te tjera, shkruan që Normalja ka në themelin e saj djersën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut. Mirëpo këto bindje e qëndrime “heretike” të njeriut të përkushtuar, Hafiz Dalliun e çuan në burgje mizore deri në dënim dhe përndjekje. U desh ndërhyrja e miqve dhe e shokëve, si Hasan Prishtina, Mihal Grameno etj., që e detyruan gjykatën ta nxirrte nga burgu.

E gjithë jeta e Dalliut është e ngjeshur me ndjekje policore si pasojë e veprimeve të tij kundrejt padrejtësitë dhe veprimeve për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë. Pas Luftës II Botërore u emërua mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës për lëndët e Besimit Islam.

[3] Zhvillimet politiko-shoqërore në Shqipëri, pas luftës, në fundin e vitit 1944, ndryshuan strukturën sociale të të gjitha fushave të jetës në qytet e në fshat, në sistemin ekonomik, arsimor, etj. – deri në raportin e marrëdhënieve të individit me të tjerët. Vendosja e diktaturës së shtetit monist, cenonte interesat e të gjitha shtresave dhe të drejtat e masave popullore, prandaj Hafiz Dalliu nuk mund të pajtohej me regjimin ateist, Mirëpo ky lloj qëndrimi nuk i pëlqente diktaturës së kuqe, prandaj e arrestuan, e burgosën dhe e torturuan pa asnjë argument ligjor; pas disa muaj mundimesh në duart e persekutorëve  të birucave (nëpër qelitë e burgut), e liruan për mungesë faktesh dhe doli nga burgu i sëmurë, i dobësuar, sa nuk qëndronte dot në këmbë dhe, për pasojë, vdiq në shkurt të vitit 1952. Shih: Fjalori enciklopedik shqiptar 1, ASHSH, Tiranë, 2002, f. 413.

[4] Hamit Boriçi, Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare ( 1848-1997), Tiranë, 1997,  f. 84, 85.

[5] Blendi Fevziu, Histori e shtypit shqiptar 1848-2005, Onufri, Tiranë, 2005, f. 60; shih:

Fjalori enciklopedik shqiptar 1, ASHSH, Tiranë, 2002, f. 410.

[6] Ramadan N. Ibrahimi, Masakrat serbe në Malësinë e Gallapit në janar të vitit 1921, në: ” Gallapi gjatë rrjedhave të historisë”, Prishtinë, 2010, f. 162.

[7] “Dajti”, nr. 20, e hënë, 24 mars 1924.

[8] “Dajti”, nr. 53, e premte, 7 nëntor 1924.

[9] “Dajti”, nr. 20, op., i cit.

[10] “Dajti”, nr. 53, op., i cit.

[11] Po aty.

[12] Po aty.

[13] Po aty.

[14] Po aty.

[15] Shih: Hakif Bajrami, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe qeveritë e Tiranës për krimet serbe në Kosovë, Prishtinë, 2008; Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918- 1924, IAP, Prishtinë, 1997.

[16] Shih: Tahir Abdyli, Hasan Prishtina ( ribotim), GME, Prishtinë, 2003.

[17] “Dajti”, nr. 54, e enjte, 13 nëntor 1924.

[18] “Dajti”, nr. 57, e enjte, 4 dhjetor 1924.

[19] Po aty.

[20] Hafiz Ali Korça, Vepra 2, Logos- A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, f.121-125.

[21] Lindi në Dibrën e Madhe, por veprimtarinë e tij si mësues, publicist dhe përkthyes e zhvilloi larg lindjes, në Gjyrash të Manastirit (1912), në Peshkopi (1914), ku hapi shkollën e parë shqipe, në Turjak dhe në Sllovë të Dibrës (1916 dhe 1920), në Vlorë (1929). Pas vitit 1930 vendoset përfundimisht në Tiranë, ku zhvillon një veprimtari të dendur si drejtor i Medresesë së Tiranës, si drejtor i revistës ”Zani i Naltë” (organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar), në krye të së cilës ai qëndroi në vitet 1930-1939.

Kishte studiuar në Normalen e Elbasanit si dhe kishte ndjekur Shkollën pedagogjike ”Darul- Mualiminë” të Dibrës. Në fushën e botimeve u dallua për trajtime serioze të temave me karakter fetar, social, etik dhe filozofik. Shkroi shumë poezi. Ka hartuar serinë e librave ”Edukata fetare dhe morale” etj.. Krahas veprave të mësipërme, duhet shënuar se edhe “Kalendari mysliman”, që u botua për disa vite me radhë, është vepër e tij. Ka punuar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë. Ka lënë një trashëgim të pasur me përkthime, siç janë: “Tefsiri shqip”, “Parimet e nalta të Islamit”, “Ajete të Kuranit”. Vdiq në Tiranë në vitin 1977, në moshën 83 vjeç. etj. Shih: Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, ISHMQI, Tiranë, 2002, f. 333, 334. Shih: Ali Hoxha, Faik Kasollja, Islam Sharofi, Haki Sharofi- veprimtaria fetare dhe atdhetare, në:” Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptaret, BIK, Prishtinë, 1995, f. 416- 417.

[22] Ndonëse tregon për një episod nga trimëria e një djaloshi shqiptar gjatë luftërave ballkanike (1912- 1913), duke luftuar me serbët i vetëm, kjo vjershë megjithatë ka domethënien e vet edhe për vitet që kemi trajtuar në këtë punim, sepse, në fund të fundit, mllefi i personaliteteve të lartcekura ishte ndaj pushtuesit  të  njëjtë, personalitetet e lartcekura dhembjen e ndienin për të njëjtin popull (Shqiptarët e Kosovës) dhe vitet për të cilat kemi bërë fjalë në këtë punim, nuk ishin të largëta nga vitet e zhvillimit të luftërave ballkanike. Pasojat e pushtimeve serbe në tokat shqiptare ishin ende të freskëta.

[23] Ali Hoxha, Faik Kasollja, Islam Sharofi, Haki Sharofi- veprimtaria fetare dhe atdhetare.., pun. i cit., f. 416- 417.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.